ATV

Author: G.O.

  • Gjendet mjet i dyshuar i pashpërthyer te varrezat e fshatit Burincë

    Gjendet mjet i dyshuar i pashpërthyer te varrezat e fshatit Burincë

    Një mjet i dyshuar i pashpërthyer është hasur mbrëmjen e së hënës në fshatin Burincë të Gjilanit, në afërsi të varrezave të fshatit.

    Sipas policisë, rasti është raportuar rreth orës 21:00 nga një dëshmitar, i cili ka njoftuar për praninë e mjetit të dyshuar në atë zonë.

    Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar perimetrin, ndërsa është njoftuar edhe njësiti për dominim.

    “Fsh. Burincë, Gjilan 30.06.2026 – 21:02. Një mashkull kosovar -dëshmitar ka raportuar se te varrezat e fshatit kishte hasur një mjetë të dyshuar të pashpërthyer. Njësiti policore është duke siguruar mjetin derisa njësiti për deminim të dalë në vendin e ngjarjes”.

  • Spanja përfundon qershorin e dytë më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë me gati 900 vdekje nga nxehtësia

    Spanja përfundon qershorin e dytë më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë me gati 900 vdekje nga nxehtësia

    Spanja e mbylli qershorin si muaji i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave të përkohshme nga Agjencia Shtetërore Meteorologjike (Aemet).

    Agjencia e ka përshkruar muajin si “jashtëzakonisht të nxehtë”, një kategori e rezervuar për episode jashtëzakonisht anormale, transmeton Telegrafi.

    Temperatura mesatare në Spanjën kontinentale ishte 23.2ºC, 3.2ºC mbi mesataren për periudhën 1991-2020. Vetëm qershori 2025, me një mesatare prej 23.6ºC, regjistroi vlera më të larta që nga fillimi i serisë historike të Aemet në vitin 1961.

    Vala e nxehtësisë që shënoi fundin e muajit theu gjithashtu disa rekorde ditore. 22 dhe 23 qershori ishin dy ditët më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në qershor që nga të paktën viti 1950.

    Agjencia e etiketoi episodin “të jashtëzakonshëm” për shkak të intensitetit, kohëzgjatjes dhe shtrirjes gjeografike, veçanërisht në veri të kontinentit, ku u thyen rekorde të shumta të temperaturës.

    Nxehtësia ekstreme pati gjithashtu një ndikim të rëndësishëm në shëndet. Sistemi i monitorimit të vdekshmërisë ditore për të gjitha shkaqet (MoMo), i cili mbikëqyret nga Ministria e Shëndetësisë, vlerëson përkohësisht rreth 900 vdekje që i atribuohen temperaturave të larta gjatë muajit. Më shumë se 600 prej këtyre vdekjeve ndodhën gjatë javës së valës së të nxehtit.

    Në pritje të përfshirjes së të dhënave përfundimtare për ditët e fundit të qershorit, sistemi kishte vlerësuar 892 vdekje deri të martën, duke e bërë këtë qershor të dytin me vdekshmërinë më të lartë të lidhur me të nxehtin që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2015.

    Sistemi MoMo nuk i numëron drejtpërdrejt vdekjet e certifikuara si të shkaktuara nga nxehtësia, por përkundrazi llogarit vdekshmërinë e tepërt duke krahasuar vdekjet e vëzhguara me ato të pritura për secilën periudhë dhe duke i lidhur ato me episode të temperaturave potencialisht të rrezikshme.

    Vala e të nxehtit që preku pjesën më të madhe të kontinentit dhe Ishujve Balearik midis 22 dhe 24 qershorit është pjesë e një trendi gjithnjë e më të qartë. Valët e të nxehtit tani jo vetëm që janë më të shpeshta dhe intensive, por ato gjithashtu mbërrijnë më herët gjatë vitit dhe zgjasin gjatësinë e verës.

    Të dhënat e Aemet tregojnë se midis viteve 1975 dhe 2000 vetëm dy valë të nxehti u regjistruan në qershor në Spanjën kontinentale. Midis viteve 2000 dhe 2025 kjo shifër u rrit në dhjetë.

    Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me ngrohjen globale të shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë që rrjedhin kryesisht nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile.

    Fakti që dy qershorët më të ngrohtë në serinë historike kanë qenë dy të fundit pasqyron një trend që është i dukshëm edhe në të gjithë botën, ku rekordet e temperaturave janë gjithnjë e më të shpeshta dhe vitet e fundit renditen ndër më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë. /Telegrafi/

  • Kurti: Paga minimale që nga sot 500 euro, përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat

    Kurti: Paga minimale që nga sot 500 euro, përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 500 eurosh, duke e cilësuar këtë si një sukses të qeverisë së tij.

