ATV

Author: G.O.

  • Mbyllet afati i katërt për përmbushjen e reformave nga Plani i Rritjes, KE do të dalë me një vlerësim

    Mbyllet afati i katërt për përmbushjen e reformave nga Plani i Rritjes, KE do të dalë me një vlerësim

    Dita e fundit e muajit qershor ishte afati përfundimtar në kuadër të periudhës së katërt raportuese për vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i përmbushur reformat e parashikuara nga Plani i Rritjes për këto vende.

    Tani, këto vende kanë afat deri më 15 korrik për t’i dorëzuar raportet mbi hapat e zbatuar të reformave.

    Komisioni Evropian (KE) më pas do të vlerësojë përmbushjen e tyre dhe do të vendosë për pagesat përkatëse për secilin vend.

    Megjithatë, zyrtarët e KE-së theksojnë se të hollat ndahen vetëm pasi të jetë vlerësuar se reformat nga agjendat e reformave të vendeve përkatëse janë zbatuar në të vërtetë.

    “Instrumenti për reforma dhe rritje bazohet në performancë dhe fondet paguhen vetëm kur reformat zbatohen plotësisht”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Tashmë po shohim përparim të rëndësishëm: 78 për qind e reformave në tri rundet e para të raportimit tregojnë ose sukses të plotë, ose të paktën njëfarë përparimi, ndërsa vetëm 22 për qind janë të bllokuara”, shtoi zëdhënësi.

    Mjetet financiare nga Plani i Rritjes janë të kufizuara në kohë. Nëse vendet përfituese nuk i përmbushin kushtet, përkatësisht nuk zbatojnë reformat e parashikuara në agjendat e reformave, Komisioni Evropian ka të drejtë t’i mbajë fondet e destinuara për këta hapa reformues.

    Këto fonde, sipas rregullave të Planit të Rritjes, mund të rishpërndahen te vendet që arrijnë rezultate më të mira në zbatimin e reformave.

    Sipas Mercier, vendet përfituese kanë një vit kohë për t’i përmbushur kushtet përpara se fondet të rishpërndahen.

    Kosova pritet t’i humbë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes për shkak të moszbatimit të reformave me kohë, tha të mërkurën kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj.

    Përveç kësaj, 30 qershori shënoi përfundimin e të ashtuquajturës periudhë “grejs”, pra kohës shtesë, që Komisioni Evropian kishte miratuar për hapat reformues që fillimisht duhej të përfundonin në mesin e vitit 2025. Për hapat reformues me afate në fund të 2024 dhe në fund të 2025, periudhat përkatëse shtesë përfundojnë më vonë gjatë vitit 2026.

    “Siç është theksuar në Rregullore, kur hapat reformues nuk përmbushen as pas përfundimit të periudhës së grejsit, fondet përkatëse mund të rishpërndahen te përfituesit e tjerë. Kur bëhet fjalë për hapat me afat 30 qershor 2026, Komisioni tani do të kryejë një vlerësim gjithëpërfshirës dhe objektiv të të gjithë përfituesve”, deklaroi zëdhënësi i KE-së.

    Ai, në emër të Komisionit Evropian, u bëri thirrje vendeve të rajonit të intensifikojnë përpjekjet në mënyrë që reformat të zbatohen në kohë para periudhave të ardhshme raportuese.

    “Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit në mënyrë që të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që ofron Plani i Rritjes”, tha Mercier.

    Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut vlerësohen si shtetet më të përparuara në zbatimin e agjendave të reformave.

    Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Evropian, Shqipëria ka zbatuar 33 hapa reformues në tri ciklet e para dhe deri tani ka marrë më shumë se 212 milionë euro nga Plani i Rritjes.

    Kosova deri tani nuk ka zbatuar asnjë hap reformues, prandaj ka marrë vetëm fonde të parafinancimit – mbi 61 milionë euro, që përbëjnë 7 për qind të shumës totale të destinuar për këtë vend.

    Mali i Zi ka zbatuar 32 hapa reformues, për të cilët i janë paguar gati 90 milionë euro.

    Maqedonia e Veriut ka marrë më shumë se 142 milionë euro pasi ka përmbushur 22 hapa reformues.

