ATV

Author: G.O.

  • Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit

    Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit

    Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se grupe terroriste po planifikojnë sulme të tjera në Kosovë gjatë festave të fundvitit, pas atij në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Por, ushtria e Kosovës është gati t’i përgjigjet çdo kërcënimi. Kështu pretendon ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili në një intervistë për A2 CNN, foli për fuqizim të konsiderueshëm të forcave të sigurisë.

    Sipas tij, armët e sofistikuara të blera rishtazi nga SHBA-ja, Turqia por edhe Gjermania, kanë rritur ndjeshëm kapacitetet.

    Sipas ministrit, “raketat Javelin nuk lejojnë depërtimin e mjeteve të blinduara dhe tankeve brenda territorit”.

    Teksa deklaroi se për momentin do t’i përmbahen zotimit të dhënë në vitin 2013 për të mos dërguar ushtrinë në veri, Maqedonci theksoi se çështja do të shqyrtohej në të ardhmen.

  • Azemi: Zgjidhja e përhershme e krizës energjetike është plani i LDK-së për ndërtimin e centralit me gaz

    Azemi: Zgjidhja e përhershme e krizës energjetike është plani i LDK-së për ndërtimin e centralit me gaz

    Kandidati për deputet i LDK-së, Visar Azemi, ka thënë LDK-ja është e vetmja parti që ka plan konkret për ta nxjerr Kosovën nga kriza energjetike.

    Në një konferencë për media, ai ka thënë se plani i LDK-së ofron zgjidhje të përhershme për furnizim me energji elektrike.

    “LDK është e vetmja që ka një plan konkret dhe ofron zgjidhje të përhershme për furnizim me energji elektrike”, ka thënë Azemi.

    Ai ka bërë me dije se qytetarët janë lodhur nga mungesa e energjisë elektrike.

    “Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga jetesa në errësirë, duke u përballur e duke duruar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë, përderisa Qeveria mbyllë sytë para kësaj krize të thellë energjetike”, është shprehur Azemi.

    Sipas tij, mungesa e energjisë elektrike eliminohet vetëm me ndërtim e një centrali modern me gaz.

    “Por, ky problem është zgjidhet me planin konkret të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili ofron zgjidhje të përhershme për sektorin e energjisë. Kemi ripërsëritur që mungesa e energjisë elektrike eliminohet vetëm me ndërtimin e centralit modern me gaz, projekt i cili është në plan-programin e LDK-së dhe do të filloi së zbatuari menjëherë kur LDK ka qeverisjen pushtet”, ka thënë Azemi.

  • Vendimi i PZAP-it për Listën Serbe, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa

    Vendimi i PZAP-it për Listën Serbe, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka hedhur poshtë vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    PZAP ka miratuar ankesën e Listës Serbe, derisa ka urdhëruar KQZ-në që t’i certifikoj kandidatët e këtij subjekti për zgjedhjet e parlamentare.

    Në vendimin e publikuar nga PZAP-ja, thuhet se njoftimi i KQZ-së për moscertifikimin është anuluar, duke u argumentuar se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat përkatëse të KQZ-së.

    Gjithashtu, PZAP-ja thekson se gjatë votimit në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim përfundimtar, gjë që bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.

    Lidhur me këtë vendim të PZAP-së, nga KQZ kanë bërë të ditur për Telegrafin se do të presin të kalojnë afatet e procedurave ligjore para se ta caktojnë të jetë në rend dite në mbledhjet e ardhshme të KQZ.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi theksoi se në vendimin e PZAP-it ka këshill juridike ku lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme.

    “Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka thënë Elezi.

    Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e kishte certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania kishin shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

  • Tahiri: Kurti po e turpëron shtetin e Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë

    Tahiri: Kurti po e turpëron shtetin e Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë

    Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për dëmtim të imazhit të Kosovës.

    Ajo ka treguar se një nga veprimet e pushtetit që ka dëmtuar imazhin e Kosovës është edhe “loja” me moscertifikimin e Listës Serbe.

    Në profilin e saj në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se Kurti nuk ka luajtur ndonjë rol në lirinë e Kosovës.

    “Lirinë e sollëm për gjithë qytetarët e Kosovës, politikanët si Kurti që nuk luajtën rol për lirinë, po dëmtojnë imazhin e shtetit të lirë, demokratik, sovran të Kosovës – njëherë nuk certifikojnë ca subjekte politike për zgjedhje pastaj detyrohen ta bëjnë”.

    “Nuk është hera e parë që ky kryeministër turpëron shtetin tonë para partnerëve ndërkombëtar”, ka shkruar Tahiri.

  • Sekuestrohen dy armë zjarri në Rugovë të Pejës

    Sekuestrohen dy armë zjarri në Rugovë të Pejës

    Policia ka sekuestruar dy armë në Rugovë të Pejës.

    Në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës thuhet se armët janë sekuestruar të mërkurën, derisa bëhet e ditur se të dyshuarit pas intervistimit janë liruar.

