ATV

Author: G.O.

  • Sot diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës

    Sot diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në ora 10:00, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës.

    Në këtë ceremoni, pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

    Personalitetet e larta shtetërore dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të ju drejtohen të pranishmeve me nga një fjalë rasti, përderisa në këtë ceremoni do të shpërndahen edhe certifikatat për të diplomuarit, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Ky është parashikimi i motit për sot, pasdite pritet shtim i vranësirave

    Ky është parashikimi i motit për sot, pasdite pritet shtim i vranësirave

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës.

    Ndërsa, gjatë pasdites pritet shtim i vranësirave, të cilat lokalisht apo në zona më të izoluara, pritet të sjellin rrebeshe kalimtare shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

    Këto reshje pritet të jenë kryesisht të përqendruara në gjysmën e epërme të Kosovës, duke mos përjashtuar mundësinë edhe në jugperëndim të vendit, njofton Meteo Kosova.

    Era do fryjë nga veriperëndimi, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 18-65 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 13 deri në 18°C, ndërsa ato maksimale prej 33 deri në 37°C.

    Si pasojë e temperaturave të larta, këshillohet të keni kujdes nëse qëndroni jashtë për periudha të gjata kohore.

  • BE-ja përsërit se vendimi për hapjen e urës së Ibrit merret në kuadër të dialogut

    BE-ja përsërit se vendimi për hapjen e urës së Ibrit merret në kuadër të dialogut

    Bashkimi Evropian po insiston se çështja e urës mbi lumin Ibër të jetë çështje që diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar se çfarëdo hapi që do të ndërmerret dhe që ka ndikim në njërën apo tjetrën palë, duhet të diskutohet dhe zgjidhet në dialog. Ai ka shtuar se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.

    “Çfarëdo hapa që do të ndërmerren që ka ndikim në njërën ose tjetrën palë duhet të diskutohen, zgjidhen dhe merren në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Rihapja e urës është çështje e dialogut dhe çfarëdo vendimi për t’u hapur duhet të bëhet brenda dialogut”, ka ritheksuar ai në një paraqitje me mediat.

    Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet me diskutime brenda dialogut. Institucionet në Kosovë e kanë kërkuar dhe mbështetur këtë veprim duke arsyetuar se garanton lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve.

  • Kosovë: Brenda disa ditëve 39 raste aktive me COVID-19, bëhet thirrje që qytetarët të testohen

    Kosovë: Brenda disa ditëve 39 raste aktive me COVID-19, bëhet thirrje që qytetarët të testohen

    Instituti Kosovar i Shëndetit Publik ka bërë e ditur se në dy javët e fundit në Kosovë, ka pasur rritje të infeksionit me koronavirus.

    IKSHPK-ja njoftoi se nga data 17 korrik deri më 30 korrik në Kosovë janë regjistruar 39 raste pozitive me COVID-19, por nuk ka raportuar për ndonjë rast me fatalitet.

    Në lidhje me situatën e krijuar nga IKSHPK-ja thanë se aktualisht brenda Klinikës Infektive janë duke u trajtuar dy pacientë, por që gjendja e tyre nuk raportohet të jetë e rrezikuar.

    Po ashtu u tha se shtimi i rasteve me COVID-19 në Evropë si dhe në vendet e rajonit ka reflektuar edhe në vendin tonë.

    “Përgjithësisht në rajonin evropian dhe në vendet e rajonit ka shtim të rasteve me COVID-19, dhe kjo reflekton edhe në vendin tonë, por rastet, megjithatë nuk kanë reflektuar me ngarkesa të theksuara për sistemin shëndetësor”, kanë thënë nga IKSHPK për lajmin.

    Ndër të tjera nga IKSHPK, kanë këshilluar qytetarët që të praktikojnë masat e higjienës, të testohen kur kanë shenja apo dyshime për infeksion dhe, të vaksinohen me doza përforcuese.

