ATV

Author: G.O.

  • OKB: Bota larg cakut për luftim të ndryshimeve klimatike

    OKB: Bota larg cakut për luftim të ndryshimeve klimatike

    Përpjekjet globale për t’i luftuar ndryshimet klimatike nuk janë në ritmin e duhur, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

    OKB-ja i ka bërë këto deklarata pasi të dhënat e reja tregojnë se gazrat nga ngrohja janë duke u akumuluar në natyrë më shpejt sesa kurrë më parë në historinë e njerëzimit.

    Planet aktuale kombëtare për t’i kufizuar emetimet e karbonit vështirë se mund të ulin nivelin e ndotjes deri më 2030, është thënë në analizën e OKB-së, duke lënë pezull përpjekjet për të mbajtur temperaturën e Tokës nën 1.5 gradë Celsius.

    Këto të dhëna janë publikuar teksa në një raport ndaras është thënë se gazrat serrë janë rritur mbi 11 për qind në dy dekadat e fundit, dhe që koncentrimet atmosferike janë rritur në nivel rekord më 2023, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Hulumtuesit janë të shqetësuar se pyjet janë duke humbur aftësinë për të thithur karbonin, çka edhe mund të ketë kontribuuar në nivele rekorde të gazit në atmosferë.

    Një agjenci e OKB-së, e angazhuar për të adresuar këtë çështje, ka analizuar planet shtetërore për të kufizuar karbonin në rreth 200 shtete.

    Ekspertët bëjnë thirrje që temperatura globale të mos rritet mbi 1.5 gradë Celsius, meqë, sipas tyre, mund të ketë pasoja jashtëzakonisht të rrezikshme për njerëzimin.

    Organizata Botërore e Meteorologjisë ka thënë se hera e fundit kur Toka ka pasur koncentrime të tilla të karbonit në atmosferë ka qenë 3-5 milionë vjet më parë, kur temperatura mesatare e planetit ka qenë 2-3 gradë më e ngrohtë sesa tani, dhe nivelet e ujit ka qenë 10-20 metra më të larta.

    Sipas kësaj organizate, niveli i gazrave serrë ka prekur shifra rekorde më 2023, dhe shkaktare kanë qenë zjarret pyjore në Kanada dhe kushtet klimatike të diktuara nga fenomeni El Nino./REL

  • Serwer thotë se dialogu do të përparonte nëse Vuçiq nuk do ta trajtonte Kosovën si territor të Serbisë

    Serwer thotë se dialogu do të përparonte nëse Vuçiq nuk do ta trajtonte Kosovën si territor të Serbisë

    Profesori amerikan, Daniel Serwer, është deklaruar sërish për dialogun Kosovë – Serbi.

    Ai ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kishte zgjidhje nëse presidenti serb nuk do ta trajtonte Kosovën si territor të Serbisë, por si shtet fqinj.

    “Serbia mund të shpallë se respekton autoritetet e Kosovës dhe territorin e Kosovës, ta trajtojë atë në mënyrë fqinjësore. Më pas ajo mund të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjska dhe trazirat kundër trupave të KFOR-it. Një gjë e tillë do të ndryshonte në mënyrë dramatike dialogun, edhe pa njohje zyrtare diplomatike”, ka potencuar Serwer për Danas.

    Sipas tij, në vend të kësaj Beogradi bëri krejt të kundërtën.

    “Ai vazhdon të vërë në dyshim autoritetin qeverisës dhe territorin e Kosovës në çdo rast”.

    Serwer thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bën ndërhyrje të ashpra edhe në Mal të Zi e Bosnje e Hercegovinë.

    “Ndërhyrja në Mal të Zi është e dukshme. Ndërhyrja në Bosnje dhe Hercegovinë është disi më pak e dukshme, por kjo ndodh sepse Milorad Dodik më së shumti bën atë që dëshiron Vuçiq. Ai aspiron një botë serbe, që do të thotë se Beogradi de facto kontrollon popullsinë serbe në vendet fqinje. Ai po bën shumë progres në këtë drejtim”, ka thënë mes tjerash ai.

  • Përfitimet nga çaji kamomil

    Përfitimet nga çaji kamomil

    Kamomili është një barishte që përdoret qysh nga periudha romake.

    Sa i përket çajit, kamomili është vlerësuar për shkak se është e pasur me flavanoide, të cilat janë antioksidantë me përfitime të shumta shëndetësore.

    Ngërçet e stomakut

    Çaji i kamomilit ka efekt anti-inflamator dhe antispazmodik, që ndikon në lehtësimin e dhembjeve në barkun tuaj. E pini në mëngjes si dhe në mbrëmje për rezultatet më të mira.

