ATV

Author: G.O.

  • Kurti insiston: Ura e Ibrit duhet të hapet

    Kurti insiston: Ura e Ibrit duhet të hapet

    Pavarësisht se shtetet e QUINT-it dhe NATO nuk po e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po insiston se ura e Ibrit duhet të hapet.

    Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së, Kurti ka thënë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë.

    “Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

    Kurti ua ka paraqitur ambasadorëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që sipas tij “parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.

    Kurti ka shtuar se Qeveria është për lëvizje të lirë dhe për të simbol është ura e Ibrit.

    “Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë”.

  • Sa është pasuria neto e Bebe Rexhës – këngëtarja me renome botërore që fiton miliona?

    Sa është pasuria neto e Bebe Rexhës – këngëtarja me renome botërore që fiton miliona?

    Si interpretuese e një kënge të titulluar “Ferrari”, Bebe Rexha mund të përballojë të blejë një “Ferrari” të vërtetë me gjithë paratë që ka fituar!

    Sipas Celebrity Net Worth, këngëtarja me famë ndërkombëtare është vlerësuar se ka një pasuri neto në shumë prej rreth tetë milionë dollarësh (7.4 milionë euro) në vitin 2024.

    Bukuroshja bionde, 34 vjeçare, filloi karrierën e saj solo në vitin 2013 kur nënshkroi kontratë me shtëpinë diskografike Warner Bros. Records pas suksesit të saj si kompozitore, shkruan OK Magazine.

    Para se të futej në skenë si performuese, Rexha shkroi këngën “Glowing” të Selena Gomez dhe “The Monster” të Eminem dhe Rihanna, e cila u përfshi në albumin e katërt të reperit, “The Marshall Mathers LP 2”. Ylli gjithashtu kompozoi dhe bashkëprodhoi këngë për emra të mëdhenj si Pitbull, David Guetta, Bella Thorne, Iggy Azalea dhe Nick Jonas.

    Sa i përket karrierës së saj muzikore, Rexha publikoi këngën e saj të parë solo, “I Can’t Stop Drinking About You”, më 21 mars 2014. Kënga arriti në vendin e 22 në top-lista, gjë që e çoi atë të publikojë EP-në e saj debutuese, “I Don’t Wanna Grow Up”, në vitin 2015.

    Në vitin 2017, ajo publikoi një dokumentar për ngritjen e saj në yllësi, “Bebe Rexha: The Ride”, i cili u shfaq premierë në MTV.

    Në vitin 2018, Rexha debutoi me albumin e saj të parë, “Expectations”, dhe u nominua për dy çmime, “Artistja e re më e mirë” dhe “Performanca më e mirë duo/grup e zhanrit country” në ‘Grammy Awards 2018’.

    Rexha më pas bashkëpunoi me disa emra shumë të njohur për këngë si “No Broken Hearts” me Nicki Minaj, “Back to You” me anëtarin e One Direction, Louis Tomlinson dhe “The Way I Are (Dance With Somebody)” me Lil Wayne.

    Një nga hitet më të mëdha të Rexha, “Me, Myself & I,” ku përfshihej G-Eazy, arriti kulmin në vendin e shtatë në Billboard Hot 100 dhe vendin e parë në U.S. Pop Songs Chart.

    Pavarësisht suksesit gjatë bashkëpunimit me reperin dhe producentin, në qershor, ajo tregoi se nuk kishte më raporte të mira me 35-vjeçarin.

    “G Eazy, ti e ke numrin tim”, shkroi Rexha së bashku me një pamje të një bisede grupi, ku e pyetnin për mundësinë e një bashkëpunimi të ri me G-Eazy.

    “Pse nuk më dërgon një mesazh dhe të më pyesësh vetë, ti mendjemadh i pashpirt. Je me fat që njerëzit po të pëlqejnë përsëri. Sepse mund të flas për të gjitha gjërat e këqija që ke bërë dhe si më ke trajtuar pasi të dhashë hitin tënd të vetëm të vërtetë”, vazhdoi ajo.