    “Gjithsesi, qytetarët këshillohen të praktikojnë masat e higjienës, të testohen kur kanë shenja apo dyshime për infeksion dhe, të vaksinohen me doza përforcuese, sidomos personat me imunitet të komprometuar”.

    Ndryshe IKSHPK-ja rikujtoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi fundin e COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore më 5 maj 2023.

    Megjithatë, raste me koronavirus – që për herë të parë u shfaq në Vuhan të Kinës në fundin e vitit 2019 – së fundi janë regjistruar në vende të ndryshme të botës dhe në kontinentin evropian.

  • ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin

    ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

    Për Thaçin dhe Veselit, ZPS-ja i ka bërë dy kërkesa të ndara, me anë të së cilave thekson se ekziston rreziku që dy të akuzuarit “të pengojnë procesin gjyqësor, të kryejnë krime të tjera ose edhe të arratisen”.

    “Asnjë nga modalitetet e lirimit me kusht nuk është në gjendje të zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet…Rreziqet përkatëse mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit të DhSK-së, siç është riafirmuar së fundmi nga ky Panel”, thuhet në dy kërkesat e ZPS-së.

    Po ashtu, në të dyja kërkesat, ZPS-ja ka rikujtuar se sa i takon rreziqeve të pengimit të procedurave të DhSK-së, dhe “rrezikut për kryerjen e krimeve të mëtejshme nga të akuzuarit”, Paneli ka konstatuar se asnjë nga kushtet e propozuara më parë dhe as ndonjë masë shtesë nuk mund t’i zbus rreziqet të cilat ekzistojnë në këtë rast.

    Sipas ZPS-së, asgjë nuk ka ndryshuar që nga vendimi i fundit i trupit gjykues për vazhdimin e paraburgimit ndaj dy të akuzuarve.

    ZPS-ja ka shtuar se “sjellja e Thaçit përfaqëson një rrezik jashtëzakonisht të rritur e sidomos me vazhdimin e gjykimit dhe zbulimin e mëtejshëm të provave”.

    “Përkundrazi, sjellja e Thaçit tani përfaqëson një rrezik të jashtëzakonshëm të rritur që edhe kufizimet dhe monitorimi standard i komunikimeve të Qendrës së Paraburgimit janë të pamjaftueshme për ta zbutur atë, duke e bërë të nevojshme vendosjen e një regjimi edhe më të rreptë nga ky Panel. Prandaj, sidomos në lidhje me vazhdimin e gjykimit dhe zbulimin e mëtejshëm të provave, rreziqet bazë janë më të larta se kurrë”, thuhet në kërkesën e ZPS-së.

    Po ashtu, sa i takon sjelljes së Veselit, ngjashëm thuhet edhe në kërkesën e ZPS-së për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.

    ZPS-ja rikujtoi sërish arsyetimin e Panelit për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve, ku për Thaçin kishte konstatuar se duhet vlerësuar faktet e çdo rasti dhe veçoritë e tij personale e “që përfshijnë ndikimin dhe autoritetin e të akuzuarit, njohuritë e tij mbi akuzat dhe provat kundër tij, mundësinë për një dënim të gjatë me burgim, rrezikun e pengimit të procedurave, kryerjes së krimeve”, etj.

    Ndërsa, në kërkesën për Veselin, ZPS-ja rikujtoi arsyetimin e panelit për vazhdimi e paraburgimit ndaj tij, duke theksuar se ai është i akuzuar për dhjetëra akuza të krimeve të rënda ndërkombëtare, në të cilat pretendohet se ka luajtur rol të rëndësishëm dhe nëse dënohet mund të përballët me burgim të gjatë, etj.

    Si rrjedhojë, ZPS-ja ka parashtruar se duke marrë parasysh këta faktor dhe faktorët shtesë, masa e paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit “vazhdon të jetë e arsyeshme dhe se ata duhet të mbesin në paraburgim”.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020, raporton Betimi për Drejtësi.

