ATV

Author: G.O.

  • BQK: Viti 2024 mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 %

    BQK: Viti 2024 mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 %

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka mbajtur sot konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarë, ku njoftoi se se viti 2024 do të mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 për qind, raporton Ekonomia Online.

    Ismaili bëri të ditur se megjithëse deri në shtator ishte regjistruar një rritje prej 4.6%, ekonomia e Kosovës pritet të mbyllet me një rritje prej 4.3% për këtë vit.

    Në lidhje me inflacionin, ai theksoi se shkalla mesatare për këtë vit ka qenë 1.6%, një nivel që pritet të ruhet edhe gjatë vitit 2025. Po ashtu, remitancat, që përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor dhe pritet të përfundojnë vitin në 1.3 miliardë euro.

    “Ekonomia pritet të mbyllet me një rritje prej 4.3% për vitin 2024. Derisa deri në shtator është arritur një rritje prej 4.6%”.

    “Shkalla mesatare e inflacionit në Kosovë arriti 1.6%, dhe pritjet janë që inflacioni të mbyllet në 1.6%, siç pritet të jetë edhe në vitin 2025”.

    “Remitancat kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor, dhe ne presim që të mbyllen në 1.3 miliardë euro. Ky ishte viti i parë me liberalizimin e vizave, dhe prandaj e kemi pritur një ngjarje të tillë”.

    Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e investimeve të huaja direkte, theksoi Ismaili, të cilat kanë arritur në 657 milionë euro. Ky trend pozitiv, sipas pritshmërive të BQK-së, do të vazhdojë edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026.

    “Investimet e huaja direkte kanë arritur në 657 milionë euro, që tregon një rritje, dhe ne presim që kjo rritje të vazhdojë edhe në vitet 2025-2026. Eksporti i shërbimeve vazhdon me një trend pozitiv”.

    Ndërkohë, asetet e sektorit financiar, pa përfshirë BQK-në, kanë arritur në 12.2 miliardë euro, ndërsa totali, duke përfshirë BQK-në, është 14.2 miliardë euro.

    “Asetet e sektorit financiar kanë arritur në 12.2 miliardë euro pa përfshirë BQK-në, ndërsa 14.2 miliardë euro me përfshirë BQK-në”, ka bërë të ditur Ismaili.

  • Çedomir Aksiq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

    Çedomir Aksiq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim të akuzuarin Çedomir Aksiq për krime lufte në periudhën janar-maj 1999 në fshatrat e Komunës së Shtimes. Ky gjykim është zhvilluar në mungesë.

    Aktgjykimi ndaj Aksiqit u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Aksiq është fajtor për veprën penale që i vihet në barrë dhe dënohet me 15 vjet burgim, i cili dënim ekzekutohet kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë.

    I akuzuari obligohet të paguajë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin e viktimave të krimit, ndërsa palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

    Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi.

  • Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit

    Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit

    Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se grupe terroriste po planifikojnë sulme të tjera në Kosovë gjatë festave të fundvitit, pas atij në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Por, ushtria e Kosovës është gati t’i përgjigjet çdo kërcënimi. Kështu pretendon ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili në një intervistë për A2 CNN, foli për fuqizim të konsiderueshëm të forcave të sigurisë.

    Sipas tij, armët e sofistikuara të blera rishtazi nga SHBA-ja, Turqia por edhe Gjermania, kanë rritur ndjeshëm kapacitetet.

    Sipas ministrit, “raketat Javelin nuk lejojnë depërtimin e mjeteve të blinduara dhe tankeve brenda territorit”.

    Teksa deklaroi se për momentin do t’i përmbahen zotimit të dhënë në vitin 2013 për të mos dërguar ushtrinë në veri, Maqedonci theksoi se çështja do të shqyrtohej në të ardhmen.

  • Azemi: Zgjidhja e përhershme e krizës energjetike është plani i LDK-së për ndërtimin e centralit me gaz

    Azemi: Zgjidhja e përhershme e krizës energjetike është plani i LDK-së për ndërtimin e centralit me gaz

    Kandidati për deputet i LDK-së, Visar Azemi, ka thënë LDK-ja është e vetmja parti që ka plan konkret për ta nxjerr Kosovën nga kriza energjetike.

    Në një konferencë për media, ai ka thënë se plani i LDK-së ofron zgjidhje të përhershme për furnizim me energji elektrike.

    “LDK është e vetmja që ka një plan konkret dhe ofron zgjidhje të përhershme për furnizim me energji elektrike”, ka thënë Azemi.

    Ai ka bërë me dije se qytetarët janë lodhur nga mungesa e energjisë elektrike.

    “Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga jetesa në errësirë, duke u përballur e duke duruar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë, përderisa Qeveria mbyllë sytë para kësaj krize të thellë energjetike”, është shprehur Azemi.

    Sipas tij, mungesa e energjisë elektrike eliminohet vetëm me ndërtim e një centrali modern me gaz.

    “Por, ky problem është zgjidhet me planin konkret të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili ofron zgjidhje të përhershme për sektorin e energjisë. Kemi ripërsëritur që mungesa e energjisë elektrike eliminohet vetëm me ndërtimin e centralit modern me gaz, projekt i cili është në plan-programin e LDK-së dhe do të filloi së zbatuari menjëherë kur LDK ka qeverisjen pushtet”, ka thënë Azemi.