    Gjithashtu, këngëtarja publikoi një fotografi të saj me Halseyn, e cila kishte një romancë me G-Eazy, me mbishkrimin: “Bebe Rexha dhe Halsey duke folur për mënyrën se si e mbajtën karrierën e G-Eazy”.

    Mosmarrëveshja mes tyre mund të ketë filluar nga performanca e G-Eazy-së me këngën e tyre “Me, Myself & I” me Britney Spears në MTV Video Music Awards në vitin 2016. /Telegrafi/

  • Arrestohet pasi tentoi t’i jepte ryshfet 20 euro një polici në kufi

    Arrestohet pasi tentoi t’i jepte ryshfet 20 euro një polici në kufi

    Policia ka njoftuar se një person është arrestuar e pastaj është liruar në procedurë pasi ka tentuar t’iu japë ryshfet zyrtarët policorë në pikën kufitare në Vërmicë.

    Sipas njoftimit, rasti është cilësuar si dhënie ryshfeti.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti në kontroll të dokumenteve i ka ofruar 20 euro zyrtarit policor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

  • Ministria e Financave dhe KEK-u nënshkruajnë dy marrëveshje për projektin për energji solare

    Ministria e Financave dhe KEK-u nënshkruajnë dy marrëveshje për projektin për energji solare

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Korporatës Energjetike të Kosovës kanë nënshkruar dy marrëveshje me vlerë totale mbi 60 milionë euro për financimin e projektit të energjisë solare (Solar4Kosovo).

    “Ky projekt parasheh ndërtimin e një impianti fotovoltaik diellor me kapacitet të instaluar deri në 100 MW, që do të prodhojë rreth 152 GWh energji në vit. Synimi kryesor është rritja e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe ulja e ndikimit në ambient nga prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Pjesë e projektit thuhet se është instalimi i paneleve solare në fushat e ish-deponisë së hirit të KEK-ut, afër termocentraleve.

    “Para instalimit, rreth 150 hektarë të ish-deponisë së hirit në afërsi të Kosova A dhe deponisë së hirit ‘Dragodan’ do të rivitalizohen. Përveç kapacitetit të shtuar për prodhimin e energjisë elektrike, ky projekt do të ndihmojë KEK-un në rritjen e nivelit të menaxhimit të burimeve të energjisë, si dhe në zhvillimin e kapaciteteve për investime në burime të diversifikuara të energjisë në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

    Marrëveshjet janë nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Bekir Gërguri.

  • ​Diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës, Kurti: Policia po shtohet dhe forcohet

    ​Diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës, Kurti: Policia po shtohet dhe forcohet

    Kanë diplomuar sot 448 policë të gjeneratës së 60-të të Policisë së Republikës së Kosovës.

    Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se polica po shton dhe forcon radhët e saj duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.

    Kurti potencoi se Policia e Kosovës këtë vit shënon 25 vjetorin e themelimit të saj, duke promovuar vlerat më të mira të shoqërisë tonë.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla tha se policia e vendit tonë me profesionalizmin e tyre kanë arritur ta ngrisim këtë institucion si më të besueshmin për qytetarët e Kosovës.

    Ai theksoi se shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Gazmend Hoxha tha se diplomimi i kësaj gjenerate tregon përkushtimin e tyre për të tejkaluar të gjitha sfidat për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

    Ai potencoi se prioritet për Policinë e Kosovës është përmbushja e standardeve, përfaqësimi i të gjitha komuniteteve, diversitet etnik dhe ai gjinor.

    Zëdhënësi i gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, Florian Shala u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përgjegjësive për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.

    Ai u zotua se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimin që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës.

  • Shpërthim në oborrin e një shtëpie në veri, Elshani: S’ka të lënduar

    Shpërthim në oborrin e një shtëpie në veri, Elshani: S’ka të lënduar

    Një shpërthim raportohet se ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Uglarë të Zubin Potokut që ka shqetësuar banorët e kësaj zone.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për Dukagjinin se një shpërthim ka ndodhur në një shtëpi në Uglarë, por nuk ka të lënduar vetëm dëme të vogla materiale.

    “Shpërthim në një oborr të një shtëpie në Uglare. Dëme të vogla materiale, nuk ka të lënduar. Policia ka dalë në vendngjarje dhe po merret me rastin”, ka thënë tutje Elshani.

