ATV

Author: G.O.

  • Kryetari i Mitrovicës së Veriut shoqërohet në Polici

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut shoqërohet në Polici

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, së bashku me kryesuesin e Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozaq, janë shoqëruar në Policinë e Kosovës, në një rast që lidhet me veprime të Inspektoratit Komunal.

    Lajmi është konfirmuar për Gazetën Sinjali nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur pasi Inspektorati Komunal ka shkuar në një lokacion në Mitrovicën e Veriut për heqjen e një tabele me mbishkrimin “E dua Mitrovicën”, e cila dyshohet se ka qenë subjekt i kontestimeve në terren.

    Pas ndërhyrjes, dy zyrtarët komunalë janë shoqëruar në polici në kuadër të procedurave hetimore për dyshime lidhur me vandalizëm.

    Ndërkohë, para stacionit policor në Mitrovicë të Veriut janë mbledhur anëtarë të Listës Serbe, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente.

  • Oda Ekonomike Amerikane: Gazi i lëngshëm natyror amerikan duhet të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

    Oda Ekonomike Amerikane: Gazi i lëngshëm natyror amerikan duhet të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (LNG) dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme të gazit ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar. Përveç përfitimeve ekonomike dhe energjetike, një orientim i tillë do të forconte edhe më tej bashkërendimin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerin e saj më të rëndësishëm strategjik.

    Nw njw komunikatw pwr media thuhet se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet në masë të madhe në termocentralet e vjetruara me linjit, ndërsa importi i energjisë elektrike vazhdon të jetë barrë e konsiderueshme për ekonominë. Remontet e planifikuara të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese, rritja e kërkesës për energji dhe ekspozimi gjithnjë e më i madh ndaj luhatjeve të tregut e theksojnë edhe më shumë nevojën për një miks energjetik më të diversifikuar dhe më rezistent.

    Oda Amerikane rikujton se projekte të rëndësishme të infrastrukturës së LNG-së dhe të ndërlidhjes energjetike po zhvillohen në mbarë Evropën Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për shtetet që të sigurojnë qasje në burime të diversifikuara të gazit dhe të forcojnë sigurinë e tyre energjetike. Ndërsa vendet fqinje po pozicionohen brenda këtyre korridoreve të reja energjetike, Kosova rrezikon të mbetet jashtë një arkitekture rajonale që po bëhet gjithnjë e më përcaktuese për konkurrueshmërinë ekonomike dhe sigurinë afatgjate të furnizimit.

    Sfida me të cilën përballet Kosova nuk është më disponueshmëria e furnizimit, por gatishmëria e vendit për ta shfrytëzuar atë. Kjo kërkon investime strategjike në infrastrukturë, modernizimin e kornizës ligjore dhe rregullatore për gazin natyror, si dhe angazhim më të fuqishëm me partnerët strategjikë. Investimi në infrastrukturën që mundëson qasjen në LNG nga SHBA-ja do të kontribuonte edhe në forcimin e bashkërendimit strategjik të Kosovës, në një kohë kur siguria energjetike dhe siguria gjeopolitike janë gjithnjë e më të ndërlidhura.

    Përtej forcimit të sigurisë energjetike, qasja në gaz do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, do të ofronte fleksibilitet më të madh për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe do të rriste konkurrueshmërinë e industrive të Kosovës në një kohë kur kërkesat rregullative të Bashkimit Evropian, që lidhen me emetimet e karbonit po bëhen më rigoroze dhe si të tilla do të afektojnë eksportuesit.

    Rrjedhimisht, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Qeverisë që të demonstrojë vullnetin politik duke ndërmarrë hapa konkretë drejt integrimit të Kosovës në rrjetet rajonale të gazit. Mungesa e veprimit rrezikon të zgjasë cenueshmërinë energjetike të vendit dhe të kufizojë potencialin e tij ekonomik, ndërsa veprimi në kohë mund të ndihmojë në sigurimin e një të ardhmeje energjetike më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më të sigurt.

  • Rreth 28 mijë qytetarë votojnë nesër në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

    Rreth 28 mijë qytetarë votojnë nesër në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

    Nesër, më 6 qershor, do të zhvillohet votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, për zgjedhjet e së dielës.

    Sipas një njoftimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.

    “Vetëm 27,724 votuesit e regjistruar në 30 përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor 2026, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026)”.

    “Procesi i votimit do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme”, thuhet në njoftim.

  • Ryshfet për vota, prangoset i dyshuari në Graçanicë

    Ryshfet për vota, prangoset i dyshuari në Graçanicë

    Është arrestuar një person në Graçanicë nën dyshimet për veprën penale të dhënies ose marrjes së ryshfetit në lidhje me procesin e votimit.