    “Rr. Pejë-Rugovë, Udhëkryqi Milishec 25.12.2024 – 09:40. Policia gjatë patrullimit kanë ndaluar automjetin me targa vendore të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollimit në një çantë i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator me 10 fishekë si dhe një kuti me municion prej 40 copë fishekë. I dyshuari nuk kishte leje për armëmbajtje, por vetëm një leje për rekreacion-shenjëtari. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”.

    “Rr. Pejë-Rugovë, 25.12.2024 – 09:40. Policia gjatë patrullimit kanë ndaluar automjetin me targa vendore te cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollimit në një çantë i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator me 17 fishekë. I dyshuari nuk kishte leje për armëmbajtje, por vetëm një leje për rekreacion-shenjëtari. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.

  • Arrestohet një shtetas i Shqipërisë në Vërmicë, dyshohet për dhënie ryshfeti

    Arrestohet një shtetas i Shqipërisë në Vërmicë, dyshohet për dhënie ryshfeti

    Policia e Kosovës njofton se një shtetas I Shqipërisë është arrestuar të martën në pik-kalimin kufitar të Vërmicës nën dyshimin për dhënie ryshfeti.

    Siç thuhet në raportin 24-orësh të PK-së, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje

    “PKK. Vermicë/ 24.12.2024-09:10. Lidhur me rastin e lartcekur është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, derisa rasti i nënshtrohet procedurave të mëtejme”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Policia dhe ShSKUK-ja prezantojnë të arriturat e marrëveshjes për personelin policor

    Policia dhe ShSKUK-ja prezantojnë të arriturat e marrëveshjes për personelin policor

    Policia e Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës sot nga ora 10:00 do të prezantojnë të arriturat e marrëveshjes për personelin policor.

    “Policia e Kosovës, sot më 26 dhjetor 2024, do të organizojë konferencë të përbashkët për media me SHSKUK-në për të prezantuar të arriturat e “Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të PK-së dhe SHSKUK-së, për Shërbime Mjekësore dhe Psikologjike të Personelit Policor dhe Rekrutëve”, thuhet në njoftim.

    Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues nga SHSKUK-ja.

  • Prizren: Babai e raporton në polici djalin e zhdukur

    Prizren: Babai e raporton në polici djalin e zhdukur

    Një burrë në Prizren e ka raportuar djalin e zhdukur në polici.

    Ai ka raportuar se djali i tij është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri se ku ndodhet ai.

    “PERSON I ZHDUKUR- Rr. Adnan Krasniqi, Prizren 24.12.2024 – 14:00. Me 25.12.2024 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij viktima mashkull kosovar, është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e tij, rasti nën hetime.”, thuhet në njoftim.

  • Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror izraelit në Gazë në orët e para të 26 dhjetorit, thanë mjekët dhe autoritetet shëndetësore në enklavën palestineze.

    Pesë persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror izraelit në një shtëpi në lagjen Zeitun të Qytetit të Gazës, teksa autoritetet shëndetësore shtuan se numri i viktimave mund të rritet pasi shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës.

    Ndërkaq, një incident të ndarë, pesë gazetarë u vranë kur makina e tyre u godit nga një sulm në afërsi të spitalit Al-Avda, në Nuseirat në Gazën qendrore, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Ata ishin punonjës të kanalit televiziv, Al-Quds Al-Youm. Sipas mediave palestinezëve dhe gazetarëve lokalë, makina e gazetarëve të vrarë ishte e shënjuar si makinë e ekipeve mediale dhe ishte përdorur nga ta për të raportuar nga brenda spitali dhe kampi i refugjatëve Nuseirat.

    Ende nuk ka ndonjë reagim nga Izraeli lidhur me këto sulme të raportuara.

    Megjithatë, një ditë më herët Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – këmbyen akuza se kanë dështuar të përmbyllin një marrëveshje armëpushimi, pavarësisht se të dyja palëve ditëve të fundit thanë se ka përparim në këtë proces.

    Edhe pse së fundi palët kanë shprehur optimizëm për një marrëveshje armëpushimi, ende ka pika për të cilat nuk është gjetur pajtim lidhur me këmbimin pengjeve me të burgosurit palestinezë dhe për tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.

    Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 në Izrael, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Vitin e kaluar u liruan më shumë se 100 pengje, në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur në Izrael. Disa të tjerë janë shpëtuar, por Izraeli thotë se beson që nga afër 100 pengje që gjenden në Gazë, të paktën dy e treta e tyre janë vrarë apo kanë vdekur në robëri.

    Ofensiva hakmarrëse izraelite, deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 45.000 palestinezë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në Rripin e Gazës./REL

  • BQK-ja sot bën prezantimin vjetor për vitin 2024

    BQK-ja sot bën prezantimin vjetor për vitin 2024

    Banka Qendrore e Kosovës sot do të bëj prezantimin vjetor për vitin 2024.

    Ky prezantim do të bëhet me fillim nga ora 11:00.

    Sipas njoftimit gjatë kësaj ngjarje do të bëhet ndarja e çmimit tradicional të BQK-së “Ekonomisti i ri”.