ATV

Author: G.O.

  • Jepet alarmi për përmbytje, Japonia urdhëron evakuim masiv

    Jepet alarmi për përmbytje, Japonia urdhëron evakuim masiv

    Rreth 30,000 njerëz në dy qytete në Japoninë qendrore janë urdhëruar të evakuohen pasi sinoptikanët paralajmëruan për përmbytje të mëdha të shkaktuara nga shirat e dendur.

    Rreth 18,000 njerëz në qytetin e Wajima dhe 12,000 të tjerë në Suzu u është thënë të kërkojnë strehim në prefekturën Ishikawa, ishull Honshu.

    Faqja e internetit Kyodo News ka publikuar një foto ku shihet një rrugë e tërë e përmbytur në Wajima.

    Agjencia Meteorologjike e Japonisë (Jma) ka lëshuar një emergjencë me shi të dendur, niveli më i lartë i alarmit,  për disa pjesë të prefekturës.

    Transmetuesi publik japonez NHK citoi zyrtarë qeveritarë të thoshin se 12 lumenj në prefekturë kishin dalë nga shtrati

    Rajoni është ende duke u rikuperuar pas një tërmeti vdekjeprurës me magnitudë 7.5 në ditën e Vitit të Ri.

  • Xhiro e 6-të e Superligës vijon sot me dy ndeshje interesante, vëmendja në Suharekë e Ferizaj

    Xhiro e 6-të e Superligës vijon sot me dy ndeshje interesante, vëmendja në Suharekë e Ferizaj

    Xhiro e 6-të e edicionit 2024-25 të Albi Mall Superligës së Kosovës në Futboll u hap ditën e djeshme me duelin mes Prishtinës dhe Dukagjinit.

    Prishtina triumfoi bindshëm ndaj skuadrën nga Klina, duke e mposhtur atë me rezultat 3-0, për të marrë kreun e tabelës, të paktën përkohësisht.

    E ditën e sotme, xhiroja e 6-të do të vijojë me dy ndeshje të tjera interesante.

    Në Therandë, Suhareka do të jetë nikoqir i skuadrës së Feronikelit 74.

    Suhareka ka tre fitore dhe një barazim në katër ndeshje të zhvilluara, duke u ndodhur në kuotën e 10 pikëve, bashkë me Ballkanin, Prishtinën dhe Malishevën. Një triumf potencial sonte, do t’i shihte ata të merrnin kreun e tabelës, shkruan Sinjali Sporti.

    Feronikeli 74 ndërkohë është skuadra e vetme në Superligë këtë sezon që s’e ka marrë ende asnjë pikë të vetme. Skuadra nga Drenasi ka pesë humbje në po aq xhiro të luajtura.

    Dueli tjetër interesant është ai mes Ferizajt dhe Llapit.

    Llapi vjen pas një fitore të madhe në shtëpi ndaj Dritës, ku triumfoi me një rezultat minimal 1-0 në fund të ndeshjes. Ndërkohë Ferizaj u mposht ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Suharekës, po ashtu me rezultat minimal 1-0.

    Skuadra e Llapit aktualisht ndodhen në pozitën e 5-të në tabelë me 7 pikë të mbledhura pas pesë xhirove, ndërsa Ferizaj ndodhet në pozitën e parafundit në tabelë, duke grumbulluar katër pikë në pesë xhiro, me një fitore, një barazim e tre disfata.

    Të dielën xhiro do të mbyllet me super-derbin Drita-Ballkani dhe Malisheva-Gjilani.

    Të gjitha ndeshjet e kësaj jave zhvillohen nga ora 15:00.

  • Kurti e akuzon Perëndimin se po e “përkëdhel” Serbinë

    Kurti e akuzon Perëndimin se po e “përkëdhel” Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Perëndimin të enjten se po e “përkëdhel” Serbinë për shkak të frikës dhe shqetësimeve për destabilizim, duke shtuar se ajo nuk po “shpaguhet” dhe se Kosova po “paguan” për këtë.

    Qeveria e Kurtit është kritikuar nga disa vende të Perëndimit dhe BE-ja për një sërë vendimesh në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe gjatë këtij viti, ku ai ka thënë se dëshiron të vendosë rend dhe ligj.