    Rrudhat

    Radikalët e lirë mund të bëjnë që lëkura juaj të duket më e vjetëruar. Pirja e çajit të kamomilit mund të largojë këto toksine, duke ju bërë që të riktheni shkëlqimin rinor.

    Diabeti

    Edhe pse nuk mund të trajtojë diabetin, ky çaj mund të kontrollojë simptomat si dhe të parandalojë shfaqjen e sëmundjes. Këtë e arrin përmes rregullimit të nivelit të glukozës në trup.

    Imuniteti

    Çaji i kamomilit përbën një ambient armiqësor për bakteret, andaj është një mënyrë e mirë për largimin e baktereve nga organizmi. Kjo ndihmon në forcimin e sistemit imunitar, sidomos kur jeni të ftohur apo keni ethe.

  • Disa arsye pse duhet të hani limon çdo ditë

    Disa arsye pse duhet të hani limon çdo ditë

    Limoni është një nga llojet më të dobishme të frutave që mund ta përdorni në mënyra të ndryshme: nga shtimi i tij në çaj gjatë stinës së ftohtë, deri te ëmbëlsirat e shijshme dhe si shtesë në vaktet.

    Ngrënia e limonëve është shumë e dobishme për shëndetin, dhe këto janë disa nga përfitimet më të zakonshme për të gjithë trupin që lidhen me shtimin e përditshëm të limonit në dietë.

    Janë të pasur me vitaminë C: Limonët dihet se përmbajnë vitaminë C, një vitaminë e dobishme që forcon sistemin imunitar, ndihmon trupin të luftojë ftohjet dhe përmirëson shëndetin e lëkurës duke rritur prodhimin e kolagjenit, shkruan Health Shots.

    Ndikim pozitiv në humbjen e peshës: Limonët janë të ulët në kalori dhe të pasura me fibra, veçanërisht pektinë, e cila mund të ndihmojë në zgjatjen e ndjenjës së ngopjes dhe zvogëlimin e dëshirave të përgjithshme për ushqim, duke i bërë ata të shkëlqyer për humbje peshe, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv.

    Ato përmirësojnë tretjen: Pirja e ujit të ngrohtë me limon gjëja e parë në mëngjes mund të ndihmojë në fillimin e punës së sistemit tretës. Limoni stimulon prodhimin e biliare, e cila ndihmon në zbërthimin e ushqimit dhe përmirësimin e përthithjes së lëndëve ushqyese.

    Mbështet shëndetin e zemrës: Vitamina C, fibrat dhe përbërësit e bimëve në limon janë të njohur nga shumë për të ulur presionin e gjakut dhe kolesterolin, duke ndihmuar në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Dhe limoni është i pasur me të gjitha këto lëndë ushqyese.

    Parandalon gurët në veshka: Acidi citrik në këtë frut mund të parandalojë rritjen e gurëve në veshka duke rritur volumin e urinës dhe duke ndihmuar në largimin e mineraleve që mund të shkaktojnë formimin e gurëve.

    Përmirëson shëndetin e lëkurës: Antioksidantët në limon ndihmojnë në luftimin e radikaleve të lira, të cilat dihet se shkaktojnë plakjen e lëkurës. Vitamina C ndihmon në reduktimin e linjave të imta dhe rrudhave dhe ndriçon tonin e lëkurës tuaj.

    Zvogëlon inflamacionin: Limonët kanë veti anti-inflamatore, të cilat mund të ndihmojnë në reduktimin e ënjtjes dhe dhimbjes në kushte kronike si artriti. Ato janë gjithashtu të mira për të mbështetur shëndetin e përgjithshëm të kyçeve.

    Freskon frymëmarrjen: Limonët kanë veti antibakteriale që mund të ndihmojnë në vrasjen e baktereve në gojë, duke reduktuar erën e keqe të gojës. Megjithatë, sigurohuni që të shpëlani dhëmbët me ujë më pas për të mbrojtur dhëmbët nga aciditeti, shkruan Health Shots.

    Përmirëson përthithjen e hekurit: Limonët përmbajnë acid citrik dhe vitaminë C, të cilat dihet se përmirësojnë përthithjen e hekurit nga ushqimet bimore. Kjo mund të ndihmojë në parandalimin e rrezikut të anemisë ose mungesës së hekurit.

  • Shefi i NATO-s konfirmon prezencën e trupave koreano-veriore në Rusi

    Shefi i NATO-s konfirmon prezencën e trupave koreano-veriore në Rusi

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aleanca ushtarake e ka konfirmuar se trupa të Koresë së Veriut janë në Kursk të Rusisë, rajon në kufi me Ukrainën.

