ATV

Author: G.O.

  • Borrell: Lufta e Ukrainës është një kërcënim ekzistencial për BE-në

    Borrell: Lufta e Ukrainës është një kërcënim ekzistencial për BE-në

    Diplomati më i lartë i BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një “kërcënim ekzistencial” për Evropën, ndërsa i kërkoi Kinës të mbështesë procesin e paqes për t’i dhënë fund konfliktit gjatë një takimi me ministrin e jashtëm të vendit, Wang Yi.

    Kina, një aleate e ngushtë e Moskës, nuk e ka dënuar publikisht pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Pekini ka paraqitur një dokument prej 12 pikash që përcakton parimet e përgjithshme për përfundimin e luftës.

    Në komentet e bëra në margjinat e shoqatës së kombeve të Azisë Juglindore në Laos, Borrell i kërkoi gjithashtu Pekinit të ndalonte eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi, të cilat forcojnë aftësitë e saj ushtarake.

    Sipas një njoftimi për shtyp nga shërbimi diplomatik i BE-së, Borrell, shpjegoi pse lufta e Rusisë në Ukrainë përbën kërcënim ekzistencial për Evropën.

    “Përfaqësuesi/zëvendëspresidenti i lartë i BE-së shpjegoi pse Bashkimi Evropian konsideron se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një kërcënim ekzistencial për Evropën. Ai shprehu shqetësimin e tij sepse eksportet e Kinës të sasive të mëdha të mallrave dhe artikujve me përdorim të dyfishtë përfaqësojnë një mbështetje për Rusinë për të ndërtuar pajisjet e saj ushtarake”

    Gjithashtu, aty thuhet se Borrell kërkoi Kinës që të përdorë ndikimin e saj në Rusi për të kontribuar në përfundimin e luftës. Ai kërkoi nga Kina të mbështesë procesin e paqes në Ukrainë dhe konsideroi se deklarata e përbashkët me Brazilin e majit 2024 nuk shkon në atë drejtim, shkruan The Guardian.

  • Në nderim të sakrificës, objekti i Qeverisë u ndriçua me emrat e 23 policëve të rënë

    Në nderim të sakrificës, objekti i Qeverisë u ndriçua me emrat e 23 policëve të rënë

    Në kujtim dhe nderim të sakrificës së 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, objekti i Qeverisë së Kosovës mbrëmë është ndriçuar me emrat e tyre.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një postim në Facebook shkruan se në shënim të Ditës Memoriale të Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës, të premten në mbrëmje ndërtesa e Qeverisë u ndriçua me emrat e 23 heronjve të ditëve tona, që dëshmuan përkushtimin për rend dhe ligj deri në sakrificë.

    “Atyre u takon lavdia e përjetshme, neve shërbimi i përditshëm. Republika e Kosovës është gjithmonë krenare me ju”, shkruan Kurti.

    Ndërkaq, për këtë ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    “Republika e Kosovës është gjithmonë krenare me ju”, shkruan ai. /Telegrafi

  • Kamala Harris shpall zyrtarisht kandidaturën për presidente të ShBA-së

    Kamala Harris shpall zyrtarisht kandidaturën për presidente të ShBA-së

    Kamala Harris ka firmosur zyrtarisht deklaratën, për t’u shpallur kandidate për presidente në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor.

    Ajo përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se do të luftoj për çdo votë.

    “Sot firmosa formularët ku deklaroj zyrtarisht kandidaturën time për President të Shteteve të Bashkuara. Do të punoj shumë për të fituar çdo votë.

    Kujtojmë se Harris u shpall kandidate nga Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara për një mandat të dytë si president në krye të SHBA-ve.

    Harris do të garojë përballë Donald Trump i cili po lufton të fitojë sërish presidencën.

  • Dyshohet se humbi jetën në Valbonë – Vazhdon operacioni për gjetjen e alpinistit kosovar

    Dyshohet se humbi jetën në Valbonë – Vazhdon operacioni për gjetjen e alpinistit kosovar

    Një qytetar nga Kosova dyshohet se ka humbur jetën në vendin e quajtur “Maja e Thatë” në Valbonë, raporton Sinjali.

    Ai dyshohet se ra në greminë nga një lartësi për shkak të terrenit të thepisur malor.

    Në ndihmë u ka dalë edhe Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

    ShKShMK ka njoftuar pak më parë se së bashku me autoritetet shqiptare po vazhdojnë kërkimin për gjetjen e alpinistit kosovar.