    Serbia gjatë tre periudhave të para raportuese ka zbatuar tre hapa reformues, mbi bazën e të cilëve Komisioni Evropian ka miratuar pagesa prej më shumë se 167 milionë euro.

    Bosnje e Hercegovina ndodhet në pozitën më të vështirë. Jo vetëm që nuk ka marrë asnjë euro nga Plani i Rritjes, por vitin e kaluar humbi 108 milionë euro për shkak të vonesave në dorëzimin e Agjendës së saj të Reformave.

    Buxheti i përgjithshëm i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është 6 miliardë euro për periudhën 2024–2027. Nga kjo, 2 miliardë janë grante, ndërsa 4 miliardë janë kredi me kushte të favorshme.

    Fondet janë shpërndarë sipas dy kritereve bazë – numrit të popullsisë dhe bruto produktit të brendshëm.

    Komisioni Evropian i ka kombinuar këta tregues për të përcaktuar një formulë proporcionale të shpërndarjes midis gjashtë përfituesve, duke siguruar që vendet më të mëdha të marrin më shumë në total, por duke marrë parasysh edhe nevojat e tyre ekonomike.

    Sipas këtyre kritereve, Kosovës i takojnë 882 milionë euro, Serbisë 1.5 miliard euro, Bosnje e Hercegovinës 976 milionë euro, Shqipërisë 922 milionë euro, Maqedonisë së Veriut 750 milionë euro dhe Malit të Zi 383 milionë euro./REL

  • Zjarr masiv në jug të Francës, flakët djegin mbi 800 hektarë

    Zjarr masiv në jug të Francës, flakët djegin mbi 800 hektarë

    Zjarrfikësit po luftojnë me një zjarr të madh që po përhapet me shpejtësi në Aude, në Francën jugore, pasi flakët u përhapën nga Herault dhe dogjën më shumë se 800 hektarë gjatë natës.

    Pamjet tregojnë flakët që kalojnë me shpejtësi në shpatin e një kodre, tym të dendur që ngrihet në qiell dhe aeroplanë e ekipe tokësore që luftojnë me zjarrin.

    Zjarrfikësit shihen pranë ‘vijës së frontit’ ndërsa operacioni vazhdon.

    Zjarri shpërtheu në departamentin e Herault të mërkurën pasdite përpara se të përhapej me shpejtësi në Aude, i nxitur nga kushtet e thatësirës dhe erërat e forta.

    Sipas përditësimit të fundit, më shumë se 800 hektarë ishin djegur.

    Ekipet nga të dy departamentet mbeten në vendngjarje ndërsa punojnë për të ngadalësuar përparimin e flakëve dhe për të siguruar zonat e djegura. /Telegrafi/

  • Pas sulmeve në Kiev, BE-ja paralajmëron sanksione kundër prodhuesve rusë të dronëve

    Pas sulmeve në Kiev, BE-ja paralajmëron sanksione kundër prodhuesve rusë të dronëve

    Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka dënuar sulmet ruse gjatë natës ndaj Kievit, duke paralajmëruar se do të propozojë sanksione të reja ndaj Rusisë.

    Ajo tha se sot, më 2 korrik, do të propozojë sanksionimin e më shumë subjekteve të industrisë ushtarake ruse në përgjigje të sulmeve.

    Sanksionet e reja do të synojnë kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë, përfshirë kompanitë që prodhojnë pjesë për dronët Shahed dhe Geran.

    “Vetëm fjalët nuk do t’i ndalin sulmet ndaj Kievit. Vetëm mbështetja e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe presioni në rritje ndaj Moskës mund ta bëjnë këtë”, tha Kallas.

    Duke iu përgjigjur deklaratave të saj, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se Rusia do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj “regjimit të Kievit” për të arritur objektivat e saj.

  • Sulmi rus në Kiev: Thellohet numri i të vrarëve, arrin në 17

    Sulmi rus në Kiev: Thellohet numri i të vrarëve, arrin në 17

    Numri i të vrarëve nga sulmi rus në Kiev tashmë ka shkuar në 17.

    Kjo u bë e ditur nga Shërbimet e Emergjencës në Ukrainë, raporton The Guardian.

