ATV

Author: G.O.

  • Pasi Trump fitoi zgjedhjet në Amerikë, ky është reagimi i ministres Gërvalla

    Pasi Trump fitoi zgjedhjet në Amerikë, ky është reagimi i ministres Gërvalla

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren si president i ShBA-së.

    Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Gërvalla thotë: “Si aleat dhe mik i ngushtë, Kosova uron presidentin Donald Trump për fitoren në zgjedhjet e Amerikës”.

    “Ne mezi presim të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, u shpreh më tej ministrja.

  • Një person i del trenit përpara në Zahaq të Pejës, policia jep detaje

    Një person i del trenit përpara në Zahaq të Pejës, policia jep detaje

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Zahaq të Pejës, ku një person ka tentuar t’i japë fund jetës, duke i dalë përpara trenit në lëvizje.

    Sipas informacioneve të para, shoferi i trenit e ka vërejtur personin që i kishte dalë përpara trenit dhe ka arritur që ta ndalojë trenin, me ç’rast personi në fjalë ka shpëtuar pa lëndime.

    Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Sot rreth orës 12:35, Policia e Kosovës është njoftuar se gjersa treni po lëvizte nga Prishtina në Pejë, në fshatin Zahaq, një person ka tentuar t’i dalë trenit përpara, tek hekurudhat. Vozitësi i trenit e kishte vërejtur me kohë dhe ka ndaluar me kohë. Persona të lënduar nuk ka, njësitet kompentente kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai.

  • Osmani udhëton drejt Hungarisë, do të marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian

    Osmani udhëton drejt Hungarisë, do të marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Hungari, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), raporton Ekonomia Online.

    Takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian do të mbledhë liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti, në Budapest.

    Në këtë Samit, Presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Evropë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.

    Presidentja Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe do të mbajë dy fjalime, njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike.

    Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.

    “Gjatë qëndrimit në Budapest, Presidentja Osmani pritet të zhvillojë një takim edhe me mërgatën shqiptare në Hungari”, njofton Presidenca.

    Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë për të diskutuar çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti, nga siguria dhe migrimi te stabiliteti ekonomik dhe mjedisi. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe ta thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe jashtë saj.

  • Pijet me sheqer rrisin rrezikun e kancerit të zorrës së trashë

    Pijet me sheqer rrisin rrezikun e kancerit të zorrës së trashë

    Të rriturit që pinë pije me sheqer mund të jenë në një rrezik në rritje të zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë, pretendojnë studiuesit.

    Studimi, i cili përfshiu 116,500 infermiere nga viti 1991 në 2015, zbuloi se krahasuar me gratë që pinin më pak se një kanaçe në javë me pije të ëmbëlsuara me sheqer, ato që pinin dy ose më shumë në ditë kishin mbi dyfish rrezikun e zhvillimit kanceri kolorektal i shfaqjes së hershme.

    Shoqata Amerikane e Kancerit ka identifikuar disa faktorë të stilit të jetës të konsideruar si faktorë rreziku për kancerin kolorektal, duke përfshirë përdorimin e alkoolit, mbipesha, të mos qenit aktiv, pirja e duhanit dhe madje edhe lloje të caktuara të dietave, duke përfshirë ato me shumë mish të kuq dhe mish të përpunuar.

    Sidoqoftë, ka disa faktorë të tjerë që nuk mund të kontrollohen siç janë plakja, historia personale e polipeve kolorektale ose kanceri kolorektal, historia personale e sëmundjes inflamatore të zorrëve, disa sindroma të trashëguara dhe historia familjare.

    Diabeti tip 2 është shoqëruar gjithashtu me një rrezik në rritje të kancerit kolorektal.

    Në studimin e ri, ekipi hulumtues, nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Washington, në moshat 13 deri 18 vjeç, thuhet se secili shërbim ishte i lidhur me një rrezik 32% të rritur të zhvillimit përfundimisht të kancerit kolorektal para moshës 50 vjeç.