    Ai tha se Perëndimi, duke qenë “shumë i kujdesshëm” me Serbinë, po bën që edhe Kosova “të paguajë për këtë dhe kjo nuk është e drejtë”.

    Duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters të premten, Kurti tha: “Mendoj se përkdhelja e Serbisë [nga Perëndimi] gjatë dy vjetëve e gjysmë prej se ka nisur agresioni rus në Ukrainë nuk po shpaguhet, prandaj dikush duhet të thotë mjaft”.

    “Lidhjet e fuqishme të Serbisë me Federatën Ruse dhe lidhjet e thella historike, ekonomike dhe kulturore mes tyre, po e bëjnë Perëndimit të jetë shumë i kujdesshëm me Serbinë”, tha Kurti.

    Serbia, për dallim nga vendet e BE-se dhe vendet e tjera të Perëndimit, nuk pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës nga Moska.

    Ajo vazhdon të mbajë lidhje të ngrohta me Rusinë, edhe pse ka thënë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës.

    Ndërkohë, muajt e fundit Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve luftarakë në vlerë rreth 2.7 miliardë euro, si një memorandum mirëkuptimi për litium me BE-në.

    “Ajo [Serbia] ka gjetur partnerë edhe në Perëndim për shkak të frikës dhe shqetësimeve që disa diplomatë i kanë se mund të ndodhë destabilizimi përsëri. Para luftës në Ukrainës kam parë disa diplomatë perëndimorë shumë të relaksuar, tani të njëjtit janë shumë të frikësuar. Mendoj se ata e kanë pasur gabim atëherë dhe e kanë gabim tani”, shtoi ai.

    “Brukseli t’i bëjë trysni Serbisë”

    Kurti e kritikoi Bashkimin Evropian, të cilit të dyja vendet fqinje synojnë t’i bashkohen dikur, se nuk ka reaguar ndaj “shkelje” që ka bërë Serbia.

    “Brukseli duhet ta luajë rolin e gjyqtarit që i bie pipit kurdo herë që ka shkelje të Marrëveshjes”, tha Kurti, duke iu referuar Marrëveshjes Bazë që Kosova dhe Serbia e arritën nën ndërmjetësimin e BE-së në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.

    Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar palët për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.

    Kurti ka ngulur këmbë që marrëveshja të nënshkruhet dhe që Serbia ta tërheqë një letër që kryeministrja e atëhershme, Ana Bërnabiq, i dërgoi BE-së vitin e kaluar, ku shprehu rezerva për marrëveshjen, si dhe t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin dhe grupin e tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

    “Çfarë kemi parë këto dy vjet është se Brukseli nuk ka reaguar kur Beogradi e ka shkelur marrëveshjen. Ne duam që Brukseli t’i bëjë trysni Serbinë ta respektojë marrëveshjen dhe të angazhohet me vullnet të mirë dhe në mënyrë konstruktive në zbatimin e plotë të saj”, tha Kurti.

    Qeveria e Kurtit e ndaloi dinarin serb, mbylli disa degë të postës serbe, si institucione paralele serbe në një sërë vendimesh gjatë këtij viti, ndërsa synon ta hapë edhe urën mbi lumin Ibër, për cfarë është kritikuar se rrezikon trazira dhe destabilitet.

  • Vrasja e 40-vjeçarit në Mitrovicë/ Policia po punon në identifikimin e të dyshuarit, as motivi ende s’dihet

    Vrasja e 40-vjeçarit në Mitrovicë/ Policia po punon në identifikimin e të dyshuarit, as motivi ende s’dihet

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI 

    F. Z, i cili u plagos në mëngjesin e së premtes në Mitrovicë, ka vdekur në QKUK.

    Siç ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, ekipi mjekësor ka bërë përpjekje maksimale për ta shpëtuar atë, por F.Z. nuk ia doli t’iu mbijetojë plagëve.

    Në anën tjetër, Gëzim Berisha, ushtrues detyre i drejtorit në spitalin “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, tha se pacienti është pranuar i lënduar me armë zjarri dhe me dy plagë në gjoks.