  • ​Lëvizja FOL: Qeveria realizoi vetëm 33 për qind të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar-qershor 2024

    ​Lëvizja FOL: Qeveria realizoi vetëm 33 për qind të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar-qershor 2024

    Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-qershor 2024.

    Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim.

    “Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-qershor 2024 ka arritur të realizoj vetëm 49 apo 33 % nga to, ndërkaq 59 apo 40 % nga to kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 39 aktivitete apo (27 %) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për periudhën e parë gjashtë mujore”, ka thwnw ajo.

    Demolli-Nimani, listoi dhe ministritë të cilat s’kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën e parë gjashtë mujore 2024 janë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.

    Ndërkaq Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-qershor të vitit 2024 janë:

    • Zyra e Kryeministrit – kishte paraparë vetëm 16 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, nga to janë realizuar 13 dhe 3 kanë mbetur pa u realizuar.

    • Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 8 aktivitete brenda periudhës janar – qershor 2024. Prej tyre kanë realizuar 6 ndërkaq 2 janë të parealizuara.

    • Ministria e Drejtësisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 36 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 14 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 22 janë të pa përfunduara.

    • Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 3 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024, prej të cilave ka realizuar 1 dhe 2 të tjera janë të parealizuara.

    • Ministria e Ekonomisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 18 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë realizuar brenda afatit të paraparë ndërkaq 12 janë të parealizuara.

    • Ministria e Punëve të Brendshme – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 10 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 4 janë të parealizuara.

    • Ministria e Mbrojtjes – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.

    • Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – nga 15 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 , ka realizuar 3 dhe 12 kanë mbetur të parealizuara.

    • Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.

    Ndërkaq tri ministri nuk janë përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL, dhe nuk dimë nëse i kanë realizuar aktivitetet e parapara apo jo.

    • Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 11 aktivitetet brenda periudhës janar – qershor 2024.

    • Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 9 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2023.

    • Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 19 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024.

    Sipas Demolli-Nimanit, Lëvizja FOL ka bërë krahasimin ndër vite të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor të parapara të përfundojnë në periudhën janar-qershor për vitet 2022, 2023, 2024. Në vitin 2022 niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 48%, ndërsa në vitin 2023 Qeveria e Kosovës ka realizuar 34% dhe në vitin 2024 ky plan është realizuar vetëm 33 % për periudhën e parë gjashtë mujore.

    Për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 sipas FOL kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 1032 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e më sipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tri vitet e fundit.

  • Osmani uron Zvicrën për ditën kombëtare: Ke qenë një mike e vërtetë

    Osmani uron Zvicrën për ditën kombëtare: Ke qenë një mike e vërtetë

    Presidentja Vjosa Osmani e ka uruar Zvicrën për ditën e saj kombëtare.

    Në një postim në platformën X, ajo e ka shpërndarë një fotografi të sajën me presidenten zvicerane, Viola Amherd.

    “Zvicra ka qenë një mike e vërtetë dhe një aleate e palëkundur, duke qëndruar krah për krah me Kosovën gjatë gjithë viteve”.

    “Sot, ne festojmë me ju, duke nderuar lidhjet e forta që lidhin vendet tona, përfshirë rolin që diaspora jonë ka luajtur në ndërtimin e këtij partneriteti të fortë”, ka shkruar Osmani.

  • Pesë zonat që harroni të vendosni kremin kundër diellit, duke u rrezikuar nga kanceri i lëkurës

    Pesë zonat që harroni të vendosni kremin kundër diellit, duke u rrezikuar nga kanceri i lëkurës

    Rreziku i kancerit të lëkurës mund të rritet në rast se ekspozojmë trupin në temperaturat e larta gjatë stinës së verës.

