ATV

Author: G.O.

  • Arrestohet një person nën ndikim akooli dhe posedim të paautorizuar të armës

    Arrestohet një person nën ndikim akooli dhe posedim të paautorizuar të armës

    Me datën 04.06.2026, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një informatë lidhur me një person i cili, në rrugën “Shaqir Hasani”, nën ndikimin e alkoolit, kishte shkaktuar shqetësime në rrugë.

    Gjatë ndalimit nga zyrtarët policorë, tek i dyshuari kanë gjetur dhe konfiskuar një mjet i mprehtë (thikë), ndërsa është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor nga njësitet reaguese.

    Pas testimit me alkooltest, ka rezultuar se ishte në ndikim të alkoolit 0.79 promila.

    Me vendim të prokurorit te shtetit është iniciuar rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

  • Macron: Duam të zhvillojmë një partneritet ambicioz me Malin e Zi

    Macron: Duam të zhvillojmë një partneritet ambicioz me Malin e Zi

    Presidenti francez, Emmanuel Macron ka arritur në Mal të Zi dhe do të merr pjesë në samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor.

    Ai ka deklaruar se Franca është e lumtur që ndodhet sot në Mal të Zi, në një moment të rëndësishëm për vendin, por edhe në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, shkruan vijesti.me.

    “Ne duam të zhvillojmë në mënyrë ambicioze partneritetin me Malin e Zi. Gjatë viteve të fundit kemi investuar shumë në marrëdhëniet dypalëshe dhe kemi bërë përparime të mëdha duke nënshkruar marrëveshje që lehtësojnë bashkëpunimin në fushat e shëndetësisë, energjisë dhe infrastrukturës. Nuk i harroj as kontratat për ndërtimin e dy anijeve patrulluese”, tha lideri francez.

    Macron theksoi se Franca mbetet pranë Malit të Zi për ta mbështetur në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Dua të përshëndes punën e madhe që keni bërë së bashku me kryeministrin dhe qeverinë. Keni realizuar reforma, keni mbyllur kapitujt negociues. Mendoj se Evropa duhet të jetë e bashkuar dhe Franca mbetet pranë jush për t’ju mbështetur”, u shpreh ai.

    Ndryshe, Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu. /Telegrafi/

  • Komuna e Prishtinës paralajmëron gjobë 300 euro për hedhjen e mbeturinave vëllimore dhe inerte në hapësira publike

    Komuna e Prishtinës paralajmëron gjobë 300 euro për hedhjen e mbeturinave vëllimore dhe inerte në hapësira publike

    Qytetarët janë njoftuar se hedhja e mbeturinave vëllimore dhe inerte në hapësira publike do të ndëshkohet me gjobë prej 300 eurosh, ndërsa shkelësi do të obligohet edhe t’i largojë vetë mbeturinat e hedhura.

    Sipas njoftimit, nuk do të ketë tolerim për ndotësit, ndërsa qytetarët ftohen të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë në Kryeqytet.

    “Kushdo që hedh mbeturina vëllimore apo inerte në hapësira publike do të gjobitet me 300 euro dhe do të detyrohet t’i largojë vetë mbeturinat e hedhura”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar që shkelësit t’i raportojnë përmes numrave pa pagesë: 0800 12233dhe 0800 12244.

  • Të paktën nëntë të vrarë në Gaza pas sulmeve izraelite gjatë natës

    Të paktën nëntë të vrarë në Gaza pas sulmeve izraelite gjatë natës

    Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve izraelite të kryera gjatë natës në Qytetin e Gazës, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të mbeten të larta pavarësisht armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe Hamasit muaj më parë.

    Spitali Shifa – i cili funksionon vetëm pjesërisht pas dëmtimeve të mëdha të shkaktuara gjatë luftës së Izraelit kundër Hamasit – tha se viktimat u vranë në të paktën katër sulme të ndryshme.

    Nuk dihet ende numri i të plagosurve, ndërsa ushtria izraelite nuk ka komentuar deri tani për sulmet.

    Që nga arritja e armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit në tetorin e kaluar, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet.

    Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga ajo kohë janë vrarë 936 palestinezë. Këto shifra nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.

    Gjatë së njëjtës periudhë, sipas ushtrisë izraelite, janë vrarë katër ushtarë izraelitë.

    Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, më shumë se 72 mijë persona janë vrarë që nga fillimi i luftës, shumica prej tyre civilë.

    Izraeli pretendon se merr masa të jashtëzakonshme për të shmangur viktimat civile.

    Nga ana tjetër, Hamasi vrau 1,200 persona dhe mori peng 251 shtetas izraelitë dhe të huaj gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, sipas autoriteteve izraelite.

  • Aksion në Viti, arrestohen 11 persona për bixhoz të kundërligjshëm

    Aksion në Viti, arrestohen 11 persona për bixhoz të kundërligjshëm

    Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar gjatë një aksioni policor të zhvilluar në fshatin Pozheran të Vitisë, nën dyshimin për përfshirje në organizimin e bixhozit të kundërligjshëm.