    “Sot në orën 09:45 në emergjencën e spitalit të Mitrovicës është sjellë një pacient i lënduar me armë zjarri me dy plagë në gjoks. I kemi marrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore dhe pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, pacienti është udhëzuar në QKUK për trajtimin e tij…”, tha Berisha.

    F.Z. u plagos te tregu i Gjelbër në Mitrovicë dhe, sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 10.

    “Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes, ishte bërë e ditur se një person i dyshuar kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës F. Z., 45 vjeç, i cili fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicës, më pas ishte dërguar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Ndërsa, rreth orës 12:00 nga SHSKUK-ja është raportuar se i plagosuri viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

    Prokuroria, ndërkaq, njoftoi se si prova materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar gjashtë gëzhoja. “Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

    Por, për rastin ka dëshmitar, i cili tha se pak ka parë nga ngjarja, sepse gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.

    Viktima, siç kupton ATV-ja, është nga fshati Vinarc i Mitrovicës. I dyshuari për sulmin ende ndodhet në arrati, ndërkaq as motivi për këtë vrasje nuk dihet./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Në prag të njëvjetorit nga sulmi në Banjskë – Mbyllet Manastiri i fshatit, nga Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit thanë se u bë për shkaqe sigurie

    Në prag të njëvjetorit nga sulmi në Banjskë – Mbyllet Manastiri i fshatit, nga Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit thanë se u bë për shkaqe sigurie

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Qetë ishte në Banjskë, të premten e 20 shtatorit.

    Katër ditë para shënimit të njëvjetorit të sulmit terrorist në këtë fshat të Zveçanit, Manastiri ka mbyllur dyert për banorët dhe për vizitorët.

    Manastiri s’do të hapet deri më 26 shtator me vendim të Dioqezës së Rashkës dhe e të Prizrenit, për shkak të siç u tha, sigurisë dhe ruajtjes së paqes.

    Përveç armatimit, brenda manastirit të dielën e 24 shtatorit të 2023-s kishin mbetur edhe disa pelegrinë.

    Rrugëve të këtij fshati tani vërehen pak lëvizje të banorëve, e një numër i vogël ditën e kalojnë nëpër kafene. Ata hezitojnë të flasin për sigurinë, por thonë se për shkak të situatës banorët po e braktisin.

    Por, situata vlerësohet të jetë e qetë dhe njësitë e Policisë që kishin qëndruar gjatë muajve pas sulmit, nuk shihen më në fshat, përveç te Posta e Kosovës, që u hap së fundi.

    Më 24 shtator të vitit të kaluar në këtë rrugë që shpie drejt Manastirit mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe dy të tjerë u plagosën, nga një grup i organizuar terrorist, i udhëhequr nga Milan Radojicic, që sulmuan Policinë e Kosovës.

    Ndaj tij dhe 44 personave të tjerë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë javën e kaluar.

    Sipas Prokurorisë, ky grup kishte për qëllim ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Kosovës, dhe komunat e banuara me shumicë serbe t’ia bashkojë Serbisë.”

    Në aktakuzë përshkruhet ndër të tjera se konfrontimet kanë zgjatur disa orë dhe se zyrtarët policorë e kanë pasur të mundur t’i përgjigjen sulmit efektivisht deri në fund, pas ardhjes së njësive shtesë.

    Nga konfrontimet e armatosura, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Qeveria premtoi 400 inspektorë të punës por institucioni punon me pak më shumë se 60

    Qeveria premtoi 400 inspektorë të punës por institucioni punon me pak më shumë se 60

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    “Do të jemi qeveri për punëtorin”.

    Me këtë premtim për t’u siguruar se të drejtat e punëtorëve respektohen, kryeministri Albin Kurti tha se do të angazhohen deri në 400 inspektorë të punës.

    Por pak para përfundimit të mandatit, Inspektorati i Punës vazhdon të operojë me vetëm 64 inspektorë. Andaj nga sindikatat që mbron të drejtat e punëtorëve, thonë se asgjë nuk ka ndryshuar në të mirë të tyre.

