ATV

Author: G.O.

  • Degët e gjykatës në Zubin Potok e në Leposaviq tash e dy vjet jashtë funksionit

    Degët e gjykatës në Zubin Potok e në Leposaviq tash e dy vjet jashtë funksionit

    Pak metra larg komunës, ndodhet dega e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, këtu në Leposaviq.

    Por, ndryshe nga komuna, gjykata është e mbyllur nga nëntori i vitit 2022.

    Përveç në Leposaviq, as dega e gjykatës në Zubin Potok nuk ofron shërbime nga ajo kohë, kur dhanë dorëheqje stafi dhe gjyqtarët e nacionalitetit serb.

    Qytetarëve u është vështirësuar qasja në shërbime, pasi edhe të gjitha lëndët u bartën në Gjykatën e Mitrovicës.

    Pasi theksojnë se dy degët duhet sa më shpejt të hapen, juristët thonë se më sfidues ka qenë trajtimi i lëndëve civile.

    Megjithatë, gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, sipas Këshillit Gjyqësor kanë mbuluar këto dy degë, përfshirë edhe Zveçanin. Por, nuk kanë treguar se kur mund të hapen.

    Sipas raportit nëntëmujor të punës së gjykatave për këtë vit, mesatarja e
    kohëzgjatjes së lëndëve të zgjidhura për Leposaviq është 700 lëndë, ndërsa Zubin Potok 384.

    25 gjyqtarë dhe 120 nga stafi administrativ i nacionalitetit serb dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në gjykatën në veri, në nëntor të 2022-s, shkaku i vendimit të Qeverisë për targa dhe arrestimit të ish-drejtorit të Policisë në këtë pjesë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ende pa aktakuzë për grabitjen e argjendarisë në Suharekë

    Ende pa aktakuzë për grabitjen e argjendarisë në Suharekë

    Më shumë se 11 muaj kanë kaluar nga dita kur kësaj argjendarie në Suharekë iu grabitën stoli në vlerë qindra mijëra euro.

    Pavarësisht se të dyshuarit janë arrestuar prej kohësh, prokuroria ende nuk e ka gati aktin akuzues.

    Avokatët e të dyshuarve për këtë rast, vlerësojnë se hetimet në këtë procedurë po zvarriten.

    Ata, madje, thonë se të mbrojturit e tyre ende nuk janë intervistuar.

    Megjithatë, avokati i trim Barakut ka shpresë se të paktën intervistimet mund të kryhen.

    Më 22 nëntor të vitit 2023, grabitësit gjatë largimit patën plagosur edhe një polic. Disa ditë më vonë, Policia arrestoi disa prej tyre, derisa Dukagjin Gashin e neutralizoi.

    Ndërsa, Korab Gashi u arrestua më 1 korrik të vitit 2024.

  • Fshihen grafitet kundër Fadil Gecit, i cili dëshmoi në Hagë

    Fshihen grafitet kundër Fadil Gecit, i cili dëshmoi në Hagë

    Kështu u prit Fadil Geci, i cili në orët e vona të së enjtes ateroi në Prishtinë, pasi kishte dëshmuar për 3 ditë në Hagë në gjykimin ndaj Thaçit e të tjerëve.

    Derisa Geci ishte rrugës për në Skenderaj, dikush i “vizatoi” këto grafite kundërt tij në qendër të Prishtinës.

    Këtë rast, vëllai i tij, Ganiu e denoncoi në polici, të premten.

    Ky është i bindur se kush mund të jenë autorët, të cilëve madje u kërkoi ballafaqim.

    Sidoqoftë, pak orë pas këtij deklarimi, grafitet u fshinë.

    Fadil Geci ishte dëshmitari i 96-të në Procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Për tre ditë me radhë, nga e mërkura deri të premten, Geci insistonte se Hashim Thaçi ishte autor i “Komunikatës 59”, kundër vëllait të tij, Ganiut.