    Viktimat erdhën si pasojë e sulmit të madh gjatë natës të mërkurën ku cak ishte kryeqyteti i shtetit që po luftohet nga Rusia, ku fillimisht u konfirmuan 13 të vdekur.

    Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi mëngjesin e së enjtes se qyteti ishte nën sulm me raketa balistike dhe dronë, ndërsa shpërthime dëgjoheshin në gjithë qytetin.

    Ai u bëri thirrje banorëve të qëndronin në strehimore.

    Rusia e godet Kievin me sulme vdekjeprurëse me raketa dhe dronë

     

  • Dy raste të dhunës në familje raportohen në Pejë, një grua mori trajtim mjekësor pas sulmit të dyshuar

    Dy raste të dhunës në familje raportohen në Pejë, një grua mori trajtim mjekësor pas sulmit të dyshuar

    Dy raste të ndara të dhunës në familje janë raportuar të enjten në rajonin e Pejës.

    Sipas Policisë, në rastin e parë një burrë dyshohet se ka kanosur një person.

    Në rastin e dytë, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshjeje.

    Ajo ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar për trajtim nën mbikëqyrjen e Policisë.

  • 51 aksidente trafiku për 24 orë në Kosovë, ndërsa Policia shqipton mbi 2 mijë e 200 gjoba

    51 aksidente trafiku për 24 orë në Kosovë, ndërsa Policia shqipton mbi 2 mijë e 200 gjoba

    51 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku 27 prej tyre kanë përfunduar me të lënduar dhe 24 me dëme materiale.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, për 24 orë janë shqiptuar 2 mijë e 286 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 14 persona, 12 janë dërguar në mbajtje dhe dy në vuajtje të dënimit.

  • Tensione edhe sot para Parlamentit në Shqipëri, arrestohen pesë persona

    Tensione edhe sot para Parlamentit në Shqipëri, arrestohen pesë persona

    Sot në orën 10:00 është zhvilluar organizimi i radhës nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij.

    Qytetarët janë mbledhur para Parlamentit, aty ku pritet të mbahet edhe seanca e radhës plenare njëkohësisht.

    Siç raportohet edhe ditën e sotme ndodhen incidente duke qëlluar më vezë. Ndërkohë, janë shoqëruar 5 persona.

    Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.

    Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.

    Punonjësit e policisë arrestuan disa persona për shkak të këtyre incidenteve. Gjithashtu protestuesit hodhën akuza dhe bënë thirrje kundër deputetëve. Ata hodhën edhe vezë në drejtim të mjeteve të tyre.

    Siç raporton Euronews, deputeti i PS-së, Ramion Kurti është qëlluar me vezë.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin e vrasjes së imamit në Dragash

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin e vrasjes së imamit në Dragash

    Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit B.H. për vrasjen e imamit në Dragash, si dhe një muaj paraburgim ndaj babait të tij, I.H.

    Derisa për të parin gjykata tha se dyshohet për veprën penale “vrasja e rëndë”, duke e përshkruar si privim nga jeta personin tjetër në “mënyrë mizore apo dinake”, për të dytin tha se ai dyshohet për veprën penale “mosdhënia e ndihmës”.

    Gjykata tha se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

    I pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave viktima G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

    “Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thotë gjykata.

    Gjyqtarja e procedurës paraprake, në bazë të provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, duke gjetur si të bazuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale nga të pandehurit, vlerëson se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale.

    “Duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale të dyshohet se janë kryer, mënyrën dhe rrethanat ashtu që i dyshuari B.H., në mënyrë mizore apo dinake dyshohet të ketë goditur me thikë në shpinë dhe qafë viktimën ndjerin G.T., po ashtu duke shtuar faktin se i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është gjetur dhe arrestuar nga Policia, për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit në këtë fazë është e domosdoshme”.

    Masa e paraburgimit është e arsyeshme dhe ligjore, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës hetimore, nxjerrjen e provave materiale, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe të të dyshuarve, dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve para institucioneve të drejtësisë me qëllim të zbardhjes së ngjarjes, si dhe parandalimit të arratisjes së të dyshuarve, Gjyqtarja ka vlerësuar se masa tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të dyshuarve dhe rrjedhën e papenguar të fazës hetimore, përfundon gjykata.

