ATV

Author: G.O.

  • Makina u fut mes turmës, viktima dhe dhjetëra të plagosur në Gjermani, reagon Scholz

    Makina u fut mes turmës, viktima dhe dhjetëra të plagosur në Gjermani, reagon Scholz

    Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe rreth 80 të tjerë janë plagosur, pasi një automjet, ka marrë përpara një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjen në Magdeburg në Gjermani.

    Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kancelari gjerman Olaf Scholz i cili ka shprehur mbështetjen për të plagosurit dhe të familjet e tyre.

    Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë në krah të tyre dhe në krah të njerëzve të Magdeburgut”, thotë ai.

    Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar një person.

  • Osmani reagon pas sulmit në Magdeburg: Populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Gjermanisë

    Osmani reagon pas sulmit në Magdeburg: Populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Gjermanisë

    Një sulm ka ndodhur sonte në Magdeburg të Gjermanisë, ku një qytetar hyri me makinë në tregun e Krishtlindjeve.

    Sipas shërbimit të shpëtimit, janë 60 deri në 80 të lënduar, shkruan ZDF.

    Drejtuesi i makinës është arrestuar, teksa dyshohet se një person ka humbur jetën si pasojë e përplasjes.

    Dëshmitarët raportojnë se automjeti ka hyrë direkt në turmë dhe ka shpërthyer paniku.

    Lidhur me incidentin tragjik ka reaguar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të riafirmojmë humanizmin tonë të përbashkët.

    “Sulmi shkatërrues në Magdeburg është një kujtesë e ashpër e kërcënimeve me të cilat përballemi dhe e forcës që duhet të tregojmë në kohë tragjedie. Zemrat tona dhembin për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur. Përballë tragjedive të tilla, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të riafirmojmë humanizmin tonë të përbashkët. Populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Gjermanisë!”, shkroi Osmani.

  • Makina hyn në një treg në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, raportohet për të paktën 11 të vdekur e dhjetëra të plagosur

    Makina hyn në një treg në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, raportohet për të paktën 11 të vdekur e dhjetëra të plagosur

    Një makinë përplasi një grup njerëzish në një treg Krishtlindjesh në qytetin lindor të Gjermanisë Magdeburg të premten, duke lënë 11 të vrarë dhe mbi 60 të plagosur.

    Kjo është bërë me dije nga tabloidi gjerman Bild.

    Shoferi i makinës u arrestua, tha agjencia dpa, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të qeverisë në shtetin e Saksoni-Anhalt.

    Policia po heton incidentin si një sulm terrorist.

    WeltN24 raporton se i dyshuari për sulmin në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut, është një mashkull 50-vjeçar nga Arabia Saudite.

    Magdeburgu, i cili ndodhet në perëndim të Berlinit, është kryeqyteti shtetëror i Saksonisë-Anhalt dhe ka rreth 240 mijë banorë.

    Si masë paraprake, autoritetet po rrisin sigurinë në zonë dhe kryeministri i Saksonisë-Anhalt, Reiner Haseloff, thuhet se është rrugës për në vendngjarje.

    Ky incident ndjek një model të sulmeve që synojnë tregjet e Krishtlindjeve në të gjithë Evropën në vitet e fundit, me Gjermaninë dhe Francën duke rritur përpjekjet për sigurinë si përgjigje.

    Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë një skenë kaotike, me njerëz të plagosur në tokë dhe një prani të madhe policie që rrethon tregun.

    Autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende motivin e sulmit, por incidenti ka ngritur shqetësime në lidhje me cenueshmërinë e hapësirave publike gjatë sezonit të festave.

  • Një shkollë e lashtë fillore në fshatin Polac u rrënua nga një kompani private

    Një shkollë e lashtë fillore në fshatin Polac u rrënua nga një kompani private

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Abdullah Gashi thotë se këto gërmadha nuk janë vetëm pamje e rrënimit të një objekti, por edhe të një pjese të kujtimeve nga fëmijëria e tij.

    Shkolla e njohur dikur si “Drenica” në fshatin Polac, e vjetër 61 vjet, u rrënua mëngjesin e së enjtes.

    “Kjo shkollë u djeg nga forcat serbe, e kemi ngrit përsëri dhe sot të rrënohet, kjo është e turpshme. Beso kur e kam pa në këtë gjendje, jam kthyer në kohen e luftës”, deklaroi asamblisti Abdullah Gashi.

    Sipas një raporti të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, në të cilin pati qasje ATV-ja, shkolla e ndërtuar më 1963 ishte në procedurë për t’u bërë pjesë e trashëgimisë së mbrojtur.

    Ky fakt, e bën edhe më të dhimbshme rrënimin e një prej institucioneve arsimore më të vjetra në rajonin e Skenderajt.

    “As Serbia nuk ka bërë më shumë se Qeverisja e PDK-së për ta rrënuar historinë e këtij vendi. Pa asnjë procedurë u vendos qe shkolla të rrënohet”, tha Hysni Mehani.

    Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore menjëherë i ka vendosur shiritat, por të premten tha se është ende fazë e hershme për t’u deklaruar për rastin.

    Në anën tjetër, nga komuna nuk treguan nëse kanë qenë në dijeni se ky objekt do të kalonte në përkujdesje të nivelit qendror, por thanë se prona nuk i takon më pushtetit lokal, ndërsa rrënimi u bë nga një kompani private.

    “Prona në fjalë i është dhënë në shfrytëzim afatgjatë për 99 vite përmes procedurave ligjore nga Kuvendi Komunal kompanisë “TehnoBurimi” D.D Sh.A, për ndërtimin e fabrikës së industrisë së drurit. Andaj, kompania në fjalë, është duke vepruar brenda hapësirës qe i është dhënë në shfrytëzim, në zonën e cila në bazë të Hartës Zonale të Komunës është pronë me destinim industrial”, njoftuan nga Komuna e Skenderajt.

    Sidoqoftë, fabrika në fjalë që filloi të ndërtohej para 3 vjetëve nuk është funksionalizuar akoma./atvlive.tv

  • Sulmet në veri, 30 ditë kohë Prokurorisë dhe Dalibor Spasiqit për arritjen e marrëveshjes për pranim të fajësisë

    Sulmet në veri, 30 ditë kohë Prokurorisë dhe Dalibor Spasiqit për arritjen e marrëveshjes për pranim të fajësisë

    PËRGATITI: NORA LUTA

    I akuzuar për sulm ndaj gazetarëve, dhe pjesëmarrje në protestat në Zveçan Dalibor Spasiq, ka kërkuar marrëveshje për pranim të fajësisë.

    Spasiqit, i cili gjendet nën masën e dorëzanisë, Gjykata e Mitrovicës i ka dhënë kohë 30 ditë për arritjen e saj.

    Deri më tani, Gjykata nuk ka pranuar ndonjë njoftim për arritjen e marrëveshjes apo për dështim të negociatave, ndonëse palëve iu është dhënë afati prej tridhjetë (30) ditësh.

    Kërkesën për negocim të marrëveshjes, e ka paraqitur avokati i Spasiq, Sërxhan Mitrovic, i cili gjatë ditës nuk ka qenë i qasshëm për televizionin.

    Sipas Prokurorisë së Mitrovicës, ai ishte kontaktuar para 17 dhjetorit kur ishte planifikuar nisja e shqyrtimit gjyqësor, por nuk ishte paraqitur për të filluar negociatatat.