    Ekipi publikoi gjetjet e tyre më 6 maj në revistën Gut dhe tha se duhet të ketë më shumë mbështetje për përpjekjet e shëndetit publik që inkurajojnë njerëzit të ulin marrjen e sheqerit.

    “Kanceri i zorrës së trashë në të rriturit mbetet relativisht i rrallë, por fakti që normat janë rritur gjatë tre dekadave të fundit dhe ne nuk e kuptojmë pse është një shqetësim i madh për shëndetin publik dhe një përparësi në parandalimin e kancerit”, Yin Cao, ScD, një profesor i asociuar i kirurgjisë dhe autor i studimit të lartë, tha se: Për shkak të rritjes së kancerit kolorektal në moshat më të reja, mosha mesatare e diagnozës së kancerit kolorektal është ulur nga 72 në 66 vjeç. Këto kancere janë më të avancuar në diagnozë dhe kanë karakteristika të ndryshme krahasuar me kanceret nga popullatat e moshuara”.

    Në total, studiuesit gjetën 109 diagnoza të kancerit kolorektal të fillimit të hershëm midis gati 116,500 pjesëmarrësve. Cao tha se pavarësisht nga numri i vogël i rasteve ekziston “ende një sinjal i fortë” për të sugjeruar që marrja e sheqerit, veçanërisht më herët në jetë, po luan një rol në rritjen e normave të kancerit.

  • Opozita i reagon Muratit për Buxhetin e vitit 2025

    Opozita i reagon Muratit për Buxhetin e vitit 2025

    Partitë opozitare në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, kanë pasur kritika për buxhetin e vitit 2025, të cilët e quajtën buxhet me mungesë zhvillimi ekonomik dhe me ulje të investimeve kapitale, raporton Ekonomia Online.

    Derisa u prezantua të mërkurën në këtë komision, Murati ka thënë se Buxheti për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 3.6 miliardë eurosh.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar ministrin Murati për “ulje të investimeve kapitale dhe rritje të subvencioneve”.

    “Si ka mundësi që te çështjet te investimet kapitale se disa zëra buxhetor si Akademia e Drejtësisë, Agjencia e Navigimit Ajror e organizata tjera kanë zero buxhet për investime kapitale. Çka po ndodh me investimet kapitale që po barten nga viti në vit dhe investimet për këtë vit janë vetëm 8 për qind.

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka pasur kritika për bartje të projekteve nga viti në vit. Kritikë pati edhe për mosrealizim të projektit për ndërtimin e urës e Badocit.

    “Sot para vetës kemi ligjin për Buxhetin e vitit të ardhshëm dhe mund të them se është ligj me rendësi e veçantë sepse është zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarit. Nga ky buxhet mund të them se është përsëritje e viteve të kaluara. E kam të qartë se nuk po mund ti mbroni dikasteret. E shoh sa ka qenë produktive se sa ju ka shërbyer qytetareve. Kjo qeveri ka dikastere që kanë shpenzuar më së paku investime kapitale. Deri në shtator keni shpenzuar 11 për qind dhe nëse e marrim vitin paraprak sa keni shpenzuar buxhetin”.

    “Nëse dikush mund të mbahet mend për bartje të projekteve, është kjo Qeveri. Janë dikasteret r juaja dhe nuk do të kisha dashur të jem në lëkurën tuaj që t’i mbërrijë dikasteret. Sa çerdhe i keni ndërtuar kur keni premtuar 160 çerdhe. Çfarë vështirësie keni pas për me realizua ndërtimin e urës 36 metërshe për urën në Badoc”, u shpreh Lekaj.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, prezantoi premtimet që i ka realizuar Qeveria Kurti.

    “Unë këtë buxhet e konsideroj si tranzitor deri në qeverinë e ardhshme. Po i përmendi disa që janë prezantuar me të madhe po që ende nuk kanë filluar. Fondi Sovran, Vettingu, Banka Zhvillimore, Fondi për Sigurime Shëndetësore. Vlerësimi im është se keni abuzuar me të drejtat r juaja ligjore në menaxhim e parasë publike dhe buxhetit të shtetit. Për dy vite më radhë është vonuar alokimi i buxhetit nëpër komuna, mosrealizimi me kohë i shumë projekteve nëpër komuna është edhe për fajin e juaj”, ka deklaruar Hoti.

