ATV

Author: G.O.

  • Pallati i Drejtësisë ende me probleme, temperaturat e larta në salla vështirësojnë mbajtjen e seancave

    Pallati i Drejtësisë ende me probleme, temperaturat e larta në salla vështirësojnë mbajtjen e seancave

    Temperaturat e larta në sallat gjyqësore po vështirësojnë mbajtjen e seancave në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ndërsa në disa raste po ndikojnë edhe në shtyrjen e tyre.

    Gjatë kësaj periudhe, Pallati i Drejtësisë përballet vazhdimisht me temperatura të larta, për shkak të mosfunksionimit të duhur të sistemit të klimatizimit. Ky problem, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kërkon kosto të lartë për sanim të plotë, raporton KosovaPress.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Besim Spahiu, thotë për KosovaPress se për këtë çështje ka takuar menaxhmentin e gjykatës, sekretariatin dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

    Megjithatë, pas kërkesës së tij, ka një sanim të vogël të klimatizimit.

    “Me datë 10 qershor i jam drejtuar me shkrim menaxhmentit të gjykatës, sekretariatit dhe Këshillit Gjyqësor për mungesë të klimatizimit por nga ta nuk marrë asnjë përgjigje, kurse me datë 17 kam shkuar në Këshill Gjyqësor për të kërkuar sqarim rreth problemit ku u takova me kryesuesin e këshillit dhe më informojnë se kanë angazhuar një ekip për sanimin e problemit të klimatizimit dhe më premtojnë se brenda 20 ditësh do të rregullohet klimatizimi në një masë të konsiderueshme, pasi që për sanimin e plotë duhet kohë dhe mjete buxhetore të cilat për momentin nuk i kanë në dispozicion. Me 25 qershor kemi një sanim të vogël të klimatizimit. Unë si kryetar i sindikatës më 1 korrik jam drejtuar me kërkesë zyrtare menaxhmentit të gjykatës dhe KGJK-së duke kërkuar reduktimin e përkohshëm të orarit të punës. E përshëndes vendimin e KGJK-së, presim që këto masa të zbatohen sa më shpejt. Unë deri më tani nuk kam pranuar ndonjë njoftim zyrtar për këtë vendim”, tha Spahiu.

    Për vështirësitë që po shkaktohen nga temperaturat e larta në sallat gjyqësore ka folur edhe avokati Arbër Jashari.

    Ai thotë se këtë javë një seancë e paraparë të mbahej gjatë gjithë ditës në departamentin e të miturve, është bërë e pamundur të vazhdohej për shkak të kushteve në sallë, madje njëra nga palët ishte alivanosur. Seanca e njëjtë ishte shtyrë për një ditë tjetër.

    Jashari bën të ditur se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka shtyrë të gjitha seancat që janë vlerësuar si jo urgjente.

    Shtyrja e seancave gjyqësore sipas Jasharit, ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e palëve në procedurë penale, duke u shkelur të drejtat e tyre.

    “Hiç më larg se këtë javë e kishim një seancë që ishte e paraparë të mbahet gjatë gjithë ditës në departamentin për të mitur, por kur erdhi mesi i ditës ishte e pamundshme të qëndrohet në ato salla. Nuk është e lehtë si avokatia apo çështja e përcjelljeve të seancave, do shumë koncentrim, të jemi gjatë gjithë kohës në komoditet dhe temperaturat e larta e bëjnë të pamundur që truri të veproj. Siç thashë gjatë sesionit të pasdites, njëra prej palëve gati sa nuk u alivanos nga temperaturat e larta, ai objekt ka probleme edhe me ajrosjen, prania e oksigjenit në ato objekte është më e vogël sesa duhet.. Departamenti special i Gjykatës Themelore, pothuajse i ka shtyrë të gjitha seancat të cilat nuk janë urgjente.. 3:45 Shtyrja e seancave ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e palëve në procedurë penale. Sa herë që një seancë shtyhet të drejtat e dikujt shkelën, të pandehurve kur janë në masën e paraburgimit, të drejtat e palës së dëmtuar”, tha Jashari.

