ATV

Author: G.O.

  • Mbi 2 mijë e 200 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 2 mijë e 200 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Dy mijë e 258 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas Policisë gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur pesë aksidente me të lënduar dhe 24 me dëme materiale.

    Tutje, në raportin 24 orësh të Policisë thuhet se gjatë kësaj kohe janë arrestuar 15 persona dhe 11 janë dërguar në mbajtje.

  • INDEP: Koeficientët të harmonizohen me pagën minimale, jo me lojërat e partive për pushtet

    INDEP: Koeficientët të harmonizohen me pagën minimale, jo me lojërat e partive për pushtet

    Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar pasi dje Qeveria vendosi që pagat në sektorin publik të rriten nga janari për 55 euro dhe nga korriku edhe për 55 euro tjera. INDEP thotë se është shqetësuese që partitë politike përdorin ndryshimet në nivelet e pagave të sektorit publik për qëllime elektorale.

    “Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) shpreh shqetësimin e thellë që, për të disatën herë, partitë politike në Kosovë po përdorin ndryshimet në nivelet e pagave të sektorit publik për qëllime elektorale. Vendimi i fundit i Qeverisë për rritjen graduale të koeficientëve të pagave në sektorin publik dhe reagimet e ngjashme nga opozita janë shembull tjetër i kësaj prirjeje shqetësuese, veçanërisht në kohën kur vendi po i afrohet zgjedhjeve të reja”.

    INDEP ka shtuar se koeficientët duhet të ndërlidhen drejtëpërdrejtë me vlerën e pagës minimale.

    “Në kohën e diskutimit dhe miratimit të Ligjit për Pagat, INDEP kishte argumentuar se koeficientet duhet të ndërlidhen drejtëpërdrejt me vlerën e pagës minimale. Ky model jo vetëm që do të ofronte transparencë dhe një bazë të qëndrueshme, por edhe do të siguronte një lidhje të domosdoshme mes sektorit publik dhe atij privat. Procesi për përcaktimin e pagës minimale, i cili është rezultat i propozimit nga Këshilli Ekonomiko-Social – organ ku përfaqësohen partnerët socialë, përfshirë përfaqësuesit e sektorit privat (odat ekonomike, sindikatat dhe Qeveria) – është gjithpërfshirës dhe reflekton një qasje të balancuar që garanton respektim të interesave të të gjitha palëve”.

    Sipas INDEP rritja e njëanshme e pagave në sektorin publik pa një ndërlidhje direkte me sektorin privat shkakton jo vetëm ndasi ekonomike, por ndikon në të gjithë ekuilibrin ekonomik të vendit.

    “Rritja e njëanshme e pagave në sektorin publik pa një ndërlidhje direkte me sektorin privat shkakton jo vetëm ndasi ekonomike, por ndikon në të gjithë ekuilibrin ekonomik të vendit. Këto ndryshime duhet të jenë rezultat i rritjes ekonomike të përgjithshme dhe të vendimmarrjes së përbashkët sociale, e jo premtimeve a vendimeve në prag të zgjedhjeve”.

    INDEP thotë se “praktikat e përsëritura të partive politike për të manipuluar me pagat publike gjatë cikleve zgjedhore janë precedent i dëmshëm që minon integritetin e politikave publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”.

    “INDEP apelon që rritjet e koeficientëve të pagave të jenë produkt i një metodologjie të qartë, transparente dhe të parashikueshme, të mbështetur në indikatorë ekonomikë të mirëfilltë dhe në një qasje të konsultuar me të gjitha palët”.

    INDEP bën thirrje që koeficientët të harmonizohen me pagën minimale.

    “Manovrat politike, që synojnë të shfrytëzojnë ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj kushteve ekonomike për përfitime elektorale, e largojnë fokusin nga politikat afatgjata dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Rritja e inflacionit dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës për qytetarët kërkon një qasje të përbashkët, ku interesi publik dhe mirëqenia ekonomike e të gjithë qytetarëve janë mbi interesat partiake. Për një sistem pagash më të drejtë dhe të qëndrueshëm, INDEP edhe njëherë bënë thirrje për harmonizimin e koeficientëve me pagën minimale dhe për një politikë që bazohet në ligjvënie gjithëpërfshirëse, larg premtimeve të brishta dhe politizimit elektoral”.