    “Nuk ka asgjë të bëjë me realitetin, është thënë që do të bëhen 400 inspektorë të punës, por deri tash kemi vetëm 64 inspektorë, dhe mund të themi se nuk ka ndryshuar asgjë në gjendjen e punëtorëve në lehtësinë apo zbatueshmërinë e ligjit të punës”, tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve Privatë, Jusuf Azemi.

    Megjithatë, më shumë inspektorë se që ishin u bënë ndërkohë, por ende shumë larg nga numri që e premtoi kryeministri.

    Me këto kapacitete që janë, Inspektorati i Punës megjithatë pohon se po e bën maksimumin e përpjekjeve.

    “Sigurisht kjo është si rezultat i afro katërfishimit të numrit të inspektimeve, katërfishimit të numrit të inspektorëve në terren dhe dyfishimit të inspektorëve të punës që ka ndodhur vitin e kaluar”, deklaroi kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi.

    Numri i inspektorëve, megjithatë, mund të dyfishohet prapë, meqë tashmë është hapur konkurs i ri për pranimin edhe të 60 inspektorëve të tjerë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • “Trepça” merr licencë për punë edhe për dy vjetët e ardhshëm, vendimi vlerësohet i kundërligjshëm

    “Trepça” merr licencë për punë edhe për dy vjetët e ardhshëm, vendimi vlerësohet i kundërligjshëm

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Për dy vjetët e ardhshëm, ndërmarrjes publike “Trepça” i është dhënë licenca për shfrytëzimin e resurseve minerale.

    Burimet i kanë thënë ATV-së se Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale vendimin e mori në një mbledhje të mbajtur me 29 gusht, dokument të cilin e posedon ATV.

    Por, me këtë vendim KPMM-ja ka shkelur njërin prej neneve të Ligjit për Miniera dhe Minerale, respektivisht atë që ndalon licencën për ndërmarrjet me borxhe.

    Gjiganti i dikurshëm metalurgjik pikërisht këtij komisioni, për shfrytëzimin në xehet e plumbit dhe zinkut, në veri e në jug të Kosovës i ka borxh rreth 24.8 milionë euro.

    Për mospërfillje të ligjit, KPMM-ja nuk ktheu përgjigje në pyetjet e ATV-së.
    Ndërkaq, sipas ish-drejtorit të Trepçës, tani deputet i Partisë Demokratike, Ferat Shala, ndërmarrja nuk është dashur të pajiset me licencë.

    Për këtë ndërmarrje, sipas tij, nevojitet zgjidhje e përhershme.

    Qeveria viteve të fundit, shpenzoi miliona euro, për t’i mbuluar shpenzimet operative të ndërmarrjes. E në gjysmën e parë të këtij viti, Ministria e Ekonomisë pagoi mbi 3 milionë euro për shpenzime që do të duhej t’i mbulonte vetë ndërmarrja, teksa u konfirmua se Trepça operon me humbje./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ministria e Arsimit nuk ka koment për “Prindi 1 “dhe “Prindi 2”

    Ministria e Arsimit nuk ka koment për “Prindi 1 “dhe “Prindi 2”

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Kaluan disa ditë prejse është publikuar një dokument nëpër shkollat e kryeqytetit me emër “Marrëveshja e shkollës me Prindërit”, në të cilin figuronin emërtimet prindi 1 dhe prindi 2.
    Por as pas kësaj kohe, Ministria e Arsimit nuk ka reaguar ndaj dokumentit që ngjalli shumë debat në opinionin publik.

    Reagime për tërheqjen apo jo të dokumentit nuk pati as nga Drejtoria Komunale e Arsimit, edhe pse ATV-ja adresoi pyetje te zyra për informim në Komunën e Prishtinës.

    Sidoqoftë, një sqarim për dokumentin Drejtoria e Arsimit ua dha prindërve.

    “Nga DKA na është thënë, se ka pasë hezitime se cili me kanë i pari e cili i dyti, por konsideroj që Kodi Civil është e rregulluar kjo, ku shkruhet amësia pra e para nëna e atësia e dyta, babai”, tha Fisnik Dërguti nga Këshilli i Prindërve në Prishtinë.

    Megjithatë, kërkesa mbetet e pandryshuar.