    “ShKShMK së bashku me autoritetet Shqiptare vazhdon me operacionin e Kerkim-Shpetimit në majën e Thatë”, thuhet në njoftim.

  • Dërgohen në IML për identifikim eshtrat e gjetura në Podujevë, që dyshohet të jenë nga lufta e fundit

    Dërgohen në IML për identifikim eshtrat e gjetura në Podujevë, që dyshohet të jenë nga lufta e fundit

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e gjetjes së eshtrave të një njeriu në Podujevë, e që dyshohet të jenë nga lufta e fundit.

    Gjetjet eshtërore janë tërhequr nga zyrtarët e Instituti të Mjekësisë Ligjore dhe janë dërguar për obduksion dhe identifikim.

    “Podujevë Viti 1999. Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, kanë realizuar urdhëresën për ekshumim në një lokacion në komunën e Podujevës, ku janë hasur gjetje eshtërore që besohet se janë të trupit të njeriut dhe i përkasin periudhës së luftës së fundit”, thuhet në raportin e policisë.

    Është ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila dje njoftoi se janë gjetur mbetje mortore në varrezat afër Tjegullores në Podujevë.

    Ajo në një postim në Facebook, ka thënë se mbetjet dyshohet se i përkasin një individi që mund të jetë në listën e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit.

    Sipas saj, gërmimet janë duke vazhduar ende në kërkim edhe të individëve të tjerë.

    “Sot (dje), në varrezat afër Tjegullores në Podujevë, ekipet mjeko ligjore nga IML, me mbështetje nga EULEX, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KQPZH, kanë arritur të lokalizojnë mbetjet mortore të një individi që dyshohet të jetë nga lista e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit. Gërmimet janë duke vazhduar ende në kërkim edhe të individëve të tjerë”, shkroi Haxhiu.

  • Erdogan për Netanyahun: E gjithë bota ka parë se si Kongresi amerikan e duartrokiste një vrasës

    Erdogan për Netanyahun: E gjithë bota ka parë se si Kongresi amerikan e duartrokiste një vrasës

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dënoi Kongresin e Shteteve të Bashkuara për duartrokitjen e fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin ai e përshkroi si “plot delirium”.

    “E gjithë bota shikoi dhe pa se si një vrasës gjenocidal u duartrokit në Kongresin amerikan. Mendoni për ata që vranë pothuajse 40 mijë fëmijë, gra dhe të moshuar. Dhoma e Përfaqësuesve i duartroket”, tha Erdogan.

    Ai shtoi se bota po përballet me një humbje të arsyes pasi Kongresi pret një “kasap” që ka gjakun e 150 mijë banorëve të Gazës në duart e tij.

    Izraeli është akuzuar për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ).

    Kjo e fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë ofensivën ushtarake në Rafah në Gazën jugore, ku më parë kishin kërkuar strehim më shumë se një milion palestinezë.

    Ndryshe, Netanyahu gjatë qëndrimit në SHBA ka takuar presidentin aktual, Joe Biden, ish-presidentin, Donald Trump si dhe kandidaten demokrate për president, Kamala Harris. /Telegrafi/

  • Krasniqi për “Lojërat Olimpike Paris 2024”: Kosova është shembull për rajon, shpresojmë të kthehemi me tri medalje

    Krasniqi për “Lojërat Olimpike Paris 2024”: Kosova është shembull për rajon, shpresojmë të kthehemi me tri medalje

    Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, është shprehur optimist se sportistët kosovar do të kthehen me medalje nga Lojërave Olimpike “Paris 2024”, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Krasniqi ka thënë se Kosova është shembull i mirë për rajonin, ndërsa është shprehur falënderues ndaj Qeverisë për përkrahje ndaj sportistëve.

    “Kosova është shembull edhe për rajonin sa i përket mbështetjes nga Qeveria, por dhe nga komiteti. Kjo është edhe një motiv shtesë për të gjithë sportistët që të punojnë edhe më shumë, sepse të jesh sportistë olimpikë nuk është lehtë kërkon shumë punë përkushtim, përgatitje, ushtrime ndoshta deri në tre herë në ditë dhe pa pasur motivim nuk është lehtë, dhe pa i stimuluar sportistët dhe trajnerët është e pamundshme”, ka thënë Krasniqi.

    Ai ka treguar edhe për vendimin e KOK-ut për të ndarë bursa për trajnerët që arrijnë sukses në arenën ndërkombëtare.