  • Vendimi i PZAP-it për Listën Serbe, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa

    Vendimi i PZAP-it për Listën Serbe, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka hedhur poshtë vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    PZAP ka miratuar ankesën e Listës Serbe, derisa ka urdhëruar KQZ-në që t’i certifikoj kandidatët e këtij subjekti për zgjedhjet e parlamentare.

    Në vendimin e publikuar nga PZAP-ja, thuhet se njoftimi i KQZ-së për moscertifikimin është anuluar, duke u argumentuar se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat përkatëse të KQZ-së.

    Gjithashtu, PZAP-ja thekson se gjatë votimit në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim përfundimtar, gjë që bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.

    Lidhur me këtë vendim të PZAP-së, nga KQZ kanë bërë të ditur për Telegrafin se do të presin të kalojnë afatet e procedurave ligjore para se ta caktojnë të jetë në rend dite në mbledhjet e ardhshme të KQZ.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi theksoi se në vendimin e PZAP-it ka këshill juridike ku lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme.

    “Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka thënë Elezi.

    Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e kishte certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania kishin shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

  • Tahiri: Kurti po e turpëron shtetin e Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë

    Tahiri: Kurti po e turpëron shtetin e Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë

    Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për dëmtim të imazhit të Kosovës.

    Ajo ka treguar se një nga veprimet e pushtetit që ka dëmtuar imazhin e Kosovës është edhe “loja” me moscertifikimin e Listës Serbe.

    Në profilin e saj në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se Kurti nuk ka luajtur ndonjë rol në lirinë e Kosovës.

    “Lirinë e sollëm për gjithë qytetarët e Kosovës, politikanët si Kurti që nuk luajtën rol për lirinë, po dëmtojnë imazhin e shtetit të lirë, demokratik, sovran të Kosovës – njëherë nuk certifikojnë ca subjekte politike për zgjedhje pastaj detyrohen ta bëjnë”.

    “Nuk është hera e parë që ky kryeministër turpëron shtetin tonë para partnerëve ndërkombëtar”, ka shkruar Tahiri.

  • Sekuestrohen dy armë zjarri në Rugovë të Pejës

    Sekuestrohen dy armë zjarri në Rugovë të Pejës

    Policia ka sekuestruar dy armë në Rugovë të Pejës.

    Në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës thuhet se armët janë sekuestruar të mërkurën, derisa bëhet e ditur se të dyshuarit pas intervistimit janë liruar.

    “Rr. Pejë-Rugovë, Udhëkryqi Milishec 25.12.2024 – 09:40. Policia gjatë patrullimit kanë ndaluar automjetin me targa vendore të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollimit në një çantë i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator me 10 fishekë si dhe një kuti me municion prej 40 copë fishekë. I dyshuari nuk kishte leje për armëmbajtje, por vetëm një leje për rekreacion-shenjëtari. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”.

    “Rr. Pejë-Rugovë, 25.12.2024 – 09:40. Policia gjatë patrullimit kanë ndaluar automjetin me targa vendore te cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollimit në një çantë i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator me 17 fishekë. I dyshuari nuk kishte leje për armëmbajtje, por vetëm një leje për rekreacion-shenjëtari. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.

  • Arrestohet një shtetas i Shqipërisë në Vërmicë, dyshohet për dhënie ryshfeti

    Arrestohet një shtetas i Shqipërisë në Vërmicë, dyshohet për dhënie ryshfeti

    Policia e Kosovës njofton se një shtetas I Shqipërisë është arrestuar të martën në pik-kalimin kufitar të Vërmicës nën dyshimin për dhënie ryshfeti.

    Siç thuhet në raportin 24-orësh të PK-së, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje

    “PKK. Vermicë/ 24.12.2024-09:10. Lidhur me rastin e lartcekur është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, derisa rasti i nënshtrohet procedurave të mëtejme”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Policia dhe ShSKUK-ja prezantojnë të arriturat e marrëveshjes për personelin policor

    Policia dhe ShSKUK-ja prezantojnë të arriturat e marrëveshjes për personelin policor

    Policia e Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës sot nga ora 10:00 do të prezantojnë të arriturat e marrëveshjes për personelin policor.

    “Policia e Kosovës, sot më 26 dhjetor 2024, do të organizojë konferencë të përbashkët për media me SHSKUK-në për të prezantuar të arriturat e “Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të PK-së dhe SHSKUK-së, për Shërbime Mjekësore dhe Psikologjike të Personelit Policor dhe Rekrutëve”, thuhet në njoftim.

    Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues nga SHSKUK-ja.

  • Prizren: Babai e raporton në polici djalin e zhdukur

    Prizren: Babai e raporton në polici djalin e zhdukur

    Një burrë në Prizren e ka raportuar djalin e zhdukur në polici.

    Ai ka raportuar se djali i tij është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri se ku ndodhet ai.

    “PERSON I ZHDUKUR- Rr. Adnan Krasniqi, Prizren 24.12.2024 – 14:00. Me 25.12.2024 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij viktima mashkull kosovar, është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e tij, rasti nën hetime.”, thuhet në njoftim.