  • Hovenier pas takimit me Kurtin: QUINT-i dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit

    Hovenier pas takimit me Kurtin: QUINT-i dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit

    Ambasadorët e shteteve të QUINT-it i kanë shkuar të premten në zyre kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. E temë diskutimi ishte paralajmërimi për hapjen e urës së Ibrit, e që u kundërshtua nga ambasadorët e pesë shteteve të akredituar në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha për gazetarë se në konsultim me qeveritë që përfaqësojnë, si dhe Aleancën Veriatlantike, nuk e përkrahin vendimin e Qeverisë për ta hapur urën e Ibrit.

    “Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës, në këtë kohë”, është shprehur Hovenier, në një deklaratë të shkurtër për mediet.

    Diplomati amerikan ka qenë i prerë dhe i qartë në përgjigjen e tij, ndërsa nuk ka dashur të komentojë më shumë pse nuk e mbështesin hapjen e urës që “ndan” Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

  • ”Google” shton rregullat, kontrolle kundër falsifikimeve dhe imazheve të rreme

    ”Google” shton rregullat, kontrolle kundër falsifikimeve dhe imazheve të rreme

    Kompania “Google” ka rritur masat mbrojtëse ndaj falsifikimeve, imazheve të rreme në web, të krijuara ose modifikuara me inteligjencë artificiale.

    Kompania njoftoi në një postim zyrtar se do të filtrojë rezultatet, duke zvogëluar mundësinë e çokujt që dëshiron ndryshojë përmbajtjen e tyre.

    Gjiganti i motorëve të kërkimit do të kërkojë gjithashtu të gjitha faqet e internetit që përmbajnë të njëjtin imazh, për ta hequr automatikisht atë nga rezultatet.

    “Këto mbrojtje tashmë janë dëshmuar të jenë efektive në luftimin e llojeve të tjera të imazheve jo konsensuale dhe tani ne kemi krijuar të njëjtat veçori edhe për imazhe të rreme eksplicite”, thekson” Google”.

    “Përditësimet që kemi bërë këtë vit kanë reduktuar ekspozimin ndaj rezultateve të qarta të imazhit me më shumë se 70%”, tha menaxherja e kërkimit të Google, Emma Higham.

  • Lojërat Olimpike 2024: Gresa Bakraqi garon sot në atletikë

    Lojërat Olimpike 2024: Gresa Bakraqi garon sot në atletikë

    Reprezentimi i Kosovës në Lojërat Olimpike 2024 që po zhvillohen në Paris të Francës do të vazhdojë edhe sot.

    Në podium do të jetë atletja Gresa Bakraqi e cila do të garojë në disiplinën 800 metra.

    Gara e saj pritet të nis në ora 19:15.

    Ndërsa e fundit që do të paraqitet në Paris do të jetë notarja Hana Beiqi nga sporti i notit që do të garojë të shtunën nga ora 10:00.

    Ndryshe, deri më tani Kosova ka rrëmbyer dy medalje në Paris nga sporti i xhudos, Distria Krasniqi e ka rrëmbyer medaljen e argjendtë dhe Laura Fazliu medaljen e bronztë.

  • Aeroporti i Shkupit pas incidenti me Osmanin: Vepruam në përputhje me ligjet

    Aeroporti i Shkupit pas incidenti me Osmanin: Vepruam në përputhje me ligjet

    Kompania e cila menaxhon me Aeroportin e Shkupit, TAV, në reagimin e saj pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se siguria e pasagjerëve nuk është rrezikuar dhe se veprimet e tyre kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi.

    Në reagim thuhet se sipas legjislacionit në fuqi, ata e kanë obligim që të kryejnë kontrolle për të gjithë pasagjerët.

    “TAV Maqedonia informon se në pajtim me Ligjin për Aviacionin dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare lidhur me sigurinë e aviacionit civil … operatori i aeroportit e ka detyrim ligjor të kryejë kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave”, thuhet në reagim.

    Tutje thuhet se edhe pasagjerët që udhëtojnë nëpër pjesën VIP janë gjithashtu subjekt i kontrolleve.