    “Komiteti Olimpikë i Kosovës për herë të parë i ndanë bursa edhe trajnerëve të cilët janë trajner që kanë rezultate evropiane botërore, mesdhetare. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse mbas Parisit 2024 do të na presin Lojërat Los Angelos, ku menjëherë mbas lojërave do të fillojë përgatitjet e garuesve tonë elitarë”, u shpreh Krasniqi.

    Duke parë garën e fortë që po zhvillohet në këtë Olimpiadë, Krasniqi shprehet i kënaqur nëse arrijnë të fitojnë së paku një medalje.

    “Dëshira ime është që të gjithë garuesit të marrin medalje, unë dëshiroj që të më së pari të prezantoj Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, të na bëjë krenar është edhe fati në pyetje. Çdo medalje që të vjen qoftë argjend, bronze apo e artë të gjitha janë medalje olimpike, personalisht ndoshta edhe me një medalje do të isha i kënaqur sepse nuk është lehtë që të kthehesh prej një olimpiade me medalje sepse ka shumë shtete më shumë garues që shkojnë dhe kthehen pas asnjë medalje. Tash jemi mësuar në herën e parë kemi pasur me Majlinda Kelmendin, medaljen e parë historike që na ka bërë krenarë të gjithëve, po ashtu edhe në Tokio kemi marrë dy medalje, kështu që tani është hera e tretë. Dashtë zoti të kthehemi me tre medalje të paktën”, përfundoi ai.

    Lojërat Olimpike Verore të vitit 2024 do të mbahen në kryeqytetin e Francës, Paris, kurse hapja solemne e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, është mbajtur të premten më 26 korrik dhe mbaron më 11 gusht.

  • Vdes një vajzë 7-muajshe në Fushë-Kosovë

    Vdes një vajzë 7-muajshe në Fushë-Kosovë

    Policia ka njoftuar se një grua ka raportuar se kur është zgjuar nga gjumi ka vërejtur se vajza e saj shtatë muajshe ishte pa shenja jete.

    Rasti ka ndodhur në Fushë Kosovë.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Një femër kosovare ka njoftuar se pasi është zgjuar nga gjumi ka vërejtur se vajza e saj 7 muajsh ishte pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti në hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • “Rrezik për arratisje tjera” – Analistët kërkojnë rishikim të kritereve për vendosjen e personave në burgje të hapura

    “Rrezik për arratisje tjera” – Analistët kërkojnë rishikim të kritereve për vendosjen e personave në burgje të hapura

    Njohës të çështjeve të drejtësisë kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që t’i rishikojë kriteret për vendosjen e personave të dënuar në institucionet korrektuese të tipit të hapur, pasi shohin “rrezik të arratisjeve tjera”, raporton Ekonomia Online.

    Duke folur për arratisjet e fundit, me theks të veçantë të Faton Hajrizit, analistët fajësojnë institucionet përgjegjëse, pasi vendosja e personave në institucionet korrektuese të tipit të hapur që nuk janë risocializuar, është e gabuar.

    Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë për Ekonomia Online, se vendosja e personave në këto institucione, që nuk janë risocializuar mjaftueshëm dhe kanë vite shumë për t’i përfunduar në institucionet korrektuese, nuk duhet të vendosen në Smrekonicë.

    Bajraktari ka thënë se vendosja e këtyre personave në institucione të tipit të hapur është interpretim i gabuar i dispozitave të ligjit për ekzekutimit e sanksioneve penale

    “Referuar asaj që kemi parë dhe dispozitave ligjore të ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, vlerësoj që janë bërë lëshime me rastin e rishikimit e kritereve me theks të veçantë çështja e mundësisë së vendosjes së personave të dënuar në institucionet korrektuese të tipit të hapur siç është rasti me Institucionet Korrektuese përkatësisht Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, për faktin se koncepti i të vendosurit në një institucion të tipit të tillë i personit të dënuar nënkupton që ai person e ka kryer një pjesë bukur të madhe të dënimit dhe i ka mbetur edhe pak kohë për ta përfunduar, ka arritur një shkallë relativisht të lartë të risocializimit prandaj vendosja në këto institucione është me qëllim të lehtësimit të personit të dënuar, rikthimit të tij në jetën e përditshme, prandaj vlerësoj që me rastin e rishikimit të kritereve dhe me rastin  e vendosjes së këtij personi, përkatësisht personave të tillë në institucionet korrektuese të tipit të hapur janë bërë lëshime të cilat pastaj organet ligjzbatuese duhet t’i marrin në konsideratë”, ka thënë Bajraktari.