    Në raportin 24-orësh të policisë, bëhet e ditur se arrestimi është kryer mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 20:00.

    Në kuadër të hetimeve, policia ka intervistuar edhe dy dëshmitarë, ndërsa ka realizuar kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit.

    Njoftimi i plotë:

    DHËNIA OSE MARRJA E RYSHFETIT NË LIDHJE ME VOTIMIN

    Graqanicë, 04.06.2026 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur. Në lidhje me rastin janë intervistuar dy dëshmitar meshkuj kosovarë. Është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit ku si prova materiale janë konfiskuar material për votim dhe katër telefona mobil. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • MINT publikon çmimet e derivateve për sot

    MINT publikon çmimet e derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve për ditën e sotme.

    Sipas MINT një litër naftë sot të shitet për 1.52, kurse një litër benzinë 1.42 euro. MINT ka vendosur që një litër gas 0.71 euro.

    Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Vrasje në tentativë në Gjilan, Policia jep detaje

    Vrasje në tentativë në Gjilan, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka arrestuar një person në Gjilan.

    I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

    Sipas Policisë, viktima është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për tretman mjekësor.

    Njoftimi i plotë:

    VRASJE NË TENTATIVË

    Gjilan, 04.06.2026 – 20:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Sot varrosen dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht në Shëngjin

    Sot varrosen dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht në Shëngjin

    Familjarë, miq dhe të afërm do t’u japin sot lamtumirën e fundit dy të rinjve nga Kosova, Jetmir Binakut dhe Leonit Aliut, të cilët humbën jetën tragjikisht në bregdetin e Shëngjinit.

    Sipas njoftimeve të publikuara nga familjet, ceremonia e varrimit të Jetmir Binakut do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e fshatit Gllobar të Drenasit.

    “Me dhimbje dhe pikëllim të thellë, i njoftojmë të gjithë farefisin, miqtë dhe dashamirët se ka ndërruar jetë tragjikisht djali, vëllau dhe nipi ynë i dashur, Jetmir Binaku. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër pas namazit të xhumasë në ora 14:00 në varrezat e fshatit Gllobar”, thuhet në njoftimin e familjes Binaku.

    Ndërkaq, Leonit Aliu do të përcillet për në banesën e fundit në orën 15:00, në fshatin Rezallë, lagjja Aliu.

    Babai i të ndjerit, përmes një njoftimi prekës, ka bërë të ditur kohën e ceremonisë së varrimit.

    “Na ike shumë herët, në lulen e rinisë, por kujtimi yt, buzëqeshja jote dhe mirësia jote do të mbeten përgjithmonë me ne. Largimi yt la një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. Pusho në paqe, djali im Leonit”, ka shkruar.

    Jetmir Binaku dhe Leonit Aliu humbën jetën në një ngjarje tragjike në Shëngjin, ku dyshohet se u morën nga rrymat dhe dallgët e forta të detit.

    Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, kur pesë shokë nga Kosova kishin hyrë në det, por dy prej tyre nuk arritën të mbijetonin, ndërsa tre të tjerët u dërguan në spital për trajtim.

  • Arrin në Kosovë grupi i parë i haxhilerëve

    Arrin në Kosovë grupi i parë i haxhilerëve

    Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se kanë nisur të kthehen në Kosovë haxhilerët që këtë vit kryen obligimin e Haxhit në vendet e shenjta.

    “Me lot në sy dhe emocione të papërshkrueshme, sot në Aeroportin e Prishtinës kanë filluar të kthehen haxhilerët nga Kosova, të cilët këtë vit e kryen obligimin e Haxhit në vendet e shenjta. Ata kujtojnë me emocione Qabenë e bekuar, Xhaminë e Pejgamberit a.s., Ditën e Arafatit, Muzdelifen, si dhe shumë momente të tjera të veçanta gjatë këtij rrugëtimi”, thuhet në njoftimin e Bashkësisë Islame.

  • Përdorimi i shqipes në provimet shtetërore, studentët protestojnë sot në Prishtinë

    Përdorimi i shqipes në provimet shtetërore, studentët protestojnë sot në Prishtinë

    Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë do të mbajë një protestë paqësore në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.

    Protesta do të zhvillohet para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe synon të shprehë kundërshtimin ndaj çdo kufizimi të përdorimit të gjuhës shqipe.

  • Tivati i Malit të Zi mbledh liderët në samitin BE–Ballkani Perëndimor

    Tivati i Malit të Zi mbledh liderët në samitin BE–Ballkani Perëndimor

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet sot në Tivat të Malit të Zi.

    Samiti mbledh udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.

    Në njoftimin e Presidencës thuhet se në këtë samit,Haxhiu do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit.

    “Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin BE, Ballkani Perëndimor, i cili mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi. Samiti mbledh udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë samit, u.d. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim.