ATV

Author: G.O.

  • Nis takimi trepalësh në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

    Nis takimi trepalësh në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

    Një takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian është duk u zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut, të cilin e lehtëson blloku.

    Sikur edhe herëve të mëparshme, së pari u zhvilluan takimet dypalëshe të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

    Takimi i përbashkët trepalësh mes tyre filloi pas orës 15:00.

    Sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, në këto takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

    Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.

    Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Lajçak u ka raportuar ndërkohë përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen me dialogun dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve.

    Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.

    Mandati i të dërguarit të Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajçak, i vazhduar disa herë, do të përfundojë në fund të muajit janar të vitit që vjen.

    Ndërkohë pritet që Kaja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai.

    Bashkimi Evropian do të përsërisë sot thirrjen për Kosovën dhe për Serbinë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin për zbatimin e saj, sikur edhe të gjitha obligimet tjera që kanë dalë nga procesi i dialogut”.

    Për Kosovën do të përsëritet thirrja që pa vonesa të nisë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë të nisë procesin për njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.

    Kosovës dhe Serbisë do t’iu përsëritet sërish se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve do të vazhdojë të jetë kusht edhe për rrugëtimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

    Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet për zgjerim që do të miratohen të martën në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së. /REL

  • Thaçi thotë se s’është pengesë dhe rrezik për askënd: Nuk kam ambicie politike as për kryeministër, as për president

    Thaçi thotë se s’është pengesë dhe rrezik për askënd: Nuk kam ambicie politike as për kryeministër, as për president

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sërish ka kërkuar në Gjykatën Speciale, që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

    Në seancën mbi ecurinë e çështjes për aktakuzën për pengim të drejtësisë, Thaçi ka thënë se sikurse aktakuza për krime lufte ashtu edhe kjo u ngritën nxitimthi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pranë DhSK-së.

    Ish-presidenti ka deklaruar se aktakuza e parë e vitit 2020 i ishte ngritur pak muaj para rizgjedhjes si president, derisa kjo e dyta në prag zgjedhjesh. Thaçi ka përsëritur se s’do të jetë pjesë e garës politike zgjedhore.

    “Ju e dini para katër vitesh në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjidhesha president i vendit. Tash, para dhjetë ditës nxitimthi ZPS-a prezantoj aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovës. Unë nuk jam pjesë e garës politike as nuk kam ambicie politike as për kryeministër, as për president, as për deputet as ambicie politike. Ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës. Gjithë jetën time kam punuar për shtetin e Kosovës në vizionin për anëtarësim në NATO dhe BE në bashkëpunim me SHBA-në. theksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë për respektimin e Kushtetues dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i ligjeve dhe Kushtetutës nga palët në këtë sallë të shenjtë paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për minimin e besimit qytetar, prandaj ftojë që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë”, ka thënë Thaçi.

  • Ministria e Financave fut në funksion një shërbim të ri në “E-Kosova” për punëtorët dhe punëdhënësit

    Ministria e Financave fut në funksion një shërbim të ri në “E-Kosova” për punëtorët dhe punëdhënësit

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka lansuar platformën elektronike “E-Kosova” përmes së cilës punëtorët dhe punëdhënësit mund të trajnohen në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

    Sipas njoftimit, deri tani, shumë punëdhënës kanë hasur vështirësi duke paguar kosto të larta për hartimin e dokumenteve të vlerësimit të rrezikut në vendin e punës.

    “Ndërsa, tash e tutje, përmes këtyre trajnimeve, punëdhënësit do të mësojnë të identifikojnë, të vlerësojnë rreziqet në kompanitë me rrezik të ulët si dhe të hartojnë dokumentin për vlerësimin e rrezikut. Për më tepër, ata do të trajnohen për të reaguar në situata emergjente si zjarri, puna në lartësi, dhe rreziqe të tjera që mund të kërcënojnë sigurinë e punëtorëve”, thuhet në komunikatë.

    Në anën tjetër, sipas MFTP-së punëtorët do të trajnohen si të reagojnë në situata të ndryshme rreziku për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tyre dhe të personave tjerë që kanë përreth.

    “Këto trajnime janë mundësuar me mbështetje teknike nga Organizata Ndërkombëtare e Punës në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës dhe aktualisht janë në fazën e pilotimit”, thuhet në komunikatë.

    Në fund thuhet po ashtu se punëdhënësit dhe punëtorët në kompani me rrezik të ulët mund të trajnohen përmes vjegëzave të mëposhtme në pesë module të veçanta.

    “Pas përfundimit me sukses të trajnimit, të trajnuarit pajisen me certifikatë e cila mund të ruhet në dosjen e punëdhënësit”, thuhet në njoftim.

  • Sfidat e rrezikshme për fëmijë, Policia apel për kujdes në përdorimin e TikTok-ut

    Sfidat e rrezikshme për fëmijë, Policia apel për kujdes në përdorimin e TikTok-ut

    Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes në përdorimin e platformës TikTok ku kohëve të fundit po realizohen sfida të rrezikshme për të rinjtë dhe fëmijët.

    Nëpërmjet një postimi në Facebook, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve pa dallim që të raportojnë në rast se hasin në sfida të tilla, në mënyrë që të parandalohen pasojat të cilat mund të shkaktohen nga realizimi i tyre.

    “Policia e Kosovës, Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Parandalim apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, në veçanti ndaj platformës TikTok, në të cilën kohe pas kohe publikohen sfida të ndryshme për të rinjtë/fëmijë, e të cilat nëse provohen mund të shkaktojnë pasoja në shëndetin dhe jetën e tyre. Policia e Kosovës po ashtu u bënë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim që të raportojnë në Policinë e Kosovës në rast se hasin në sfida të tilla, në mënyrë që të parandalohen pasojat të cilat mund të shkaktohen nga realizimi i tyre”.

    “Të dashur fëmijë dhe prindër, kujdesi në botën virtuale është po aq i rëndësishëm sa ai në jetën reale. Mos u mashtroni nga ajo që shihni në rrjetet sociale dhe mos bëni pjesë në lojëra që rrezikojnë jetën. Bisedoni hapur me prindërit dhe mësuesit tuaj – vetëm së bashku mund të mbrojmë veten dhe të tjerët”, thotë policia.

  • Sot pritet të zhvillohet takimi trepalësh mes Bislimit dhe Petkoviq me ndërmjetësimin e BE-së

    Sot pritet të zhvillohet takimi trepalësh mes Bislimit dhe Petkoviq me ndërmjetësimin e BE-së

    Bashkimi Evropian ka caktuar ditën e sotme si datë takimi në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

    Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Sot pritet të ketë edhe një takim trepalësh.

    Siç raporton Radio Evropa e Lirë, në ora 15:00 pritet të nisë takimi mes kryenegociatorëve nga Kosova e Serbia, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq me ndërmjetësimin e BE-së.

    Takimi i fundit në Bruksel ishte ai i 24 tetorit, mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryenegociatori Besnik Bislimi kishte thënë se rezultoi pa sukses për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se Bislimi në takim kishte përmendur nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës.

    Sipas Qeverisë, në takimin bilateral ishin trajtuar një mori temash, ndërsa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

    Për takimin e 24 tetorit, emisari sllovak, Miroslav Lajçak kishte thënë se “nuk pati hapa përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes”, por që ishte “optimist për disa çështje të tjera”.

  • Tre të vrarë nga të shtënat në një shkollë në Wisconsin

    Tre të vrarë nga të shtënat në një shkollë në Wisconsin

    Tre persona mbetën të vrarë dhe disa të tjerë mbetën të plagosur nga të shtënat në një shkollë private në Medison, të shtetit Wisconsin. Ngjarja u regjistrua para se nxënësit të marrin pushimet me rastin e festave të fundvitit. Policia tha se nxënësi që hapi zjarr ishte në mesin e të vdekurve. Të shtënat ndodhën në shkollën e krishterë “Abundant Life” në kryeqytet, njoftoi policia.

    Emrat dhe mosha e viktimave nuk u bënë me dije, por shefi i policisë së Madisonit, Shon Barnes tha se mes të vrarëve ishte një “person i mitur”.

    Zoti Barnes tha se oficerët e policisë që shkuan në vendngjarje nuk qëlluan me armë. Autori ka të ngjarë të jetë vetëvrarë, shtoi ai.

    Autoritetet thanë se nuk dihen ende shkaqet që mund të kenë çuar autorin në kryerjen e aktit, por njoftuan se po bëhen hetime të hollësishme.

    Shefi i policisë Shon Barnes theksoi se nuk do të jepej informacion mbi autorin, përfshirë emrin dhe gjininë.

    Sipas tij, të vrarë mbetën një mësues dhe një nxënës. 6 nxënës të tjerë, sipas autoriteteve po marrin trajtim spitalor, dy prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.

    Shtëpia e Bardhë tha përmes një deklarate se Presidenti Joe Biden është informuar për të shtënat dhe zyrtarët ishin në kontakt me autoritetet lokale për të ofruar mbështetje.

    “Po lutemi për fëmijët, mësuesit dhe të gjithë komunitetin e shkollës ‘Abundant Life’, ndërsa presim më shumë informacion dhe u jemi mirënjohës ekipeve të emergjencave që reaguan me shpejtësi”, tha në një deklaratë guvernatori i shtetit Wisconsin, Tony Evers.

    Shkolla e krishterë “Bundant Life Life” ka rreth 390 nxënës, duke filluar që nga niveli parashkollor dhe deri në vitet e shkollës së mesme, sipas faqes së saj të internetit. VOA

  • Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj tjerë

    Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj tjerë

    Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët akuzohen së bashku me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime lufte.

    Në dy vendimet e 13 dhjetorit 2024, thuhet se paneli ka arritur në përfundim se nuk ka informacione të mjaftueshme që e justifikojnë dyshimet se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen. Megjithatë, sipas tyre, ekziston rreziku se ata mund të pengojnë procedurat si dhe të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së ose edhe ndaj dëshmitarëve.