    Ndërkaq, zëdhënësja për media në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, në një përgjigje me shkrim thotë se ka një përmirësim të gjendjes sa i përket temperaturave në salla gjyqësore, ku Gjykata për momentin nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë është në dijeni për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin kryetarët e gjykatave autorizohen të ndërmarrin masa për reduktimin ose pezullimin e punës, nëse paraqitet nevoja si pasojë e temperaturave të larta. Megjithatë, në Pallatin e Drejtësisë, gjatë dy ditëve të fundit, është vërejtur një përmirësim i gjendjes sa i përket temperaturave në ambientet e punës, përkatësisht sistemi i klimatizimit ka filluar të funksionojë. Në këto rrethana, Gjykata aktualisht nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës. Megjithatë, Gjykata do të monitorojë në vazhdimësi situatën dhe, nëse paraqitet nevoja, do të zbatojë masat e përcaktuara në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së gjyqtarëve, stafit administrativ dhe palëve”, thuhet në përgjigje.

    Të hënën, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka autorizuar kryetarët e Gjykatave të Supremes, Apelit, Administratives, Komerciales dhe Themelores në Prishtinë, që të ndërmarrin masa për shkak të temperaturave të larta që mbizotërojnë në Pallatin e Drejtësisë.

    Tashmë iu mbetet kryetarëve të gjykatave në Pallatin e Drejtësisë, që në bazë të vlerësimit të mund të reduktojnë ose pezullojnë punën.

  • Policia gjen sërish armë e municion në një fshat të Zubin Potokut

    Policia gjen sërish armë e municion në një fshat të Zubin Potokut

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Lucka Reka në komunën e Zubin Potokut, ka gjetur sërish armë dhe municion.

    Përmes, një komunikate për media Policia ka bërë të ditur se ka sekuestruar një armë të gjatë, 392 fishek te kalibrit 7.62 mm, 123 fishek kalibër 7.9 mm, 15 fishek te pushkës se gjuetisë, 18 te armës se shkurt, 6 gëzhoja të llojeve te ndryshme dhe një bajonetë.

    Njoftimi i plotë:

    POLICIA SËRISH GJEN ARMË DHE MUNICION NË ZUBIN POTOK – BASHKËPUNIMI ME QYTETARËT VAZHDON TË JAPË REZULTATE KONKRETE

    Mitrovicë Veri , 09.07.2026

    Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe qytetarëve, të cilët edhe në rastet e mëparshme kanë ofruar informacione të rëndësishme që kanë çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e armëve ilegale, sot me datën 09.07.2026 është realizuar edhe një operacion i suksesshëm policor në veri të vendit.

    Gjatë komunikimit të rregullt me qytetarët, zyrtarët policorë kanë pranuar informacione se në një shtëpi të pabanuar në fshatin Lucka Reka, komuna Zubin Potok, mund të ketë armë dhe mjete të tjera ilegale.

    Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta dhe profesionale, duke kryer kontroll në lokacionin e dyshuar. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:

    – Një (1) arme te gjatë gjysme automatike;

    – Treqind e nëntëdhjetë e dy ( 392) fishek te kalibrit 7.62 mm,

    – Njëqind e njëzet e tre ( 123) fishek kalibër 7.9 mm

    – Pesëmbëdhjetë (15) fishek te pushkës se gjuetisë

    – Njëmbëdhjetë (11) fishek te pushkës se gjatë

    – Tre (3) fishek manovrues

    – Tetëmbëdhjetë fishek (18) te armës se shkurt

    – Dy (2) fishek te armës se gjate

    – Gjashtë (6) gëzhoja te llojeve te ndryshme

    – Një (1) bajonetë

    Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Në lidhje me këtë rast, deri në këto momente nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti vazhdon te hetohet nga njesitë kompetente.

    Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe besimin e treguar, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë të raportojnë çdo informacion të rëndësishëm përmes numrit emergjent 192. Vetëm përmes partneritetit të ngushtë ndërmjet policisë dhe qytetarëve mund të ndërtohet dhe të garantohet një ambient i sigurt, i qetë dhe paqësor për të gjithë qytetarët, pa dallim.