  • ​Të paktën 51 të vdekur nga përmbytjet katastrofike në Valencia

    ​Të paktën 51 të vdekur nga përmbytjet katastrofike në Valencia

    Përmbytjet katastrofike në rajonin e Valencias të Spanjës kanë lënë të vdekur 51 persona, sipas të dhënave të përkohshme të raportuara nga Qendra për Koordinimin e Integruar Operacional të Ministrisë së Brendshme.

    Numri i fundit i vdekjeve vjen pas një nate torturuese me përmbytje shkatërruese, të shkaktuara nga stuhia më e keqe e shekullit, e cila është e krahasueshme vetëm me dy të tjera në vitet 1980, sipas agjencisë meteorologjike të Spanjës.

    Stuhia filloi të martën, duke lëshuar shi sa për një vit brenda një ore, duke shkaktuar që lumenjtë të shpërthejnë shpejt brigjet e tyre dhe madje të krijojnë tornado.

    Rrugët dhe qytetet filluan të përmbyten, duke bërë që autoritetet të ndërpresin shërbimin hekurudhor rreth Valencias, të anulojnë fluturimet dhe përfundimisht t’u kërkojnë banorëve të qëndrojnë brenda gjatë natës të së martës.

    Megjithatë, në kohën kur qeveria dërgoi alarme emergjente duke u kërkuar njerëzve të qëndronin brenda ose të kërkonin terrene të larta, shumë nga dëmet tashmë ishin bërë.

    Ndërsa lumenjtë vërshonin nëpër qytete, rrugë dhe lagje, qindra njerëz u bllokuan në çatitë e shtëpive, automjeteve, qendrave tregtare ose zonave industriale; disa ishin ngjitur pas pemëve.

    Banorët e dëshpëruar iu drejtuan mediave sociale për të kërkuar shpëtim pasi linjat lokale të emergjencës u shembën për shkak të ndërtesave të përmbytura dhe vëllimit të madh të thirrjeve.

    E përditshmja spanjolle El Pais raportoi se qindra njerëz ishin ende në pritje të shpëtimit të mërkurën në mëngjes.

    “Ne nuk mund të arrinim te viktimat kur ata kishin më shumë nevojë për të”, tha Jose Miguel Basset, kreu i zjarrfikësve në provincën e Valencias, për transmetuesin spanjoll RTVE. “Dhe ne ende nuk kemi qasje në të gjitha vendet që kanë nevojë për shpëtim.”

    Qeveria e Valencias ka hapur një linjë telefonike për të raportuar personat e zhdukur.

    Banorëve u kërkohet ende të shmangin çdo udhëtim në autostradë dhe shumica e shkollave mbeten të mbyllura.

    Ndërkohë, sistemi i stuhive vazhdon të lëvizë nëpër Gadishullin Iberik, me pjesën më të madhe të Spanjës verilindore dhe jugperëndimore në alarme moti për shira të dendur./AA/

  • Banorët e lagjes së “Muhaxherëve” mbesin pa rrymë, KEDS tregon arsyet

    Banorët e lagjes së “Muhaxherëve” mbesin pa rrymë, KEDS tregon arsyet

    Një pjesë e qytetit të Prishtinës, përkatësisht lagjja e “Muhaxherëve” ka mbetur pa energji elektrike nga ora 09:00.

    Zyrtarë të KEDS-it ka thënë për KosovaPress se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike në këtë lagje është e planifikauar për projektet investive.

    Zëdhënësi i KEDS-it, Lulëzim Krasniqi thekson se në lagjen e “Muhaxherëve” kjo kompani ka ndal furnizimin me energji elektrike nga ora 09:00 si rrjedhojë e punimeve të planifikuara.

    Ai thekson se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike pritet të zgjatë deri në orën 17:00.

    “Ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike nga ora 09:00 deri në orën 17:00 për projektet investive”, thekson Krasniqi për KosovaPress.

