ATV

Author: G.O.

  • Bislimi mirëpriti ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Kosovë

    Bislimi mirëpriti ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Kosovë

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi mirëpriti sot në takim njoftues ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Karin Boven.

    Kosova dhe Holanda gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera. Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ambasadorja Boven në takimin e tyre të parë folën për mundësitë dhe vullnetin për t’i thelluar edhe më tej ato, veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe tregtar, por edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.

    Në fokus të bisedës ishin zhvillimet e fundit në fushën e integrimit evropian, zhvillimi ekonomik dhe marrëdhëniet rajonale. Ambasadorja Boven u njoftua rreth qeverisjes së deritanishme, rezultatet në fushën e sundimit të ligjit, indikatorët ekonomikë, përparimin demokratik, si dhe për procesin e dialogut, reformat evropiane, dhe hapat e fundit para dorëzimit formal të Planit të Rritjes te Komisioni Evropian.

    Gjatë diskutimit, u theksua rëndësia dhe nevoja për largimin e menjëhershëm të masave të BE-së ndaj Kosovës në mënyrë që vendi ynë të arrijë potencialin maksimal të agjendës evropiane, gjë që është në interes edhe të Bashkimit Evropian, përveç se Kosovës dhe qytetarëve të saj.

    Ai shprehu mirënjohjen e tij ndaj Mbretërisë së Holandës për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, për partneritet dypalësh dhe për kontributin e ambasadës së Holandës në fuqizimin e shoqërisë civile në vend, ndërkaq ambasadores Boven i uroi suksese në detyrën e saj të re dhe mirëseardhje në Kosovë.

  • “Mashtrim i radhës”, Haradinaj i reagon Kurtit: Ushtria s’është dhe s’do të duhej kurrë të ishte kazan i votave të tij

    “Mashtrim i radhës”, Haradinaj i reagon Kurtit: Ushtria s’është dhe s’do të duhej kurrë të ishte kazan i votave të tij

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas takimit të kryeministrit Kurti me ministrat Murati e Maqedonci si dhe komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari në “Ballkonin e Hapur” të Qeverisë.

    Haradinaj ka thënë se është gjithmonë një lajm i mirë kur Kryeministri i vendit takon krerët e sigurisë, mirëpo sipas tij, ky është vetëm një “mashtrim i radhës” i tij.

    “Ushtari i Kosovës vazhdon të ketë pagë € 400, të ketë pajisje personale tepër joadekuate kurse rritjen e premtuar të pagës plotë ushtarë të FSK e arrijnë përmes përmbaruesve”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai shtoi se premtimi i Kurtit se Kosova do të ketë ushtri të detyrueshme doli të jetë vetëm mashtrim ordiner, teksa tha se “Fondi i Sigurisë” më as që përmendet nga ai.

    “Ushtria duhet të trajtohet nga shteti me dinjitet e respekt e jo me mashtrim. Ushtria nuk është dhe s’do të duhej kurrë të ishte kazan i votave të Albin Kurtit”, ka shkruar Haradinaj.

  • Vullin takon Putinin në Rusi

    Vullin takon Putinin në Rusi

    Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar të mërkurën me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vullin në margjina të një forumi ekonomik në Vlladivostok.

    Në takim, i cili është transmetuar drejtpërdrejt në platformën YouTube, Vullin ka thënë se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.

    Ai ka thënë se për shkak të qëndrimit të vet, Serbia është nën presion të jashtëzakonshëm.

    “Mirëpo, Serbia, e udhëhequr prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e paktit të NATO-s, që nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të lejojë kurrë që veprime anti-ruse të kryhen prej territorit të saj”, ka thënë Vullin.

    Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë më parë për Zërin e Amerikës se qëndrimi amerikan ndaj Vullinit “dihet mirë” dhe që ai është nën sanksione amerikane.

    Paraprakisht, Bashkimi Evropian u ka thënë mediave në Serbi se “mbajtja e lidhjeve me Rusinë në kohën e agresionit kundër Ukrainës, nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit”.

    “BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të paarsyetuar të Rusisë kundër Ukrainës”, ka thënë blloku evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 3 shtator.

    Forumi në Vlladivostik të Rusisë do të mbahet prej 3 deri më 6 shtator.

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se vizita e Vullinit në Rusi nuk përbën “asgjë aq të tmerrshme”.

    “Ne nuk kemi shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Federatën Ruse, nuk është e ndaluar për askënd që të takohet përfaqësuesit e Federatës Ruse”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Vuçeviq ka thënë se Serbia nuk e inkurajon luftën në Ukrainë dhe nuk e mbështet shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

    Ai ka rikujtuar që edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, si kryeministër i një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka qenë së fundmi në Moskë dhe është takuar me Putinin.

    “Nëse Orbanit i lejohet, natyrisht që edhe Vullini mund ta takojë. Nuk shoh ku është ndryshimi apo qasja ndryshe”, ka thënë kryeministri i Serbisë.