    Mënyra më e mirë për të shmangur kancerin e lëkurës është të mbroni lëkurën tuaj nga rrezatimi i dëmshëm ultravjollcë (UV), duke aplikuar rregullisht kremin kundër diellit, shkruan The Sun.

    Por, sipas një specialisti të kancerit të lëkurës, janë pesë zona të trupit që njerëzit shpesh harrojnë t’i mbrojnë.

    Këta janë zonat më të prirura ndaj kancerit të lëkurës, nga të cilat ekzistojnë dy lloje kryesore – melanoma dhe jo-melanoma.

    “Vazhdoni të aplikoni rregullisht SPF dhe mos harroni zona të tilla si skalpi, të cilin mund ta mbuloni me një kapele nëse preferoni”, tha mjeku Paul Banwell, i cili drejton një njësi kërkimore dhe është një profesor vizitor i kirurgjisë plastike në Shkollën Mjekësore të Harvardit.

    “Duart dhe këmbët janë shpesh zona që harrohen gjithashtu, prandaj sigurohuni që edhe ato të kenë një faktor të lartë SPF”.

    “Njerëzit shpesh harrojnë të mbrojnë buzët, veshët dhe lëkurën e kokës”.

    “Buzët janë veçanërisht të rrezikuara, pasi njerëzit shpesh harrojnë të aplikojnë SPF”.

    “Veshët janë gjithashtu një zonë që harroni lehtësisht, por është e rëndësishme të përdorni SPF në veshët tuaj pasi ata janë ende të ekspozuar ndaj rrezeve UV”.

    “Është shumë e rëndësishme të jeni vigjilent, për secilën pjesë të veshësve si përpara dhe pas veshëve”, theksoi mes tjerash. /Telegrafi/

  • Kurti kërkon nga ambasadorët e vendeve të BE-së largimin e masave

    Kurti kërkon nga ambasadorët e vendeve të BE-së largimin e masave

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë si mysafir nderi në drekën e ftuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog me ambasadorë të akredituar të vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate për Bashkim Evropian në Kosovë.

    Mirënjohës për ftesën si mysafir nderi, kryeministri Kurti falënderoi të gjithë ambasadorët për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt.

    Në veçanti falënderoi ambasadorin Szunyog, i cili është në përmbyllje të mandatit të tij si Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, për kontributin e tij, përveçse bashkëpunimin e mirë.

    “Në këtë drekë, kryeministri theksoi rëndësinë që ka Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën, veçanërisht, dhe përgatitjet që Qeveria po bën për këtë plan. Ai bëri thirrje për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës, teksa përsëriti mbështetjen dhe orientimin e qartë që Kosova ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

  • E dini pse dyert në tualete publike nuk arrijnë në dysheme?

    E dini pse dyert në tualete publike nuk arrijnë në dysheme?

    Njerëzit kanë paguar për të përdorur tualetin për gati 2,000 vjet dhe ndërsa sot kemi tualete publike falas, ato janë akoma të ndryshme nga ato të rregulltat që jemi në shtëpi.

    Ato kanë një detaj të veçantë që na tërheq vëmendjen – dyer që nuk arrijnë dyshemenë dhe besoni që ka disa arsye për këtë.

    Këto janë disa nga arsyet:

    1. Ju mund të shihni nëse dikush ka nevojë për ndihmë mjekësore.
    2. Mund të shihni nëse është i lirë.
    3. Ndihmon për të hequr qafe erën e keqe brenda.
    4. Dyert e plota janë më të shtrenjta.
    5. Ndihmon për të ndaluar njerëzit nga sjellja e keqe.
    6. Mund të dilni nëse brava është bllokuar.
    7. Mund t’i kërkoni dikujt letër higjienike nëse nuk e keni.
    8. Njerëzit kalojnë më pak kohë në banjë dhe radha lëviz më shpejt.
    9. E bën më të lehtë për kujdestarët të pastrojnë dyshemenë.
    10. Në rast të prishjes së tubit, uji nuk do të grumbullohet.