ATV

Author: G.O.

  • Fshihet nga YouTube kënga me gjashtë milionë shikime e Parashqevi Simakut, Pirro Çako e publikon në kanalin e tij “E duam lumturinë”

    Fshihet nga YouTube kënga me gjashtë milionë shikime e Parashqevi Simakut, Pirro Çako e publikon në kanalin e tij “E duam lumturinë”

    Një nga këngët më ikonike të viteve të arta të muzikës shqiptare, “E duam lumturinë” e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, ka qenë ndër këngët më të preferuara të publikut shqiptar në platformën YouTube.

    E ngarkuar fillimisht në një kanal jozyrtar prej më shumë se nëntë vitesh, kënga kishte grumbulluar gati 6 milionë shikime, duke dëshmuar popullaritetin e saj të qëndrueshëm ndër vite.

    Kjo këngë nostalgjike ishte kthyer në një pikë referimi për shumë dëgjues që riktheheshin shpesh për ta shijuar, veçanërisht në periudha kur lajmet për këngëtaren në SHBA ringjallnin interesin për artin e saj. Vetëm gjatë javës së fundit, më shumë se 200 mijë klikime iu shtuan versionit të saj të mëparshëm në YouTube, ndërkohë që emri i Parashqevi Simakut përflitej sërish.

    Por, në një kthesë të papritur, versioni me miliona shikime është fshirë nga platforma. Kënga është rihedhur në YouTube, këtë herë nga kanali zyrtar i kompozitorit të saj, Pirro Çako, një veprim që tregon një qasje të re drejt menaxhimit të të drejtave të saj. Sipas të dhënave, tashmë kënga menaxhohet nga kompania “FOLÉ”, e cila duket se ka marrë përsipër administrimin e të drejtave autoriale.

    “E duam lumturinë” është një krijim i jashtëzakonshëm, me muzikë të Pirro Çakos dhe tekst të poetit të njohur, tashmë të ndjerë, Agim Doçi. Rikthimi i këngës në një kanal zyrtar është një hap i rëndësishëm për të siguruar që ajo të vlerësohet dhe të administrohet në mënyrë të drejtë.

    Megjithëse nuk dihet nëse Parashqevi Simaku ka përfituar ndonjëherë monetarisht nga veprat e saj, ky zhvillim mund të jetë një fillim i ri për menaxhimin e trashëgimisë së saj muzikore. Publiku, nga ana tjetër, vazhdon të tregojë dashuri dhe përkushtim për artisten, duke e bërë këtë këngë një simbol të lumturisë dhe nostalgjisë kolektive. /Telegrafi/

  • Mbyten 8 imigrantë në një ishull grek

    Mbyten 8 imigrantë në një ishull grek

    Tetë imigrantë janë mbytur të premten në mëngjes pranë ishullit Rodos në Greqi, pasi anija e shpejtë me të cilën po lundronin u përmbys, thanë autoritetet greke.

    Roja bregdetare tha se incidenti ndodhi pasi anija e shpejtë bëri “lëvizje të rrezikshme” në përpjekje për t’i ikur një anijeje patrulluese, duke i hedhur imigrantët në ujë.

    Autoritetet greke thanë se 18 imigrantë të tjerë u shpëtuan dhe se kërkimet për shpëtimin e imigrantëve të tjerë janë duke vazhduar. Nuk është e qartë se sa imigrantë po barte anija kur u përmbys, sipas tyre.

    Rodosi, njëri nga disa ishujt e mëdhenj grekë, që shtrihet pranë bregdetit të Turqisë, është rrugë e dendur për trafikim me imigrantë në lindje të Detit Mesdhe.

    Ky është incidenti i dytë vdekjeprurës me imigrantë në këtë ishull këtë javë.

    Shtatë imigrantë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë besohet se janë zhdukur kur anija e tyre u fundos pjesërisht në jug të ishullit të Kretës gjatë fundjavës së kaluar.

    Numri i imigrantëve që shkojnë në Greqi jashtëligjshëm pritet të rritet në 60.000 këtë vit.

    Sirianët përbëjnë numrin më të madh të tyre, të ndjekur nga afganët, egjiptianët, eritrianët dhe palestinezët, sipas të dhënave qeveritare./REL

  • Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë, plagoset një person

    Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë, plagoset një person

    Një incident ka ndodhur sot në fshatin Brekoc të Gjakovës, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

    Si pasojë e kësaj një person ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për të pranuar ndihmë mjekësore, raporton Gazeta Sinjali.

    Siç mësohet rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 09:30, ndërsa me të marrë lajmin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet e emergjencës.

    Sipas informacioneve të para personi i plagosur po trajtohet në spitalin rajonal të Gjakovës dhe është jashtë rrezikut për jetë.

