ATV

Author: G.O.

  • Shahini: Nëse Kosova përjashtohet nga CEFTA, mund të humbë 127 milionë euro në vit

    Shahini: Nëse Kosova përjashtohet nga CEFTA, mund të humbë 127 milionë euro në vit

    Kryetari i Aleancës Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini ka deklaruar se nëse Kosova përjashtohet nga CEFTA, i humb 127 milionë euro në vit.

    Përmes një postimi në Facebook, Shahini ka bërë të ditur se përjashtimi eventual i Kosovës nga CEFTA për qytetarët dhe bizneset do të jetë ngarkesë dhe shtrenjtim i produkteve për 10 për qind me vlerën mesatare në vit 127 milionë euro shtrenjtim i produkteve të importit dhe eksportit në Kosovë.

    Postimi i tij i plotë:

    Screenshot
  • Idrizi me bashkëpunëtorë nderojnë Ahmet Krasniqin në 26-vjetorin e rënies së tij

    Idrizi me bashkëpunëtorë nderojnë Ahmet Krasniqin në 26-vjetorin e rënies së tij

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi me bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe pranë bustit të Kolonelit Ahmet Krasniqi, në 26-vjetorin e rënies së tij.

    Idrizi ka qenë i shoqëruar edhe nga pjesëtarë të familjes Krasniqi e shoqata të dala nga lufta e UÇK-s.

    “Në 26 vjetorin e rënies së Kolonel Ahmet Krasniqi, sot nderuam jetën dhe veprën e tij së bashku me familjarët e kolonel Krasniqit, kabinetin qeveritar, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë, ku bëmë homazhe dhe vendosëm kurora lulesh pranë lapidarit të tij. Lavdi jetës dhe veprës së heroit të kombit, Kolonel Ahmet Krasniqi”, ka shkruar Idrizi.

  • Doyle: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të përfundojë vitin e ardhshëm

    Doyle: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të përfundojë vitin e ardhshëm

    Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, ka thënë se Prokuroria pritet t’i thërrasë të gjithë dëshmitarët e saj ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, deri në prillin e vitit të ardhshëm.

    Doyle ka thënë se në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, deri më tani 85 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje, dhe 69 të tjerë me formë shkrimi.

    Ai tutje ka deklaruar se pas dëshmitareve të Prokurorisë, Mbrojtja do të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj, sipas tij, dikur në vitin e ardhshëm.

    “Në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Prokuroria është duke paraqitur e saj rast e duke thirrur dëshmitarët e saj. Prokuroria ka thënë se synojnë t’i thërrasin dëshmitarët e tyre deri në prill të vitit 2025. Pra, ne jemi në mes të këtij procesi. 85 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje , dhe 69 të tjerë kanë dëshmuar vetëm në një me formë shkrimi. Kështu që, pasi Prokuroria të përfundojë paraqitjen e rastit të saj, Mbrojtja do ta këtë mundësinë për të kundërshtuar rastin. Presim që dikur vitin e ardhshëm, Mbrojtja të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj”.

    Doyle ka shtuar se një ndër prioritetet e gjykatësve është përshpejtimi i procesit gjykues, ndërsa ka thënë se zvogëlimi i listës së dëshmitarëvë të Porkurorisë, për disa herë tashmë, është pozitiv për procesin.

    “Një prej punëve kryesore të trupit gjykues është që procedurat janë të drejta dhe të shpejta. Kjo përfshin edhe dhënien e afateve kohore, për të cilat Prokuroria ka thënë se ju nevojitet kohë deri në prill të vitit 2025. Gjyqtarët po mundohem që gjykimi të përshpejtohet dhe duke i kërkuar Prokurorisë që ta shpejtojnë rastin sa më shumë që është e mundur, prandaj ka edhe zvogëlim të numrit të dëshmitarëve”, ka thënë ai.

    Tutje, ai ka thënë se njerëzit ta kuptojnë se Dhomat të Specializuara të Kosovës në Hagë janë krijuar për krimet e akuzuara brenda juridiksionit, si pjesë e sundimit të ligjit të Kosovës, ku ka disa pika kontrolli dhe balanci.

