ATV

Author: G.O.

  • Në fundjavë zhvillohet xhiroja e fundit për vitin 2024 në basketboll

    Në fundjavë zhvillohet xhiroja e fundit për vitin 2024 në basketboll

    Në fundjavë zhvillohet xhiroja e 14-t e Superligës së Kosovës në basketboll apo e fundit për vitin 2024.

    Sfida hapëse është ndërmjet Bashkimit dhe Pejës, dy skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës.

    Prizrenasit janë në vendin e dytë me nëntë fitore e katër humbje, ndërsa pejanët në vendin e tretë me shtatë fitore e gjashtë humbje, andaj pritet një përballje mjaft interesante në Prizren.

    Takimi i dytë i së shtunës është mes Trepçës dhe Borës, që zhvillohet në palestrën ‘1 Tetori’. Kampionët janë në vendin e parë me dhjetë fitore e tri humbje, kurse prishtinasit kanë pasur ngritje të formës, ku tashmë janë në vendin e shtatë me katër fitore e dhjetë humbje.

    Sfidë shumë interesante pritet ndërmjet Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës, të dielën në Gjakovë. Të dy skuadrat kanë nga gjashtë fitore e shtatë humbje, duke bërë që të presim një përballje mjaft interesante.

    Ndeshja e fundit e kësaj xhiro dhe e fundit për këtë vit është ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit. Prizrenasit kanë tri fitore e 11 humbje, ndërsa therandasit shtatë fitore e gjashtë humbje.

  • Problemet me rrymë, Kurti: Si çdo dimër, qytetarët i lusim të racionalizojnë konsumin e energjisë

    Problemet me rrymë, Kurti: Si çdo dimër, qytetarët i lusim të racionalizojnë konsumin e energjisë

    Kryeministri i vendit Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë për këtë vit, ka folur edhe për problemin e furnizimit me rrymë në disa rajone të vendit, duke kërkuar nga qytetarët që racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike.

    Kurti ka thënë se shqetësimet për gjendjen janë përcjellë tek operatorët KOSTT dhe KEDS dhe është kërkuar përkushtim për të sanuar prishjet.

    “Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar shumë shqetësime në lidhje me furnizimin me enegji elektrike në disa komuna të Kosovës. Këto shqetësime i kemi përcjellë vazhdimisht tek operatorët e rrjetit, KOSTT dhe KEDS, dhe kemi kërkuar nga ta angazhim maksimal në disa drejtime.

    Përkushtim intensiv në terren për zgjidhjen teknike të rrjetit, si të prishjeve edhe të menaxhimit të mbingarkesave, komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët dhe finalizim me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt që do të zgjidh problemin për këtë qytet dhe do të zgjidh problemin e Ferizaj dhe do te ketë ndikim edhe në komunat përreth.

    Si çdo dimër, qytetarët i lusim që të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë orëve gjatë orëve 18:00 deri në mesnatë, në të mirë të sigurisë të furnizimit për vete dhe të vendit tonë”, ka thënë Kurti, raporton Sinjali.

  • Konfirmohet rasti i parë i Lisë së majmunëve në Kosovë

    Konfirmohet rasti i parë i Lisë së majmunëve në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka njoftuar se të enjten në orët e pasdites, Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e majmunëve.

    Pacienti është një 30-vjeçar dhe i njëjti është shtrirë në Klinikën Infektive pasi është kthyer nga një shtet i Afrikës Perëndimore.

    Gjendja e tij është stabile, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    “Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje.

    Pacienti është në gjendje stabile shëndetësore.

    IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit.”

    IKSHPK ka kërkuar kujdes nga qytetarët, “sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht.”

    “Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik.”

  • Rizvanolli takohet sot me përfaqësues të KOSTT-it dhe KEDS-it

    Rizvanolli takohet sot me përfaqësues të KOSTT-it dhe KEDS-it

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot do të takohet me përfaqësues të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

    Pas këtij takimi pritet se do të ketë prononcim për media para ndërtesës së KEDS-it.