    Ndërkaq, me urdhër të prokurorit, hetimet në lidhje me zbardhjen e këtij rasti tashmë kanë filluar.

     

  • Rama e Spiropali priten nga Kurti e Konjufca pak para mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve

    Rama e Spiropali priten nga Kurti e Konjufca pak para mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve

    Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë sot do të mbajnë seancë të përbashkët.

    Por, para kësaj mbledhje një takim pritës është zhvilluar në zyrën e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe kryeparlamentaren Elisa Spiropali. Nikoqir i takimit ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

    Kjo mbledhje do të nisë me fjalën e dy kryeparlamentareve, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, si dhe më pas pritet që edhe dy kryeministrat, Albin Kurti dhe Edi Rama, të marrin fjalën.

  • Në Shqipëri asgjësohen mandarinat me pesticide, ato u kthyen pas nga Kroacia për shkak të pesticideve të përdorura

    Në Shqipëri asgjësohen mandarinat me pesticide, ato u kthyen pas nga Kroacia për shkak të pesticideve të përdorura

    Mandarinat shqiptare, të kthyera nga Kroacia për shkak të pesticideve të përdorura, janë asgjësuar dhe nuk janë hedhur në tregun vendas për konsum.

    Në Divjakë do të groposet ngarkesa me 21 ton, ndërsa do të kontrollohen 6 pika grumbullimi në Fier dhe Berat, së bashku me farmacitë bujqësore për të verifikuar nëse ka raste të tjera me rrezik.

    Dy pesticidet e përdorura nga fermerët në mandarina nuk janë pjesë e listës që Shqipëria ka miratuar në tetor të këtij viti për inputet që mund të aplikohen në produkte.

    Këto pesticide kanë qenë pjesë e listës në Shqipëri deri në vitin 2022, kohë kur lejohej përdorimi i tyre. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se kontrollet për përdorimin e pesticideve në të zezë do të shtrihen në të gjithë territorin.

  • Përurohet rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë

    Përurohet rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë

    Sot është bërë përurimi i rrugës Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, segmenti Stanovc – hyrja e Vushtrrisë.

    Në përurim ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili përurimin e quajti si të arritur të përbashkët, transmeton Telegrafi.

    “Rruga Prishtinë -Mitrovicë po bëhet. Ka nisur në vitin 2009, e ka moshën pothuajse të pavarësisë së Kosovës. Është dashtë që të ndërrohet operatori ekonomik, në mënyre që të ecim përpara. Unë falënderoj ministrin Liburn Aliu, zv.ministrin Hysen Durmishi, dhe gjithë stafin për punën që kanë bërë”, tha ai.

    Kurti theksoi se “Për 10 muaj po e përurojmë në një gjatësi prej 5 km, ka ngelur edhe një pjesë shumë e rëndësishme, dhe cila do të kushtojë rreth 15 milionë euro”.

    Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu u shpreh se rruga ka një rëndësi të veçantë.

    “Në vitin 2023, ka filluar prokurorimi i kësaj rruge, në fund të shkurtit 2024 është nënshkruar kontrata, dhe tani po e përurojmë këtë segment. Pas një auditimi që kemi bërë, jemi detyruar me shkëput kontratën me operatorin e kaluar. Rruga ka një rëndësi të veçantë”, deklaroi Aliu.

  • ShBA-ja dhe Britania sanksionojnë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë

    ShBA-ja dhe Britania sanksionojnë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë

    Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sanksione ndaj ministrit të Brendshëm të Gjeorgjisë, Vakhtang Gomelauri, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në Ministri, si përgjigje ndaj rolit të tyre të dyshuar në shtypjen e dhunshme të gazetarëve, figurave opozitare dhe protestuesve antiqeveritarë.

    Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu sanksione ndaj Mirza Kezevadze, zëvendësshefit të departamentit të forcave speciale në Ministrinë e Brendshme të Gjeorgjisë, njoftoi Departamenti amerikan i Thesarit në një komunikatë më 19 dhjetor.

    Departamenti i Thesarit deklaroi se këto veprime janë ndërmarrë në bashkëpunim me Britaninë, e cila më 19 dhjetor vendosi sanksione ndaj Gomelaurit dhe katër zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Brendshme për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut.

    Një zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit tha se arsyet e cituara nga të dyja qeveritë për vendosjen e sanksioneve janë të ngjashme.

    “Pas zgjedhjeve në Gjeorgji, zyrtarë kyçë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u përfshinë në shtypjen e popullit të vet në mënyrë të egër, duke përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të gazetarëve dhe përdorimin e dhunës”, tha Bradley T. Smith, nënsekretari i përkohshëm i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare.

    Çdo aset i zotëruar nga Gomelauri dhe Kezevadze në juridiksionin amerikan është bllokuar, tha Departamenti i Thesarit.

