ATV

Author: G.O.

  • Parashikimi i motit për sot, pasdite e në mbrëmje pritet të ketë reshje shiu

    Parashikimi i motit për sot, pasdite e në mbrëmje pritet të ketë reshje shiu

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell.

    Kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, pritet të ketë reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara mund të jenë në formë të rrebesheve afatshkurtër, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë rrufeje.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 9 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 23°C, njofton Meteo Kosova.

    Era do fryjë kryesisht nga kuadrati i juglindjes me shpejtësi prej 10-28 km/h.

  • Gërmimi për varreza masive në Serbi mbetet sfidë për Kosovën

    Gërmimi për varreza masive në Serbi mbetet sfidë për Kosovën

    Edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e 1595 personave të zhdukur nga forcat serbe. Gërmimet për varreza të reja masive brenda territorit të Serbisë vazhdojnë të jenë sfidë për institucionet e Kosovës. Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë thënë se gjatë muajve në vazhdim pritet të fillojnë gërmimet në disa lokacione në Serbi.

    Për informata për varreza masive, është e nevojshme që institucionet e Kosovës të kenë qasje në arkivat e Serbisë.

    Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka thënë për Radio Kosovën se javën që lamë pas në varrezat e veriut të Mitrovicës, që njihen si varrezat myslimane, është hasur në eshtra dhe veshmbathje.

    “Është njoftuar Policia e Kosovës dhe sigurisht bashkë me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe në komunikim me Komisionin Qeveritar, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Është vlerësuar se këto mbetje mortore janë me interes forenzik. Ky lokacion është në agjendë qysh pas luftës”, tha ai.

    Gara sqaroi se në këtë lokacion janë bërë gërmime edhe më parë por në mungesë të informacioneve, gërmimet në varrezat e qyteteve të mëdha mbesin sfiduese.

    Ai thotë se nga këto varreza deri më tani janë identifikuar 60 persona. Ndërkohë që do të ketë rikthim edhe njëherë në një lokacion ndërmjet Prizrenit dhe Suharekës.

    “Në kohën e luftës ka qenë varrezë primare një lokacion ku forcat serbe kanë varrosur viktimat e disa masakrave në zonën për rreth në zonën e Suharekës dhe Prizrenit”, shtoi ai.

    Sipas Kushtrim Garës, përkundër deklaratës së 2 majit të vitit të kaluar për çështjen e personave të zhdukur që si rezultat i dialogut në Bruksel, janë dhënë zotime nga delegacioni serb që të mundësohet qasje në arkivat e Brigadës së 37 të Motorizuar të ushtrisë jugosllave, por një gjë e tillë nuk është zbatuar. Ndërkaq, sfidë mbesin lokacionet në Serbi.

    Në lokacionin Kozhlja në mes Novi Pazarit dhe Tutinit priten të bëhen gërmime vlerësuese gjatë këtij muaji.

    Deponia e plehrave afër fshatit Kozhle në jugperëndim të Serbisë është një nga lokacionet që, sipas autoriteteve të Kosovës, mund t’i fshehë krimet e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998/99.

  • Krasniqi: Ka ardhur koha që BE-ja t’i japë prioritet integrimit të Ballkanit Perëndimor

    Krasniqi: Ka ardhur koha që BE-ja t’i japë prioritet integrimit të Ballkanit Perëndimor

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Ballkani Perëndimor kërkon partneritet të sinqertë me Bashkimin Europian dhe se ka ardhur koha që BE t’i japë prioritet integrimit të rajonit.

    “Ne jemi në një moment kyç, ku vendimet e institucioneve evropiane, por edhe të vetë qeverive tona, do të formsojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor për brezat që do të vijnë. “Ne jemi në një moment kyç, ku vendimet e institucioneve evropiane, por edhe të vetë qeverive tona, do të formsojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor për brezat që do të vijnë”, tha Krasniqi.