    Sipas vendimit, ZPS-ja kishte argumentuar se asnjë nga rreziqet nuk mund të menaxhohen më mirë sesa në objektin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ata kanë parashtruar se sjellja e Veselit përbën rrezik sa që edhe kufizimet dhe monitorimi i komunikimeve në objektin e paraburgimit nuk mjaftojnë për t’i adresuar ato. Njëjtë thuhet edhe në vendimin për Thaçin.

    “Me referencë në gjetjen e mëparshme të Panelit, ZPS argumenton se ndalimi i Z. Veseli mbetet proporcional dhe i arsyeshëm, veçanërisht në dritën e përparimit të procedurave”, thuhet në vendimin për Veselin, e njësoj përshkruhet edhe në atë për Thaçin.

    Si rrjedhojë, edhe paneli ka arritur në përfundim se vazhdimi i masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj Thaçit dhe Veselit është i arsyeshëm.

    “Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ende ekzistojnë rreziqe për pengimin e procedurave dhe kryerjen e krimeve të tjera, të cilat nuk mund të menaxhohen mjaftueshëm me masat alternative të arsyeshme, Paneli arrin në përfundimin se ndalimi i Z. Veseli për një periudhë të mëtejshme dy mujore është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethana të veçanta të rastit”, thuhet në vendimin për Veselin, ashtu sikurse edhe për Thaçin.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Mudryk rezulton pozitiv në doping, e rrezikon dënimin

    Mudryk rezulton pozitiv në doping, e rrezikon dënimin

    Mykhailo Mudryk është diskualifikuar përkohësisht nga futbolli.

    Ylli i Chelseat ka rezultuar pozitiv për përdorim droge/stimuluesi gjatë një testi antidoping të bërë nga Federata Angleze e Futbollit.

    Futbollisti ofanziv me këtë rast rrezikon të suspendohet për katër vjet nëse edhe në testin e dytë do të rezultojë pozitiv, njofton “Daily Mail”.

    Futbollisti ka insistuar se nuk ka përdorur asgjë, duke u ndier i pastër.

    Priten zhvillime të re në ditët në vazhdim.

  • ​Armend Thaqi, ‘Ylli i Javës’ në Superligë

    ​Armend Thaqi, ‘Ylli i Javës’ në Superligë

    Federata e Futbollit të Kosovës ka ndarë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim, për javën e 17-të në Albi Mall Superligë, i është ndarë futbollistit të SC Gjilanit, Armend Thaqi.

    Thaqi ishte heroi i “Skifterave”, me golin e vetëm në ndeshje, duke mposhtur rivalin e qytetit, FC Dritën, me rezultat 1:0 dhe duke arkëtuar 3 pikë të rëndësishme për skuadrën e tij.

    Pasi mori këtë çmim, Thaqi u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.

    “Po, tradicionalisht dihet që është derbi, një nga më të mëdhenjtë në rajonin tonë. Është një ndeshje që çdo futbollist do të donte ta luante, pasi është ajo që të bën të ndihesh futbollist. Fitimi i tij sjell shumë benefite, përfshirë rikthimin e besimit në skuadër. Edhe pse ishim në një moment të vështirë në tabelë dhe bëmë disa gabime, fitorja na solli tri pikë të rëndësishme që na kthyen qetësinë dhe atmosferën pozitive. Kur fiton derbin, jo vetëm që mposht rivalin në tabelë, por gjithashtu fiton rivalitetin e qytetit, që është një motiv i jashtëzakonshëm për ndeshjen e ardhshme. Kjo fitore na jep besim për ndeshjet që na presin edhe për sezonin pranveror. Klubi ka bërë investime të mëdha dhe ne jemi të motivuar të arrijmë një vend në garat evropiane, që do të ishte një objektiv shumë i merituar. Për mua, ky çmim individual është shumë i rëndësishëm, por nuk është vetëm meritë e imja. Ky është një çmim që ia dedikoj trajnerit Ardian Nuhiu dhe të gjithë futbollistëve, pasi ky sukses është rezultat i angazhimit të gjithsecilit”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

  • Kurti: Gjatë këtij viti u grumbulluan rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    Kurti: Gjatë këtij viti u grumbulluan rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor dhe 15 terabait material digjital, video, audio, foto që dokumentohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Në prezantimin e raportit 1-vjeçar të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ai ka thënë se Serbia është duke vazhduar që të mos kërkoj falje për krimet që ka bërë.

    “Me regjistrimin e popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta. Qytetarët kanë deklaruar dëmet ekonomike, vrasjet, të zhdukurit. Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit  arkivor dhe 15 terabait material digjital, video, audio, foto që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion është mbledhur nga 67 burime të ndryshme”, tha Kurti.

    Kurti tha se këto materiale po grumbullohen për t’i shërbyer kujtesës sonë si popull dhe gjeneratave të ardhshme, siç tha ai “për një periudhë të errët që kaluam”.

    Kryeministri Kuti tha Instituti vazhdon bashkëpunimin me të gjitha institucionet për të grumbulluar dhe sistemuar materialet që dëshmojnë krimet ndaj popullatës civile.

    Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit tha se raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës.

    “Që nga themelimi i Institutit kemi ndjekur një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës”, ka thënë Hetemi.