    Përveç Gomelaurit, Britania vendosi sanksione edhe ndaj zëvendësministrit të Brendshëm Aleksandre Darakhvelidze, Sulkhan Tamazashvili, Zviad Kharazishvili dhe Mileri Lagazauri, sipas një komunikate të Qeverisë britanike.

    Mijëra njerëz demonstruan përsëri në Tbilisi në natën e 19 dhjetorit. Kjo ishte dita e 22-të radhazi e protestave kundër vendimit të Qeverisë për t’i ndërprerë praktikisht bisedimet për anëtarësimin e vendit në BE.

    Protestuesit e kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e fitores së partisë Ëndrra Gjeorgjiane në zgjedhjet që u mbajtën në fund të tetorit.

    Protestat u rritën pasi kryeministri gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, njoftoi se Tbilisi i pezulloi deri në vitin 2028 bisedimet me Brukselin për anëtarësimin e Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.

    Presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, ka thënë se zgjedhjet e 26 tetorit u manipuluan me ndihmën e Moskës dhe është zotuar se nuk do të largohet nga detyra edhe kur pasardhësi i saj – i përzgjedhur nga ai që protestuesit e quajnë Parlament të paligjshëm – të betohet më 29 dhjetor, raporton REL.

    Zurabishvili i ka dënuar “sulmet brutale ndaj popullit dhe mediave gjeorgjiane”, duke e krahasuar shtypjen e tyre nga autoritetet me “represionin në stilin rus”.

    Protestat janë shpërndarë vazhdimisht në mënyrë të dhunshme, aktivistët janë arrestuar dhe politikanët e opozitës dhe përfaqësuesit e medias janë sulmuar.

    Gjeorgjia e mori statusin e vendit kandidatit për BE në dhjetor 2023 dhe, sipas sondazheve, shumica e gjeorgjianëve e mbështesin anëtarësimin e vendit në BE.

  • Dy pacientë ikin nga Psikiatria në Prishtinë

    Dy pacientë ikin nga Psikiatria në Prishtinë

    Dy pacientë të Institutit të Psikiatrisë Forenzike janë arratisur të enjten në mbrëmje nga ky institucion, në rrethana akoma të paqarta.

    Sipas informacioneve të para, dy të dyshuarit, me vendim të gjykatës kanë qenë nën masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

    Pasi është njoftuar Policia, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para për rastin.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për dy të dyshuarit.

  • Të paktën dy të vrarë nga një valë e madhe bombardimesh ruse në Ukrainë

    Të paktën dy të vrarë nga një valë e madhe bombardimesh ruse në Ukrainë

    Të paktën dy njerëz janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur mëngjesin e së premtes në një valë të madhe bombardimesh ruse në kryeqytetin e Ukrainës dhe në rajonin jugor Herson.

    Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë.

    Rusia i hodhi tetë raketa – përfshirë raketa hipersonike Kinzhal dhe raketa balistike Iskander/KN-23 – vetëm në Kiev, tha kryetari i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.

    Qytetet ukrainase janë duke u përballur me sulme të vazhdueshme raketore dhe me dronë, ndërsa forcat ukrainase, të pakta në numër dhe armë, po hasin në vështirësi për ta frenuar përparimin e shpejtë të ushtrisë ruse në lindje të vendit.

    Një person u vra nga një sulm në qarkun Holosiv të Kievit. Disa shpërthime u dëgjuan në kryeqytet, sipas dëshmitarëve.

    Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se dy njerëz u plagosën si pasojë e sulmeve në katër pjesë të tjera të qytetit, raporton REL.

    Në Herson, një burrë 60-vjeçar u vra nga një sulm rus, ndërsa dy të tjerë u plagosën, raportuan autoritetet rajonale.

  • Tragjike në Shtërpcë: Gruaja 34-vjeçare shtatzënë i jep fund jetës me armë zjarri

    Tragjike në Shtërpcë: Gruaja 34-vjeçare shtatzënë i jep fund jetës me armë zjarri

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur të enjten në një shtëpi në Shtërpcë, ku një grua u gjet e vdekur dhe sipas informacioneve të para dyshohet se i dha fund jetës. Viktima po dyshohet se bëri vetëvrasje pas një feste familjare, për motive dhe në rrethana akoma të paqarta, raporton Gazeta Sinjali.

    Siç merr vesh Sinjali bëhet fjalë për një grua 34-vjeçare, e cila bazuar në dëshminë e familjes ka qenë në pritje të ëmbël, në muajin e katërt të shtatzënisë.

    Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes dhe trupi është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.

    Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se e ndjera dyshohet se i dha fund jetës me armë zjarri, brenda shtëpisë së tyre.

    Njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa akoma nuk dihet motivi që çoi viktimën drejt këtij akti të rëndë.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi për zbardhjen e këtij rasti mjaft të rëndë.

    Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.