ATV

Author: G.O.

  • Arrijnë pajisjet mjekësore për QMF-të dhe Urgjencën në Prishtinë, vlera e tyre rreth 200 mijë euro

    Arrijnë pajisjet mjekësore për QMF-të dhe Urgjencën në Prishtinë, vlera e tyre rreth 200 mijë euro

    Rreth 200 mijë është vlera e pajisjeve mjekësore për Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe atë të Urgjencës në Prishtinë, e cila është e ndarë në dy llote. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

    Sadiku ka thënë se ky investim përbëhet nga pajisje të ndryshme mjekësore për qendra të ndryshme në Kryeqytet, ndërsa pajisjet e para kanë arritur para 10 ditësh.

    “Ne kemi ndarë një buxhet që këtë vit po shfrytëzohet e që është rreth 200 mijë euro i ndarë për vlerën e pajisjeve mjekësore për Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Urgjencës në Kryeqytet, e cila ka qenë e ndarë në dy llote. 150 mijë kanë qenë të dedikuara për pajisje mjekësore në qendrat e mjekësisë familjare dhe 50 mijë për Qendrën e Urgjencës në Kryeqytet. Këto pajisje kanë filluar para 10 ditësh të vijnë, me ardhjen e karrigeve stomatologjike, ku i kemi siguruar tri të tilla për QMF-në në Dardani dhe Hajvali dhe sot është ardhë shumica e materialit tjetër, e cila është e dedikuar laboratori, pajisje për mjekët familjarë dhe shumica është pajisje për stomatologji”, ka thënë Sadiku.

  • Gërvalla: Kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare, dëshmi se Serbia është rrezik real për stabilitetin rajonal

    Gërvalla: Kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare, dëshmi se Serbia është rrezik real për stabilitetin rajonal

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se një ndër temat kryesore në takimin e saj me homologun e saj turk, Hakan Fidan, ka qenë siguria dhe stabiliteti në rajon, “veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës”, raporton Ekonomia Online.

    Gërvalla ka thënë se Serbia është një rrezik real për stabilitetin rajonal dhe se kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare sot janë vetëm një dëshmi e shtuar e synimeve të saj hegjemoniste.

    Në këtë kontekst, ajo ka thënë se Kosova është e vendosur, që në bashkëpunim me partnerët e saj strategjikë, përfshirë edhe Turqinë, të vazhdojë ta ruajë paqen dhe sovranitetin e saj.

    “Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë janë të bazuara në miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë. Në aspektin ekonomik, bashkëpunimi jonë është i veçantë. Investimet turke përgjatë viteve kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke krijuar vende pune dhe duke përmirësuar dukshëm infrastrukturën. Ne do të vazhdojmë të punojmë në thellimin e marrëdhënieve tona ekonomike. Komuniteti i madh shqiptar ne Turqi luan një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona, të cilët kanë krijuar një histori të gjatë dhe të suksesshme integrimi. Ata kanë shërbyer si urë lidhëse mes dy popujve tanë”.

    “Ndër temat kryesore që diskutuam ishte edhe siguria dhe stabiliteti në rajon, në një kohë kur rajoni ynë përballet me sfida të mëdha të sigurisë, veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës. Roli i Turqisë dhe I NATO-s është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin. Kosova mbetet e përkushtuar në partneritetin e saj me NATO-n dhe përforcimin e pranisë në vendin tonë si një garanci për paqen në rajon”.

    “Në këtë kontekst, ne e shohim Serbinë si një rrezik real për stabilitetin rajonal. Kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare sot janë vetëm një dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste dhe veprimeve konkrete destablizuese të Serbisë. Sovraniteti i Kosovës nuk është i diskutueshëm. Jemi të vendosur që në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, përfshirë edhe Turqinë, ta vazhdojmë ta ruajmë paqen në Kosovë”.

    Ajo ka thënë se e vlerëson shumë mbështetjen e Turqisë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në arenën ndërkombëtare.

  • Lajçak deklarohet, por nuk e tregon datën: Takimi mes Kosovës e Serbisë së shpejti

    Lajçak deklarohet, por nuk e tregon datën: Takimi mes Kosovës e Serbisë së shpejti

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka nisur vizitën në Kosovë mëngjesin e sotëm. Ai u pa duke hyrë në Qeverinë e Kosovës për t’u takuar me kryenegociatorin e Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

    Vizita e emisarit të BE-së në Kosovë synon përgatitjen e një rundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

    Kësaj radhe, siç raportoi REL, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin.

    Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.

    Bashkimi Evropian së fundi ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas BE-së, mund të rrisin tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe.

    BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe.

    Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.

  • Zelensky në Gjermani për takime me aleatët e Ukrainës

    Zelensky në Gjermani për takime me aleatët e Ukrainës

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot do ta vizitojë Gjermaninë, ku mbështetësit e ushtrisë të Ukrainës po takohen disa ditë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse që kanë ndodhur gjatë luftës, teksa forcat ruse po bëjnë përparime në fushëbetejë.

    Zelensky dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të zhvillojnë një takim në Frankfurt, sipas zëdhënësit të Qeverisë gjermane.

    Ky zëdhënës nuk dha detaje të tjera lidhur me takimet që do të zhvillojë udhëheqësi ukrainas në Gjermani.

    Por, media gjermane Der Spiegel, ka raportuar se Zelensky do të marrë pjesë në takimin e mbështetësve të Kievit – ku përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara – që do të mbahet në bazën ajrore amerikane, Ramstein.

    Kjo media raportoi se Zelensky do t’u bëjë thirrje shteteve perëndimore për më shumë ndihmë për Kievin gjatë takimit të Grupit të Kontaktit në këtë bazë.