  • Avokatët e të akuzuarve për sulmin në Ibër-Lepenc kundërshtojnë aktakuzën, pretendojnë se Prokuroria ka injoruar provat e mbrojtjes

    Avokatët e të akuzuarve për sulmin në Ibër-Lepenc kundërshtojnë aktakuzën, pretendojnë se Prokuroria ka injoruar provat e mbrojtjes

    Avokatët e të akuzuarve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, në fjalët hyrëse në gjykimin për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, kundërshtuan aktakuzën e Prokurorisë Speciale, duke pretenduar se nuk janë marrë parasysh provat e propozuara nga mbrojtja, raporton Ekonomia Online.

    Avokati Nebojsha Vllaiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, tha se nga gjykata pret drejtësi dhe objektivitet, duke akuzuar Prokurorinë se ka injoruar provat e mbrojtjes.

    “Pse qytetarët i drejtohen gjykatës, sepse nga gjykata presim drejtësi dhe të vërtetën. Pse bash nga gjykata, sepse gjykata është e obliguar që të jetë objektive dhe e paanshme. Dhe ky obligim nuk e obligon vetëm gjykatën por edhe prokurorin publik. Ne kemi propozuar 10 prova dhe prokurori nuk ka marrë asnjë thjesht nuk i ka interesuar. Këtu prokurorit i pengon se i pandehuri po mbrohet në heshtje… Nuk do të flas (i pandehuri) përderisa prokurori i fsheh të gjitha dhe i fsheh provat tona. Në mënyrë të palejueshme dhe të paligjshme”, tha ai.

    Ai kundërshtoi edhe përfshirjen në aktakuzë të disa gjërave të sekuestruara, duke thënë se posedimi i tyre nuk përbën vepër penale.

    “Asnjë ligj nuk ndalon të mbahet thika, të gjithë kemi në shtëpi, radio, secili gjuetar ka maska apo uniforma, unë nuk them se prokurori s’guxon t’i përmendë, aktakuza ka arsyetimin le ta sqarojë ai në arsyetim se çka ka pas i pandehuri. Atëherë pretendon se ekzistojnë uniforma ruse po s’është asnjë, unë këtë e kam provu, kjo është e Ukrainës, ndërsa uniforma amerikane e britanike ka më së shumti, po ato prokurori s’i përmend se s’i pengojnë që ato konsiderohen uniforma të miqve në Kosovë, prokurorit i pengojnë uniformat ruse që ta vendos të pandehurin në një situatë më të vështirë. Edhe vepra penale e spiunazhit është kualifikuar jashtëligjshëm. Vlerësimi i dëmit është i tepruar”, tha ai.

    Avokati Millosh Deleviq, mbrojtës i Dragisha Viqentijeviqit, tha se nga aktakuza nuk është e qartë se çfarë veprimi konkret ka kryer klienti i tij.

    “Ne në gjykimin e kaluar kemi dëgjuar aktakuzën, sot e kemi dëgjuar fjalën hyrëse të prokurorit dhe nuk është e qartë se çfarë ka bërë i mbrojturi im. Çka konkretisht ka bërë ai atë ditë. Kjo aktakuzë dhe kjo çfarë është deklaruar përshkruan ngjarjen që ka ndodhur atë ditë, unë nuk e di deri ku gjykata e shkallës së parë di të tolerojë që prokurori të paraqes aktakuza me këso përmbajtje dhe deri kur do të lejojë që këto aktakuza të hyjnë në fuqi. E vetmja gjë logjike në lidhje me Dragishën është se supozohet se ekziston prova që balta nga çizmet e tij përputhet me baltën nga vendi i ngjarjes. Mirëpo nuk e kemi kuptuar se a është vërtetuar se ato çizme janë pronë e Dragishës. Do të propozojmë 4 dëshmitarë, do të propozojmë video-incizime. Do të kundërshtojmë edhe ekspertizën e baltës në çizme”, tha ai.

    Jelena Krivokapiq, mbrojtëse e të akuzuarit Igor Dimoviq, tha se mbrojtja do të ofrojë prova se sendet e sekuestruara janë pjesë e një koleksioni privat.