  • Rusia e godet Kievin me sulme vdekjeprurëse me raketa dhe dronë

    Rusia e godet Kievin me sulme vdekjeprurëse me raketa dhe dronë

    Të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe 50 të tjerë janë plagosur, përfshirë fëmijë, si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë rusë gjatë natës ndaj kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, njoftuan autoritetet e qytetit të enjten.

    “Pati disa goditje të drejtpërdrejta shkatërruese ndaj ndërtesave të banimit”, tha të enjten kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po nxjerrin nga rrënojat të mbijetuar dhe trupa të viktimave.

    “Nëntë viktima janë konfirmuar deri tani, ndërsa raportimet për disa viktima të tjera të mundshme ende po verifikohen, ndërkohë që operacionet e shpëtimit vazhdojnë,” shtoi ai.

    Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi mëngjesin e së enjtes se qyteti ishte nën sulm me raketa balistike dhe dronë, ndërsa shpërthime dëgjoheshin në gjithë qytetin.

    Ai u bëri thirrje banorëve të qëndronin në strehimore, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, në disa lagje të qytetit u raportuan zjarre dhe dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit.

    “Në zonat e prekura janë angazhuar 570 shpëtimtarë dhe mbi 125 mjete të specializuara të shpëtimit”, thuhet në një njoftim të shërbimit në Telegram.

    Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, raportoi nga vendngjarja, duke treguar pasojat e sulmit të kryer gjatë natës ndaj një ndërtese banimi në lagjen Shuliavka të Kievit.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i ka dënuar ashpër sulmet ruse, duke i cilësuar ato si “krime të rënda lufte” dhe u ka bërë thirrje partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare për “përgjigje të fuqishme”.

    “Krimineli i luftës, Putin, është në gjendje të zhvillojë vetëm luftë të ulët dhe terroriste kundër civilëve, grave dhe fëmijëve”, shkroi Sybiha në një postim në X.

    Në mbrëmje para sulmit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për “një tjetër sulm masiv rus”, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës.

    Ai tha se po kthehej “menjëherë” në Ukrainë nga Irlanda, ku ndodhej për një vizitë zyrtare.

    Në rajonin e Kievit, të paktën tre njerëz u plagosën nga një tjetër sulm rus me dronë dhe raketa, njoftuan autoritetet rajonale të enjten.

    Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë të enjten se kreu sulm në shkallë të gjerë, duke përdorur armë precize me rreze të gjatë veprimi dhe dronë, në përgjigje të sulmeve të supozuara ukrainase ndaj infrastrukturës civile në Rusi, duke shënjestruar objektet e industrisë ushtarake, infrastrukturën energjetike në Kiev dhe rajonin e Kievit, si dhe infrastrukturën e aeroporteve ushtarake në disa rajone ukrainase.

    Ajo theksoi gjithashtu se forcat e mbrojtjes ajrore kanë kapur dhe rrëzuar 327 dronë ukrainas mbi territorin e Rusisë, përfshirë edhe mbi rajonet e Moskës dhe Leningradit.

    Ukraina mohon vazhdimisht se synon civilë apo infrastrukturë civile në Rusi, duke thënë se operacionet e saj ushtarake drejtohen vetëm kundër objektivave legjitime ushtarake, rrjeteve logjistike dhe infrastrukturës energjetike që furnizon makinerinë ushtarake ruse./REL

  • Samiti i ardhshëm i NATO-s në Shqipëri në dyshim për shkak të ngurrimit të ShBA-së dhe shpenzimeve të ulëta të mbrojtjes

    Samiti i ardhshëm i NATO-s në Shqipëri në dyshim për shkak të ngurrimit të ShBA-së dhe shpenzimeve të ulëta të mbrojtjes

    Teksa udhëheqësit e NATO-s po përgatiten për samitin në Turqi, që mbahet javën e ardhshme, planet e aleancës për samitin në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje.

    Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar nga burimet se Tirana nuk përmendet në draft-deklaratën për samitin e NATO-s – që mbahet në Ankara javën e ardhshme – si vend ku do të mbahet samiti i radhës.

    Ndërkaq, agjencia Reuters, duke u thirrur në burime, tha se mbajtja e samitit në Tiranë është vënë në pikëpyetje për shkak të rezistencës nga administrata amerikane dhe pakënaqësia në mesin e shteteve aleate me shpenzimet e ulëta për mbrojtje nga Shqipëria.

    Mospërmendja e Shqipërisë në draft-deklaratën vjen teksa anëtarët evropianë të NATO-s synojnë t’i dëshmojnë presidentit amerikan, Donald Trump, në Ankara se kanë bërë përparim sa i përket zotimeve për shpenzimet për mbrojtjen dhe synojnë të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë me udhëheqësin amerikan.

    Një nga burimet e Retuersit tha se shpenzimet për mbrojtje të Shqipëri janë të tilla sa po të mbahej samiti i NATO-s në këtë shtet më 2027, Trump mund të zemërohet.

    Një diplomat evropian tha se versioni i fundit i tekstit të deklaratës thekson se udhëheqësit mezi presin takimin e tyre të radhës, pa specifikuar kohën dhe vendin ku do të mbahet ky takim.

    “Draftet janë drafte, jo vendime”, tha një zëdhënës i Qeverisë shqiptare për Reuters kur u pyet për draft-deklaratën, për të cilën ende po negociohet dhe mund të pësojë ndryshime.

    Shtëpia e Bardhë nuk deshi të komentonte, ndërkaq një zyrtar i NATO-s tha se nuk do të komentojnë për këtë çështje tani.

    Në vitet e fundit, deklaratat zyrtare të samiteve të NATO-s kanë pasur referencë të qartë për vendin e samitit pasues. Në samitin në Hagë të mbajtur vitin e kaluar, udhëheqësit thanë në deklaratën e tyre se “mezi presim të takohemi në Turqi më 2026 dhe më pas në Shqipëri”.

    Në të njëjtin samit, udhëheqësit e NATO-s iu përgjigjën kërkesës së Trumpit që të zotohen për 5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në shpenzime të mbrojtjes brenda një dekade.

    Shtetet kanë premtuar se do të shpenzojnë 3.5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për çështjet bazë të mbrojtjes – si trupat dhe armët – ndërkaq 1.5 për qind në masa të tjera të lidhura me mbrojtjen, sikurse siguria kibernetike.

    Derisa shumë shtete të NATO-s kanë rritur buxhetet e tyre për mbrojtjen në muajt e fundit, disa shtete ende nuk e kanë përmbushur qëllimin paraprak të shpenzimeve për këtë fushë deri në 2 për qind.

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha më herët gjatë këtij muaji se pothuajse të gjitha shtetet e aleancës e kanë arritur synimin prej 2 për qind.

    “Vitin e kaluar, Shqipëria, Çekia, Sllovenia nuk e arritën këtë, por janë të përkushtuara që shpenzimet t’i rrisin mbi 2 për qind këtë vit”, tha ai.

    Qeveria e Shqipërisë tha në një deklaratë për Reutersin se po “finalizojmë masat e nevojshme fiskale për të harmonizuar shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe ato të lidhura me mbrojtjen për vitin 2026 në bazë të trajektores së dakorduar me aleatët e NATO-s në samitin e Hagës”.

    “Sapo këto masa të miratohen në ditët në vijim, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe ato të lidhura me mbrojtjen për vitin 2026 do të arrijnë në 2.6 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në përputhje me Metodologjinë e NATO-s për Shpenzimet e Mbrojtjes. Prej tyre, 2.2 për qind e BPB-së përfaqëson shpenzimet bazë për mbrojtjen, ndërsa 0.4 për qind përfaqëson shpenzime të tjera që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë”, u tha në deklaratë.

    Një diplomat evropian tha se Shqipëria ende mund të jetë mikpritëse e samitit.

    “Ata po i rrisin shpenzimet, të shohim se çfarë do të prodhojë kjo”, tha diplomati, duke shtuar se “unë ende besoj se samiti i radhës do të jetë në Shqipëri”./REL