    Ai ka lënë të kuptohet se në disa vende të kësaj lagjeje mund të rikthehet furnizimi edhe para orës 17:00.

  • ​Kosova shpallet kampione e bilardos në Ligën Ballkanike

    ​Kosova shpallet kampione e bilardos në Ligën Ballkanike

    Ekipi i Kosovës në biliardo është shpallur kampion i Ligës Ballkanike BBA 2024, të organizuar gjatë fundjavës në Prishtinë nga Federata e Biliardos së Kosovës.

    Ndarjen e çmimeve kryesore e bëri presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili përgëzoi federatën për organizimin, derisa pati mundësinë që nga afër të përcjellë edhe disa prej ndeshjeve të garuesve tanë.

    Krahas Kosovës, pjesë e Ligës Ballkanike janë edhe Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Bullgaria.

  • Pentagoni thotë se një “numër i vogël” ushtarësh koreanoveriorë ndodhen në Kursk

    Pentagoni thotë se një “numër i vogël” ushtarësh koreanoveriorë ndodhen në Kursk

    Pentagoni tha të martën vonë se një “numër i vogël” i trupave koreanoveriore janë dërguar tashmë në rajonin Kursk të Rusisë, prandaj shprehu shqetësimin se ato do të përdoren në fushëbetejë kundër trupave ukrainase.

    Ka “shenja se një numër i vogël trupash janë tashmë në Kursk Oblast, ndërsa disa mijëra të tjera gati kanë mbërritur atje, ose do të mbërrijnë shumë shpejt”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, për media.

    Ryder u tha gazetarëve se Pentagoni nuk ka të dhëna se trupat koreanoveriore ndodhen brenda Ukrainës.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ndihet i shqetësuar për praninë e trupave në Kursk dhe shtoi se forcat ukrainase duhet të përgjigjen, nëse trupat koreanoveriore futen brenda Ukrainës.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se kishte një bisedë me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk, të cilit i tregoi se 3.000 ushtarë koreanoveriorë ndodhen tashmë në bazat ushtarake afër vijës së parë ukrainase dhe se pret që numri i tyre të rritet në 12.000.

    “Ka vetëm një përfundim: kjo luftë është bërë ndërkombëtare dhe kalon përtej kufijve” të Ukrainës dhe Rusisë, shkroi Zelensky në Telegram.

    Këshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, u takua të martën në Uashington me këshilltarin e lartë të Zelenskyt, Andriy Yermak, për të biseduar për trupat koreanoveriore dhe “planin e fitores” të përpiluar nga Zelensky për t’i dhënë fund luftës.

    “Mbështetja ushtarake për Ukrainën, sanksionet kundër Rusisë dhe rritja e trysnisë ndaj aleatëve të Moskës janë jetike”, tha Yermak./REL

  • Deponohen 640 euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

    Deponohen 640 euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

    Zyrtari i një banke në Prishtinë ka raportuar se nga klientë të ndryshëm janë deponuar monedha të ndryshme në vlerë të përgjithshme 640 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

    Policia ka bërë të ditur se monedhat janë sekuestruar dhe se rasti është duke u hetuar.

    “Ankuesi mashkull kosovar, zyrtar i bankës, ka raportuar se nga klientë të ndryshëm janë deponuar monedha të ndryshme në vlerë të përgjithshme 640 €, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Monedhat janë sekuestruar dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.

  • Presidentja Osmani në Katar merr pjesë në konferencën e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes

    Presidentja Osmani në Katar merr pjesë në konferencën e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po merr pjesë në konferencën e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes, që po mbahet në Doha të Katarit, me ftesë të Sheikha Moza bint Nasser.

    Osmani tha se në panelin kryesor “Pse kanë rëndësi politikat familjare?” diskutuan se si ndryshimet demografike formësojnë politikat familjare, teksa tha se foli për “politikat tona” që fuqizojnë familjet e reja dhe gratë.