  • Rusia po mbledh dhjetëra mijëra trupa në Kursk, thotë Ukraina

    Rusia po mbledh dhjetëra mijëra trupa në Kursk, thotë Ukraina

    Rusia ka mbledhur rreth 45 mijë trupa në Kursk, si sinjal se mund të jetë duke e përgatitur një kundërofensivë për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni, tha komandanti i përgjithshëm ukrainas, gjenerali Oleksandr Syrskiy, më 6 nëntor.

    Ai shtoi se Moska po tenton gjithashtu ta forcojë efektivitetin e saj me ushtarë nga Koreja e Veriut.

    Komentet e Syrskiyt në rrjetet sociale erdhën të njëjtën ditë kur dhoma e sipërme e parlamentit të Rusisë, Këshilli i Federatës, ratifikoi një traktat me Phenianin që parashikon ndihmë ushtarake të ndërsjellë, një veprim që ndodhi pasi Uashingtoni konfirmoi dërgimin e 10.000 ushtarëve nga Koreja e Veriut në Rusi.

    “Armiku ka grumbulluar rreth 45.000 trupa atje. Dhe po përpiqet ta shtojë numrin e tyre. Ushtria ruse vetë nuk është e mjaftueshme në këtë drejtim, prandaj po përpiqet të tërheqë personel ushtarak nga Koreja e Veriut”, shkroi Syrskiy në Telegram.

    Ukraina pretendohet se kontrollon më shumë se 1.000 kilometra katrorë territor në Kursk pas një ndërhyrjeje të papritur brenda rajonit rus që ka filluar më 6 gusht.

    Lëvizja e Kievit erdhi si një befasi, pasi forcat e tij të shterura po luftonin në lindje të Ukrainës kundër një ofensivë të ashpër nga forcat ruse, që ishin më të shumta, më të pajisura dhe më të armatosura.

    Syrskiy tha se ndërhyrja ishte e nevojshme si një goditje parandaluese kundër një sulmi të mundshëm rus nga Kursku në rajonin ukrainas të Sumyt.

    “Për këtë arsye, u vendos të zhvillohet një operacion ofensiv parandalues, duke e transferuar luftën në territorin e armikut në rajonin e Kurskut”, shkroi Syrskiy.

    Ai gjithashtu pretendoi se që nga fillimi i ndërhyrjes së Ukrainës në Kursk, janë vrarë 7.905 ushtarë rusë, 12.220 janë plagosur dhe 717 janë kapur.

    Shifrat e paraqitura nga Syrskiy nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.

    Më herët më 6 nëntor, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 38 nga 63 dronët e lëshuar nga Rusia në nëntë rajone, njoftoi Forca Ajrore në Telegram.

    Njëzet e dy dronë të tjerë u humbën pasi sistemet e tyre të navigacionit u bllokuan nga njësitë e luftës elektronike ukrainase, shtoi forca ajrore.

    Ndërkohë, guvernatori i rajonit juglindor të Zaporizhjas tha se numri i viktimave pas një sulmi me raketë të Rusisë në rajonin e tij kishte arritur në shtatë të vdekur dhe 25 të plagosur.

    Rusia ka shtuar sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës ndërsa po afrohet dimri i tretë në luftë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ndërkohë, tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi tre dronë ukrainas mbi rajonet e Kurskut dhe Oryolit./REL

  • Zvicra ndalon mbulimin e fytyrës në hapësira publike nga janari

    Zvicra ndalon mbulimin e fytyrës në hapësira publike nga janari

    Një vendim kontrovers i Zvicrës për ndalimin e mbulimit të fytyrës në hapësira publike, i njohur gjerësisht si “ndalimi i burkave”, do të hyjë në fuqi më 1 janar të 2025-tës, tha qeveria zvicerane të mërkurën.

