ATV

Author: G.O.

  • KQZ-ja miraton Rregulloren për fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar

    KQZ-ja miraton Rregulloren për fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar të enjten Rregulloren Zgjedhore për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin dhe deklarimin financiar.

    Paraprakisht, gjatë mbledhjes në draftin e rregullores është përditësuar neni 7 – Materialet e fushatës së zgjedhjeve – përkatësisht te pika 2.6 është shtuar se “ndalohet vendosja e materialit nga subjektet politike në ndërtesa apo objekte të banimit pa pëlqimin e banorëve dhe pa kontraktim”.

    Me 8 vota për rregullorja u votua me këtë ndryshim. Kjo rregullore është pjesë e akteve nënligjore të harmonizuara me Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe përcakton procedurat për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve, rregullat e fushatës së zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve dhe deklarimin financiar për fushatën e zgjedhjeve.

  • Lansohen 1 milion shishe Ujë ‘Rugove’ me sloganin “Diabeti nuk ndalon ëndrrat”

    Lansohen 1 milion shishe Ujë ‘Rugove’ me sloganin “Diabeti nuk ndalon ëndrrat”

    Në një bashkëpunim të fuqishëm, Action for Mothers and Children (AMC) në partneritet me Korporaten Rugove po fillon një fushatë ndërgjegjësimi për diabetin përmes lansimit të 1 milion shisheve të Ujë ‘Rugove’ me sloganin “Diabeti nuk ndalon ëndrrat”.

    Kjo fushatë synon të mbledhë rreth 10,000 Euro nga shitja e 1 milion shisheve të ujit, secila duke kontribuar me 1 cent drejt kauzës.

    Kjo fushatë ka për qëllim që të adresoj nevojat urgjente të fëmijëve me diabet të tipit 1 në Kosovë. Në Kosovë, çdo vit, rreth 40 foshnja lindin me diabet të tipit 1. Këto foshnja marrin trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Aktualisht, në Klinikën Pediatrike trajtohen rreth 500 fëmijë me diabet, për të cilët klinika nuk mund t’i plotësojë tërësisht nevojat e tyre. Në përgjigje të kësaj situate, AMC po mobilizon përpjekjet e saj për të përmirësuar këto kushte për pacientët e rinj.

    Deri më tani AMC-ja ka siguruar medikamente për hiperkolesterolemi dhe diabet për QKUK në vlerë prej 160,000 Euro.

    Fushata e ndërgjegjësimit për diabetin, në partneritet me Korporatën Rugove, është një komponent kyç i këtyre përpjekjeve, pasi që kjo fushatë synon të mbledhë rreth 10,000 Euro nga shitja e 1 milion shisheve të ujit, secila duke kontribuar me 1 cent drejt kauzës.

    Këto fonde, së bashku me fondet e mbledhura nga edicioni i 8-të Let’s Dance, do të sigurojnë blerjen e pajisjeve mjekësore bashkë me materialet shpenzuese për kontrollimin e niveleve të glukozës dhe menaxhimin e diabetit për një numër të fëmijëve që aktualisht po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë.

    Prej më shumë se një dekade, AMC ka ndihmuar në uljen e normave të vdekshmërisë së foshnjave dhe sëmundshmërisë së nënave në Kosovë. Kjo është arritur falë projekteve dhe programeve të shumta me donatorë vendorë e ndërkombëtarë.

    Për më tepër, fushata do të financojë krijimin e një dhome edukuese në Klinikën së Pediatrisë, ku fëmijët me diabet dhe familjet e tyre do të mund të marrin këshilla rreth praktikave më të mira dhe të shëndetshme për të menaxhuar diabetin dhe për të rritur kështu cilësinë e jetës.

    Kjo nismë synon të rrisë ndjeshëm cilësinë e jetës për këta fëmijë dhe familjet e tyre, duke i fuqizuar ata për të jetuar një jetë më të shëndetshme dhe më të përmbushur pavarësisht sfidave të diabetit.