    Ai theksoi se paga minimale kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë, ndërsa gjatë mandatit të qeverisë së tij, sipas tij, ajo është rritur katër herë, nga 130/170 euro në 250 euro, më pas në 350, 425 dhe tashmë në 500 euro.

    Kurti u shpreh se nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat, duke shtuar se me qeverisjen e tij është arritur trefishimi i pagës minimale.

    “Pra, për më shumë se një dekadë para qeverisjes tonë paga minimale ishte e ultë dhe e pandryshueshme. Ndërkaq për më pak se gjysmë dekade me ne, kemi trefishim të pagës minimale. Rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Republikës sonë do ta përcjellim gjithnjë me shtim të mirëqenies për të gjithë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Djali i Jakup Krasniqit: Vërtet na janë vjedhur 2049 ditë, por nuk do të mund të na e vjedhin kurrë të vërtetën

    Djali i Jakup Krasniqit: Vërtet na janë vjedhur 2049 ditë, por nuk do të mund të na e vjedhin kurrë të vërtetën

    Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi ka reaguar përmes Facebook rreth mbajtjes në Hagë të ish-ushtarëve të UÇK-së.

    Përmes një postimi në Facebook, deputeti i PDK-së tha se nga 4 nëntori i vitit 2020 kanë kaluar 2049 ditë.

    Ai i cilësoi këto ditë si ‘të vjedhura’, teksa shtoi se pritjes po i vie fundi.

    “Vertet na jane vjedhur 2049 dite, por nuk do të mund të na e vjedhin kurrë të vërtetën. E ndersa pritjes po i vie fundi, kam vetem nje gje per te thene: Çlirimtarët kanë qenë, janë dhe do të mbeten heronj”, ka shkruar ai.

  • Kurti: Këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, i erdhi ndihma amerikane

    Kurti: Këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, i erdhi ndihma amerikane

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mori pjesë në kremten e djeshme të Ambasadës së SHBA-së, për nder të 250-vjetorit të pavarësisë.

    Duke ndarë fotografi nga pritja dhe nën shoqërinë e të ngarkuarës me punë në ambasadë, Anu Prattipati, Kurti shkroi se jetësimi i vlerave të jetës, lirisë dhe lumturisë së popullit tonë, janë të lidhura me SHBA-në.

    “Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme”, shkroi Kurti.

    Postimi i plotë:

    250 vjet!

    Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë, janë të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e të drejtave të patjetërsueshme, si themel i qeverisjes që krijohet me miratimin e popullit.

    Derisa bota e civilizuar është frymëzuar nga këto vlera, populli ynë për kohë shumë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta. E në këtë mes, përjetimi ynë është unik sepse për ne jetësimi i këtyre vlerave dhe të drejtave është i lidhur ngushtë me ShBA-të. Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane.

    Mbrëmë isha i nderuar të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së ShBA-ve në ambasadën amerikane në kryeqytetin e Republikës sonë. Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme.”

  • Kurti i kërkon BE-së t’i përgjigjet vullnetit të popullit të Kosovës për anëtarësim

    Kurti i kërkon BE-së t’i përgjigjet vullnetit të popullit të Kosovës për anëtarësim

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i përgjigjet vullnetit të qytetarëve të Kosovës për integrim evropian duke avancuar vendin drejt statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.

    Këtë kërkesë Kurti e bëri gjatë takimit me drejtoreshën për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Kosovë.

    Sipas Kurtit, Bashkimi Evropian mbetet një partner i rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës, ndërsa anëtarësimi në BE është synim strategjik i vendit.

    “Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t’i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë”, ka shkruar Kurti.

    Ai theksoi se Kosova vazhdon të renditet ndër vendet më të avancuara në rajon në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, të drejtave politike dhe lirive civile, si dhe në indeksin e zgjedhjeve dhe demokracive liberale.

    Gjatë takimit me Supertin u diskutua edhe për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, integrimin e Kosovës në zonën “Roam Like at Home”, Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe përfaqësimin e barabartë, si dhe për zhvillimin e infrastrukturës, tregtisë, digjitalizimit dhe arsimit.

  • E rëndë në Ferizaj: 71-vjeçarja bie në bunar dhe humb jetën, trupi nxirret nga zjarrfikësit

    E rëndë në Ferizaj: 71-vjeçarja bie në bunar dhe humb jetën, trupi nxirret nga zjarrfikësit

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së martës në fshatin Koshare të Ferizajt, ku një grua 71-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë në një bunar.

    Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 13:00.

    “Sot rreth orës 13:00, Stacioni Policor në Ferizaj ka pranuar një informatë se një person i gjinisë femërore kishte rënë në një pus (bunar) në fshatin Koshare. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policët e stacionit, hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë. Një njësi e Brigadës së Zjarrfikësve ka ndërhyrë aty dhe ka nxjerrë trupin nga pusi. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i Emergjencës së Ferizajt, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, 71 vjeçe”, deklaroi Veseli.

    Sipas Policisë, për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore.

    Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për kryerjen e autopsisë.

  • I la fëmijët të mbyllur në veturë në vapë, nëna gjobitet me 300 euro në Prizren

    I la fëmijët të mbyllur në veturë në vapë, nëna gjobitet me 300 euro në Prizren

    Një grua është gjobitur me 300 euro në Prizren pasi që i kishte lënë fëmijët e mitur të mbyllur në veturë në parkingun pranë një qendre tregtare.

    Sipas policisë, fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia.

    “Më datë 27.06.2026, rreth orës 17:50, Policia ka pranuar informacion se në një veturë të parkuar në një qendër tregtare në Prizren ndodheshin disa fëmijë të mbyllur brenda, të rraskapitur nga i nxehti, duke qenë se temperaturat ishin shumë të larta. Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje dhe me ndihmën e shufrës metalike ka hapur automjetin. Fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia”.

    Sipas njoftimit, në vendngjarje është paraqitur edhe e ëma e tyre. Për shkak të moskujdesit ndaj të fëmijëve, policia i ka shqiptuar gjobë prej 300 euro, sipas kundërvajtjes “Moskujdes ndaj të miturit”.

    “Duke marrë parasysh se tani në stinën e verës temperaturat janë shumë të larta, Policia apelon për kujdes të shtuar, sidomos ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave të sëmurë. Në asnjë rast nuk duhet të lihen fëmijët të mbyllur në automjet, pasi pasojat mund të jenë fatale”, tha policia në njoftim.

  • OKB: Epidemia e Ebolës mund t’i kushtojë Afrikës deri në 3.6 miliardë dollarë

    OKB: Epidemia e Ebolës mund t’i kushtojë Afrikës deri në 3.6 miliardë dollarë

    Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se shpërthimi aktual i Ebolës mund t’i kushtojë ekonomisë afrikane deri në 3.6 miliardë dollarë dhe të shkatërrojë qindra mijëra vende pune, duke u përshkallëzuar në një krizë serioze zhvillimi.

    “Nëse kemi burimet dhe ndërmarrim hapa, mund ta përmbajmë këtë epidemi dhe të parandalojmë humbje të mëtejshme”, tha Damien Mama, Përfaqësues i Përhershëm i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Republikën Demokratike të Kongos.

    Ai theksoi se përndryshe kriza shëndetësore mund të shndërrohet në një krizë zhvillimi shumë më të thellë dhe të zgjatur në të gjithë rajonin, por edhe në nivelin e të gjithë kontinentit, raporton Reuters.

    Republika Demokratike e Kongos tha se numri i rasteve të konfirmuara të Ebolës në vend kishte arritur në 1,307, përfshirë 377 vdekje.

    Sipas të dhënave zyrtare, raste të infeksionit u regjistruan në provincat Ituri, Kivu Veriore dhe Kivu Jugore.

    Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se rreziku i përhapjes së mëtejshme ndërkombëtare të sëmundjes vlerësohet si i ulët për momentin, por theksoi se situata kërkon monitorim të kujdesshëm.

  • Parandalohet futja e telefonave të kontrabanduar në Burgun e Dubravës

    Parandalohet futja e telefonave të kontrabanduar në Burgun e Dubravës

    Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë të ditur se ka parandaluar një tentim për futjen e kontrabandës në Qendrën Korrektuese të Dubravës gjatë një kontrolli rutinor të një vizitori.

    Sipas njoftimit të SHKK-së, gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët korrektues kanë gjetur të kamufluara në trupin e vizitorit dy telefona mobilë, një kartelë SIM dhe dy kabllo mbushëse.

    Pajisjet e gjetura janë konfiskuar menjëherë, ndërsa vizita është anuluar.

    SHKK ka bërë të ditur se ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë procedurat e mëtejshme në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

    Shërbimi Korrektues ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe integritetit brenda institucioneve korrektuese.