    “Në vitet më të rënda për popullin tonë, familja ka qenë bërthama më e fortë që e ka mbajtur gjallë rezistencën, moralin lart dhe identitetin kombëtar mbi të gjitha”, shkroi Osmani.

    Më tej, e para e shtetit tha se edhe sot, familja mbetet një ndër shtyllat më të forta prapa çdo suksesi individual e kolektiv, dhe sipas saj, bazament për politikat e suksesshme sociale dhe ekonomike.

  • Si të trajtoni në mënyrë natyrale dhimbjen e veshit?

    Si të trajtoni në mënyrë natyrale dhimbjen e veshit?

    Dhimbjet e veshit janë të tmerrshme dhe shqetësuese.

    Shumë nga dhimbje janë si shkak i depozitimeve të lëngëta në vesh, tingujt e lartë, të ftohtit, infeksionet, dylli, dëmtimet brenda veshit e të tjera.

    Përveç se me medikamente dhimbjet mund të shërohen edhe me produkte që gjenden në kuzhinë.

    Këto janë disa prej tyre:

    Vaj ulliri
    Vaji i ullirit vepron si një qetësues i shpejtë ndaj dhimbjeve të veshit. Ai shërben si lubrifikant dhe ndihmon për të luftuar infeksionet në vesh. Gjithashtu mund të ndihmojë në ndalimin e zhurmave brenda veshit. Hidhni 3-4 pika vaj ulliri të vakët në kanalin e veshit. Gjithashtu mund të ngjyeni një tampon pambuku me vaj ulliri dhe ta vendosni në vesh.

    Hudhra
    Vetitë analgjezike dhe antibiotike të hudhrës ndihmojnë në qetësimin e dhimbjeve të veshit të shkaktuara nga infeksionet. Nxehni 1 lugë çaji hudhër të grirë në të. Lëreni të ftohet dhe kullojeni vajin. Hidhni 2-3 pika prej tij në veshin që ju dhemb. Një tjetër opsion është të shtrydhni lëngun e disa thelpinjve hudhër dhe hidheni në veshin që ju dhemb.

    Qepa
    Qepa është një prej medikamenteve shtëpiake më të efektshme në dhimbjen e veshëve. Vetitë antiseptike dhe antibakteriale të saj funksionojnë mirë në trajtimin e dhimbjeve të veshëve. Prisni imët një qepë të freskët dhe mbështilleni me një napë të pastër. Mbajeni natën në veshin e infektuar për 5-10 minuta. Përsëriteni këtë proces disa herë në ditë. Gjithashtu mund të merrni një lugë lëng qepe të shtrydhur dhe ta ngrohni pak. Më pas hidhni 2-3 pika në vesh, 2 deri në 3 herë në ditë.

  • BE-ja thotë se Serbia ka shkelur qartazi obligimet nga dialogu me Kosovën

    BE-ja thotë se Serbia ka shkelur qartazi obligimet nga dialogu me Kosovën

    Bashkimi Evropian ka thënë të mërkurën se Serbia i ka shkelur detyrimet e saj nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar një projektligj për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

    Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi projektligjin për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

    Të mërkurën, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, tha se duke bërë kështu, Serbia ka vepruar në kundërshtim me zotimet e saj në dialogun me Kosovën nën ndërmjetësimin e bllokut.

    “Projektligjet e Qeverisë së Serbisë, në mënyrën si janë publikuar paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe janë në kundërshtim me ripërkushtimin e shprehur rishtazi për dialogun”, tha Massralli.

    BE-ja ia rikujton Serbisë se është e detyruar t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e nga dialogu me Kosovën, të cilin është duke e zhvilluar nën ndërmjetësimin e bllokut prej vitit 2011, si pjesë e synimeve të saj për integrim evropian.

    Ajo i bëri thirrje Serbisë ta rishqyrtojë këtë projektligj, i cili kërkon themelimin e një prokurorie speciale dhe një trupi gjykues special “për t’i ndjekur penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.

    Projektligjit thotë se juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd, sipas Qeverisë serbe.

    Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 u pajtuan për zbatimin e tij dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

    Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, të pakënaqur me vendimet e Qeverisë së Kosovës./REL