    Dalibor Spasiq ishte arrestuar më 17 qershor të vitit të kaluar, në Jarinjë, por ishte liruar një muaj më vonë./atvlive.tv

  • Pushtetarët përuruan 5.5 kilometrat e para të segmentit të kontraktuar në gjatësi 9.78 kilometra

    Pushtetarët përuruan 5.5 kilometrat e para të segmentit të kontraktuar në gjatësi 9.78 kilometra

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    “Për projektin për të cilin sot nënshkruam kontratën, dua t’ju njoftoj se gjatësia është 9.78km dhe bëhet fjalë për segmentin nga Lumi i Madh deri në Gojbulë”.

    Edhe pse kontrata e nënshkruar më 8 Shkurt, parasheh zgjerimin dhe ndërtimin e një segmenti 9.78 kilometërsh të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, qeveritarët prenë shiritin pas kompletimit të punës në 56% të gjatësisë së tij.

    Përkundër kësaj, kryeministri Albin Kurti tha se projekti “që ka pothuajse moshën e pavarësisë po bëhet”.

    Por, përfundimi i pjesës tjetër të segmentit të kontraktuar, nga hyrja e Vushtrrisë në drejtim të Mitrovicës, do ende kohë.

    Jo larg vendit ku u bë inagurimi, në hyrje të Vushtrrisë, po vazhdojnë punimet për ndërtimin e pjesës tjetër të segmentit deri në fshatin Gojbulë, që ka një gjatësi rreth 4 kilometra.

    Në kohën kur kanë mbetur më pak se dy muaj afat për finalizimin e punës, në pjesën që shmangë kalimin nëpër qytet nuk u panë ekskavatorë e as punëtorë.

    Kontrata e nënshkruar Shkurt, parasheh ndërtimin e rrugës nga fshati Lum i Madh deri këtu në Gojbulë, për të vazhduar lidhjen me segmentin e përfundua r deri në fshatin Smrekonicë.

    Tutje për segmentin nga Smrekonica e Vushtrrisë deri në hyrje të Mitrovicës, në gjatësi prej rreth 5 kilometrash, nuk është shpallur ende tenderi.

    Punët për zgjerimi dhe ndërtimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, në një gjatësi rreth 35 kilometra, kanë nisur para 15 vjetësh./atvlive.tv/

  • Njohësit, nëse Artan Grubi ndodhet në Kosovë autoritetet duhet ta dorëzojnë

    Njohësit, nëse Artan Grubi ndodhet në Kosovë autoritetet duhet ta dorëzojnë

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Nga 18 dhjetori ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, është në kërkim. Ndaj Grubit, është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar, e një tillë raportohet se është pranuar edhe në Policinë e Kosovës.

    Fletëarresti u lëshua, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimet për përvetësimin e mbi 8 milionë eurove nga Lotaria Shtetërore.

    Policia e Kosovës nuk i ka kthyer përgjigjeje ATV-së për të konfirmuar ose mohuar, pohimet e zyrtarëve maqedonas se Grubi hyri në territorin e Kosovës me veturë diplomatike.

    Megjithatë nëse ish-zyrtari maqedonas ndodhet në shtetin kosovar, ky i fundit në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit juridik obligohet t’ia dorëzojë Maqedonisë së Veriut.

    Ish-zv.kryeministri Artan Grubi, i cili së fundi u përfshi edhe në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, i ka mohuar akuzat për arratisje duke thënë se ndodhet jashtë vendit për vizitë personale./atvlive.tv/

     

  • Gati 6 mijë fëmijë nuk jetojnë në Kosovë por marrin shtesa të fëmijëve

    Gati 6 mijë fëmijë nuk jetojnë në Kosovë por marrin shtesa të fëmijëve

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Në Kosovë nuk jetojnë por shtesa nga shteti marrin.

    Rreth 6000 fëmijë të cilët nuk janë banorë rezidentë në Kosovë llogaritet se janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë.

    Vetë ministri i financave pati treguar për numrin e përgjithshëm të fëmijëve përfitues, në ditën kur edhe i prezantoi këto shtesa.

    “Bëhet fjalë për mbi 403 mijë fëmijë që tashmë aktualisht janë përfitues të skemës universale të shtesave të fëmijëve”, tha ministri i financave, Hekuran Murati.