    Ai shtoi se “rajoni ynë ka pritur mjaft gjatë në margjinat e procesit të vendimmarrjes në Evropë. Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i japë prioritet integrimit tonë, duke pranuar se stabiliteti dhe prosperiteti i ardhshëm i Evropës është i pandashëm nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”.

    Këto komente Krasniqi i bëri në një seminar në Prizren të organizuar nga Partia Demokratike e Kosovës në bashkëpunim me “Institute of European Democrats” nga Brukseli, me temën “BE – Ballkani Perëndimor: Çka pas zgjedhjeve evropiane?”.

    PDK tha se ky seminar u organizua për të diskutuar marrëdhëniet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së pas zgjedhjeve të fundit në BE dhe krijimit të institucioneve të reja të Bashkimit Evropian dhe për të shqyrtuar mundësitë që paraqet ky momentum në procesin e afrimit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

    “Seminari, që po mbahet në Prizren, ka bërë bashkë politikanë dhe anëtarë të shoqërisë civile nga rajoni dhe Evropa, të cilët kanë sjellë ekspertizën e tyre në këtë debat të rëndësishëm për të dy palët”, njoftoi partia.

    Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “Institute of European Democrats”, Mikel Burzako, nga Spanja në fjalën e tij hyrëse, theksoi që “zhvillimet dramatike në kontinentin e Evropës, si agresioni rus në Ukrainë, kanë treguar sa i rëndësishëm është integrimi i të gjitha vendeve evropiane në BE dhe sa e rrezikshme është vonesa e BE-së në afrimin e vendeve si shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe ka bërë thirrje që të dyja palët të punojnë që të afrohen sa më shpejtë”.

    Seminari ka vazhduar me panele në të cilën pjesëmarrësit nga rajoni dhe BE-ja kanë diskutuar për atë se çfarë ndryshime për Ballkanin Perëndimor sjellin ndryshimet në institucionet e BE-së, çfarë janë mësimet e mësuara nga procesi i deritashëm i afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe çfarë duhet të bëjnë këto vende, por edhe BE-ja, që ky proces të shpejtohet dhe të përmbyllet me sukses, tha partia.

    Pjesë e paneleve diskutuese ishin edhe Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe anëtari i kryesisë, Bernard Nikaj.

  • 22 të vdekur nga një sulm izraelit në një shkollë në Gaza

    22 të vdekur nga një sulm izraelit në një shkollë në Gaza

    Të paktën 22 njerëz janë vrarë në një shkollë që strehonte personat e zhvendosur në qytetin jugor të Gazës të shtunën, kanë bërë të ditur autoritetet palestineze, ndërsa ushtria izraelite tha se sulmi kishte në shënjestër një qendër komandimi të grupit militant Hamas.

    Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka njoftuar se shumica e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë, raporton Reuters.

    Zyra e mediave qeveritare e Hamasit ka thënë se 13 fëmijë dhe gjashtë gra ishin në mesin e të vdekurve.

    Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur një qendër komandimi të Hamasit ngjitur me kompleksin që më parë shërbente si shkollë, duke përsëritur një akuzë se Hamasi përdor objekte civile për qëllime ushtarake.

  • Komisioni Evropian propozon zgjerimin e ndalimit të duhanit në hapësira të jashtme

    Komisioni Evropian propozon zgjerimin e ndalimit të duhanit në hapësira të jashtme

    Komisioni Evropian po planifikon të rekomandojë një ndalim të gjerë të pirjes së duhanit në hapësirat e jashtme, përfshirë edhe produktet pa nikotinë.

    Propozimet synojnë zgjerimin e ndalimeve ekzistuese në tarracat e kafeneve, stacionet e autobusëve, kopshtet zoologjike dhe zona të tjera publike, shkruan Euronews.

    Propozimi, i cili pritet të miratohet së shpejti nga ekzekutivi i BE-së, synon të pasurojë udhëzimet aktuale të vitit 2009 dhe të përfshijë produktet inovative të duhanit, si cigaret elektronike dhe produktet e duhanit të ngrohur, qoftë me ose pa nikotinë.

