ATV

Author: G.O.

  • Rivarrosen mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, ishin në Listën e Personave të Zhdukur

    Rivarrosen mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, ishin në Listën e Personave të Zhdukur

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur sot ka njoftuar se janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës së fundit, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu.

    “Pas gjetjes dhe zhvarrimit gjatë vitit 2023, dhe procesit të identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesave të familjeve, janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu”, tha Komisioni në njoftim.

    Ky Komision tha se më 18 dhjetor 2024, në Pastasel, u krye rivarrimi i mbetjeve mortore të Feriz Mrasorit. Sot, më 20 dhjetor 2024, në varrezat e fshatit Strofc, janë rivarrosur mbetjet mortore të Hilmi Aliut.

    Ndërsa nesër, më 21 dhjetor 2024, në Rahovec, do të kryhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Sylejman Demës.

    “Të tre viktima të luftës që ishin në Listën e Personave të Zhdukur. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur, për të respektuar të drejtën e familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë”.

  • Armenia nga sot njeh zyrtarisht pasaportat e Kosovës

    Armenia nga sot njeh zyrtarisht pasaportat e Kosovës

    Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka njoftuar se nga sot pasaporta e Republikës së Kosovës do të njihet zyrtarisht edhe nga shteti i Armenisë.

    Ahmeti ka thënë se Armenia njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, përfshirë ato të zakonshme, diplomatike e zyrtare.

    “Pasaporta e Republikës së Kosovës vazhdon të fuqizohet. Nga sot, Armenia njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare. Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të të dyja vendeve”, ka shkruar Ahmeti.

  • Bombardimet ruse godasin edhe ambasadën e Shqipërisë në Kiev

    Bombardimet ruse godasin edhe ambasadën e Shqipërisë në Kiev

    Rusia ka bombarduar mbrëmjen e djeshme kryeqytetin e Ukrainës. Sipas informacioneve nga këto bombardime është goditur edhe godina ku ndodhet ambasada shqiptare në Kiev.

    “Gjashtë ambasada u dëmtuan si rezultat i sulmeve me raketa ruse në Kiev, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Tykhy.

    Nga sulmi kanë mbetur të dëmtuara dhe ambsadat e Argjentinës, Palestinës, Maqedonisë së Veriut, Portugalisë dhe Malit të Zi, të cilat janë të vendosura në të njëjtën ndërtesë.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka dënuar këto sulme të Rusisë të cilat i ka quajtur brutale.

    “Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës.

    Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

    LEXONI EDHE:

    Dëmtohet ambasada e Maqedonisë së Veriut nga sulmet ruse në Kiev

  • Apelohet për vaksinim kundër gripit, IKShPK: Rastet me grip janë rritur dukshëm krahasuar me javën e kaluar

    Apelohet për vaksinim kundër gripit, IKShPK: Rastet me grip janë rritur dukshëm krahasuar me javën e kaluar

    Bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja javore e gripit sezonal, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se është rritur numri i rasteve të raportuara të gripit, krahasuar me javët paraprake.

    Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve të rënda shëndetësore që mund të vijnë nga Gripi, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Gripit në njësitë e vaksinimit në komunën ku jetojnë.

    Efekti i vaksinës, sipas IKSHP-së fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.

    IKShPK-ja rikujton se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me IKShPK-në, në fillim të sezonës së gripit 2024/2025, ka siguruar 85,000 doza të vaksinës sezonale.

  • Macroni falënderon Gisele Pelicotin për kurajën në gjyqin e dhunimeve masive

    Macroni falënderon Gisele Pelicotin për kurajën në gjyqin e dhunimeve masive

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka nderuar figurën e Gisele Pelicotit për forcën që ka shfaqur në gjyqin e dhunimeve masive, të inciuara nga burri i saj dhe të kryera nga 50 burra tjerë.

    Duke e përshkruar atë si pioniere për gratë, ai ka thënë se “dinjiteti i saj dhe kuraja e kanë inspiruar Francën dhe botën”.

    Ish-burri i saj, Dominique Pelicot, 72-vjeçar, është dënuar me 20 vjet burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka droguar Giselen për pothuajse një dekadë dhe se ka rekrutuar burra tjerë për ta dhunuar atë, teksa ajo ka qenë në gjendje kome në shtrat.

    Të 50 burrave tjerë u janë dhënë dënime më të vogla.

    Gisele Pelicot ka thënë se procesi gjyqësor ka qenë i vështirë, mirëpo beson në një të ardhmen kur burrat dhe gratë mund të jetojnë “në harmoni dhe me mirëkuptim”.

    Ajo pati marrë vendim që procesi të mos jetë anonim dhe e ka bërë rastin publik, i cili ka marrë vëmendje globale.

    Gjyqtarët në jug të Francës kanë thënë se 51 burrat që janë paditur, të moshave prej 27 deri në 74-vjeçare, janë fajtorë dhe janë dënuar, mirëpo avokati i Giseles ka thënë të premten se “asnjë vendim nuk do t’ia kthejë mbrapsht jetën që i është shkatërruar”.