    Duke folur nga Brukseli, më 28 tetor, Rutte e ka konsideruar këtë hap si “përshkallëzim të madh” në luftën e Rusisë në Ukrainë.

    Sipas tij, ky veprim sinjalizon “dëshpërimin” e presidentit rus, Vladimir Putin, pas humbjes së më shumë se 600.000 ushtarëve në luftë, raporton REL.

    “Thellimi i bashkëpunimit ushtarak në mes të Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën kërcënim për sigurinë euro-atlantike dhe atë të Indo-Paqësorit”, ka thënë ai.

  • Gashi thotë se do t’i përkrahin marrëveshjet ndërkombëtare: Kryeministri përgjegjëse për situatën në vend

    Gashi thotë se do t’i përkrahin marrëveshjet ndërkombëtare: Kryeministri përgjegjëse për situatën në vend

    Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka folur për marrëveshjet ndërkombëtare. Ai është shprehur se LDK-ja e konfirmon se qëndron pranë vendimit të saj që marrëveshjet ndërkombëtare i përkrahë, raporton Ekonomia Online.

    “Në mbledhjen e radhës së Kryesisë u diskutua që të kemi dy seanca plenare, por mbetet të shihet Lëvizja Vetëvendosje a i ka votat e nevojshme. Sa i përket situatës në vend përgjegjësia mbetet mbi kryeministrin e Kosovës. Ka katër seanca të jashtëzakonshme që VV-ja nuk ka marrë pjesë, mbetet të shihet të mërkurën dhe të enjten a mund të gjejnë Lëvizja Vetëvendosje a mund të gjejnë ndonjë deputet për të miratuar ligjin”.

    “Pse Vetëvendosje prej 58 deputetë ka rënë në 50 qenka faji i LDK-së. Kurse LDK-ja ka përkrahur dhe ka qenë konstruktive. Nëse këto janë fajet ne jemi të gatshëm t’i mbajmë sepse kemi shikuar interesin e qytetarëve. A është diçka në kohë kjo Qeveri, qëndrimi ynë ka qenë konstruktiv edhe për Asociacionin, ne e kemi këshilluar me zgjidh çështjen sepse bindja jonë është për të mbrojtur interesin e shtetit”, ka thënë Gashi.

  • Tahiri: Qeveria e ka kthyer Kosovën prapa, dështimet po i mbulon me temën e Asociacionit e veriut

    Tahiri: Qeveria e ka kthyer Kosovën prapa, dështimet po i mbulon me temën e Asociacionit e veriut

    Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën prapa, duke u shprehur se gjatë këtij mandati s’e ka kryer asnjë punë, raporton Ekonomia Online.

    Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Tahiri ka thënë se dështimet, Qeveria po i mbulon me temën e Asociacionit, veriut dhe të urës.

    “Kjo qeveri dhe kjo shumicë le që e ka kthyer Kosovën prapa, por i ka dhënë goditjen më të madhe si në aspektin e forcimit të brendshëm, po ashtu edhe dëmtimin e vetë të subjektivitetit ndërkombëtar…Po flasim për standard të dyfishtë, e paparë të mashtrimit që kurdo që duhet të diskutohen çështjet e mirëqenies, kthehemi te ura, te Asociacioni e te veriu, pasi s’kanë çka të flasin tjetër send”, ka theksuar Tahiri.

    Sipas Tahirit, kryeministri Albin Kurti po i ikën ballafaqimit në Kuvend “pasi s’ka asnjë arritje”.

  • Kupa e botës në ski, përfaqësuesja e Shqipërisë kualifikohet në finale

    Kupa e botës në ski, përfaqësuesja e Shqipërisë kualifikohet në finale

    Ka startuar këtë fundjavë Kupa e Botës në ski për vitin 2025 me Soldenin e Austrisë.

    Shqipëria edhe në këtë edicion merr pjesë me Lara Colturin që një vit më parë befasoi këdo në Europë dhe Botë me paraqitjen e sajë përballë emrave më të mëdhej të Botës së këtij sporti.

    Edhe në këtë fundjavë botërore austriake Colturi entuzjazmoi fansat e skive me vendin e 16-të, si sportistja më e re e eventit pasi është ende 17-vjeçare dhe fituesja e garës së Soldenit, Frederika Brinjone është 34 vjeç, sa për të kuptuar diferencën e moshës që mbart me vete eksperiencën e madhe.

    Pas kësaj arritjeje, Colturi shprehu emocionet e para në një intervistë ekskluzive për Top Channel.