  • Ulet numri i familjeve që marrin ndihmë sociale, rritet ai i veteranëve

    Ulet numri i familjeve që marrin ndihmë sociale, rritet ai i veteranëve

    Numri i familjeve të varfra në Kosovë u ul për rreth 2 mijë familje.

    Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2024, numri i familjeve që përfitojnë nga skema sociale është 18 mijë e 745, nga 20 mijë e 810 sa ishte në vitin 2023.

    Derisa ato vlerësohet se më nuk jetojnë në Kosovë, sipas ekonomistëve, kjo ulje e shifrës nuk tregon zbutje të varfërisë në vend.

    Por me skepticizëm është parë rritja e numrit të veteranëve. Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2024, shifra e përgjithshme e tyre është ngritur për 482 persona më shumë.

    Ndërkaq, shqetësuese vlerësohet përqindja më e lartë e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

    Sipas të dhënave të ASK-së, numri i përfituesve të pensioneve të moshës u rrit për 4 mijë e 530.

    Ndërkaq, pensionet e Trepçës u ulën këtë vit, nga 1 mijë e 482 sa ishin në 2023, në 1 mijë e 174./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Pagjumësia shtyn njerëzit drejt ushqimeve jo të shëndetshme

    Pagjumësia shtyn njerëzit drejt ushqimeve jo të shëndetshme

    Mungesa e gjumit sjell shumë pasoja negative në organizmin e njeriut.

    Një ndër to duket se është edhe rritja e dëshirës dhe nevojës për junk food, ose ushqim jo të shëndetshëm.

    Kjo ndodh, pasi turpi kërkon ushqime të pasura me yndyra dhe sheqerna për kompensim, gjë që sjell më pas edhe në zhvillimin e obezitetit.

    Në këtë rast kemi të bëjmë me një mekanizëm të ndryshëm nga ai nëpërmjet të cilit ndodh çrregullimi metabolik hormonal.

    Pagjumësia influencon direkt disa zona qendrore të trurit që lidhen më kompensimin duke bërë në këtë mënyrë më të kërkuar ushqimin e keq.

    Konkluzioni është arritur pas studimeve kërkimore të universiteteve gjermane dhe i publikuar në revistën e Neuroshkencës.

    Ky fenomen ishte vërtetuar edhe më herët nga studime të ndryshme, por të cilat fokusin e kanë patur në mekanizmat hormonalë të përfshirë.

  • Kurti uron Ditën kombëtare të Çekisë, flet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

    Kurti uron Ditën kombëtare të Çekisë, flet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Çekisë, në shënim të Ditës Kombëtare të Çekisë.

    Si folës kyç, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e madhe kremtimi i Ditës Kombëtare të Republikës Çeke, vend i cili mbetet një nga partnerët tanë më të ngushtë dhe një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës. Mirënjohje shprehu veçanërisht për mbështetjen e Çekisë në përpjekjet tona drejt rrugës së integrimit euro-atlantik, derisa Republika Çeke këtë vit shënoi dy dekada të anëtarësimit në BE dhe një çerek shekulli në NATO.

    “Republika Çeke mbetet një nga partnerët tanë më të ngushtë dhe një aleat i palëkundur i popullit të Kosovës. I vlerësoj thellësisht marrëdhëniet e forta dhe miqësore mes dy vendeve tona. Jam i kënaqur të shoh duke u forcuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimi ynë dypalësh dhe shumëpalësh përmes ndërveprimeve të shtuara diplomatike dhe ekonomike, si dhe shkëmbimeve midis njerëzve tanë”, u shpreh kryeministri.

    Në fjalën e tij, ai veçoi edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën i cili, pas një periudhe të gjatë, mori epilog përfundimtar dhe pozitiv gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian. Një zhvillim tjetër pozitiv gjatë vitit të fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, kryeministri Kurti e nënvizoi përfaqësimin diplomatik përmes ambasadorëve me të drejta të plota në të dy vendet, gjë që reflekton drejtimin pozitiv në zhvillim të raporteve bilaterale.

