ATV

Author: G.O.

  • Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj dhjetë personave

    Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj dhjetë personave

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dhjetë personave për përfshirje në aktivitete të paligjshme.

    Aktakuza është paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës – Departamentin Special, dhe përfshin akuzat për organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si dhe për mbajtjen e paautorizuar të armëve.

    Nëntë nga të akuzuarit, përfshirë A.N, M.B, SH.K, E.D, R.D, F.M, B.G, R.M dhe M.B, po përballen me akuzat për “Organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” bazuar në nenin 294, paragrafi 2 të KPRK-së, në lidhje me nenin 31 të të njëjtit kod.

    Ndërkohë, një i akuzuar tjetër po përballet me akuzën për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,” në bazë të nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

  • Vrasja në Zllakuqan të Lipjanit, Gjykata ia cakton masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit

    Vrasja në Zllakuqan të Lipjanit, Gjykata ia cakton masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit

    Gjyqtari Themelore në Prishtinë e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.K për vrasjen në Zllakuqan dy ditë më parë, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

    I dyshuari është i ngarkuar me veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

    Njoftimi i plotë:

    Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri S.K gjendet në liri, i njëjti mund të ik dhe të arratiset, kjo për faktin se për veprën penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afat gjatë, po ashtu ekziston edhe rreziku i ndikimit në dëshmitarë për ndryshimin e provave, si dhe përsëritja e veprave penale, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë e sigurisë, për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Një 31-vjeçar arrestohet për dhunë në familje, po kërkohej ndërkombëtarisht edhe për vjedhje

    Një 31-vjeçar arrestohet për dhunë në familje, po kërkohej ndërkombëtarisht edhe për vjedhje

    Një shtetas me iniciale B.I., 31-vjeçar është arrestuar në Prishtinë në lidhje me një rast të dhunës në familje.

    Siç njofton policia përmes një komunikate për media, pa kryerjes së verifikimeve të nevojshme i njëjti rezultoi të jetë në kërkim për vjedhje të rëndë, konform një urdhër arresti ndërkombëtar.

    I dyshuari pas arrestimit u procedua më tej.

    “Ky arrestim nënvizon përkushtimin e Policisë së Kosovës për të respektuar sundimin e ligjit dhe për të siguruar që individët që kërkohen për vepra të rënda të sillen para drejtësisë, pavarësisht kufijve”, thotë më tej policia.

  • Ekskluzive: Gjykata Themelore Penale në Shkup vendos për mosekstradim të Blerim Ramadanit në Serbi

    Ekskluzive: Gjykata Themelore Penale në Shkup vendos për mosekstradim të Blerim Ramadanit në Serbi

    Gjykata Themelore Penale në Shkup ka vendosur për mosekstradim të ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, në Serbi, raporton ATV.

    Ramadani u ndalua më 17 korrik nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës.

    Ramadani, javën e kaluar u lirua me kusht dhe ndaj tij u vendos që të qëndrojë në arrest shtëpiak deri në një vendim tjetër.

    Ndryshe, më 25 korrik në Ferizaj, u mbajt një protestë gjithëpopullore me moton “Liri për çlirimtarin”, në mbështetje të bashkëluftëtarit nga Ferizaj, Blerim Ramadani.

    Protesta ishte organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, dega në Ferizaj së bashku me familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë, ish-eprorë të lartë të UÇK-së dhe qytetarë.

     

  • Në Graçanicë protestohet kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave

    Në Graçanicë protestohet kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave

    Para stacionit policor në Graçanicë, afër Prishtinës, më 9 gusht u organizua një protestë kundër dhunës në familje, ku pjesëmarrësit thanë se dhuna nuk është çështje private dhe se shoqëria dhe institucionet duhet të bëjnë më shumë në këtë çështje.

    Organizatorja e protestës, aktivistja dhe përfaqësuesja e organizatës joqeveritare “Pravo na pravo”, Millica Stojanoviq-Kostiq, deklaroi se femicidi duhet të dënohet me burgim të përjetshëm.