    Komisioni dëshiron të zgjerojë ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të jashtme të tilla si ballkonet dhe verandat e restoranteve dhe bareve, si dhe stacionet e transportit publik dhe vendet ku janë të pranishëm fëmijët, përfshirë këndet e lojërave dhe kopshtet zoologjike.

    Ky hap vjen si pjesë e përpjekjeve për të frenuar rreziqet e kancerit të lidhur me duhanin dhe për të mbrojtur shëndetin publik nga ekspozimi ndaj tymit dhe aerosoleve të dëmshme.

  • Turqia i kërkon Perëndimit të ndërmarrë masa ndaj Izraelit: Presioni duhet të rritet

    Turqia i kërkon Perëndimit të ndërmarrë masa ndaj Izraelit: Presioni duhet të rritet

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se sulmet ndaj Libanit këtë javë kanë treguar se qeveria izraelite e kishte në plan ta përhapte luftën në rajon.

    Ai iu ka bërë thirrje vendeve perëndimore të marrin “masa parandaluese” kundër veprimeve të Izraelit.

    Në një konferencë për shtyp, Erdogan deklaroi se lufta e Izraelit në Gaza do të jetë tema kryesore e fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 24 shtator.

    “Që rajoni ynë të mos tërhiqet në një katastrofë të madhe, presioni mbi Izraelin duhet të rritet edhe më shumë”, tha ai.

    Ai komentoi mbi sulmet në Liban këtë javë, përfshirë shpërthimin e pejxherëve dhe radio-lidhjeve të anëtarëve të Hezbollahut që shkaktuan vdekjen e 39 personave.

    Sulmet ndaj pajisjeve të komunikimit besohet gjerësisht se janë kryer nga Izraeli, që nuk e ka konfirmuar apo mohuar përfshirjen e tij.

    “Është koha që të gjitha vendet me misionin e mbrojtjes së paqes botërore të gjejnë zgjidhje që do ta ndalë Izraelin”, tha Erdogan.

    “Për ta ndalur këtë shtypje që po vazhdon prej gati një viti, për ta vendosur një armëpushim të përhershëm dhe për të siguruar rrjedhën e pakufizuar të ndihmave humanitare, të gjithë ne, bota e tërë dhe veçanërisht OKB-ja, kemi detyra të rëndësishme”, shtoi ai.

    Turqia ka dënuar veprimet e Izraelit në Gaza, të cilat erdhën si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor.

    Ankaraja ka pezulluar tregtinë me Izraelin dhe ka paraqitur një kërkesë për t’u bashkuar në rastin e Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke akuzuar Izraelin për gjenocid. Izraeli i ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për gjenocid si të pabaza.

  • Kosova aderon në Konventën e Stambollit në Organizatën Botërore të Doganave, bëhet anëtarja e 81-të e saj

    Kosova aderon në Konventën e Stambollit në Organizatën Botërore të Doganave, bëhet anëtarja e 81-të e saj

    Republika e Kosovës ka aderuar në Konventën e Stambollit në Organizatën Botërore të Doganave me seli në Bruksel, duke u bërë si shteti më i ri anëtar i kësaj Konvente, ka njoftuar sot Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Ministria tha se ky anëtarësim do të përmirësojë përpjekjet e Kosovës për lehtësimin e tregtisë, do të tërheqë investime të huaja dhe do të forcojë integrimin e saj në ekonominë globale, duke mbështetur kështu rritjen e qëndrueshme ekonomike.

    E miratuar në vitin 1990, Konventa e Stambollit thjeshton pranimin e përkohshëm të mallrave përtej kufijve, përderisa Organizata Botërore të Doganave (OBD) luan një rol kyç në mbikëqyrjen e zbatimit të konventës dhe ofrimin e udhëzimeve për vendet anëtare, sipas Ministrisë.