    Takimi nis nga ora 09:30.

  • Sot mbledhja e Qeverisë, në rend dite shqyrtimi i propozim-vendimit për shtesat 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

    Sot mbledhja e Qeverisë, në rend dite shqyrtimi i propozim-vendimit për shtesat 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

    Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e radhës, ndërsa në rend dite është edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për shtesat 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.

    Mbledhja e Qeverisë do të mbahet në ora 10:00.

    Në rend dite janë gjithsej nëntë pika, ndërsa pikë e parë është propozim-vendimi për shtesat.

    Po ashtu, Qeveria do të shqyrtojë Propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të Terminalit Doganor në Merdarë.

  • Seuli: Ukraina ka zënë rob një ushtar verikorean

    Seuli: Ukraina ka zënë rob një ushtar verikorean

    Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut tha se ka konfirmuar që një ushtar i Koresë së Veriut, që ka luftuar në anën e Rusisë në luftën kundër Ukrainës, është kapur nga forcat ukrainase.

    Pheniani ka dislokuar mijëra trupa për të ndihmuar ushtrinë ruse, përfshirë në rajonin kufitar të Kurskut ku Ukraina nisi një ofensivë të befasishme në gusht.

    “Përmes ndarjes së informacioneve në kohë reale me një agjenci të inteligjencës të një shteti aleat është konfirmuar se një ushtar i plagosur i Koresë së Veriut është zënë rob”, tha përmes një deklarate më 27 dhjetor Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut.

    Ky njoftim i Seulit vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se pothuajse 3.000 ushtarë të Koresë së Veriut janë “vrarë ose plagosur” që kur u janë bashkuar në luftime trupave ruse.

    Shërbimi i inteligjencës i Seulit paraprakisht ka thënë se numri i ushtarëve të vrarë apo të plagosur verikorean është 1.000, duke shtuar se ky numër i lartë i viktimave mund të jetë për shkak se ushtarët e Phenianit janë të pafamiljarizuar me fushëbetejën dhe nuk kanë aftësi që të zmbrapsin sulmet me dronë.

    Koreja e Veriut dhe Rusia kanë forcuar lidhjet e tyre ushtarake që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, raporton REL.

    Në qershor të këtij viti, dy shtetet nënshkruan edhe një pakt për mbrojtje të përbashkët.

    Aleatët e Ukrainës e kanë cilësuar përfshirjen e Phenianit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës si “zgjerim të rrezikshëm” të konfliktit.

  • ​Minimi i masave shkëmbore, nesër pasdite mbyllet qarkullimi në segmentin Kijevë – Dollc

    ​Minimi i masave shkëmbore, nesër pasdite mbyllet qarkullimi në segmentin Kijevë – Dollc

    Të premten do të ndërpritet qarkullimi i trafikut nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë e deri tek udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës.

    Ndërprerja e qarkullimit bëhet sepse do të realizohet minimi i masave shkëmbore nga njëra anë e zgjerimit të rrugës.

    Ndërprerja e trafikut do të bëhet nga ora 15:00 deri në pastrimin dhe hapjen e rrugës.

  • Shkarkimi i Agron Bekës, Gjykata Kushtetuese konstaton se Kuvendi nuk bëri shkelje

    Shkarkimi i Agron Bekës, Gjykata Kushtetuese konstaton se Kuvendi nuk bëri shkelje

    Gjykata Kushtetuese të enjten ka konstatuar se Kuvendi nuk ka bërë shkelje në shkarkimin e anëtarit jo-prokuror të Këshillit Prokurorial, Agron Beka në seancën e 15 dhjetorit të vitit të shkuar.

    Shkarkimi i Bekës ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës. Por Kushtetuesja ka thënë se vendimi i Kuvendit nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore.

    “Vendimi është në përputhje me kompetencat e Kuvendit dhe në bazë të Ligjit të Këshillit Prokurorial…”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses.

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e patën shkarkuar Bekën nga pozita e anëtarit të KPK-së.

    Komisioni për Legjislacion pati miratuar rekomandimin për shkarkimin e tij.