    Takimi në bazën që gjendet në jugperëndim të Frankfurtit do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

    Ky do të jetë takimi i 24-të i Grupit të Kontaktit që është një aleancë joformale e përbërë nga më shumë se 50 shtete që e mbështesin Ukrainën, raporton rel.

  • Kurti pret sot në takim kryediplomatin e Turqisë

    Kurti pret sot në takim kryediplomatin e Turqisë

    Kryeministri Albin Kurti do ta pres sot në takim Kryediplomatin e Turqisë, Hakan Fidan, i cili ka arritur mbrëmë në Kosovë.

    Sipas njoftimit që ka lëshuar Zyra e Kryeministrit, Kurti e Fidan do të takohen në orën 13:30.

    Paraprakisht, Fidan do të ketë takim me Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën.

    Sipas njoftimit të MPJ’së turke, “gjatë takimeve do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare”

    “Ministri Fidan do të vizitojë Prizrenin dhe Mamushën dhe do të takohet me komunitetin turk dhe përfaqësuesit e tij”.

    Fidan do të vizitojë edhe shtabin e KFOR-it.

    Vizita e Fidan në Kosovë ndodhë në një kohë kur autoritetet turke kanë arrestuar një shtetas të Kosovës, për të cilin shërbimi sekret turk tha se është pjesëtar i shërbimit izraelit të inteligjencës Mosad.

  • Lajçak mbërrin te ndërtesa e Qeverisë

    Lajçak mbërrin te ndërtesa e Qeverisë

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbërritur te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

    Lajçaku besohet se do të takohet me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, për përgatitjen e takimit me kryenegociatorët në Bruksel.

    Për këtë takim, Zyra e Kryeministrit nuk ka njoftuar, përveç Lajçakut përmes një njoftim në rrjetin social “X”.

  • Të paktën 17 nxënës vdesin nga zjarri në një shkollë në Kenia

    Të paktën 17 nxënës vdesin nga zjarri në një shkollë në Kenia

    Të paktën 17 nxënës kanë vdekur pasi një zjarr përfshiu konviktin e shkollës së tyre gjatë natës në Kenia, tha policia më 6 shtator.

    Zjarri në Akademinë Hillside Endarasha, në qarkun Nieri, shpërtheu rreth mesnatës dhe përfshiu një konvikt ku po flinin fëmijët.

    “Janë 17 raste me fatalitet nga ky incident dhe ka edhe të tjerë që janë dërguar në spital me lëndime të rënda”, tha zëdhënësja e policisë kombëtare, Resila Onyango.

    Policia në Kenia nuk bëri publike moshën e viktimave.

    Në këtë shkollë fillore vijojnë mësimin afër 800 nxënës të moshës 5 deri në 12 vjeç.

    Sipas zëdhënëses së policisë, 16 nga të plagosurit kanë plagë të rënda dhe janë dërguar në një spital aty pranë.

    Shkaku i zjarrit, sipas policisë, ende nuk dihet por, autoritetet kanë nisur hetimet.

  • 25 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës

    25 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës

    Për nder të shënimit të 25 vjetorit të themelimit, Policia e Kosovës, sot organizon ceremoninë qendrore, e cila do të mbahet në Emerald, duke filluar nga ora 11:00.

    Në këtë ceremoni solemne pritet të marrin pjesë personalitetet e larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete të agjencive të sigurisë nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

    Në kuadër të drejtorive rajonale do të organizohet edhe porta e hapur për qytetarë, ku qytetarët kanë mundësi të vizitojnë rajonet/stacionet policore.

    Policia e Kosovës që nga themelimi është institucioni më i rëndësishëm shtetëror që kujdeset për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit në vend.

    PK ka filluar punën më 6 shtator të vitit 1999, ndërsa tani po shënon 25-vjetorin e themelimit të saj.

  • Lajçak sot në Prishtinë, përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë-Serbi

    Lajçak sot në Prishtinë, përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë-Serbi

    Bashkimi Evropian do të dërgojë të sot në Prishtinë përfaqësuesin e posaçëm, Miroslav Lajçak, në një përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, mes thirrjeve drejtuar autoriteteve në Kosovë që të shmangin ato që zyrtarët perëndimorë i cilësojnë veprime të njëanshme në veri.

    Zëdhënësi i bllokut,Peter Stano, tha të enjten se “ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

    Lajçak paralajmëroi se vizita në Prishtinë do të jetë pjesë e përpjekjeve për organizimin e një takimi mes kryenegociatorëve të të dyja palëve mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri të Kosovës.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi pas paralajmërimeve nga një grup i serbëve për mbylljen e vendkalimeve kufitare me Kosovën për shkak të zhvillimeve në veri.

    Një grup qytetarësh në Serbi, tha se synon që nga sot të bllokojë vendkalimet kufitare me kërkesën për tërheqjen e forcave të Policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve të Serbisë atje.

  • Pikat kufitare me Serbinë pritet të bllokohen sot, Kosova kërkon nga qytetarët të shmangin kalimin transit

    Pikat kufitare me Serbinë pritet të bllokohen sot, Kosova kërkon nga qytetarët të shmangin kalimin transit

    I ashtuquajturi “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi ka thënë se nga sot planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.

    Si rrjedhojë, qe dy ditë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    “MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.”

    Ndryshe, Bashkimi Evropian do të dërgojë sot në Prishtinë përfaqësuesin e posaçëm, Miroslav Lajçak, në një përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, mes thirrjeve drejtuar autoriteteve në Kosovë që të shmangin ato që zyrtarët perëndimorë i cilësojnë veprime të njëanshme në veri.