    “Institucionet korrektuese të tipit të hapur para së gjithash duhet kuptuar që është një institucion në të cilin edhe barrierat fizike, por edhe niveli i sigurisë është relativisht i ulët, për faktin se këtu vendosen kategoria e personave me rrezikshmëri relativisht të ulët ose persona të cilët siç e thashë e kanë kryer pjesën dërmuese të dënimit dhe iu ka mbetur një kohë relativisht e shkurtër konsiderohet që kanë arritur përkatësisht shkallën e lartë të ri-socializimit dhe është një parapërgatitje që të njëjtit të rikthehen në shoqëri, prandaj mundësia  së personave të cilët nuk janë risocializuar mjaftueshëm dhe kanë vite bukur shumë për t’i përfunduar në institucionet korrektuese. Vendosja e këtyre personave në këto institucione, në bindjen time është interpretim i gabuar i dispozitave të ligjit për ekzekutimit e sanksioneve penale”, ka deklaruar Bajraktari.

    E personat që nuk kanë arritur risocializohen mjaftueshëm, përgjegjës Bajraktari i bën institucionet.

    “Natyrisht që shteti është para së gjithash përgjegjës, në tri drejtime. E para që nuk ka arritur mjaftueshëm ose nuk ka arritur ta risocializojë personin në fjalë, pastaj rishikimi i kritereve dhe vendosja në institucionet korrektuese të tipit të hapur, një personit i cili nuk është risocializuar i ka mundësuar të njëjtit të arratisët nga burgu, si kundër që edhe pastaj veprimet pasuese pas arrestimit të të njëjtit. Mundësia e largimit të tij nga Kosova, të gjitha këto kanë rezultuar me atë çfarë në fakt tashmë jemi dëshmitarë të gjithë. Prandaj në të gjitha, para së gjithash dhe në radhë të parë janë organet shtetërore përgjegjëse”.

    Rishikim të politikave nga Ministria e Drejtësisë, ka kërkuar edhe hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala. Shala ka thënë për Ekonomia Online, se është e nevojshme që Ministria e Drejtësisë të rishikojë politikat e saj. Ai ka thënë se duhet të ketë një vlerësim adekuat në secilin rast nëse një person i caktuar duhet të vendoset a jo në një tip të hapur të burgjeve.

    “Fillimisht duhet të theksuar faktin se zotëri Hajrizi ka qëndruar në burg për vite me radhë dhe për gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, vetë dënimi i shqiptuar supozohet që të arrijë njërin prej qëllimeve të tij, e që është parandalimi i kryerjes dhe risocializimi i tij riintergrimit në atë mënyrë që i njëjti të kthehet si person i dobishëm në shoqëri. Ndërsa në rastin konkret për kundër faktit që kanë kaluar për vite të tëra të mbajtjes së burgimit duket se ky qëllim nuk është arritur dhe kjo situatë flet për nevojë për shikim dhe rishikimin e politikave të Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues në drejtim të risocializimit dhe të riintegrimit të personave të cilët mbajnë dënim. Sa i përket arratisjes së tij, nga burgu i hapur i Smerkonicës, është shumë e nevojshme që Ministria e Drejtësisë të rishikojë politikat e saj, sa i përket vendosjes së personave në burgje të tipit të hapur, duhet të ketë një vlerësim adekuat në secilin rast nëse një person i caktuar duhet të vendoset a jo në një tip atë të hapur të burgjeve. Definitivisht të gjitha rrethanat janë arsye që Ministria e Drejtësisë të qasen dhe të analizojnë të gjithë këtë situatë”, ka thënë Shala.

    Shala ka adresuar kritika edhe për deklaratat e ministres Albulena Haxhiu, e cila raportoi për një rrezik kombëtar dhe për “një ndërhyrje të një shteti tjetër në burgjet e Kosovës”.

    “Ministria e Drejtësisë duhet të reflektojë përballë kësaj për të nxjerr nevojat që ka Shërbimi Korrektues, burgjet e Kosovës. Për kundër kësaj ministrja e Drejtësisë ka zgjedhur të theksoj se fajtor për këtë është shteti serb, që po ndikon në burgjet e Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht përballë kësaj deklarate ajo çfarë do të prisja unë që kryeministri ta ftonte atë në takim dhe ta pyeste se si është ky lloj ndikim cilat janë kompetencat tona dhe se si do të mundin ta ndalim, këtë ndikim serbë në burgjet e Kosovës mirëpo, përkundër kësaj kryeministri kritikoi Prokurorinë Speciale i cila thjeshtë bëri punën e vet. Thjeshtë e intervistojë ministren e Drejtësisë e cila në publik raportoi për një rrezik kombëtar, për një ndërhyrje të një shteti tjetër në burgjet e Kosovës. Dhe për këtë arsye kjo qasje e kryeministrit dhe ministres, mënyra se si e ka plasuar pa marrë parasysh se a është e vërtetë ose jo, është problematike”, u shpreh Shala.