    Ky ndalim, që kaloi me një dallim të vogël votash në një referendum të vitit 2021 dhe që u dënua nga shoqatat myslimane, u iniciua nga i njëjti grup që organizoi ndalimin e minareve të reja në vitin 2009.

    Këshilli Federal qeverisës tha në një deklaratë se ka vendosur datën e fillimit të ndalimit dhe se kushdo që do ta shkelë atë pa të drejtë do të përballet me një gjobë deri në 1.000 franga zvicerane, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ndalimi nuk vlen për avionë ose për ambiente diplomatike dhe konsullore, ndërsa fytyrat mund të mbulohen edhe në vendet e adhurimit dhe vende të tjera të shenjta, tha qeveria.

    Mbulimi i fytyrës do të mbetet i lejuar për arsye të shëndetit dhe sigurisë, për zakone vendase ose për kushte moti, tha ajo. Gjithashtu, do të lejohet për arsye artistike dhe argëtimi, si dhe për reklamim, shtoi ajo.

    Nëse këto mbulime janë të nevojshme për mbrojtje personale në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe të bashkimit, ato duhet të lejohen nëse autoriteti përgjegjës e ka miratuar tashmë dhe nuk dëmtohet rendi publik, thuhet në deklaratë./REL

  • Konjufca uron Trump: Mezi pres që të fillojmë punën me administratën e re amerikane

    Konjufca uron Trump: Mezi pres që të fillojmë punën me administratën e re amerikane

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka uruar Donald Trump, për fitoren në zgjedhje.

    “ShBA-ja është kryealeati ynë, me të cilin ndajmë vlerat, synimet dhe interesat, të cilat jam i bindur se do t’i shtyjmë përpara edhe më tutje gjatë mandatit të presidentit Trump”, ka shkruar Konjufca.

    Postimi i plotë i Konjufcës:

    Urime të përzemërta z. Donald Trump për fitoren e tij në këto zgjedhje presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

    Mezi pres që të fillojmë punën me administratën e re amerikane, për të thelluar edhe më tutje raportet tona të shkëlqyera.

    ShBA-ja është kryealeati ynë, me të cilin ndajmë vlerat, synimet dhe interesat, të cilat jam i bindur se do t’i shtyjmë përpara edhe më tutje gjatë mandatit të presidentit Trump.

     

  • Pacolli merr pjesë në festën e fitores së Trumpit

    Pacolli merr pjesë në festën e fitores së Trumpit

    Behgjet Pacolli, biznesmen dhe dikur në pozita të rëndësishme në Kosovë, ka treguar se ka marrë pjesë mbrëmë në festimet e republikanëve për rizgjedhjen e Trumpit si president.

    Në foto, Pacolli shihet edhe me miliarderin Elon Musk, i cili përkrahu fushatën e Trumpit dhe të birin e presidentit të rizgjedhur.

    “Ndjenjë e veçantë të isha i ftuar në Mar A Lago në festimin e kësaj fitoreje të madhe”, ka thënë ai, duke publikuar disa fotografi në rrjetet sociale, që mund t’i shihni më poshtë.

    LEXONI EDHE:

    Trump zgjidhet president i ShBA-së

  • Trump zgjidhet president i ShBA-së

    Trump zgjidhet president i ShBA-së

    Donald Trump, kandidat i republikanëve dhe ish-president, është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

    Ai ka garuar kundër demokrates, Kamala Harris, aktualisht nënpresidente amerikane, në zgjedhjet 5 nëntorit.

    Trump ka fituar në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara, duke siguruar 277 vota të Kolegjit Elektoral.

    Një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota për t’u shpallur fitues.

    Vetë Trump, u është drejtuar mbështetësve nga Florida më herët gjatë ditës, dhe është zotuar se do të punojë për ta”shëruar” SHBA-në.

    Fitorja e tij është konfirmuar pasi ka triumfuar në katër shtete të papërcaktuara: Pensilvani, Uiskonsin, Karolinë të Veriut dhe Xhorxhia.