    Në fund, kryeministri Kurti përsëriti urimet e tij të përzemërta për prosperitet dhe mirëqenie të vazhdueshme për popullin dhe qeverinë e Republikës Çeke, derisa bëri thirrje për bashkëpunim të mëtutjeshëm për paqe, liri dhe solidaritet.

  • Maqedonci në Turqi, thotë se prodhuesit turq do të jenë ndër adresat shtetërore për blerje të armatimit

    Maqedonci në Turqi, thotë se prodhuesit turq do të jenë ndër adresat shtetërore për blerje të armatimit

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se prodhuesit e sistemeve të armatimit nga Turqia kanë qenë dhe do të jenë ndër adresat shtetërore më të shpeshta të blerjeve të armatimit nga Kosova.

    Sipas njoftimit të Ministrisë këto komente, Maqedonci i ka bërë gjatë vizitës zyrtare në Turqi, ku thuhet se ka zhvilluar disa takime me drejtuesit e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, si dhe me prodhues të sistemeve ushtarake, me disa prej të cilëve thuhet se janë prokuruar sisteme të armatimit dhe pajisje të ndryshme ushtarake.

    “Kosova dhe Turqia janë aleatë dhe partnerë strategjikë, për mbrojtje e siguri dhe për qëndrueshmëri e paqe”, thuhet në njoftim.

  • Zelensky: Rusia do të dërgojë ushtarë koreanoveriorë në betejë brenda ditësh

    Zelensky: Rusia do të dërgojë ushtarë koreanoveriorë në betejë brenda ditësh

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të premten se Rusia e ka ndër mend të dërgojë trupa nga Koreja e Veriut në vijën e parë të luftës nga 27 tetori.

    Një ditë më herët, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës tha se njësitet e para koreanoveriore, të stërvitura në Rusi, janë dërguar tashmë në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën.

    Forcat ukrainase e nisën një inkursion të madh në gusht në Kursk dhe kanë kapur territor atje.

    Kievi thotë se ky territor po përdoret si zonë e sigurisë kundër sulmeve të Rusisë në Ukrainë.

    Zelensky tha të premten se “ushtarët e parë nga Koreja e Veriut pritet të dërgohen nga Rusia në zonat e luftës së shpejti, më 27-28 tetor”. Ai e cilësoi këtë si “përshkallëzim të pastër nga Rusia”.

    “Bota mund ta shohë qartazi qëllimin e vërtetë të Rusisë, që është vazhdimi i luftës”, tha ai.

    “Për këtë arsye, një reagim i fuqishëm nga liderët globalë është thelbësor”, shtoi ai.

    Shtetet e Bashkuara thanë më 23 tetor se 3.00 ushtarë koreanoveriorë janë dërguar në Rusi.

    I pyetur nëse ka trupa koreanoveriorë në Rusi, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, as nuk e pranoi, e as nuk e mohoi, raporton REL.

    I pyetur për fotografitë satelitore të trupave gjatë një konference pas një samiti në Kazan të Rusisë, Putini tha se “fotografitë janë gjë serioze, nëse ka fotografi, atëherë ato pasqyrojnë diçka”.

  • Grupi kurd merr përgjegjësinë për sulmin në Turqi

    Grupi kurd merr përgjegjësinë për sulmin në Turqi

    Një grup militant kurd e ka marrë përgjegjësinë të premten për një sulm ndaj selisë së një kompanie të rëndësishme të mbrojtjes në Ankara, ku u vranë së paku pesë njerëz.

    Në një komunikatë, krahu ushtarak i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, tha se sulmi i 23 tetorit ndaj kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, u krye nga dy anëtarë të saj, si përgjigje ndaj “masakrave” të Turqisë dhe veprimeve të tjera të saj në rajonet kurde.

    Një burrë dhe një grua iu sulën selisë së TUSAS-it në periferi të Ankarasë, duke hedhur mjete shpërthyese dhe duke shtënë me armë. Katër punonjës të TUSAS u vranë atje. Sulmuesit kishin mbërritur në vendin e ngjarjes me një taksi, pasi e kishin vrarë shoferin e tij.