    Shala ka thënë se në burgun e Smrekonicës duhet të vendosen personat që nuk ka ndonjë interes që të arratiset dhe se sipas tij vlerësimi nuk duhet të jetë vetëm formal por duhet të jetë një vlerësim meritor.

    “Duhet të bëhet në secilin një vlerësim e personit të dënuar në tërësinë e rrethanave, do të thotë duke pasur parasysh fillimisht lartësinë e dënimit të shqiptuar të kaluarën e tij, rrethanat specifike të tij, në mënyrë që të dihet se sa është niveli i rrezikshmërisë të arratisjes. Kjo është arsyeja edhe tipet e burgjeve dallojnë që nga tipi i hapur i Smrekonicës deri në burgun e Sigurisë së Lartë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që vlerësimi të jetë adekuatë dhe të jetë specifik në secilin situatë, në mënyrë që të kemi parasysh se sa është rreziku i arratisjes”.

    “Vetëm në rastin kur një i burgosur nuk ka ndonjë interes që të arratiset, vetëm atëherë personat e tillë duhet të vendoset në një institucion të tipit të hapur siç është i burgu i Smrekonicës. Në të kundërtën duhet të mbahen në institucionet që janë më të rrepta dhe që mundësia e arratisjes është shumë e vogël. Vlerësimi nuk duhet të jetë vetëm formal por duhet të jetë një vlerësim holistik dhe meritor që bëhet në secilin rast lidhur me nivelin e vlerësimit të rrezikut dhe më pastaj sistemin e tij në një burg të caktuar”, ka thënë Shala.

  • E konfirmon FBI: Ish-Presidenti Trump u godit vërtet nga plumbi

    E konfirmon FBI: Ish-Presidenti Trump u godit vërtet nga plumbi

    FBI-ja deklaroi se ish-Presidenti Donald Trump u godit në vesh nga një plumb gjatë atentatit ndaj tij më 13 korrik, duke i dhënë kështu qartësi ngjarjes, pas gati dy javësh konfuzioni dhe kundërthëniesh.

    Në deklaratën e qarkulluar mbrëmjen e së premtes, FBI-ja tha se “ajo çfarë goditi ish Presidentin Trump në vesh ishte një plumb, qoftë i plotë apo i fragmentuar në pjesë më të vogla, që u shkrep nga arma e të dyshuarit të vdekur”.

    Deklarata u bë dy ditë pasi drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha gjatë një seance dëgjimore në Kongres se nuk ishte e qartë nëse plagët e ish-Presidentit Trump u shkaktuan nga plumbi apo copëza të tjera.

    Më herët gjatë ditës së premte, ish-mjeku në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të ish-Presidentit Trump, kundërshtoi deklaratën e drejtorit të FBI-së.

    Fakti se një plumb e plagosi ish-Presidentin Trump në vesh dhe se ai i shpëtoi vdekjes me një distancë me centimetër, është shndërruar në një element kryesor për fushatën e tij elektorale.

    Ronny Jackson, ish-mjeku në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të ish-Presidentit Trump, deklaroi se: “Nuk ekziston asnjë provë se u godit nga ndonjë gjë tjetër përveç një plumbi”, shkruajti zoti Jackson, një aleat i ngushtë i ish-Presidentit Trump. “Drejtori i FBI-së Wray gabohet dhe është e papërshtatshme që të sugjerohet ndonjë gjë tjetër”.

    Të enjten, ish-Presidenti Trump iu drejtua medias së tij sociale për ta kritikuar drejtorin e FBI-së.

    “Ishte fatkeqësi që një plumbi e goditi veshin tim, dhe e goditi fort. Nuk pati xham, nuk pati copëza”, shkruajti ish-Presidenti Trump, duke shtuar se: “Nuk është çudi që FBI-ja dikur e lavdishme, ka humbur besimin e Amerikës”.

    Edhe zëdhënësi i fushatës elektorale të ish-Presidentit Trump i tha agjencisë së lajmeve Reuters se çdo variant tjetër se ish-presidenti mund të ishte goditur nga diçka tjetër, ishte nënprodukt i teorive të konspiracionit./VOA