    Si dëshmi për këtë, ai e ka marrë apelin e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës. Siç ka thënë ai për Ekonomia Online, në rastin e Mustafës, të cilit i’u zbrit dënimi nga 26 në 15 vjet, “e kemi parë se sistemi i gjykimit këtu është i njëjtë si me atë të Kosovës”

    “Në rastin e Pjetër Shalës, i cili është dënuar për krime lufte arbitrare, torture dhe vrasje, dhe i dënuar me 18 vjet burgim, dënim të cilin e ka apeluar. Shala është dënuar për disa ngjarje në një fabrikë metalesh në Kukës të Shqipërisë, për tortura dhe vrasje, në një qendër paraburgimi, kundër shqiptarëve dhe serbëve që kanë dalë kundër UCK-së. Ky është verdikti i parë, të cilin ai e ka apeluar”.

    “Fokusi është që njerëzit ta kuptojnë se Dhomat të Specializuara të Kosovës në Hagë janë krijuar për krimet e akuzuara brenda juridiksionit, si pjesë e sundimit të ligjit të Kosovës. Pra, mënyra se si funksionon është se Prokuroria​ sjell akuzat kundër dikujt për lufte krime, krime kundër njerëzimi apo ndërhyrje dëshmitare dhe pastaj gjyqtarët kanë fokusi të sigurojnë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë”.

    “E pamë në rastin e Salih Mustafës, se sistemi i gjykimit këtu është i njëjtë si me atë të Kosovës, ku ka disa pika kontrolli dhe balanci. Në rastin e Mustafës, trupi gjykues i ka shqiptuar një dënim prej 26 vjetësh burgim, pastaj në apel u tha se ky dënim nuk është në përputhje me dënimet e llojit të njëjtë dhe dënimi u ul në 22 vjet. Pas një apelimi tjetër në Gjykatës Supreme, u gjet se Dhoma e Apelit e kishte anashkaluar një hap në arritjen e vendimit të tyre që duhej të konsideronin një dënim më të butë. Tani, Mustafës i është dhënë një dënim edhe më i vogël, prej 15 vjetësh. Kështu që mendoj se ​është vërtetë e rëndësishme për t’u theksuar se gjyqtarët janë aty për të marrë çështjet që vijnë nga Prokuroria dhe të sigurojnë gjykime të drejta”, ka përfunduar Doyle.

  • Frika nga spiunazhi rus, Ukraina ndalon Telegramin në pajisjet qeveritare dhe ushtarake

    Frika nga spiunazhi rus, Ukraina ndalon Telegramin në pajisjet qeveritare dhe ushtarake

    Ukraina ka ndaluar përdorimin e aplikacionit të mesazheve Telegram në pajisjet zyrtare të përdorura nga zyrtarë qeveritarë, personel ushtarak dhe punonjës kritikë, sepse beson se Rusia mund të spiunojë si mesazhet ashtu edhe përdoruesit , ka thënë një organ kryesor i sigurisë.

    Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së vendit tha se masa u mor për të “minimizuar” kërcënimet nga Rusia, e cila filloi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

    “Telegrami përdoret në mënyrë aktive nga armiku për sulme kibernetike, shpërndarjen e informacioneve dhe softuerit me qëllim të keq, vendndodhjen gjeografike të përdoruesit dhe korrigjimin e goditjeve raketore”, tha Këshilli të premten.

    Telegrami përdoret gjerësisht nga qeveria dhe ushtria si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi.

    Këshilli deklaroi se ndalimi ishte rënë dakord në një takim të zyrtarëve të lartë të sigurisë së informacionit të Ukrainës, ushtrisë si dhe ligjvënësve.

    Shefi i inteligjencës ushtarake Kyrylo Budanov kishte paraqitur prova të besueshme të aftësisë së shërbimeve speciale ruse për të hyrë në korrespondencën personale të përdoruesve të Telegram, madje edhe mesazhet e tyre të fshira.

    “Unë gjithmonë e kam mbështetur dhe vazhdoj ta mbështes lirinë e fjalës, por çështja e Telegramit nuk është çështje e lirisë së fjalës, është çështje e sigurisë kombëtare”, citohet të ketë thënë Budanov.