    “Do të ofrojmë prova se bëhet fjalë për koleksionimin e gjërave të vjetra, përkatësisht se i mbrojturi im është koleksionar i pasionuar i gjërave të vjetra që përfshijnë edhe gjëra të ushtrive të vjetra, të cilat janë të rralla, nuk bëhet fjalë për pajisje ushtarake”, tha ajo.

    Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se seanca e radhës është caktuar për 27 korrik në orën 10:00 dhe 28 korrik në orën 09:30.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.

  • Irani akuzon ShBA-në për “shkelje flagrante” të marrëveshjes së armëpushimit

    Irani akuzon ShBA-në për “shkelje flagrante” të marrëveshjes së armëpushimit

    Ministria e Jashtme iraniane ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një “shkelje flagrante” të pjesëve të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar më 17 qershor, i cili solli një armëpushim të përkohshëm.

    Kjo bëri thirrje për një “ndërprerje të menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake” dhe tha se Irani do të “bëjë marrëveshje duke përdorur përpjekjet e tij më të mira për kalimin e sigurt të anijeve tregtare” përmes Ngushticës së Hormuzit, raporton BBC.

    Mënyra se si të dyja palët e interpretojnë atë pjesë të Memorandumit të Mirëkuptimit është bërë një pikë kyçe tensionesh në këtë konflikt.

    Ministria e jashtme thotë se ShBA kryen sulme nën “pretekstin” e të reagimit ndaj “incidenteve të dyshuara që përfshinin disa anije që nuk përmbushnin rregullat” në ngushticë.

    ShBA më parë e ka akuzuar Iranin për një “shkelje të armëpushimit” për shënjestrimin e tri anijeve tregtare në ngushticë, mirëpo Irani nuk ka marrë përgjegjësinë për këto sulme.

  • Gjermania blen raketa amerikane Tomahawk

    Gjermania blen raketa amerikane Tomahawk

    Gjermania ka arritur një marrëveshje me qeverinë amerikane për blerjen e raketave lundruese Tomahawk dhe vendosjen e tyre në territorin gjerman, u tha kancelari Friedrich Merz ligjvënësve në Berlin të enjten.

    Merz tha se u takua me përfaqësuesit e Uashingtonit në margjinat e samitit të NATO-s në Ankara për të nënshkruar marrëveshjen, duke shtuar se samiti i tejkaloi të gjitha pritjet e tij.

    “Po mbyllim një boshllëk kritik strategjik në mbrojtjen tonë, ndërkohë që po punojmë në zhvillimin e sistemeve tona evropiane dhe vendosjen e tyre në Evropë”, tha ai.

    Fati i Tomahawk ishte i paqartë pasi Presidenti Donald Trump njoftoi në maj se do të zvogëlonte praninë ushtarake amerikane në Gjermani, gjë që shihet si një anulim i planit të administratës së mëparshme për të vendosur një grup luftarak raketash me rreze të gjatë veprimi në vend.

    Berlini këmbënguli se ky veprim kishte efektin e një pengese të fortë kundër Rusisë, pasi evropianët zhvilluan armët e tyre të këtij lloji.

  • Ministri grek i Mbrojtjes: S’jemi të lumtur nëse Truqia do të marrë aeroplanë F-35 nga Amerika

    Ministri grek i Mbrojtjes: S’jemi të lumtur nëse Truqia do të marrë aeroplanë F-35 nga Amerika

    Greqia nuk do të jetë e kënaqur nëse Shtetet e Bashkuara vendosin t’i shesin Turqisë avionët luftarakë F-35, tha të enjten Ministri i Mbrojtjes i vendit, Nikos Dendias.

    “Më lejoni të jem i sinqertë. Greqia nuk është e lumtur që Turqia të marrë F-35, Greqia nuk është e kënaqur që Turqia të marrë motorë për një avion të gjeneratës së re. Dhe qasja jonë e përgjithshme ndaj kësaj është se ne nuk duhet të gjykojmë se çfarë po bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kujt po ia shesin. Kjo është punë e qeverisë amerikane. Ne po bëjmë vetëm një pyetje: A është në interesin e vërtetë të SHBA-së, po apo jo?” tha Dendias në një konferencë të Economist në Athinë.