    “Që nga anëtarësimi i saj në OBD, Kosova ka përmbushur standardet ndërkombëtare duke aderuar në konventa të tjera të rëndësishme tregtare”.

    Dorëzimi zyrtar i instrumentit të anëtarësimit në Konventën për Pranim të Përkohshëm u bë nga Udhëheqësi i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Ambasadori Agron Bajrami dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, përderisa nënshkrimi i saj ishte bërë nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schëarz.

    “Me rastin e aderimit të vendit tonë në këtë Konventë të rëndësishme, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave (OBD), z. Ian Saunders, e ka përgëzuar Kosovën për aderimin në Konventën e Stambollit dhe përkushtimin e saj për zbatimin e procedurave doganore që promovojnë lehtësimin dhe sigurinë e tregtisë”, njofton Ministria.

  • Ushtroi dhunë ndaj nënës duke i kërkuar para për të blerë drogë, arrestohet 26-vjeçari në Gjakovë

    Ushtroi dhunë ndaj nënës duke i kërkuar para për të blerë drogë, arrestohet 26-vjeçari në Gjakovë

    Nuk kalon pothuajse asnjë ditë pa u raportuar për raste të dhunës në familje. Një i tillë ka ndodhur së fundmi në Gjakovë, ku një i ri ka ushtruar dhunë psiqike ndaj nënës së tij, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 26-vjeçar i cili i kërkonte qindra euro nënës së tij për të blerë lëndë narkotike, duke ushtruar dhunë të vazhdueshme psiqike ndaj saj.

    Pas dhunës psiqike që i shkaktoi, nëna e ka denoncuar në Polici djalin e saj të adoptuar, i cili më pas u arrestua.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërgur në mbajtje për 48 orë.

  • Pse ndjeheni të rraskapitur pa bërë asgjë? Si të rigjeni energjinë?

    Pse ndjeheni të rraskapitur pa bërë asgjë? Si të rigjeni energjinë?

    Shpesh ndodh që, edhe pasi ke kaluar një ditë të qetë, ndihesh i/e lodhur pa e kuptuar arsyen

    Edhe kur nuk ke bërë asnjë aktivitet të rëndë, ndjesia e rraskapitjes mund të jetë e pranishme. Por, çfarë fshihet pas kësaj lodhjeje?

    Ja disa arsye pse mund të ndihesh i/e lodhur edhe kur duket sikur nuk ke bërë asgjë:

    1. Mbingarkesa e informacionit

    Në përditshmërinë e sotme jemi të rrethuar nga një mori informacioni të vazhdueshëm. Edhe kur nuk je fizikisht aktiv/e, truri është i ngarkuar duke përpunuar çdo gjë që sheh dhe lexon – nga rrjetet sociale e deri te lajmet. Kjo mbingarkesë mendore mund të të shkaktojë lodhje që e ndjen edhe fizikisht.

    2. Ankthi dhe stresi i fshehur

    Edhe nëse duket sikur nuk po shqetësohesh për asgjë, në prapaskenë mund të jesh i/e shqetësuar për detyra të pazgjidhura apo ngjarje të ardhshme. Ankthi i fshehur e mban trupin në tension, duke të lënë të ndihesh i/e rraskapitur edhe kur s’ke bërë asgjë.

    3. Mungesa e gjumit cilësor

    Ndonëse mund të kesh fjetur orë të mjaftueshme, nëse gjumi nuk është i thellë dhe cilësor, trupi nuk arrin të rigjenerohet plotësisht. Kjo sjell ndjesinë e lodhjes edhe kur duket se ke pushuar mirë.

    4. Lodhja nga vendimet e vogla

    Vendimet e përditshme, edhe pse të vogla, konsumojnë energji mendore. Zgjedhje të thjeshta si çfarë të hash apo çfarë të veshësh sjellin lodhje të brendshme, edhe kur duket se dita ka kaluar pa shumë aktivitet.