  • Osmani i quan raciste deklaratat e Stanos: S’i pyet shtetet fqinje kur kalon urat në shtetin e tij

    Osmani i quan raciste deklaratat e Stanos: S’i pyet shtetet fqinje kur kalon urat në shtetin e tij

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur raciste deklaratat e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, duke thënë se “Stano s’e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet”, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, ajo ka theksuar se hapja e urës për qarkullim nuk duhet të jetë pjesë e bisedimeve në takimet e procesit të dialogut.

    “Sa i përket Bashkimit Evropian deklaratat e zëdhënësit të këtij institucioni janë mbi të gjitha raciste kështu që as nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar në raport të atyre deklaratave të tyre raciste nuk ka as një arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës së Ibrit në Bruksel”.

    “Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse ky zëdhënësi më duket është nga Sllovakia nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra, nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Kosovës, dialog për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të duhej të ishte kundër kushtetuese dhe kundër sovranitetit”, ka pohuar Osmani.

  • Përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe avancimi i aftësive të fëmijëve, qëllimi i programit gjithëditor në Prishtinë

    Përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe avancimi i aftësive të fëmijëve, qëllimi i programit gjithëditor në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës ka prezantuar programin e ri të mësimit gjithëditor në pesë shkollat e Kryeqytetit, ndërsa qëllim i tij u tha se është përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe avancimi i aftësive të fëmijëve përmes aktiviteteve jashtëkurrikulare.

    Shkollat e kryeqytetit që do të fillojnë më mësimin tërëditor nga shtatori i këtij viti janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, shkolla “Model”, shkolla “E Gjelbër” dhe ajo “Nazim Gafurri”.

    Gjatë prezantimit të këtij programi, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se kjo do të ketë ndikim edhe tek prindërit, pasi nuk do të kenë nevojë t’i marrin fëmijët në mesditë.

    “Mbi te gjitha do të ketë me pak stres te prindërit sepse nuk kanë nevoje të shkojnë t’i marrin fëmijët në shkollë. Prindërit munden me u fokusu diku tjetër dhe jo të shkojnë t’i marrin në mes të ditës. Mësimi tërëditor i bënë më të përmbushur edhe prindërit dhe fëmijët”, tha Rama.

    Ndërsa, drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se qëllimi i këtij programi është ngritja e cilësisë dhe shndërrimi në model për komunat tjera.

    “Qëllimi është ngritja e cilësisë së arsimit dhe të jetë edhe model në komunat tjera. Ka edhe shtete qe e praktikojnë mësimin tërëditor nga 1 deri 5. Kemi siguruar mjete dhe do t’ju mundësojmë që korrikula bazë të realizohet në mënyrë më kreative. Kemi marre sportist në mënyrë qe t’i realizojmë në mënyrë profesionale lëndën e sportit”, u shpreh ajo.

  • Parandalohet kontrabanda me mallra nga Serbia, arrestohet një shtetas serb, një tjetër në arrati

    Parandalohet kontrabanda me mallra nga Serbia, arrestohet një shtetas serb, një tjetër në arrati

    Policia dhe Dogana e Kosovës kanë njoftuar për parandalimin e një rasti të kontrabandës me mallra nga Serbia.

    Në njoftim bëhet e ditur se gjatë së mërkurës, rreth orës 15:30 në rrugën Dobrosinë-Gjilan, janë vërejtur dy automjete me targa serbe duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës.

    Dy drejtuesit e automjeteve nuk kanë zbatuar urdhrat e zyrtarëve doganore që ishin me uniformë dhe veturë zyrtare. Sipas njoftimit, është arritur të ndalet vetëm njëra veturë me drejtues të dyshuarin V.B., shtetas i Serbisë. Kurse, automjeti tjetër me drejtues të dyshuarin: F.M., ka arrit të ik në drejtim të pa njohur duke shkaktuar disa aksidente.

    Në koordinim me organet e drejtësisë janë kontrolluar lokali edhe shtëpia e të dyshuari në Hajvali-Prishtinë, ku është hasur mall me origjinë serbe, që dyshohet të jetë futur në vendin tonë si kontrabandë.

