ATV

Author: G.O.

  • Rama i tronditur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Spanjë

    Rama i tronditur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Spanjë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur i tronditur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Spanjë.

    Ai ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.

    “I tronditur thellë nga përmbytjet e rënda që prekën zonat e Valencias, Andaluzisë dhe Murcias në Spanjë, fatkeqësia më e rëndë natyrore, duke vrarë të paktën 61 njerëz. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjet e viktimave. Duke i dërguar forcë dhe solidaritet popullit dhe qeverisë së Spanjës, ne dëshirojmë që të gjitha komunitetet e prekura të shërohen shpejt dhe të jenë të gatshëm për të ndihmuar”, ka shkruar Rama në rrjetin social “X”.

    LEXONI EDHE:

    Osmani ngushëllon për viktimat e përmbytjeve në Spanjë: Qëndrojmë me popullin spanjoll

  • Prokuroria në Gjilan ngre aktakuzë ndaj 3 personave për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

    Prokuroria në Gjilan ngre aktakuzë ndaj 3 personave për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve N.H., N.B. dhe A.B., që akuzohen për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

    Sipas njoftimit, më 8 gusht të 2024-s në Viti, i pandehuri N.H. ishte tentuar t’i privojë nga jeta të pandehurit N.B. dhe A.B. për shkak të një mosmarrëveshjeje për blerjen e një prone.

    Ai thuhet se kishte gjuan me automatik në drejtim të tyre, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të pandehurit N.B.I pandehuri tjetër, A.B. ka pësuar lëndime të lehta trupore.

    N.H. akuzohet edhe për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Ndërsa, i pandehuri N.B. kishte tentuar ta privojë nga jeta N.H., duke e vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarës V.H., pasi ai kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre. Ndaj tij rëndon barra e akuzës “vrasje e rëndë në tentativë” dhe posedim i paautorizuar i armës.

    I pandehuri A.B. akuzohet për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur një pushkë gjuetie.

  • Osmani ngushëllon për viktimat e përmbytjeve në Spanjë: Qëndrojmë me popullin spanjoll

    Osmani ngushëllon për viktimat e përmbytjeve në Spanjë: Qëndrojmë me popullin spanjoll

    Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar për viktimat nga përmbytjet në Spanjë dhe tha se Kosova qëndron me popullin spanjoll në këtë kohë.

    “Lajm tronditës nga Valencia, Andaluzia dhe Murcia. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga këto përmbytje shkatërruese. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për ata që kanë humbur të dashurit dhe qëndrojmë me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë, duke i uruar forcë dhe qëndrueshmëri të gjitha komuniteteve që punojnë për rindërtim”, ka shkruar Osmani.

    LEXONI EDHE:

    Kurti reagon pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjë

  • Rritja e pagave – Bajrami: Skemë e korrupsionit, po bëhet për blerje të votave

    Rritja e pagave – Bajrami: Skemë e korrupsionit, po bëhet për blerje të votave

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se shpërndarja e parasë publike para zgjedhjeve është skemë e korrupsionit sepse thjeshtë po bëhet për blerje të votave ose mbështetje elektorale.

    Duke komentuar rritjen e pagave ajo i tha Ekonomia Online se rritja për 55 euro është pothuajse e pavërejtshme për të gjithë shërbyesit civil për shkak të vlerës së lartë të inflacionit gjatë këtyre viteve të fundit.

    “Fillimisht çdo shpërndarje e parasë publike në kohën kur janë shpallur zgjedhjet dhe tash kur janë shumë afër edhe fillimi i kampanjës zyrtarisht, e shohim si skemë e korrupsionit publik sepse thjeshtë po bëhet për blerje të votave ose mbështetje elektorale”.

    “Ne e dimë që në vitin 2021 ka pasur inflacion 11.6 për qind inflacion, ndërkohë shporta bazë e konsumit është rritur 50 për qind dhe nuk ka ndodhur asnjë lëvizje e pagave”.

    “Rritja e pagave për 55 euro si vendim i Qeverisë që sigurisht se do të vijë përmes Ligjit të Buxhetit është pothuajse një rritje të pavërejtshme për të gjithë shërbyesit civil për shkak se kemi pasur inflacion të madh gjatë këtyre viteve të fundit”, tha Bajrami.

    Kryeministri Albin Kurti tha të martën se vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, mirëpo rritet sasia e koeficienteve për një njësi, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie, dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm edhe për 0.5 njësi të tjera.

    “Me fjalë tjera, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik koeficienti i bëhet 6.6.  Ngjashëm edhe për dikë që ka koeficientin 10.5, nga janari i bëhet 11.0, kurse nga korriku i bëhet 11.5.Shprehur në vlerë monetare, i bie që të gjithë të punësuarit në sektorin publik, pagat për ta do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari, dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit të ardhshëm 2025”.