    Vitin e kaluar, një studim i USAID-Internews zbuloi se Telegram ishte platforma kryesore sociale në Ukrainë për konsumin e lajmeve, me 72% të ukrainasve që e përdorin atë.

  • Sekuestrohen barna në vlerë 1,500 euro, u shitën pa banderola

    Sekuestrohen barna në vlerë 1,500 euro, u shitën pa banderola

    Dy persona janë shoqëruar në stacionin policor në Prishtinë, nën dyshimin për prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore.

    Siç njoftoi Policia ata dyshohet se kishin shitur barna pa banderola të Republikës së Kosovës, duke shmangur tatimin.

    Barna në vlerë rreth 1,500 euro janë sekuestruar.

    “Ata dyshohet se kanë shitur barna kontrabandë (pa banderola të R. Kosovës me banderola nga shtetet të ndryshme) të cilat u janë shmangur kontrolleve të nevojshme (shmangja nga tatimi). Si dëshmi materiale janë sekuestruar barna, vlera e të cilave sillet rreth 1.500.00€. Dy të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, rasti vazhdon të mbetet nën hetime”, thuhet në raportin e PK-së.

  • “Kosova, Kosova…” – Momenti kur ushtarët amerikanë brohorasin dhe e mirëpresin presidenten Osmani

    “Kosova, Kosova…” – Momenti kur ushtarët amerikanë brohorasin dhe e mirëpresin presidenten Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar pamje të reja nga mikpritja e përzemërt që I kanë bërë ushtarët dhe kadetët amerikanë në West Point, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në videon e publikuar në porfilin zyrtar të presidentes në Facebook,  shihen dhe dëgjohen kadetët dhe ushtarët amerikanë duke brohoritur ”Kosova, Kosova, Kosova” dhe duke e duartrokitur Osmanin para dhe pas fjalimit të saj.

     “Jam këtu në emër të një kombi mirënjohës, Republikës së Kosovës, shteti më pro-amerikan në Tokë”, është shprehur presidentja e Kosovës para ushtarëve dhe kadetëve në West Point.

    Në mbishkrimin e videos së publikuar, mikpritjen nga ushtarët në West Point presidentja Osmani e ka cilësuar si ‘madhështore’.

  • Hetimi i brendshëm konstaton mangësitë që kontribuan për atentatin ndaj ish-Presidentit Trump

    Hetimi i brendshëm konstaton mangësitë që kontribuan për atentatin ndaj ish-Presidentit Trump

    Shërbimi Sekret thotë se mundësia që pati një person i vetëm i armatosur që të qëllojë tetë herë drejt ish-Presidentit Donald Trump gjatë një aktiviteti elektoral në Pensilvani ishte pjesërisht rezultat i dështimeve të shumta nga agjentët që u ishte ngarkuar detyra e mbrojtjes së ish-presidentit.

    Raporti për hetimin e brendshëm të kësaj agjencie për atentatin ndaj ish-presidentit, tashmë edhe kandidat republikan për president, identifikoi probleme me komunikimin dhe koordinimin, përpara tubimit të 13 korrikut në qytetin Butler, si dhe mbështetjen e tepruar tek agjencitë partnere të zbatimit të ligjit në nivel shtetëror dhe lokal.

    “Nuk mund të heqim dorë nga përgjegjësitë, apo t’ua kalojmë ato të tjerëve”, u tha gazetarëve të premten në Uashington drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret, Ronald Rowe.

    “Shërbimi Sekret nuk dha udhëzime të qarta apo orientime partnerëve tanë lokalë të zbatimit të ligjit”, tha ai. “Megjithëse disa anëtarë të ekipit pararojë ishin shumë të përpiktë, pati pakujdesi nga të tjerë, që solli thyerjen e protokolleve të sigurisë”.

    Tentativa për vrasje tronditi pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara dhe bëri që drejtorja e atëhershme e Shërbimit Sekret të jepte dorëheqjen.

    Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë thënë se atentati u bë nga 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks, i cili veproi i vetëm dhe që e konsideroi në mënyrë të papritur ish-presidentin si një objektiv të mundshëm.