    Sipas Policisë, hetuesit e Stacionit Policor në Viti, pas pranimit të informatave relevante dhe zhvillimit të veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë realizuar një bastisje më 4 qershor 2026 në një lokacion ku dyshohej se zhvillohej veprimtari e paligjshme.

    “Më 04.06.2026 janë realizuar një bastisje në një lokacion në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, nën dyshimin se në këtë lokacion po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme që ndërlidhet me veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm’”, thuhet në njoftim.

    Gjatë aksionit policor janë arrestuar 11 persona të dyshuar.

    “Gjatë bastisjes janë arrestuar njëmbëdhjetë persona të dyshuar. Po ashtu në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të lartcekur, të cilat do të shërbejnë si dëshmi në procedurën penale”, njofton Policia.

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan për procedurë të rregullt gjyqësore. /Telegrafi/

  • Rriten çmimet e pronave të banimit në Prishtinë për 5,3 për qind

    Rriten çmimet e pronave të banimit në Prishtinë për 5,3 për qind

    Çmimet e pronave të banimit në tremujorin e parë të vitit 2026 janë rritur për 5.3 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025 çmimet e pronave të banimit shënuan rritje prej 2.4 për qind.

    Sipas ASK-së në rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën me 1.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.

    Ndërsa në rajonet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën për 12.3 për qind në tremujorin e parë 2026, krahasuar me tremujorin e parë 2025.

  • Vdes nëna e Besian Mustafës

    Vdes nëna e Besian Mustafës

    Besian Mustafa, kandidati për deputet i LDK-së dhe djali i veprimtarit të LDK’së, Xhemail Mustafa, ka njoftuar se ka vdekur nëna e tij.

    Mustafa ka shkruar se ajo do të varroset të premten pasdite në varrezat e Arbërisë në Prishtinë.

    Njoftimi i plotë:

    Të dashur miq e familjar,

    Sot ndërroi jetë nana, ma i dashtuni shpirt n’këtë botë.

    Varrim bëhet nesër në 16:40 në varrezat në Arbëri, Prishtinë.

    Sa të kam frymë kam me të kujtu Nanë

  • Samiti BE-Ballkan Perëndimor, Emanuel Macron arrin në Mal të Zi

    Samiti BE-Ballkan Perëndimor, Emanuel Macron arrin në Mal të Zi

    Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka arritur në Mal të Zi për Samitin BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet me 5 qershor.

    Macron është pritur në aeroport nga kryeministri Jakov Mijatovic.

    “Kjo është një vizitë me rëndësi të madhe politike dhe simbolike dhe përfaqëson një konfirmim të miqësisë midis Malit të Zi dhe Francës, por edhe mbështetje për rrugën evropiane të vendit tonë”, ka shkruar ai.

    “Mali i Zi ka një detyrë për të përfunduar punën. Institucionet duhet të jenë të forta, reformat konkrete dhe qytetarët duhet të ndiejnë se e ardhmja evropiane nuk është një mesazh i largët politik, por një rrugë drejt një shteti më të rregullt, të drejtë dhe të fortë”, ka shtuar Mijatovic.

  • Tragjedi ajrore në Kroaci: Katër të vdekur pas rrëzimit të një aeroplani

    Tragjedi ajrore në Kroaci: Katër të vdekur pas rrëzimit të një aeroplani

    Katër persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan u rrëzua pranë Medulinit në Kroaci.

    Policia e Istrias mori një raport për një rrëzim të një aeroplani të vogël në zonën e Medulinit në orën 11:25 të paradites.

    “Më 4 qershor, në orën 11:18 të paradites, u mor një raport për rrëzimin e një avioni të vogël në zonën e Campanož (pranë aeroportit Medulin). Raporti është konfirmuar, të gjitha shërbimet e emergjencës (policia, ambulanca dhe zjarrfikësit) janë në vendngjarje dhe po marrin masa dhe veprime brenda juridiksionit të tyre”, njoftoi policia.

    Katër persona vdiqën, ndërsa, sipas informacioneve jozyrtare, dy persona janë ende në kërkim. Sipas informacioneve jozyrtare, ata janë shtetas të huaj.

  • Arrestohet një person i dyshuar për shtytje në zjarrvënie

    Arrestohet një person i dyshuar për shtytje në zjarrvënie

    Policia e Rajonit të Prishtinës, respektivisht hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme (NjHP) në Prishtinë, kanë arrestuar një person të dyshuar për shtytje në zjarrvënie.

    Rasti ka ndodhur më datë 16.11.2025, në rrugën “Nezir Gashi” në Prishtinë,  ku është djegur një automjet dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme nga zjarri.

    Lidhur me këtë rast, sot nga hetuesit policorë të NjHP-së është arrestuar i dyshuari i dytë:

    • B.H, 37 vjeç, mashkull, i cili është ndaluar në pikën kufitare në Jarinjë.

    Personi i arrestuar, me vendim të prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.