    Tre fëmijët e saj kanë dhënë se janë të zhgënjyer me disa dënime që u janë shqiptuar disa burrave, të cilat dallojnë prej tre deri në 15 vjet.

    Sipas raportimeve, 41 burra janë dërguar menjëherë në burg.

    Avokati i Dominique Pelicotit ka thënë se është “tronditur” nga dënimi ndaj klientit të tij dhe do të vendosë në ditët në vijim nëse duhet apeluar atë, raporton REL.

    Aktivistët kundër dhunës seksuale e kanë ndjekur nga afër procesin gjyqësor, me shpresën se do të nxisë reforma në ligjet e Francës dhe të ndryshohet kultura e debatit për dhunimet dhe dhunën seksuale që përfshin edhe abuzim me drogën.

  • Pjesëtarët e FSK-së trajnohen për përdorimin e Mortajave në Kroaci

    Pjesëtarët e FSK-së trajnohen për përdorimin e Mortajave në Kroaci

    Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses trajnimin e specializuar për përdorimin e mortajave 60mm dhe 120mm.

    Gjatë këtij trajnimi intensiv, pjesëtarët e FSK-së u aftësuan në mirëmbajtjen dhe përdorimin efikas të mortajave, fituan njohuri për detyrat brenda ekipit të mortajave, duke ngritur kështu aftësitë e tyre në fushën e mbrojtjes, për të kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës.

    Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e trajnimit ka qenë edhe puna me Qendrën e Drejtimit të Zjarrit, me ç‘rast pjesëmarrësit u trajnuan për të llogaritur me saktësi faktorët e ndryshëm që ndikojnë në trajektoren e predhës, duke përmirësuar në këtë mënyrë efektivitetin operacional.

    Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkushtuar në ngritjen dhe avancimin e pjesëtarëve, në mënyrë që të jemi të përgatitur për t’u përballuar me çdo sfidë që paraqitet.

  • ​Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri për Lojërat Mesdhetare 2030

    ​Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri për Lojërat Mesdhetare 2030

    Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama në emër të qeverive respektive nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

    Me këtë marrëveshje mundësohet organizimi i sportit të lundrimit në Durrës të Shqipërisë dhe njëherësh zyrtarizon Durrësin si një nga qytetet mikpritëse.

    Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 është ngjarja më e madhe sportive në histori të vendit, që përmes investimeve do të kontribuojë direkt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive, ndërsa përmes mikpritjes në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.

  • Kryeministri Albin Kurti ftohet përsëri për intervistim nga Prokuroria Speciale

    Kryeministri Albin Kurti ftohet përsëri për intervistim nga Prokuroria Speciale

    Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Kreyziu ka thënë për televizionin publik se Kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim.

    “Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër. Presim një përgjigje pozitive meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”, ka thënë Kryeziu.

    Kryeministri Kurti ishte ftuar të hënën nga Prokuroria Speciale për tu intervistuar si dëshmitarë, por nuk ishte paraqitur, pasi që ndodhej për vizitë zyrtare jashtë vendit.

  • Dëmtohet ambasada e Maqedonisë së Veriut nga sulmet ruse në Kiev

    Dëmtohet ambasada e Maqedonisë së Veriut nga sulmet ruse në Kiev

    Sulmet me raketa që goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, mëngjesin e së premtes, kanë dëmtuar edhe ndërtesën ku ndodhet ambasada e Maqedonisë së Veriut.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë e këtij vendi njoftoi se personeli diplomatik i pranishëm në ambasadë, nuk është lënduar.

    Në reagimin e saj, ministria dënoi ashpër sulmet me raketa të kryera nga ushtria ruse.

    “Shërbimet kompetente kanë kryer kontrollin fillestar të dëmtimeve në vend dhe tashmë po punohet për riparimin e tyre”, njoftuan të premten nga ministria.

    Sipas raportimeve, mësohet se në shënjestër ka qenë një ndërtesë pranë ambasadës maqedonase, e përdorur nga shërbimet e sigurisë ushtarake të Ukrainës.

    Ndërkohë, autoritetet lokale në Ukrainë njoftojnë se të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë valës intensive nga bombardimet ruse që goditën Kievin bashkë me rajonin jugor të Hersonit.

    Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë.

    Të paktën dy të vrarë nga një valë e madhe bombardimesh ruse në Ukrainë

     

  • Fushë-Kosova bëhet me nënstacion të ri energjetik

    Fushë-Kosova bëhet me nënstacion të ri energjetik

    Në Fushë-Kosovë është inauguruar sot nënstacioni i ri i KOSTT-it, që pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike për 15,000 banorë dhe biznese të kësaj komune.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë ceremonisë së inaugurimit, tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të furnizimit me energji në Kosovë, duke siguruar më shumë stabilitet për konsumatorët dhe duke ndihmuar në plotësimin e nevojave në rritje të rrjetit energjetik të vendit.

    Ky projekt, sipas ME-së, ka vlerën totale prej 6.44 milionë euro, dhe përfshin investime në linjat e transmetimit dhe shërben për rritjen e kapaciteteve të rrjetit energjetik në Kosovë.