    Vullin ka qenë disa herë në Moskë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Ai është i njohur për lidhjet e tij me Rusinë, ndërsa prej 11 korrikut të vitit të kaluar është futur në listën e zezë amerikane për “korrupsion dhe veprime destabilizuese” me qëllim të avancimit të agjendave dhe interesave të tij personale, duke i bërë dëm paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor./REL

  • Georgina Rodriguez shkëlqen me dukjen elegante, teksa parakalon në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia

    Georgina Rodriguez shkëlqen me dukjen elegante, teksa parakalon në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia

    Georgina Rodriguez bëri një shfaqje magjepsëse teksa ecte në tapetin e kuq për 20-vjetorin e Diva E Donna në Venecia, Itali.

    Modelja, 30 vjeçe, e cila ka ngjallur thashetheme për një martesë me Cristiano Ronaldon pasi ai e quajti atë ‘gruan’ e tij, kishte veshur një fustan me material zherzhet me një prerje te pjesa e këmbës.

    Ajo dukej mahnitëse në fustanin elegant që përmbante një dekolte të hapur te pjesa e gjoksit dhe një korse të shtrënguar te beli, shkruan DailyMail.

    Për aksesorë, Georgina kishte vendosur një gjerdan me lule dhe kompletoi pamjen e saj me një palë sandale të thjeshta me rripa.

    Gjatë ngjarjes, e cila përkoi me edicionin e 81-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ajo u nderua me Çmimin ‘Diva e Donna’ në kategorinë “Gruaja e Vitit” për dokumentarin e saj “I Am Georgina”.

    Mbërritja e saj në Venecia vjen pas aludimeve të Cristianos se ai është martuar tashmë me Georgina-n.

    Sulmuesi i Al Nassr dhe Portugalisë ka qenë në një lidhje me Georgina-n që nga viti 2016 dhe ata kanë dy fëmijë së bashku, ndërsa ajo është gjithashtu njerka e tre fëmijëve të tjerë të tij.

    Cristiano kohët e fundit e quajti atë ‘gruaja’ e tij në një video në YouTube që u publikua në fund të gushtit, por e kishte përdorur të njëjtin term më herët këtë vit në një intervistë tjetër.

    Të dy, Georgina dhe Cristiano gjithashtu dukeshin se mbanin unaza martese në gishtat e tyre përgjatë videos, por nuk kanë bërë publike ndonjë ceremoni martese.

    Festivali Ndërkombëtar të Filmit të Venecias sivjet mbahet në Lido di Venezia nga data 28 gusht deri më 7 shtator 2024. Përveç Georgina-s dhe kastit të “Beetlejuice”, një sërë yjesh të tjerë janë mbledhur në Venecia.

    Georg Clooney është në qytet, së bashku me gruan e tij Amal, për premierën e filmit të tij të ri “Wolfs”, një thriller i regjisorit Jon Watts që e bashkon atë me yllin e “Oceans 11”, Brad Pitt. /Telegrafi/

  • Shkarkohet nga detyra, prokurorja largohet në lot nga salla

    Shkarkohet nga detyra, prokurorja largohet në lot nga salla

    Një prokurore e Prokurorisë së Tiranës është shkarkuar nga detyra këtë të mërkurë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

    Prokurorja Ornela Rrumbullaku u largua në lot nga salla ku u dha vendimi, siç shihet nga fotot e siguruara nga LSA, raporton A2CNN.

    Gjatë seancës dëgjimore të së hënës, Rrumbullaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa KPK nuk evidentoi probleme sa i përket kriterit profesional.

    Por, asaj iu kërkuan shpjegime për burimin e pasurisë së bashkëshortit të saj, të krijuar nga aksione në disa shoqëri private.

    Prokurorja i kundërshtoi pretendimet e KPK, duke thënë se bashkëshorti nuk kishte investuar para për të blerë këto aksione, por ishte dakorduar me ortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.

  • Tetaj: Për Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin vetëm mund të spekuloj, s’i kam parë kurrë

    Tetaj: Për Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin vetëm mund të spekuloj, s’i kam parë kurrë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po e vazhdon dëshminë dëshmitari Rrustem Tetaj në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Tetaj tha se nëse flet për Veselin dhe Krasniqin vetëm mund të bëjë spekulime, ngase ata dy nuk i ka parë kurrë gjatë luftës.

    Këto deklarime, Tetaj, i cili është dëshmitari i84-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së Veselit, Annie O’Reilly.

    “Unë Kadri Veselin jashta në televizor edhe sot që po e shoh qitu se kurrë nuk e kam pa edhe masi nuk e kam pa dhe nuk ka qenë në zonën e luftës, ju lutem unë nuk di se çka ka me thanë për ta. Këta e kam deklaru edhe para Prokurorisë. Vetëm për Hashim Thaçin që jam taku me të dhe Rexhep Selimin në Jabllanicë e ato që i kam fol përpara, unë për Jakupin dhe Kadri Veselin vetëm se çka spekuloj se nuk kam ni”, tha dëshmitari.