    Por në baze të statistikave nga regjistrimi i popullsisë, nga mosha 0 deri në 16 vjeç, del se janë plot 397.140 fëmijë rezident. Krahasuar me numrin e fëmijëve përfitues, gati 6000 fëmijë që marrin këto shtesa, nuk jetojnë në Kosovë.

    Andaj ekonomistët vlerësojnë se listat duhet të rishikohen, në mënyrë që ndihmat të shkojnë për ata që realisht kanë nevojë brenda vendit.

    “Kjo është barrë për buxhetin e Kosovës, megjithatë që buxheti karshi vendeve tjera është shumë më i varfër andaj kishte me qenë mirë që të pastroheshin listat që të mos marrin shtesa edhe këtu edhe në vendet e bashkimit evropian sepse më mirë kishte me qenë që ata që jetojnë këtu të marrin më shumë shtesa e mos të ketë shtesa të dyfishta edhe këtu edhe në vende tjera”, deklaroi Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve ekonomike.

    Megjithatë Ministria e Financave muaj më parë filloi verifikim shtesë për disa llogari të prindërve, që përfitojnë shtesa për të kuptuar nëse ata vërtete jetojnë në Kosovë.

    Por nga ky dikaster nuk treguan nëse nga ky verifikim është larguar ndonjë familje.
    Kjo masë mbështetëse qeveritare për fëmijët, buxhetit të shtetit në total i kushton 120 milionë euro në vit./atvlive.tv

  • Më shumë ndërtesa janë ndërtuar në Kosovë edhe pse numri i banorëve ka rënë

    Më shumë ndërtesa janë ndërtuar në Kosovë edhe pse numri i banorëve ka rënë

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Pavarësisht se në 13 vjetët e fundit Kosovës iu ul numri i banorëve e kundërta ndodhi me ndërtime, numri i të cilave është rritur vazhdimisht.

    Për më shumë se 41 për qind u rrit numri i banesave nga viti 2011 deri më tani.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se në Kosovë ekzistojnë 414 mijë e 273 ndërtesa për banim, e veç saj një rritje prej afro 70 për qind pati edhe numri i ekonomive familjare. Madhësia mesatare ekonomike tani është 4 persona.

    Sipas ekonomistit, Fidan Qerimi këto ndryshime janë shqetësuese për vendin dhe kërkohet reflektim.

    Por krahas rritjes së numrit të banesave është rritur edhe numri i banesave të zbrazëta. Gati 200 mijë llogaritet se janë të pabanuara. Por veprimtaria vlerësohet fitimprurëse.

    Sipas të dhënave të ASK-së, komunat që prinë me numrin e banesave janë Prishtina, Prizreni dhe Ferizaj.

    Ndërkaq probleme me objekte të pabanuara, kanë pothuajse të gjitha komunat, përfshirë Gjilanin, Lipjanin, Dragashin e Istogu./atvlive.tv

  • Rivarrosen mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, ishin në Listën e Personave të Zhdukur

    Rivarrosen mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, ishin në Listën e Personave të Zhdukur

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur sot ka njoftuar se janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës së fundit, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu.

    “Pas gjetjes dhe zhvarrimit gjatë vitit 2023, dhe procesit të identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesave të familjeve, janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu”, tha Komisioni në njoftim.

    Ky Komision tha se më 18 dhjetor 2024, në Pastasel, u krye rivarrimi i mbetjeve mortore të Feriz Mrasorit. Sot, më 20 dhjetor 2024, në varrezat e fshatit Strofc, janë rivarrosur mbetjet mortore të Hilmi Aliut.

    Ndërsa nesër, më 21 dhjetor 2024, në Rahovec, do të kryhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Sylejman Demës.

    “Të tre viktima të luftës që ishin në Listën e Personave të Zhdukur. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur, për të respektuar të drejtën e familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë”.