    5. Mungesa e lëvizjes

    Trupi ka nevojë për lëvizje. Kur nuk bën mjaftueshëm aktivitet fizik, ndjenja e lodhjes rritet. Lëvizja ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe i jep trupit energji. Pa lëvizje, muskujt dhe mendja ngadalësohen dhe lodhja bëhet më e dukshme.

    6. Mungesa e qëllimeve të qarta

    Nëse nuk ke qëllime konkrete për ditën, kjo mund të të bëjë të ndihesh i/e demotivuar dhe i/e lodhur. Trupi dhe mendja kanë nevojë për një drejtim që të ndihen të motivuar. Mungesa e qëllimeve shkakton një ndjesi të kotësisë dhe rraskapitje të pashpjegueshme.

    7. Ngarkesa emocionale

    Edhe kur trupi nuk jep shenja të dukshme lodhjeje, emocionet e rënda mund të shkaktojnë një ndjesi të fortë rraskapitjeje. Ngarkesat emocionale nga marrëdhëniet, puna apo çështje personale e shpirtërore ndikojnë drejtpërdrejt në energjinë fizike dhe mendore.

    Si të rigjesh energjinë

    Lodhja që ndjen kur nuk bën asgjë është shpesh rezultat i një kombinimi faktorësh mendorë, emocionalë dhe fizikë. Pushimi i vërtetë është më shumë sesa mosbërja e asgjëje; ai kërkon balancë mes trupit dhe mendjes, citon Anabel.

    Shkëputu nga burimet e stresit, bëj aktivitet fizik dhe sigurohu të bësh një gjumë cilësor. Vetëm atëherë do të ndihesh me të vërtetë i/e freskët dhe energjik/e. /Telegrafi/

  • Të paktën 31 persona të vrarë, përfshirë tre fëmijë, në sulmin në Bejrut të premten

    Të paktën 31 persona të vrarë, përfshirë tre fëmijë, në sulmin në Bejrut të premten

    Të paktën 31 njerëz u vranë, duke përfshirë tre fëmijë dhe shtatë gra, në një sulm izraelit në periferitë jugore të Bejrutit të premten, tha ministria libaneze e shëndetësisë në një konferencë për shtyp televiziv të shtunën, sipas Reuters.

    Më parë besohej se sulmi kishte vrarë të paktën 14 persona, duke përfshirë një udhëheqës të lartë të Hezbollahut.

    Sulmi i së premtes ishte sulmi i parë i tillë izraelit në kryeqytetin e Libanit në disa muaj dhe erdhi menjëherë pasi Hezbollahu i Libanit goditi Izraelin verior me 140 raketa.

    Përpara se numri i përditësuar i vdekjeve të shpallej gjatë një konference për shtyp televiziv të shtunën, ministria kishte thënë se të paktën 14 persona u vranë dhe 66 persona u plagosën.

    Ushtria izraelite tha se komandanti i Hezbollahut Ibrahim Aqil dhe anëtarë të tjerë të lartë të një njësie elitare të Hezbollahut u vranë në sulmin ajror, i cili përshkallëzoi ashpër konfliktin njëvjeçar midis Izraelit dhe grupit militant.

    Hezbollah konfirmoi vdekjen e Aqil në një deklaratë që e quajti atë “një nga udhëheqësit e saj më të lartë”, pa dhënë detaje se si ai vdiq.

    Në një deklaratë të dytë të lëshuar më vonë, Hezbollah tha se zoti Aqil u vra në periferinë jugore të Bejrutit të Dahieh në atë që e quajti një “vrasje të pabesë izraelite”.

    Ai gjithashtu tha se Ahmed Wahbi, një komandant që mbikëqyri operacionet ushtarake të Forcave Al-Hajj Radwan gjatë luftës në Gaza deri në fillim të vitit 2024, u vra gjithashtu në sulmin izraelit.

    Grupi tha se disa anëtarë të tjerë të tij u vranë, por nuk bëri të ditur nëse ata ishin komandantë apo këmbësorë.