    “Është e sigurt se për qeverinë amerikane, NATO dhe veçanërisht stabiliteti në Mesdheun Lindor është thelbësor. Pra, t’i japësh një platformë një vendi në Mesdheun Lindor pa kushtin se kjo nuk mund të përdoret kundër një anëtari tjetër aleat, a është në interes të SHBA-së apo jo?”

    Në prag të takimit të NATO-s në Ankara, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte sugjeruar se mund të hiqte sanksionet e vendosura ndaj Turqisë për të lehtësuar shitjen e avionëve.

    Interesi i Turqisë për të blerë F-35 përballet me pengesa ligjore si rezultat i blerjes nga Ankaraja të sistemit raketor S-400 të prodhuar në Rusi. Kongresi miratoi një ligj që ndalon çdo shitje të F-35 në Turqi për sa kohë që Ankaraja mban S-400, duke thënë se sistemi rus përbën një rrezik sigurie për avionët luftarakë të prodhuar në SHBA.

    Duke folur me gazetarët në samitin e liderëve të NATO-s në Ankara, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shmangu komentimin e drejtpërdrejtë mbi deklaratat e Trump, por theksoi se uniteti i NATO-s varet nga respektimi i ligjit ndërkombëtar dhe konsiderimi i interesave të të gjithë anëtarëve./euronewsalbania/

  • S’ka fluks të madh të pritjeve të mërgimtarëve nëpër kufi

    S’ka fluks të madh të pritjeve të mërgimtarëve nëpër kufi

    Diaspora ka nisur të vijë në Kosovë, me rastin e pushimeve vjetore në vendet ku jetojnë.

    Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, bëhet e ditur se fluksi i pritjeve nuk është i lartë, kryesisht nga 3 deri në 5 minutë.

    Pritje më e madhe rezulton të jetë vetëm në një pikë kufitare, atë të Hanit të Elezit, nga 5 deri në 10 minuta.

  • ShBA-ja kryen sulme të reja në Iran, Teherani hakmerret me sulme në Kuvajt dhe Bahrejn

    ShBA-ja kryen sulme të reja në Iran, Teherani hakmerret me sulme në Kuvajt dhe Bahrejn

    Ushtria amerikane njoftoi të mërkurën se ka kryer sulme të reja ndaj Iranit për ta mbajtur të hapur për lundrim Ngushticën e Hormuzit, duke e nxitur Teheranin të kryejë sulme ndaj Kuvajtit dhe Bahrejnit. Ky përshkallëzim i vë në rrezik përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

    Sulmet e reja, të cilat Shtetet e Bashkuara thanë se u kryen si përgjigje ndaj sulmit të së martës ndaj tri anijeve të mallrave që po kalonin nëpër ngushticë, ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti Donald Trump theksoi se armëpushimi i përkohshëm me Iranin kishte “marrë fund”.

    “Forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së kanë filluar të kryejnë sulme shtesë kundër Iranit për të dobësuar më tej aftësinë e tij për ta kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, shkroi CENTCOM, komanda amerikane për Lindjen e Mesme, në platformën X.

    “Shtetet e Bashkuara e mbajnë Iranin përgjegjës për agresionin e pajustifikuar rishtazi ndaj anijeve tregtare dhe ekuipazheve civile që lundrojnë lirshëm në këtë rrugë jetike ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

    Sulmet amerikane goditën disa qytete përgjatë bregdetit jugor të Iranit dhe lanë disa zona pa rrymë.

    Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Kuvajtit dhe Bahrejnit, dy vende që strehojnë baza ushtarake amerikane. Kjo ishte dita e dytë radhazi që Irani kryen sulme në këto dy vende.

    Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit tha se po interceptonte raketa dhe dronë, ndërsa Katari lëshoi përkohësisht një alarm për “kërcënim të shtuar të sigurisë”, para se të njoftonte më vonë se rreziku kishte kaluar.

    Ndërkohë, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social, se “kjo është hakmarrje për bombardimin e djeshëm të anijeve nga Irani. Nëse ndodh përsëri, pasojat do të jenë shumë më të rënda”.

    Kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë para fillimit të luftës, i ka mundësuar Teheranit ndikim të jashtëzakonshëm, duke e lejuar që në praktikë ta imponojë një ngërç përballë ushtrisë më të fuqishme në botë.