  • Arrestohen dy zyrtarë të kadastrit në Graçanicë, komuna thotë se po dyshohen për korrupsion

    Arrestohen dy zyrtarë të kadastrit në Graçanicë, komuna thotë se po dyshohen për korrupsion

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës sot ka zhvilluar një operacion policor në komunën e Graçanicës. Nga ky operacion dy persona janë shoqëruar në polici për intervistim.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

    “Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ka realizuar një operacion policor në komunën e Graçanicës. Ky operacion policor, deri më tani ka rezultuar me shoqërimin e dy personave të dyshuar për intervistim dhe procedura të mëtejme policore”, ka thënë Kelani, i cili tha se pas përfundimit dhe kompletimit të operacionit policor do të bëhen të ditura informacionet shtesë.

    Megjithatë, informata rreth këtij rasti ka dhënë edhe kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq, e cila para gazetarëve tha se se janë arrestuar dy zyrtarë të kadastrit të komunës së Graçanicës, shkruan Insajderi.

    “Komuna e Graçanicës dëshiron të informojë opinionin se sot pas ardhjes së Policisë së Kosovës në departamentin tonë, përkatësisht në Drejtorinë Komunale të Kadastrës, kanë ndaluar dy zyrtarë. E mira është se me këtë hetim dhe arrestim nuk u vu në dyshim puna e menaxhmentit komunal apo e menaxhmentit të Drejtorisë së Kadastrës. Është punë e vetinicuar e zyrtarëve të caktuar, kështu që ata tani janë të ndaluar. Do të ketë një hetim dhe nuk do të spekulonim më tej për procedurën e mëtejshme. Kur të marrim informacione të detajuara do të informoheni”, ka thënë ajo.

  • Mbi 10.000 imigrantë u mbytën këtë vit në tentim për të shkuar në Spanjë

    Mbi 10.000 imigrantë u mbytën këtë vit në tentim për të shkuar në Spanjë

    Më shumë se 10.000 imigrantë humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në Spanjë përmes detit, sipas një raporti të publikuar të enjten nga një grup spanjoll për të drejtat e imigrantëve.

    Kjo shifër nënkupton se 30 imigrantë kanë vdekur mesatarisht çdo ditë në vitin 2024 në tentim për të shkuar në Spanjë përmes anijeve, tha grupi Caminando Fronteras, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Numri i të vdekurve u rrit për 58 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, thuhet në raport.

    Dhjetëra mijëra imigrantë u larguan nga Afrika Perëndimore më 2024 në drejtim të Ishujve Kanari të Spanjës, të cilët ndodhen në afërsi të bregdetit afrikan, që është përdorur bujshëm si pikënisje drejt kontinentit të Evropës.

    Caminando Fronteras tha se shumica e 10.457 vdekjeve të regjistruara deri më 15 dhjetor ndodhën përgjatë të ashtuquajturës rruga atlantike, e cila cilësohet si njëra prej më të rrezikshmeve në botë.

    Kjo organizatë i mbledh shifrat nga familjet e imigrantëve dhe nga të dhënat zyrtare të atyre që shpëtohen.

    Në mesin e të vdekurve ishin 1.538 fëmijë dhe 421 gra. Prilli dhe maji ishin muajt më vdekjeprurës, sipas raportit.

    Caminando Fronteras gjithashtu theksoi një “rritje të madhe” më 2024 të imigrantëve që nisen nga Mauritania, e cila është bërë pikënisja kryesore në rrugën drejt Ishujve Kanari.

    Në shkurt, Spanja ia dha Mauritanisë 210 milionë euro për ta ndihmuar t’i luftojë trafikantët me imigrantë dhe të mos i lejojë anijet me imigrantë të nisen drejt ishujve të saj.

    Ministria e Brendshme e Spanjës thotë se më shumë se 57.700 imigrantë mbërritën në Spanjë përmes anijes deri më 15 dhjetor këtë vit, që është një rritje prej rreth 12 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Shumica e tyre erdhën përmes rrugës atlantike./rel