    “Më në fund duhet të zgjohemi dhe të kuptojmë se dhuna nuk mund të jetë dhe nuk është çështje private. Kur shohim apo dëgjojmë se dikush po ushtron dhunë ndaj dikujt, duhet ta denoncojmë menjëherë në polici”, tha ajo, raporton rel.

    Kjo protestë në Graçanicë u mbajt pasi më 2 gusht vdiq një grua nga komuna e Graçanicës, pas lëndimeve të rënda trupore që dyshohet se ai shkaktoi bashkëshorti.

    Burri i saj i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje, por pas vdekjes së bashkëshortes, prokuroria e ka riklasifikuar çështjen në vrasje të rëndë dhe ai tani ndodhet në paraburgim.

  • Bedri Hamza pritet në ShBA nga emisari i Bidenit për Ballkanin Perëndimor

    Bedri Hamza pritet në ShBA nga emisari i Bidenit për Ballkanin Perëndimor

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar vizitën e tij në ShBA, me takime në Departamentin Amerikan të Shtetit.

    Atje është takuar Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

    Pas takimit, Hamza ka deklaruar se është më bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes, duke shtuar se “konfuzioni politik i qeverisjes në Kosovë dhe gabimet e njëpasnjëshme medoemos do të revidohen”.

    “Kemi shumë punë për të bërë dhe kemi humbur shumë kohë, por jam më i bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes”, shkroi Hamza.

    Në këtë post, Alexander Kasanof, e pasoi Gabriel Escobarin, ish-emisarin amerikan që me të përfunduar mandatin e tij si i dërguar për rajonin tonë, Biden e nominoi për ambasador të SHBA në Paraguai.

  • Lokalizohen zjarret në Parkun Kombëtar të Sharrit

    Lokalizohen zjarret në Parkun Kombëtar të Sharrit

    Në Parkun Kombëtar të Sharrit janë lokalizuar vatrat e zjarrit.

    Drejtori i këtij parku, Bashkim Kafexholli, tha të premten se 80 për qind e zjarrit është shuar ditën e enjte, pas reshjeve të shiut në këtë zonë.

    “Ekipet tona dhe zjarrfikësit e komunës së Prizrenit, sot gjenden në terren dhe janë duke lokalizuar vatrat e vogla të zjarrit që kanë mbetur”, tha Kafexholli.

    Parku Kombëtar i Sharrit është përfshirë nga zjarri më 5 gusht. Përgjegjësit e parkut, më 8 gusht, kanë kërkuar ndihmën e forcave paqeruajtëse në Kosovë KFOR, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera për intervenim nga ajri me helikopterë.

    “Dje situata ka qenë alarmante”, theksoi Kafexholli duke shpjeguar se terreni është i rrezikshëm dhe është e pamundur që të shuhet zjarri nga toka.

    “Falë reshjeve të shiut, sot nuk ka nevojë as për KFOR-in dhe as për FSK-në”, tha ai.

  • Flet avokati Arianit Koci para fillimit të autopsisë për trupin e Faton Hajrizit: Vlerësoj se kufoma nuk është mbajtur dinjitetshëm

    Flet avokati Arianit Koci para fillimit të autopsisë për trupin e Faton Hajrizit: Vlerësoj se kufoma nuk është mbajtur dinjitetshëm

    Avokati Arianit Koci, në një prononcim për ATV-në ka thënë se trupin i pajetë i Faton Hajrizit, nuk është mbajtur dinjitetshëm nga autoritetet e Serbisë, aty ku kufoma ka qëndruar për gati 3 javë.

    “Sot në mëngjes nëna e Fatonit e ka identifikuar kufomën, pra këtu më nuk ka dilemë se është trupi i Fatonit dhe tash vazhdojnë procedurat e tjera ligjore, prej orës 13:30 është edhe autopsia. Lufta më e madhe e imja ka qenë më dërgu strishon apo pështymen gojore të nënës, për shkak se e pashë që autoritetet serbe kishin tendencë që ne mos ta dërgojmë këtë strisho dhe ata ta varrosin në varreza sociale Fatonin vetëm me një numër, pa u ditur varri i tij…Ne e kemi pasur një betejë thuajse dy javore dhe u krijua një situate që i solla para aktit të kryer”, tha Koci.