    Megjithëse Irani nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj anijeve, analistët thonë se Teherani përdor veprime të tilla për të fituar përparësi në bisedime me SHBA-në.

    “SHBA-ja ende nuk e ka kuptuar se kërcënimet dhe shkelja e zotimeve të saj nuk mbeten më pa pasoja. Le të jem i qartë: Nëse godisni, do të goditeni”, shkroi negociatori kryesor iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, në platformën X.

    “Ngushtica e Hormuzit do të rihapet vetëm sipas marrëveshjeve të Iranit, jo përmes kërcënimeve të SHBA-së”, shtoi ai.

    Shkëmbimi i fundit i sulmeve duket se zbehu shpresat për ta shndërruar memorandumin e mirëkuptimit, të nënshkruar më 17 qershor, në një marrëveshje të përhershme për t’i dhënë fund luftës, e cila kishte filluar me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.

    I pyetur para samitit të NATO-s në Turqi nëse memorandumi i mirëkuptimit kishte marrë fund, Trump u përgjigj: “Është një pyetje shumë interesante. Për mua, mendoj se ka marrë fund. Nuk dua të merrem më me ta”.

    “Nëse arrijmë marrëveshje me Iranin, nuk jam i sigurt se ajo do të zgjasë”, tha më vonë Trump. “Kam parë se janë njerëz shumë të pandershëm.

    Megjithatë, Trump, i cili edhe më parë ka kërcënuar me përshkallëzim ushtarak para se të tërhiqej, tha se nuk pret rikthimin e plotë të luftimeve dhe se mbetet e paqartë nëse bisedimet për një marrëveshje të përhershme do të vazhdojnë.

    Po të mërkurën, Trump tha se nuk beson se lufta do të rifillojë: “Çfarëdo që të ndodhë do të përfundojë shumë shpejt… dhe vetëm do ta bëjë gjendjen më të sigurt, përfshirë edhe për tregun e naftës”.

    Sulmet e së mërkurës nxiten rritjen e çmimeve të naftës. Nafta e Brentit u rritën për rreth 1 për qind, në 78.80 dollarë për fuçi. Megjithatë, çmimet mbetën dukshëm nën kulmin e fundprillit, kur kishin kaluar 120 dollarë për fuçi./REL

  • Pas Mitrovicës, edhe Podujeva lejon shfrytëzimin e parkingjeve të disa shkollave

    Pas Mitrovicës, edhe Podujeva lejon shfrytëzimin e parkingjeve të disa shkollave

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se disa hapësira publike do të jenë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, për parkim veturash.

    Bëhet fjalë për ofrimin e parkingjeve në oborret e disa shkollave, me qëllim që të lehtësohet komunikacioni

    “Ju njoftoj se kam marrë vendim për lejimin e shfrytëzimit të parkingjeve në shkollat IAAP “Isa Boletini”, SHFMU “Enver Maloku”, SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova”, Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” dhe IAAP “Fan S. Noli”, për të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës.

    Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të automjeteve dhe krijimit të hapësirave shtesë për parkim, duke kontribuar në një menaxhim më efikas të lëvizjes në qytet gjatë periudhës që bashkatdhetarët tanë do të jenë për pushime në vendlindje” njoftoi Bulliqi.

    Një vendim të njëjtë e mori edhe kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tani që fluksi i veturave rritet me ardhjen e mërgatës.

  • “Dëshiron t’i japë fund luftës”, Trump paralajmëron bisedë me Putinin të mërkurën

    “Dëshiron t’i japë fund luftës”, Trump paralajmëron bisedë me Putinin të mërkurën

    Presidenti amerikan, Donald Trump tha se mendonte se kushtet e Presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po ndryshonin.

    “Unë flas shumë me Presidentin Putin dhe ai dëshiron t’i japë fund luftës”, tha Trump gjatë takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në kuadër të punimeve të samitit të NATO-s, raporton Reuters.

    Ai tha se do të flasë me Putinin të mërkurën dhe shpreson që një takim midis Presidentit ukrainas dhe udhëheqësit rus mund të ndodhte “së shpejti”.