    Gjatë të shtënave me forcat e sigurisë u vranë edhe dy sulmuesit, ndërsa u plagosën më shumë se 20 njerëz të tjerë.

    Turqia e fajësoi PKK-së për këtë sulm dhe menjëherë filloi t’i bombardojë objektet dhe lokacionet që dyshohet se përdoren nga grupi militant në veri të Irakut, apo nga bashkëpunëtorët e tij në veri të Sirisë.

    PKK-ja cilësohet grup terrorist nga Turqia dhe nga aleatët e vet perëndimorë./REL/

  • Lamine Yamal: Dua të mbahem mend si legjendë e Barcelonës

    Lamine Yamal: Dua të mbahem mend si legjendë e Barcelonës

    Lamine Yamal e pret “El Clasicon” me guxim. Pa asnjë frikë. Rritja e tij si lojtar ka qenë spektakolare brenda pak muajsh. Ambicia për të menduar në mënyrë të madhe e motivon, dhe në një intervistë për LaLiga World, ai tregoi ndjesitë e tij përpara ndeshjes me Real Madridin.

    Atmosfera armiqësore që do të hasë në Santiago Bernabeu nuk do ta trembë. Ai e tregoi këtë në Europian kur udhëhoqi kombëtaren spanjolle kundër Gjermanisë pritëse në Stuttgart, me stadiumin që mbështeste ekipin vendas në çerekfinale të Europianit.

    “Këtë vit kur e marr topin ndjej se si fillojnë ulërimat e tribunës, dhe kjo më motivon shumë”, tha Lamine.

    Jashtë fushe nuk fshihet, dhe në Montjuïc është e zakonshme ta shohësh teksa ngre duart sa herë që ka një goditje këndi ose aut për të kërkuar ndihmën e tifozëve culers.

    Lamine do të ketë përballë një kundërshtar të fortë si Ferland Mendy, por prania e tij nuk do të ndryshojë stilin e tij të lojës.

    “Zakonisht e vështroj mbrojtësin anësor dhe shkoj drejt tij me gjithçka. Është një ndjesi që nuk e kam pasur kurrë më parë”.

    Elementi motivues i Lamine Yamal është i jashtëzakonshëm.

    “Është si të kem nënën përpara meje duke më thënë të sulmoj kundërshtarin. Është një ndjesi që nuk mund ta përshkruaj, por që është e pabesueshme”.

    Sulmuesi blaugran shpjegon se familja ka luajtur një rol themelor për të pasur një sjellje të mirë në fushë, pavarësisht nga loja e ashpër që nganjëherë merr. Lamine konsideron se “gjëja më e rëndësishme për një person është të jesh ashtu si të kanë edukuar prindërit. Kështu shihet kush je.”

    Në prag të klasikes, Lamine nuk heziton dhe pohon se “do të më pëlqente të kujtohesha në historinë e Barçës si një legjendë. Falë Barcelonës jam kush jam. Ajo më ka dhënë gjithçka.”

    Objektivi i yllit të Barcelonës është të vazhdojë për shumë vite duke mbrojtur fanellën blaugrana, deri në atë pikë sa aspiron të “jetë gjithë jetën te Barça,” edhe pse është i vetëdijshëm që është shumë i ri.

    Lamine Yamal është rritur shumë shpejt. Në moshën 16-vjeçare ishte tashmë një referencë për Barçën dhe kombëtaren spanjolle. Në moshën 17 vjeç, ai vazhdon të tregojë çdo ditë nuanca të reja të lojës së tij në formën e driblimeve, pasimeve të pamundura ose reagimeve të papritura me topin në këmbë.

    Leximi i tij i lojës është spektakolar. Në Bernabeu dëshiron të shfaqë edhe një herë klasin e tij dhe të arrijë një fitore që do të linte Barcelonën me gjashtë pikë përpara rivalit të përjetshëm në tabelën e renditjes së Ligës.