    Në fillim të seancës, i përfundoi kundërpyetjet e tij avokati i Thaçit, Luka Mishetiq i cili u fokusua sërish tek takimi i Tahir Zemajt me Thaçin, Bislim Zyrapin e persona të tjerë, ku ua ishte kumtuar emërimi i Ramush Haradinajt në pozitën e komandantit të zonës, , raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, të pranishëm në sallën e gjyqit janë të gjithë të akuzuarit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Hidhet mjet shpërthyes në oborrin e një shtëpie në Zubin Potok

    Hidhet mjet shpërthyes në oborrin e një shtëpie në Zubin Potok

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se në orët e hershme të së mërkurës është hedhur një mjet shpërthyes në oborrin e një shtëpie të banuar me serbë në Zubin Potok.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se dyshimet ekzistojnë që bëhet fjalë për granatë dore.

    “Ka pasur dëme materiale në vetura dhe në dritaren e shtëpisë”, ka thënë ai, duke treguar se Policia ka nisur hetimet për këtë rast.

    Elshani nuk ka bërë të ditur nëse ka pasur pasoja në njerëz.

    Një rast si ky nuk është i rrallë në veriun e Kosovës në vjetët e fundit.

    Për hedhje të mjeteve shpërthyuese dhe djegie të veturave është raportuar disa herë në këtë rajon, sidomos në kohën e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

    Zubin Potoku, bashkë me Mitrovicën e Veriut, Zveçanin dhe Leposaviqin, janë katër komunat me shumicë serbe në veri.

    Tensionet në atë pjesë kanë qenë relativisht të larta në muajt e fundit, për shkak të atyre që Qeveria i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në atë pjesë./REL

  • Në 24 orët e fundit në Kosovë raportohen shtatë raste të dhunës në familje

    Në 24 orët e fundit në Kosovë raportohen shtatë raste të dhunës në familje

    Në raportin 24-orësh të policisë janë regjistruar shtatë raste të dhunës në familje.

    Nga një rast janë në komunat Drenas dhe Fushë Kosovë, Prishtina me dy raste si dhe Peja me tri raste të dhunës në familje.

    Ndërsa, gjithsej janë arrestuar pesë persona dhe një ndodhet në arrati.

    Raporti:

    Gllogoc / 03.09.2024 / “Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

    Prishtinë / 03.09.2024 / “Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që ka ushtruar dhunë psiqike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

    Prishtinë / 03.09.2024 / “Ankuesja femër kosovare ka informuar se i dyshuari mashkull kosovar i kishte dërguar SMS me përmbajtje kërcënuese. I dyshuari ndodhet në arrati, rasti është duke u hetuar”.

    Fushë Kosovë / 03.09.2024 / “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

    Pejë / 03.09.2024 / “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që në gjendje të dehur kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

    Pejë / 03.09.2024 / “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që kishte kanosur viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

    Pejë / 03.09.2024 / “Viktima femër kosovare ka informuar se i dyshuari mashkull kosovar kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, i dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”.

  • Vetura me targa shqiptare u përplas një pikë karburanti në Kroaci, një i vdekur e 3 të plagosur

    Vetura me targa shqiptare u përplas një pikë karburanti në Kroaci, një i vdekur e 3 të plagosur

    Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Kroaci, ku një makinë me targa shqiptare është përplasur me një pikë karburanti.

    Mediat kroate raportojnë se në orën 17:45 në autostradën A1 pranë Mosor-it një “BMW” është përplasur me një gjenerator në një pikë karburanti, dhe për pasojë një person ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë ndodhen në spital në gjendje të rëndë.

    Gjithashtu është shkrumbuar nga flakët edhe një Citroen me targa shqiptare.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq, konfirmoi të martën se një person mbeti i vdekur dhe disa të tjerë u plagosën nga zjarri në një pikë karburanti në autostradën A1, në stacionin e pushimit Mosor Jug afër Omishit, duke shtuar se zjarri është nën kontroll nga zjarrfikësit.

    Identiteti i viktimës nuk dihet ende, ndërsa tre të plagosurit kanë pësuar djegie të shumta në trup për shkak të shpërthimit të makinës.

  • 10-vjeçari vret ish-kryetarin e bashkisë në Luiziana dhe vajzën e tij

    10-vjeçari vret ish-kryetarin e bashkisë në Luiziana dhe vajzën e tij

    Një djalë 10-vjeçar qëlloi për vdekje ish-kryebashkiakun 82-vjeçar të Minden, një qytet në veriperëndim të Luizianës, dhe vajzën e tij 31-vjeçare.

    Trupat e Joe Cornelius Sr dhe Keisha Miles u gjetën mëngjesin e të dielës me plagë të shumta nga arma zjarri.

    Autoritetet nuk zbuluan lidhjen që kishte fëmija, i cili është arrestuar, me Cornelius dhe Miles dhe thanë se çdo motiv i mundshëm ishte nën hetim.

    Fqinjët i thanë një stacioni televiziv lokal se dëgjuan Cornelius dhe fëmijën duke u grindur dhe më vonë dëgjuan disa të shtëna me armë.

    Cornelius ishte anëtar për një kohë të gjatë i Këshillit të Qytetit Minden. Pas vdekjes së kryebashkiakut të qytetit, Cornelius u emërua ushtrues detyre i kryetarit të bashkisë në vitin 2013.