    “Jam shumë e kënaqur me paraqitjen pasi pritshmëritë ishin të mëdha duke qenë se jam stërvitur shumë mirë gjatë verës. Ndoshta më duhet të futem pak në ritmin e garës, por sezoni është i gjatë dhe do të rregullojë ato gjëra që vihen re vetëm në gara”, tha Lara Colturi-skiatore.

    Soldenin, Colturi nuk kishte arritur ta përfundonte asnjëherë dhe kjo është një ndër pistat më të vështira të Kupës së Botës.

    “Gjithmonë mund të bëhet më mirë unë i kuptoj shumë mirë gabimet që bëj dhe do të përpiqem të mos i përsëris, por kjo është gara më e vështirë. Pasi kalova këtë gjithçka më pas është në dishezë për mua”, tha ajo.

    I pranishëm në pistën austriake ishte edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj i cili kishte ardhur të shihte dhe mbështeste nga afër sportisten e klubit Tirana. /Top Channel

  • Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit paralajmëron për “pasoja” pas sulmit izraelit

    Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit paralajmëron për “pasoja” pas sulmit izraelit

    Teherani ka paralajmëruar që Izraeli mund të përballet me hakmarrje për shkak të sulmit të fundit në qendra ushtarake iraniane, ndonëse lideri suprem i shtetit nuk ka treguar shumë gatishmëri në vazhdimin e sulmeve të njëpasnjëshme mes dy armiqve rajonalë.

    Hossein Salami, komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike, ka thënë më 28 tetor se Izraeli do të përballet me “pasoja të hidhura” për kryerjen e sulmeve ajrore në territorin iranian dy ditë më parë.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka thënë më 28 tetor se Teherani do t’i përdorë të gjitha mjetet që ka për t’iu përgjigjur sulmit izraelit.

    Izraeli, në anën tjetër, ka thënë se me sukses ka kryer sulme hakmarrëse “precize” në qendrat ushtarake iraniane, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Sulmet – që kanë qenë përgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër Izraelit më 1 tetor, edhe ato si përgjigje për vrasjen e një komandanti të Gardës Revolucionare Islamike – janë kryer teksa rriten shqetësimet që Izraeli mund të niste një sulm masiv, duke rritur mundësinë për përshkallëzim në një luftë të madhe mes dy fuqive rajonale.

    Ekspertët sugjerojnë se sulmet u kanë dhënë Izraelit dhe Iranit mundësi për të shmangur një luftë të madhe rajonale.

    Irani ka thënë se ka pranuar paralajmërim nga Izraeli para nisjes së sulmeve, të fundit në kuadër të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit, të lidhura me luftën hakmarrëse të Izraelit në Gazë dhe rolin e Iranit në mbështetjen e grupeve militante anti-izraelite në rajon.

    Zyrtarët iranianë kanë insistuar se mbrojtja iraniane i ka shkatërruar në ajër shumicën e raketave më 26 tetor, mirëpo e ka pranuar se katër ushtarakë iranianë janë vrarë, si pasojë e sulmeve.

    Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë më 27 tetor se veprimet e Izraelit “nuk janë kalkuluar mirë”, mirëpo nuk ka bërë thirrje për përgjigje iraniane.

    Khamenei u ka bërë thirrje zyrtarëve qeveritarë të kuptojnë “kapacitetin” e Iranit, dhe ka këshilluar që është gabim “ekzagjerimi” i ndikimit të sulmeve izraelite, ashtu sikurse “minimizimi” i tyre.

    Hossein Salami, komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike, është cituar të ketë thënë se veprimet e ushtrisë izraelite nuk e kanë arritur “synimin”.

    Edhe ai ka thënë se sulmet nuk janë menduar mirë dhe janë kryer “në moment dëshpërimi” të Izraelit, teksa vazhdon betejat kundër grupeve që përkrah Irani në Rripin e Gazës dhe Liban.

    Grup palestinez Hamas, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, është duke luftuar me Izraelin prej tetorit të vitit të kaluar.

    Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 persona.

    Disa janë liruar, një pjesë konsiderohet se kanë vdekur.

    Nga ofensiva izraelite në Gazë janë vrarë mbi 42.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

    Izraeli ka nisur luftë edhe kundër Hezbollahut në jug të Libanit, një pjesë të të cilit e kontrollon.

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa BE-ja e ka në listë të zezë vetëm krahun ushtarak, jo edhe atë politik./REL

  • Mbi 40 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 40 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë

    42 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në statistikat e policisë bëhet e ditur se 21 nga këto aksidente kanë qenë me të lënduar, ndërkaq 21 të tjera me dëme materiale.

    Tutje, Policia njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar edhe 1 mijë e 830 gjoba trafiku, derisa janë arrestuat tetë persona dhe gjashtë janë dërguar në mbajtje.