  • Reagon Von der Leyen për përmbytjet në Spanjë: BE tashmë ka ofruar mbështetje

    Reagon Von der Leyen për përmbytjet në Spanjë: BE tashmë ka ofruar mbështetje

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjë.

    Ajo njofton se BE-ja tashmë ka ofruar mbështetje.

    “Ajo që po shohim në Spanjë është shkatërruese. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe ekipet e shpëtimit. BE ka ofruar tashmë mbështetje. Koperniku është aktivizuar”, ka shkruar Von der Leyen në “X”.

    LEXONI EDHE:

    ​Të paktën 51 të vdekur nga përmbytjet katastrofike në Valencia

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë për incidetin në sheshin “Car Llazar”

    IPK-ja rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë për incidetin në sheshin “Car Llazar”

    Policia e Kosovës kishte bërë të ditur më 26 tetor se rreth orës 02:35, në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut, ka hasur në një qytetar serb nga veriu, M.S., i cili tentonte t’i dëmtojë gjëra dhe pajisje të ndryshme të cilat ishin të rrethuara me rrjetë, e të cilat ishin pronë e një dyqani.

    Pas këtij, rasti hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kishin nisur të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me këtë incident në sheshin “Car Llazar”.

    Ndërsa, sot IPK-ja në kuadër të këtij rasti ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshter dhe një zyrtar policor) të angazhuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se ky propozim bëhet duke iu referuar pretendimeve për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me incidentin në sheshin “Car Llazar” të datës 26 tetor 2024.

    “Rekomandimi për suspendim është bërë në interest të hetimit me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast”.

    “Inspektorati Policor në kuadër të autorizimeve ligjore do të ndërmerr edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

  • Sveçla takon Sarrazinin, diskutojnë për kontrollin e mallrave që hyjnë nga Serbia

    Sveçla takon Sarrazinin, diskutojnë për kontrollin e mallrave që hyjnë nga Serbia

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar mbi masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat që futën nga Serbia, në pikë kufitare të Merdarit.

    Njëherit, Sveçla ka thënë se ky vendim po zbatohet me përkushtim, me qëllim të sigurisë së vendit.

    “Diskutuam për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe rikonfirmova përkushtimin tonë si palë aktive për angazhim të mëtejmë në kuadër të këtij procesi. Biseduam po ashtu për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallërat që hyjnë nga Serbia në pikën kufitare në Merdarë. Zyrtarët tanë shtetëror po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve ‘X’ që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare. Falënderova z. Sarrazin për angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet në postimin e Sveclës.

    Institucionet e Kosovës kanë vendosur javë më parë që të lejohet futja e mallrave serbe nëpërmjet pikës kufitare të Merdarit.

  • S’kalon në Kuvend propozimi për importim të veturave më të vjetra se 10 vjet

    S’kalon në Kuvend propozimi për importim të veturave më të vjetra se 10 vjet

    Propozimi që të lejohet importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet në Kosovë nuk mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancë.

    Ky propozim u paraqit para kuvendarëve nga deputetit i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

    Ai tha se ky ndryshim në ligjin për automjetet është i nevojshëm për t’ua lehtësuar familjeve me ekonomi më të dobët blerjen e veturave, pasi sipas tij, jo të gjitha familjet kanë mundësi të blejnë vetura të reja.

    Megjithatë, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli ftoi deputetët që ta kundërshtojnë votimin e këtij plotësim/ndryshimi të ligjit, duke e quajtur propozimin e Lushtakut si joprofesional.

    Ajo njëherësh theksoi se Ministria e Mjedisit është duke punuar për ndryshimet profesionale në këtë ligj dhe se deputetët duhet të presin ato ndryshime.

    Në fund thirrja e deputetes Pacolli pati efekt, pasi 52 deputetë të mazhorancës votuan kundër, derisa vetëm nëntë deputetë votuan për.

  • Disa të plagosur, përfshirë një fëmijë, nga një sulm rus në Kiev

    Disa të plagosur, përfshirë një fëmijë, nga një sulm rus në Kiev

    Të paktën nëntë njerëz janë plagosur në Kiev nga një sulm rus me dronë mëngjesin e së mërkurës në kryeqytetin ukrainas, njoftoi administrata ushtarake e qytetit.

    Në shënjestër të sulmit ishte qarku Solomianki i kryeqytetit, thanë autoritetet.

    “Një zjarr shpërtheu në disa banesa në një ndërtesë shumëkatëshe banimi. 18 njerëz u evokuan nga ndërtesa; 9 njerëz u plagosën, përfshirë një fëmijë”, thanë autoritetet.

    Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan 33 prej 62 dronëve që Rusia i lëshoi në drejtim të 10 rajone ukrainase, Kiev, Çerkasi, Hmelnitski, Harkiv, Zaporizhja, Donjeck, Dnipropetrovsk, Sumi, Çernihiv dhe Poltava, tha Forca Ajrore e Ukrainës.

    Një ditë më parë, bombardimet ruse vranë katër në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Eksfolimi i fytyrës: Çfarë duhet të dish dhe sa shpesh duhet ta bësh

    Eksfolimi i fytyrës: Çfarë duhet të dish dhe sa shpesh duhet ta bësh

    Në rrjetet sociale, eksfolimi paraqitet shpesh si një hap i domosdoshëm në rutinën e kujdesit të lëkurës

    Ndërsa ekspertët bien dakord që ka përfitime nga eksfolimi i duhur, ata gjithashtu thonë se ka mundësi që ky proces të teprohet. Por, sa shpesh është vërtet e nevojshme të eksfolojmë fytyrën? Dhe çfarë ndodh nëse nuk e bëjmë?

    Çfarë është eksfolimi?

    Eksfolimi është procesi i heqjes së qelizave të vdekura nga sipërfaqja e lëkurës, sipas Dr. Joshua Zeichner, profesor i asociuar i dermatologjisë dhe drejtor i kërkimeve kozmetike dhe klinike në spitalin “Mount Sinai”.

    Ky proces ndodh natyrshëm dhe është pjesë e ciklit jetësor të lëkurës. Zakonisht, lëkura rigjenerohet çdo disa javë dhe qelizat e vdekura zëvendësohen nga të rejat. Megjithatë, një grumbullim i qelizave të vdekura mund ta bëjë lëkurën të duket e zbehtë, thotë Zeichner. Për këtë arsye, disa njerëz zgjedhin të përshpejtojnë këtë proces me eksfoliues.

    Ekzistojnë dy lloje eksfoliuesish: Fizikë (ose mekanikë) dhe kimikë.

    Eksfoliuesit fizikë, si skrabi, shpesh përmbajnë grimca të ashpra që “heqin fizikisht qelizat kur masazhohen mbi lëkurë,” shpjegon Zeichner. Ky efekt mund të arrihet gjithashtu me një objekt të ashpër si një sfungjer eksfoliues ose një peshqir.

    Nga ana tjetër, eksfoliuesit kimikë përmbajnë acide që funksionojnë duke “shpërbërë lidhjet midis qelizave, duke i bërë ato të largohen,” thotë Zeichner. Eksfoliuesit kimikë shpesh përmbajnë acide alfa hidrokside si acidi glikolik ose acidi laktik.

    Cilat janë përfitimet e eksfolimit?

    Ekzistojnë shumë përfitime nga eksfolimi i duhur, thotë Dr. Shari Lipner, dermatologe në “Weill Cornell Medicine”. Këto përfshijnë “pamjen më të pastër të lëkurës, parandalimin e poreve të bllokuara dhe për rrjedhojë të akneve dhe përmirësimin e depërtimit të produkteve të aplikuara në lëkurë,” thotë ajo. Mund të jetë i dobishëm për ata që kanë lëkurë me tendencë akneike.

    Ndërkohë që eksfolimi shpesh paraqitet si një mënyrë për të zvogëluar rrudhat dhe për t’i dhënë lëkurës një pamje rinore, ekspertët janë skeptikë për këtë pretendim.

    “Nuk mendoj se eksfolimi do të zgjidhë problemin e rrudhave,” thotë Dr. Rachel Reynolds, kryetare e përkohshme e dermatologjisë në Qendrën Mjekësore “Beth Israel Deaconess”.

    Sa shpesh duhet të eksfoloni?

    Për ata që zgjedhin të eksfolojnë, kjo nuk duhet të jetë pjesë e rutinës së përditshme. “Askush nuk ka nevojë të eksfoliojë fytyrën çdo ditë,” thotë Zeichner. Për shumicën e njerëzve, një ose dy herë në javë është e mjaftueshme, shton ai.

    Lipner sugjeron se kjo gjithashtu varet nga tipi i lëkurës. Ndërsa eksfolimi një herë në javë mund të funksionojë për ata me lëkurë të yndyrshme, për ata me lëkurë të thatë ose të ndjeshme, ajo rekomandon kufizimin e eksfolimit në një ose dy herë në muaj. Për të parë si do të reagojë lëkura ndaj një produkti, ekspertët sugjerojnë testimin në një zonë të vogël të lëkurës para se ta aplikoni në gjithë fytyrën. Dhe mos përdorni eksfoliues nëse keni akne, plagë të hapura ose djegie nga dielli, citon Anabel.

    “Lëkura juaj është tashmë e dëmtuar, dhe eksfolimi mund të çojë në irritim të mëtejshëm, errësim ose zbehje të lëkurës, madje edhe në shenja”, shton Lipner. /Telegrafi/