    “Drejtoreshës së Arsimit ia kam komentuar reagimin e prindërve dhe iu kam kërkuar që të tërhiqet dokumenti, në mënyrë që ta përmirësojnë”, deklaroi tutje Dërguti.

    Dokumenti në fjalë përmban vetëm rregullat e shkollës, përfshirë kodin e sjelljes, sigurinë dhe ruajtjen e inventarit dhe nuk i referohet familjes në asnjë formë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • AUV-i asgjësoi tona të tërë produkte ushqimore përgjatë gjashtë muajve

    AUV-i asgjësoi tona të tërë produkte ushqimore përgjatë gjashtë muajve

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Ky produkt me origjinë nga Spanja, me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë u asgjësua.

    Mbi 21 tonë peshk të llojit Merluc nuk arriti të hyjë fare në tregun kosovar për shkak se, sipas analizave, në të pati prani të parazitëve.

    Por kjo nuk është sasia e vetme e asgjësuar nga AUV-i në 6 muajt e fundit. Sipas raportit të punës të gjashtëmujorit të parë, që nga fillimi i vitit ka kaluar shifra prej gjysmë milionë kilogramë të produkteve të asgjësuara.

    “Nuk janë asgjësime vetëm falë kontrolleve tona, por ka edhe asgjësime nga vetë operatorët ekonomikë janë lajmëruar në autoritete për arsye të ndryshme. Sigurisht kur vetë palët raportojnë as nuk ndiqen penalisht. Ka pasur pije, produkte mishi, produkte qumështi…”, deklaroi zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

    Megjithatë, nga organizata “Konsumatori” thonë se inspektimet nuk janë të mjaftueshme.

    Sipas Selatin Kaçanikut, kryetar i organizatës “Konsumatori”, qytetarët hasin në shumë parregullsi gjatë blerjeve.

    Ndonëse nuk e tregoi numrin e saktë të inspektorëve, zëdhënësi i AUV-it thotë se niveli i kontrolleve është i kënaqshëm.

    “Kemi shumë pak inspektorë. Si autoritet komplet inspektimet i kemi të bazuara në plane nacionale për kontroll përmes frekuencës e kemi në bazë të kapaciteteve që i kemi. Kjo praktikë na ndihmon të kemi kontrolle të mira. Sigurisht kur rritet trupa e inspektorëve rritet edhe frekuenca e inspektimit”, tha mes tjerash zëdhënësi i AUV-it.

    Muajin e kaluar Agjencia e Ushqimit ka asgjësuar mbi 26 tonë mish të shkrirë me origjinë nga Brazili, pasi nuk ishte ruajtur në temperaturën e caktuar -18 gradë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Dejona Mihali intervistohet në Prokurorinë Speciale për disa çështje penale

    Dejona Mihali intervistohet në Prokurorinë Speciale për disa çështje penale

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Mëngjesin e së premtes, koordinatorja për komitete e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, nuk e nisi në zyrën e partisë, por në Prokurorinë Speciale.

    Intervistimi i saj në cilësinë e dëshmitares filloi në orën 09:30.

    Derisa zyrtarja e partisë në pushtet po përgjigjej në pyetjet e hetuesve, nga ky institucion deklaruan se intervistimi ka të bëjë me disa çështje penale të cilat po hetohen.

    “Prokuroria Speciale informon se Dejona Mihali është paraqitur në Prokurorinë Speciale, me ftesë të kësaj Prokurorie. Mihali është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo Prokurori i ka në hetim”, deklaruan nga PSRK-ja.

    Pas afro katër orëve, Mihali doli. Në pyetjet nëse intervistimi kishte të bënte me Nagip Krasniqin, i cili po hetohet nga ky institucion, refuzoi të përgjigjej.

    Por, në largim e sipër, fare shkurt tha se thirrjes së Prokurorisë i është përgjigjur me qëllimin që të zbardhet e vërteta.

    “Kam ardhur për zbardhjen e së vërtetës. Punë të mbarë…”, deklaroi shkurt ajo.

    Së fundmi, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar gjykimi ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, parti në të cilën Mihali që nga viti 2016 e ushtron pozitën e koordinatores për komitete./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: