ATV

Author: G.O.

  • Rashiq: Formimi i institucioneve të bëhet në një “pako”, të mos lihet hapësirë për bllokada

    Rashiq: Formimi i institucioneve të bëhet në një “pako”, të mos lihet hapësirë për bllokada

    Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është partneri i parë me të cilin synon të bisedojë për formimin e institucioneve të reja, por ka kërkuar që procesi të mos kufizohet vetëm te zgjedhja e qeverisë, por të përfshijë edhe një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Rashiq tha se rezultatet zgjedhore duhet të respektohen, ndërsa theksoi se pas katër palë zgjedhjeve është koha që partitë politike shqiptare të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund krizave institucionale.

    “Shikoni, normale, kam thënë edhe më herët, normale që Lëvizja Vetëvendosje është adresa e parë. Jo vetëm për shkak të eksperiencës që kemi pasur tre-katër vitet e fundit, por për shkak se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 53 ulëse në Kuvend nga 100 që janë dedikuar për shqiptarët. Prandaj një shumicë të deputetëve shqiptarë, dhe në atë aspekt duhet respektuar këtë fakt dhe normale që adresa e parë është në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje. A me të vërtetën kur vjen koha që të bisedojmë unë do të kem do propozime për një fuqizim ose një përmirësim eventual të komunikimit dhe marrëdhënieve, në veçanti të bashkëpunimit, sepse gjithmonë mundet më mirë. Dhe të thuhet ajo unë e shoh hapësirë shumë që të bëhet një përmirësim në atë drejtim”, tha ai.

    Rashiq tha se bashkëpunimi me Vetëvendosjen duhet të jetë proaktiv dhe të përfshijë edhe propozimet e partive të komuniteteve.

    “Prandaj, është adresa e parë Lëvizja Vetëvendosje, por gjithqysh jo vetëm për një bashkëpunim pasiv, por në këtë rast për një bashkëpunim i cili do të jetë në mënyrë që propozimet tona, në veçanti jo vetëm unë si kryetar i një partie të vogël, por gjithashtu dhe kolegët e mi nga radhët e komuniteteve, t’i prezantojmë dhe t’i propozojmë ide të cilat po konsiderojmë që do të jenë në favor të krijimit të institucioneve. Prandaj, siç thashë, jo një bashkëpunim pasiv, por kisha thënë një bashkëpunim proaktiv ku edhe idetë tona duhet të merren parasysh dhe si të tilla t’i implementojmë së bashku”, tha ai, për Ekonomia Online.

    Ai u shpreh se do t’i kërkojë Vetëvendosjes të ndërmarrë iniciativa për të arritur konsensus me partitë shqiptare, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit.

    “Po ende s’kemi formuar grupin, prandaj unë flas në emrin tim personal, nuk e flas në emër të grupit sepse ende nuk e kemi grupin. Unë së pari do të kërkoj prej kryeministrit në këtë radhë, ose Vetëvendosjes, që ta përdorin çdo formë të iniciativave të cilat mund të na sjellin deri në një bashkëpunim, në veçanti me partitë shqiptare sa i përket përzgjedhjes së presidentit, sepse konsideroj që kjo është çelësi, të them ashtu, ose një pikë potencialisht e dobët në krejt këtë procesin që e kemi tash pas zgjedhjeve. Dhe unë vetë kam me i kërku prej palëve që ta bëjmë një planifikim gjithëpërfshirës. Mos të jetë vetëm fazë pas faze, ose të krijohet një pjesë e institucioneve pa pasur plan çfarë bëhet me institucionet e tjera. Sepse, të përkthehet në një fjalë më popullore, është shumë e rëndësishme që të kemi krejt një pako, se mos t’ua mundësojmë armiqve të institucioneve të Kosovës që të ndikojnë prapë me do presione ose manovrime të cilat gjithqysh do të na sjellshin deri në një situatë shumë të keqe, sigurisht që kemi pasur deri më tani”, tha ai.

    Sipas Rashiqit, partitë politike duhet të shmangin një tjetër vit të humbur për shkak të krizës politike.

    “Unë shumë mbështetem në konstatimet strategjike që i bën Bashkimi Evropian. Pasi që konstatojmë që BE-ja është një cak i pashmangshëm, i vetmi cak që duhet ta kemi të gjithë ne politikanët dhe të gjitha sistemet në Ballkan, atëherë fjalët e tyre, kur thanë që viti 2025 ka qenë vit i humbur, mua personalisht më kanë prekur, sepse nuk po dëshiroj që ne si institucione të kemi vite të humbura për shkak të krizave politike. Prandaj, ta shmangim konstatimin e radhës që edhe viti 2026 të konsiderohet vit i humbur. Hajde ta bëjmë një pako të përcaktimit të institucioneve ose të metodave të përzgjedhjes së përfaqësuesve brenda këtyre institucioneve dhe pastaj votojmë çka do”, tha ai.

    Ai u bëri thirrje partive politike të lënë anash përplasjet dhe të bashkëpunojnë.

    “Të gjithë institucionet. Kisha thënë se të gjitha partitë politike, unë e kuptoj në veçanti nga radhët e partive politike shqiptare, që është krijuar një animozitet i cili me të vërtetën ndonjëherë mua po më duket shumë absurd, por megjithatë fakti është që ka një animozitet i cili është psikologjik në masë më të madhe, por gjithashtu na krijon problem. Ju keni këtë fjalë që thotë ‘për inat’, por me të vërtetën po e vuajnë qytetarët. Dhe unë nuk jam njeri i tillë, unë gjithmonë kam qenë për marrjen e përgjegjësisë dhe me tolerancë. Demokracia do të thotë që edhe ju ta keni të drejtën, jo vetëm unë. Prandaj duhet të jemi diku në mes të bindjeve ku po na duhet të bashkëpunojmë”, tha ai.

    I pyetur nëse do të jetë sërish pjesë e qeverisë si ministër, Rashiq tha se Kushtetuta parasheh përfaqësimin e komunitetit serb në ekzekutiv, ndërsa përzgjedhja i takon partive shqiptare.

    “Pa shikoni, nëse në këtë rast, ju e dini që Kushtetuta parasheh që së paku një ministër nga komuniteti serb duhet të jetë aty. Dhe nëse hipotetikisht nuk ka, për shembull, në votimin e qeverisë, atëherë një votim i tillë, pa ministër nga komuniteti serb, nuk do të ishte ligjor. Prandaj, është e pashmangshme, e tash përzgjedhja e partive shqiptare në këtë rast, të cilat duhet të marrin përgjegjësi, a do ta përzgjedhin mua si i vetmi jashtë Listës Serbe ose Listën Serbe, kjo është vendimi i tyre”, tha ai.

    Në fund, Rashiq tha se dështimi për të formuar institucionet do të ishte i pajustifikueshëm.

    “Po të them të vërtetën, nëse nuk ka zgjidhje tani, atëherë me të vërtetën ne politikanëve po na duhet një ligj i veçantë, një komision i veçantë, ku psikiatri duhet me qenë kryesues i komisionit. Me të vërtetë nuk ka një shpjegim tjetër, sepse kjo për mua do të ishte personalisht një dështim i sistemit në të cilin besoj tash e 20 vjet. Por ju kujtoj që në janar i kam mbushur 20 vjet që merrem me politikë dhe unë besoj që sistemi ka një perspektivë, por ky faktori i kapaciteteve njerëzore është gjithmonë sfidues për ne”, tha ai.

  • IKShPK apelon për vaksinim: Fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze

    IKShPK apelon për vaksinim: Fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka thënë se fruthi është një sëmundje ngjitëse që mund të shkaktojë komplikime serioze, por mund të parandalohet përmes vaksinimit.

    Përmes, një postimi në rrjetin social Facebook, IKSHPK ka njoftuar se ka përgatitur përgjigje për pyetjet më të shpeshta rreth fruthit dhe vaksinës MMR.

    Postimi i plotë:

    Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë komplikime serioze, por mund të parandalohet në mënyrë efektive përmes vaksinimit.

    Për të ndihmuar prindërit dhe kujdestarët të marrin informata të sakta dhe të bazuara në evidencë shkencore, IKShPK ka përgatitur përgjigje për pyetjet më të shpeshta rreth fruthit dhe vaksinës MMR.

    Në këtë material do të gjeni informata për:

    • si përhapet fruthi;

    • simptomat dhe komplikimet e tij;

    • sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës MMR;

    • orarin e vaksinimit sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë;

    • sqarime mbi mitet dhe keqinformimet më të shpeshta lidhur me vaksinën MMR.

    Ju ftojmë ta lexoni materialin dhe ta ndani me familjarët dhe miqtë, në mënyrë që sa më shumë prindër të informohen drejt dhe të kontribuojmë së bashku në mbrojtjen e fëmijëve dhe të komunitetit nga fruthi.

  • 12 ushtarakë të FSK-së përfundojnë trajnimin për sistemet moderne të komunikimit

    12 ushtarakë të FSK-së përfundojnë trajnimin për sistemet moderne të komunikimit

    Dymbëdhjetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses “Kursin e Komunikimit Niveli 2”, duke avancuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në përdorimin e sistemeve moderne të komunikimit ushtarak “Harris”.

    FSK ka bërë të ditur se gjatë këtij trajnimi, kursantët janë aftësuar në konfigurimin, instalimin, programimin dhe funksionalizimin e sistemeve të komunikimit “Harris”, të cilat përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura të vendeve partnere.

    Sipas njoftimit, pjesëmarrësit kanë zhvilluar aftësi praktike për përdorimin e këtyre sistemeve, të cilat mundësojnë komunikim të sigurt, të besueshëm dhe efikas gjatë operacioneve ushtarake, ushtrimeve dhe aktiviteteve të ndryshme taktike.

    “Sistemet Harris përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura të vendeve partnere dhe kontribuojnë në ndërveprueshmërinë ndërmjet njësive dhe partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Forca e Sigurisë së Kosovës theksoi se realizimi i këtij kursi është një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit të komunikimit, si dhe në forcimin e aftësive operacionale, duke siguruar mbështetje më efikase për komandimin dhe kontrollin në të gjitha nivelet e operacioneve.

  • Në Monako nis kërkimi pas plagosjes së një oligarku ukrainas dhe familjes së tij me bombë

    Në Monako nis kërkimi pas plagosjes së një oligarku ukrainas dhe familjes së tij me bombë

    Një kërkim njerëzish është duke u zhvilluar në Francën jugore pasi një bombë me pako shpërtheu në një ndërtesë banimi në Monakon fqinje, duke plagosur rëndë një biznesmen të pasur ukrainas.

    Vadym Yermolaiev, gruaja e tij dhe djali i tyre 13-vjeçar u plagosën të gjithë në sulm, raportojnë mediat franceze, dhe po trajtohen në një spital në Nisë. Yermolaiev dhe partnerja e tij janë në gjendje kritike, thonë ata.

    Shpërthimi ndodhi pak para orës 21:00 në një ndërtesë apartamentesh në Rue Révérend Père Louis Frolla, pranë kufirit me Francën.

    Qeveria e Monakos tha se shpërthimi u shkaktua nga një bombë me pako, transmeton Telegrafi.

    Ministri i shtetit të Monakos, Christophe Mirmand, i tha transmetuesit francez BFM TV se i dyshuari “duket se është larguar për në Francë”.

    Qeveria e Monakos tha se një i dyshuar u pa në një sistem mbikëqyrjeje me video duke ikur drejt komunës franceze Beausoleil në këmbë pas shpërthimit, ku tani ka një përpjekje të madhe policore për ta gjetur atë.

    Pamjet e kamerave të sigurisë të momenteve para sulmit treguan një burrë që hidhte një çantë shpine në hollin e një ndërtese pak para shpërthimit, raportoi gazeta franceze Le Figaro.

    Mirmand i tha agjencisë së lajmeve AFP se pajisja shpërthyese dukej se përmbante bulona dhe fishekë.

    Më shumë se 100 policë dhe personel emergjence u vendosën në vendin e shpërthimit të hënën në mbrëmje.

    Harri Richie, e cila jeton rreth 100 metra larg ndërtesës së synuar, i tha BBC-së se dëgjoi një “shpërthim tepër të lartë” rreth orës 21:00 nga parkingu nëntokësor ku ndodhej.

    Pastaj ajo u ngjit në apartamentin e saj në katin e 11-të, ku tha se pa shërbimet e emergjencës “duke nxjerrë dy persona [nga ndërtesa] që dukeshin rëndë të plagosur”.

    Shërbimet e emergjencës mbërritën rreth pesë minuta pas shpërthimit, tha ajo, duke shtuar se kishte një helikopter sipër kokës gjatë gjithë natës së hënë.

    “Kjo është hera e parë në histori, sipas njohurive të mia, që një akt i tillë ka ndodhur në principatë”, tha Mirmand, kreu i qeverisë së Monakos.

    Princi Albert II i Monakos e përshkroi incidentin si një “krim të shëmtuar” dhe “një tronditje për të gjithë komunitetin e Monakos”.

    Ai tha se “të gjitha shërbimet shtetërore përkatëse janë duke u mobilizuar aktualisht” në bashkëpunim me autoritetet përkatëse franceze.

    Yermolaiev është një zhvillues i pasur 58-vjeçar i pasurive të patundshme nga Dnipro, qyteti i katërt më i madh i Ukrainës, i cili ka jetuar në Monako.

    Ai tani është shtetas qipriot pasi hoqi dorë nga shtetësia e tij ukrainase në vitin 2019.

    Ai ka interesa të mëdha në biznesin e verës dhe alkoolit në Krimenë e aneksuar nga Rusia, dhe që nga viti 2023 ka qenë subjekt i sanksioneve të vendosura nga qeveria në Kiev.

    Ai u emërua ukrainasi i 39-të më i pasur nga revista Forbes në vitin 2020, me një pasuri prej 230 milionë dollarësh. /Telegrafi/

  • Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional

    Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas Samitit të NATO-s në Ankara, duke vlerësuar se Kosova është penalizuar me mosmarrjen e ftesës për të marrë pjesë.

    Sipas Hazirit, mungesa e ftesës është pasojë e krizës së brendshme politike dhe mungesës së stabilitetit institucional.

    “Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s në Ankara. Pa dyshim, mosardhja e ftesës ndodhi si pasojë e mungesës së stabilitetit institutucional”, ka shkruar Haziri.

    Ai ka shtuar se zhvillimet ndërkombëtare po ecin me ritëm të shpejtë, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me kriza të brendshme.

    “Bota po ndryshon, por jo ne. Në qarkun e mbyllur vicioz e me kriza politike”, është shprehur ai.

    Haziri u bëri thirrje akterëve politikë për reflektim dhe bashkëpunim, duke theksuar se vetëm përmes proceseve politike mund të arrihet normalizimi dhe stabiliteti institucional.

    “Është koha e fundit për reflektim të thellë. Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën. Republika mbi të gjithë!”, përfundoi Haziri. /Telegrafi/

  • ShBA-të do të qëndrojnë me aleatët evropianë në mbrojtje të vendeve baltike, thotë gjenerali amerikan

    ShBA-të do të qëndrojnë me aleatët evropianë në mbrojtje të vendeve baltike, thotë gjenerali amerikan

    Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah aleatëve të tyre evropianë në mbrojtjen e vendeve baltike, tha të martën komandanti amerikan i forcave tokësore të NATO-s në Evropë, ndërsa aleanca caktoi një seli shtesë në rajon.

    “Ju jeni gati të bëni më shumë dhe fjalët t’i pasoni me vepra, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë aty përkrah jush”, tha gjenerali amerikan Chris Donahue në një ceremoni në qytetin estonez të Valgës.

    “Kështu ndërtohet parandalimi: Jo me fjalë nga një podium, por me çizme në baltë”.

    Donahue, i cili do të heqë dorë nga posti i tij të enjten, shërben edhe si shef i ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë.

    Trupat e NATO-s në shtetet baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, dhe në Poloninë veriore, deri më tani kanë qenë nën komandën e një selie të vetme shumëkombëshe me seli në qytetin veriperëndimor polak të Szczecin.

    Krijimi i një zone të dytë komande i lejon aleancës t’u kushtojë më shumë trupa shteteve baltike. Për momentin, dy divizione shumëkombëshe në Estoni dhe Letoni do të jenë nën komandën e Korpusit Gjerman-Holandez me bazë në qytetin gjerman të Muensterit.

    NATO ka thënë se Rusia, e cila pushtoi Ukrainën në vitin 2022, mund të ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë në territorin aleat që në vitin 2029 nëse vazhdon të armatoset siç është tani. Kremlini i mohon këto plane.

    Presioni mbi Evropën për të rritur mbrojtjen e saj është shtuar pas kritikave nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili akuzon bllokun se nuk po përdor peshën e tij ushtarake.

  • Haxhiu pret në takim Valentina Supertin, diskutojnë për reformat evropaine

    Haxhiu pret në takim Valentina Supertin, diskutojnë për reformat evropaine

    U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë.

    Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për zhvillimin e vendit dhe theksoi se Kosova e ka kthyer këtë mbështetje në institucione demokratike, në reforma dhe në një orientim të qartë evropian, i cili gëzon mbështetje shumë të lartë qytetare.

    Ajo theksoi se Kosova ka mbajtur kurs të qartë në reformat evropiane, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, dhe po i zbaton me seriozitet obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes.

    Ajo kërkoi që progresi i Kosovës të marrë përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian përmes avancimit drejt statusit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit.

    U.D. Presidentja Haxhiu theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe të bashkëpunimit të barabartë rajonal, ku Kosova duhet të trajtohet me të njëjtën mundësi për përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët.

  • “Festojmë me miqtë tanë kosovarë”, ambasada amerikane gati për festën e 250-vjetorit të pavarësisë

    “Festojmë me miqtë tanë kosovarë”, ambasada amerikane gati për festën e 250-vjetorit të pavarësisë

    Ambasada amerikane në Prishtinë është bërë gati për t’i pritur të ftuarit që do të marrin pjesë në kremten e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

    Për festën që do të shënohet në kryeqytetin e Kosovës, ambasada amerikane ka shpërndarë pamje nga ambientet e saj.

    Një prej elementeve që bie në sy është një flamur gjigant i SHBA-së i vendosur në pjesën ballore të ndërtesës së ambasadës.

    Advertisement

    Gjithashtu, në pjesët e tjera bashkë me flamuj amerikanë, janë edhe ata të Kosovës.

    Aty është bërë gati edhe pjesa e foltores, në të cilën do të mbahen fjalime.

    “Festojmë me miqtë tanë kosovarë”, është njëra nga pjesët e përshkrimit të postimit të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

  • Sir Geoffrey Nice: Gjykata Speciale pasqyron objektiva të fshehta politike

    Sir Geoffrey Nice: Gjykata Speciale pasqyron objektiva të fshehta politike

    Sir Geoffrey Nice, një nga juristët më me nam britanez, që ka shërbyer edhe si ish-prokurori i diktatorit serb Slobodan Milosevic, pranë Tribunalit të Hagës për krime lufte, këto ditë ka viziuar Prishtinën ku morri pjesë në konferencën “Urat e Kujtimit”.

    Në një shkrim të botuar në fletushkën online te konferencës, Sir Geoffrey shpalos kujtimet e tija rreth gjykatës, duke rikujtuar një polemikë me juristë, ku avokati britanez thotë se Specialja është krijuar kryekëput nga presioni i vazhdueshëm nga BE dhe SHBA.

    Sipas Nice: “në një ndërhyrje të mëvonshme lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC), korrigjova një folës që kishte pohuar se kjo gjykatë ishte themeluar si rezultat i një vendimi sovran të Kuvendit të Kosovës. I rikujtova të pranishmëve se përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, në realitet, u detyruan ta pranonin këtë gjykatë nën presion të vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.”

    Britanezi i cili për një kohë shërbeu edhe si këshilltar i Qeverisë së Kosovës përgjatë procesit të themelimit të Dhomave të Specializuara, sjell dëshmi për veprimet unilaterale të BE-së në draftimin e statutit fillestar: “si pjesë e ekipit negociues të Kosovës, kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë se Statuti i Dhomave të Specializuara nuk ishte, në asnjë kuptim domethënës, rezultat i një marrëveshjeje me Kosovën. Sapo negociatorët evropianë u përballën me kundërshtime thelbësore nga pala kosovare ndaj draft-statutit, diskutimet praktikisht u ndërprenë. Ajo që pasoi, sipas përvojës sime, ishte imponimi politik i një statuti të hartuar paraprakisht, i formësuar ekskluzivisht nga aktorët e BE-së dhe SHBA-së.”

    Nice vlerëson se “Kosova nuk pati zë real në miratimin e tij, megjithatë ishte Kosova ajo që pagoi çmimin e këtyre veprimeve të imponuara, pa asnjë siguri se proceset do të sjellin përfundimisht drejtësi apo do të krijojnë bazë për pajtim.”

    Më tutje, Nice shprej brengat se gjykata ka objektiva të fshehta politike: “Edhe më parë kam paralajmëruar publikisht se mënyra se si u krijua kjo gjykatë, duke filluar nga Raporti i Marty-t e tutje, dukej se pasqyronte objektiva të fshehta politike.”

    Sipas Nice, “ka qenë e vështirë të përcaktohen me saktësi këto objektiva, por Serbia dukej qartazi shteti që kishte më së shumti gjasa të përfitonte nga një gjykatë e imponuar në mënyrën se si u imponuan Dhomat e Specializuara, të përqendruara vetëm te një etni për luftën e viteve 1998–1999.”

    Duke iu referuar gjykimit të Thaçit, juristi që tashmë gëzon edhe titullin prestigjioz “Sir”, te dhuruar nga Mbretëresha Elizabetë, pajtohet me qëndrimet se aktakuza Prokurorisë kundër Thaçit dhe të tjerëve pasqyron një narrativë të përqendruar te interesat e Serbisë. Nice elaboron argumentet që ka dëgjuar dhe krahasimet midis Tribunalit të mëhershëm të Hagës dhe Dhomave të Specializuara: “Nuk kam pasur arsye të ndjek akuzat e ngritura në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve, dhe nuk e kam bërë këtë. Në konferencë dëgjova argumente se aktakuza e Prokurorisë kundër Thaçit dhe të tjerëve pasqyron një narrativë të përqendruar te Serbia dhe se karakterizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si një strukturë ushtarake e organizuar e angazhuar në një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale (Joint Criminal Enterprise) nuk mbështetet nga aktgjykimet e mëparshme të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Asgjë nga kujtesa ime mbi provat e paraqitura gjatë gjykimit të Millosheviqit, e as zhvillimet e mëvonshme, nuk më sugjeron se këto argumente janë të pasakta.”

  • Kapet i dyshuari për vrasjen e imamit në Dragash

    Kapet i dyshuari për vrasjen e imamit në Dragash

    Policia e Kosovës ka dhënë informacion shtesë lidhur me rastin e vrasjes së ndodhur në fshatin Zlipotok të Dragashit, ku është arrestuar i dyshuari kryesor.

    Lajmin për Periskopin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se pas veprimeve intensive operative-hetimore të ndërmarra pa ndërprerje, njësitet policore kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar për përfshirje në këtë rast.

    Në operacionin për kapjen e të dyshuarit janë angazhuar njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe përdorimin e dronit për vëzhgim nga ajri, si dhe njësinë K-9 me qen të trajnuar për kërkim.

    I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejme hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.