    Pavarësisht pranisë së truprojave që mbronin ish-Presidentin Trump, ekipeve pararojë të dislokuara dhe njësive lokale të zbatimit të ligjit, i dyshuari Crooks arriti të ngjitej në një ndërtesë me pamje nga tubimi dhe të pozicionohej me një pushkë të llojit AR, përpara se të zbulohej.

    Të shtënat plagosën ish-Presidentin Trump dhe dy pjesëmarrës në tubim, si dhe vranë një të tretë.

    Raporti i Shërbimit Sekret i publikuar të premten fokusohet në atë që agjencia e përshkruan si “mangësi komunikimi” në tubim, duke fajësuar agjentët se dështuan të merrnin masat që vendi dhe zonat përreth – përfshirë çatinë e ndërtesës në afërsi – të ishin të siguruara siç duhet.

    Zoti Rowe tha se ndërkohë që pati diskutime me organet e zbatimit të ligjit në veçanti në lidhje me ndërtesën në fjalë, nuk pati biseda të mëvonshme për t’u siguruar që ekzistonte mbrojtja e duhur.

    “Duhet të ishim më të drejtpërdrejtë”, tha ai. “U supozua se ishin marrë masat për atë godinë, por qartësisht nuk pati ndjekje në vazhdimësi për t’u siguruar për këtë gjë”.

    Probleme të tjera përfshinin dështimin e Shërbimit Sekret për t’u siguruar që agjencitë lokale të zbatimit të ligjit të dinin se si të komunikonin me agjentët në terren. Për pasojë, truprojat e ish-Presidentit Trump nuk u informuan për kërkimet që po bëheshin për një person të dyshimtë.

    Po të kishin qenë në dijeni, ata mund të kishin marrë një vendim për zhvendosjen e ish-presidentit në një vend më të sigurt.

    Zoti Rowe u tha gazetarëve se personeli i Shërbimit Sekret që ka përgjegjësinë për mangësitë në fjalë, do të mbahet përgjegjës, por ai mohoi njoftimet se disave iu kërkua të jepnin dorëheqjen.

    “Kjo agjenci zbaton disa nga ndëshkimet më të fuqishme, në tërësinë e qeverisë federale dhe këto dënime do të administrohen sipas procesit tonë disiplinor”, tha ai.

    Publikimi i raportit të Shërbimit Sekret vjen më pak se një javë pas asaj që zyrtarët e kanë përshkruar si një atentat të dytë të mundshëm ndaj ish-Presidentit Trump.

    Oficerët e zyrës së sherifit në Florida arrestuan 58-vjeçarin Ryan Wesley Routh, duke e ndaluar atë në një autostradë kryesore të dielën, rreth një orë pasi ai u largua nga Klubi Ndërkombëtar i Golfit Trump, në West Palm Beach.

    Zyrtarët thanë se të dhënat e mbledhura nga celulari i zotit Routh treguan se ai qëndroi në pritë për 12 orë, duke u fshehur në shkurret përgjatë gardhit rrethues, ndërmjet pistës numër pesë dhe shtatë të fushës së golfit, me një pushkë të llojit SKS.

    Zoti Routh u largua pa arritur të qëllojë asnjëherë, pasi një anëtar i ekipit pararojë të Shërbimit Sekret, vuri re pushkën e tij që dilte nga shkurret dhe qëlloi drejt tij disa herë.

    Reagimi i agjentit “është saktësisht ajo për të cilën jemi stërvitur dhe pikërisht ajo që duam të bëjë personeli ynë”, tha zoti Rowe të premten. “Ai identifikoi rrezikun, një individ me armë të gjatë, mori vendime të shpejta dhe ndërmori një veprim të shpejtë për ta shmangur rrezikun”.

    Zoti Rowe tha gjithashtu se që nga atentati i 13 korrikut ndaj ish-Presidentit Trump, Shërbimi Sekret i ka siguruar atij dhe kandidates demokrate për presidente, Nënpresidentes Kamala Harris, të njëjtin nivel mbrojtjeje si Presidentit Joe Biden.

    Ai tha gjithashtu se që kur ish-Presidenti Trump u largua nga detyra, ekipet e tij të sigurisë kanë qenë “më të përforcuar se për ish-presidentët e mëparshëm”.

    Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Sekret tha se nivelet e rritura të sigurisë po vijnë me një kosto, duke u kërkuar ligjvënësve amerikanë më shumë fonde dhe personel.

    “Kemi burime të kufizuara”, u tha zoti Rowe gazetarëve. “Harxhojmë shumë mjete dhe burime”.

    “Tashmë po i përdorim këto burime në maksimum”./VOA

  • Ishte duke qëndruar në një kafene, humb jetën një i moshuar në Obiliq

    Ishte duke qëndruar në një kafene, humb jetën një i moshuar në Obiliq

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje gjatë mesditës në Obiliq, ku një person i moshuar derisa po qëndronte në një kafene, nuk është ndjerë mirë dhe ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore, shkruan Gazeta Sinjali.

    Mirëpo, me të arritur në vendin e ngjarjes, ekipet mjekësore kanë konstatuar se viktima është pa shenja jete.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 12:00, ku në vendin e ngjarjes përveç ekipit mjekësor nga QMF-ja në Obiliq, kanë dalë edhe njësitet policore të cilët tashmë kanë nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje.

    Derisa shkaqet e vdekjes së të moshuarit ende nuk dihen, Policia ka bërë të ditur se trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion.

  • Policia shqipton mbi dy mijë gjoba trafiku për 24 orë

    Policia shqipton mbi dy mijë gjoba trafiku për 24 orë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2 mijë e 372 tiketa trafiku.

    Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 21 aksidente me të lënduar dhe 33 aksidente me dëme materiale.

    Në të njëjtën periudhë janë arrestuar 26 persona, prej të cilëve 12 janë në mbajtje dhe 5 persona në vuajtje të dënimit.

  • Hezbollahu thotë se iu vra edhe një komandant tjetër në sulmin nga Izraeli

    Hezbollahu thotë se iu vra edhe një komandant tjetër në sulmin nga Izraeli

    Grupi militant libanez Hezbollah tha më 21 shtator se një komandant i dytë i lartë ishte në mesin e 15 të vrarëve nga një sulm ajror izraelit në Bejrut një ditë më parë.

    Grupi i mbështetur nga Irani tha se Ahmed Mahmud Wahbi udhëhoqi operacionet ushtarake të Forcës Radwan të Hezbollahut në mbështetje të Hamasit, të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja që nga data 7 tetor e vitit të kaluar.

    Në atë datë, grupi palestinez sulmoi Izraelin, duke nxitur luftën në Gaza.

    Ushtria izraelite tha se sulmi ajror i saj në periferinë jugore të Bejrutit të premten eliminoi shefin e Forcës Radwan, Ibrahim Aqil, dhe disa komandantë të tjerë.

    Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari, tha se sulmi në rrethinën Dahia në jug të Bejrutit e kishte në shënjestër dhe e vrau Ibrahim Akilin, komandantin e Forcës elitare Radëan të Hezbollahut, si dhe 10 operativë të tjerë të këtij grupi të shpallur organizatë terroriste ngas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Akili shërbente si shef i organit më të lartë ushtarak të Hezbollahut, Këshilli i Xhihadit, dhe ka qenë i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në dy sulme terroriste më 1983, si pasojë e të cilave ishin vrarë mbi 300 njerëz në Ambasadën amerikane në Bejrut dhe në barakat e Marinës amerikane.

    Sulmi i së premtes në Bejrut u krye gjatë orës së pikut kur njerëzit po ktheheshin nëpër shtëpi nga puna dhe fëmijët e kishin kryer mësimin. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në kryeqytetin e Libanit në vitet e fundit.

    Më herët të premten, Hezbollah e goditi veriun e Izraelit me 140 raketa, një ditë pasi lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u zotua për hakmarrje ndaj Izraelit për shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve të telekomunikimit në Liban këtë javë.

    Hezbollahu edhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse çdo ditë prej 8 tetorit, një ditë pasi nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Megjithatë, sulmi raketor i së premtes ishte më i madh se zakonisht.

    Nasrallah u zotua të enjten për vazhdimin e sulmeve të përditshme ndaj Izraelit, pavarësisht sulmit vdekjeprurës të kësaj jave në pajisjet e komunikimit të anëtarëve të saj, raporton REL.