    “Prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendngjarje dhe ka lëshuar vendim mbi ndalimin e të dyshuarit të arrestuar për 48 orë, ndërsa personi tjetër është në kërkim”, bëhet e ditur në njoftim.

  • Ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani arratiset nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut

    Ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani arratiset nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani – i arrestuar muajin e kaluar nga policia maqedonase – ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha të enjten për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit.

    Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

    Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

  • Kosova goditet nga një tërmet, epiqendra fshati Kozaricë e Obiliqit

    Kosova goditet nga një tërmet, epiqendra fshati Kozaricë e Obiliqit

    Kosova është goditur nga një tërmet me magnitudë 2.0 sipas shkallës Rihter sot në mëngjes, me epiqendër në fshatin Kozaricë të Obiliqit.

    Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmologjik i Kosovës ka bërë të ditur se tërmeti ndodhur rreth orës 07:33.

    “Thellësia hipoqendrore ishte tri kilometra. Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e fshatit dhe përreth tij”, ka thënë Mustafa.

  • Aksident në rrugën Prizren-Suharekë, humb jetën një person

    Aksident në rrugën Prizren-Suharekë, humb jetën një person

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën Prizren-Suharekë, raporton Gazeta Sinjali.

    Në këtë aksident janë përfshirë dy vetura me targa vendore, ku për pasojë një person ka ndërruar jetë.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia e Prizrenit, e cila ka njoftuar se trupi i pajetë i personit është dërguar për obduksion në IML, ndërsa i dyshuari pas marrjes së ndihmës së parë është ndaluar për 48 orë.

    “Me datën 15.08.2024, rreth orës 06:16, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën Prizren-Suharekë (Rrafshi i Sopis). Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë përgjegjëse policore të cilët menjëherë kanë dalë në vendngjarje”, thuhet në njoftim.

    “Bazuar në informacionet e para në këtë aksident janë të përfshira dy automjete me targa vendore, ku si pasojë e këtij aksidenti dyshohet se një person ka ndërruar jetë (mashkull rreth 40 vjeçar ). Vdekjen e tij e ka konstatuar stafi përgjegjës i Emergjencës së QMF në Suharekë. Lidhur me rastin dhe mjetet e përfshira në aksident, janë duke u kryer hetimet nga njësia e Trafikut Rajonal e Prizrenit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë, prokurori i rastit dhe njësitet tjera relevante. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë dërgohen në IML Prishtinë, ndërsa i dyshuari pas marrjes së ndihmës së parë ndalohet për 48 orë në ndalim policor me urdhër të prokurorit të Shtetit”, tregon njoftimi.

  • Kolona të gjata në Merdarë, deri në tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Kolona të gjata në Merdarë, deri në tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Qendra për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat lidhur me gjendjen në pikat kufitare.

    Sipas të dhënave, pritjet më të gjata janë në pikën kufitare në Merdare. Pritjet në dalje të kësaj pike janë deri në 3 orë apo 180 minuta.

    Ndërkaq, kolonat janë të gjata deri në 1 km e 700 metra.

    Në pikat e tjera pritjet në hyrje dhe dalje janë 3-5 minuta.

    Përveç në dalje të pikave kufitare Jarin je dhe Mutivodë, ku pritjet janë deri në 20 minuta.

  • Sot prezantohet mësimi gjithëditor në pesë shkolla të kryeqytetit

    Sot prezantohet mësimi gjithëditor në pesë shkolla të kryeqytetit

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot do të mbahet konferencë për medie, me ç’rast do të prezantohet programi i ri i mësimit gjithëditor në pesë shkollat e kryeqytetit.

    Sipas njoftimit, kjo iniciativë ka për qëllim të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe të avancojë aftësitë e fëmijëve përmes aktiviteteve jashtëkurrikulare, thellimit në lëndët mësimore dhe ofrimit të mbështetjes më të madhe për prindërit.

    Shkollat e kryeqytetit që do të fillojnë më mësimin tërëditor nga shtatori i këtij viti janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, shkolla “Model”, shkolla “E Gjelbër” dhe ajo “Nazim Gafurri”.