    Ai tha se ka parë trupin e Faton Hajrizit, për çka deklaroi se gjendja e tij nuk ka qenë e mirë.

    Koci vlerësoi se kufoma nuk është mbajtur në kushte të duhura.

    “Trupi ka qenë i mbyllur në arkivol hermetikisht, është hapur. Prapë dje është mbyllur hermetikisht tani prej transporterit…Dje e kam parë trupit, më lejuan, gjendja e tij nuk ka qenë e mirë…Unë vlerësoj që nuk është mbajtur në kushte të mira, por nuk jam ekspert i asaj lëmie…Nuk e besoj që sot do të kryhet kjo procedurë sonte (dorëzimi i trupit tek familjarët)”, potencoi Koci.

    Avokati Koci ka qenë para disa ditësh në Serbi për të konfirmuar nëse i vrari është Faton Hajrizi dhe nëse po për të parë mundësinë e kthimit të trupit të tij në Kosovë.

    Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu në Kosovë më 06.07.2024, ku po vuante një dënim me burgim.

    Ai dyshohet se u vra në Serbi një ditë pas një incidenti gjatë të cilit ishte vrarë një polic serb dhe ishte plagosur një tjetër.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Bullgaria me kryeministre të re në detyrë

    Bullgaria me kryeministre të re në detyrë

    Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka zgjedhur Goritsa Grancharova-Kozhareva në postin e kryeministres në detyrë të vendit.

    Grancharova-Kozhareva, që deri më tani ka qenë kryetare e Dhomës së Auditimit, tani duhet të emërojë kabinetin në detyrë të Bullgarisë.

    Qeveria e re duhet të dërgojë emrat e kabinetit më së largu deri më 19 gusht.

    “Që nesër, unë do të nisë të bisedojë me ministrat aktualë dhe ekspertët e tjerë”, tha Grancharova-Kozhareva

    Vendimi i Radevit, i bërë publik më 9 gusht, vjen pasi partitë politike dështuan në tri përpjekje për të formuar një Qeveri, pas mbajtjes së zgjedhjeve më 16 qershor.

    Radev tha se zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare me gjasë do të organizohen më 20 tetor.

    Këto do të jenë zgjedhjet e shtata parlamentare në tre vjet në Bullgari./REL/

  • Presidenca: Në asnjë shtet të botës s’ia marrin telefonin kreut të shtetit për skanim

    Presidenca: Në asnjë shtet të botës s’ia marrin telefonin kreut të shtetit për skanim

    Më 1 gusht, presidentes Vjosa Osmani iu tentua t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit në Aeroportin e Shkupit (TAV), një veprim që sipas Presidencës së Kosovës nuk ndodh në asnjë vend të botës.

    Presidenca e Kosovës ka thënë ky ishte një rast i paprecedentë dhe shkelje e rregullave ndërkombëtare.

    “Në asnjë shtet të botës nuk i kërkohet kreut të shtetit që të dorëzojë telefonin për skanim,” u shprehën përfaqësuesit e Presidencës. “Ne kemi përvojë të mjaftueshme nga udhëtime të tjera dhe kurrë nuk kemi hasur në një kërkesë të tillë. Në shumicën e shteteve, nuk kontrollohet as bagazhi personal, as çanta e as telefoni i kreut të shtetit”, thuhet nga ana e Presidencës.

    Për më tepër, Presidenca ka theksuar se Maqedonia e Veriut është i vetmi vend që ka refuzuar të zbatojë të drejtën ndërkombëtare dhe konventat që i aplikohen kreut të shtetit.

    “Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”, thuhet tutje në deklarimin e Presidencës për dukagjinin.

    Në reagimin e saj, Presidenca ka potencuar se për shkak të këtyre ngjarjeve, presidentja Vjosa Osmani ndryshoi itinerarin e udhëtimit dhe nuk u kthye në Kosovë përmes Aeroportit të Shkupit.

    “Ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”, thuhet tuje nga ana e Presidencës.

    Ndryshe, këtë të premte, Agjencia e Aviacionit Civil (AAC), pas incidentit me presidenten Osmani, ka theksuar se shërbimet e aeroportit kanë respektuar standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe kanë vepruar në përputhje me rregullat e përcaktuara.