ATV

Author: G.O.

  • Rrëzohet helikopteri mjekësor pak pas ngritjes në Kaliforni: Dy të vdekur, dy të lënduar dhe një person i zhdukur

    Rrëzohet helikopteri mjekësor pak pas ngritjes në Kaliforni: Dy të vdekur, dy të lënduar dhe një person i zhdukur

    Dy persona kanë vdekur, dy të tjerë janë plagosur dhe një person rezulton i zhdukur pasi një helikopter mjekësor u rrëzua në ujërat pranë ishullit Santa Catalina në Kaliforni, pak pas ngritjes të mërkurën në mbrëmje.

    Helikopteri i Shërbimeve Mjekësore Ajrore REACH, me pesë persona në bord, u rrëzua pranë platformës së uljes së helikopterëve në Pebbly Beach, rreth një milje nga Avalon, pak pas orës 19:50, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut të Los Angelesit.

    Autoritetet arritën të nxjerrin katër persona nga vendi i ngjarjes dhe t’i dërgojnë në spital. Dy prej tyre humbën jetën, ndërsa dy të tjerët u raportuan në gjendje të qëndrueshme. Një person i pestë mbetet i zhdukur dhe operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar në zonë.

    Shkaku i rrëzimit ende nuk është bërë i ditur. Helikopteri ishte nisur nga ishulli dhe u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Ekipet e Rojës Bregdetare amerikane, Sherifit të Qarkut të Los Angelesit dhe Zjarrfikësve të Avalonit morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit.

    Mbikëqyrësja e Qarkut të Los Angelesit, Janice Hahn, e cila përfaqëson Ishullin Catalina, reagoi pas incidentit.

    “Jam informuar se një helikopter mjekësor që po largohej nga Ishulli Catalina është rrëzuar menjëherë pas ngritjes. Zjarrfikësit e Qarkut të Los Anxhelosit, Sherifi, Roja Bregdetare dhe Zjarrfikësit e Avalonit janë në vendngjarje. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar dhe po lutem për të gjithë ata që ishin në bord”, tha ajo.

    Kompania Global Medical Response, e cila zotëron helikopterin, konfirmoi se ishte në dijeni të incidentit dhe se po bashkëpunonte me autoritetet dhe ekipet e emergjencës. Kompania nuk dha detaje të tjera për ngjarjen.

    Në operacion janë përfshirë ekipe zhytjeje, avionë dhe anije, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

  • PDK largohet nga Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së, kërkon procedimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

    PDK largohet nga Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së, kërkon procedimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas konstituimit të tij, duke kërkuar që në Kuvend të procedohet sa më parë plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, tha se konstituimi i institucioneve është i rëndësishëm, por sipas saj, aktualisht prioritet duhet të jetë Ligji për Dhomat e Specializuara.

    “Ne sapo morëm pjesë në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, dhe natyrisht si Parti Demokratike e Kosovës konsiderojmë që konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ishim aty. Mirëpo gjithashtu jemi larguar nga ky takim pas konstituimit për shkak se për momentin për Republikën e Kosovës nuk ka ndonjë prioritet më të madh se sa procedimi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen”, tha Kabashi-Ramaj.

    Edhe deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, tha se partia e tij e konsideron këtë ligj si “prioritet mbi prioritetet”, duke paralajmëruar se deputetët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në komisione të tjera deri në procedimin e tij.

    “Por neve si parti, qysh e tha edhe Besa, është prioritet mbi prioritetet ligji. Dhe ne nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kry ky ligj. Në qoftë se shohim kanë ardhur shumë ligje këtu brenda për brenda Kuvendit nëpër komisione të ndryshme, dhe ne besojmë, dhe po besoj, edhe gjithë qytetarët besojnë që prioriteti numër një është Ligji për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Rama.

    I pyetur për premtimin e kryeministrit se ligji do të procedohet brenda javës, Rama tha se PDK-ja pret që kjo të ndodhë sa më shpejt.

    “E presim, e presim na, këtu jemi domethënë, por ne presioni është që sa më parë që të vjen, sa më parë që është e mundshme me ardhur në Kuvend dhe t’i kryejmë të gjitha procedurat”, tha Rama.

    Rama u pyet edhe për paralajmërimin e takimeve të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me çështjen e presidentit.

    Ai tha se për PDK-në, fillimisht duhet të procedohet Ligji për Dhomat e Specializuara, duke përfshirë, siç tha ai, mbikëqyrjen e procesit dhe përkrahjen financiare.

    “Ju e dini edhe qëndrimin e PDK-së po edhe vet kryetarit Bedri Hamza. Për neve prioritet është e para, domethënë Ligji për Dhomat e Specializuara të ketë mbikëqyrje, domethënë të procesit dhe përkrahje financiare. Dhe pas asaj mundemi me u ulë dhe me diskutuar dhe është edhe me ne edhe qëndrimi jonë që të ketë sa më parë që është e mundshme Kosova t’i ketë të gjitha institucionet”, tha Rama.

  • Dhunë fizike e psikike, Policia njofton për disa raste të dhunës në familje në raportin 24-orësh

    Dhunë fizike e psikike, Policia njofton për disa raste të dhunës në familje në raportin 24-orësh

    Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës psikike e fizike në familje, dhunës ndaj grave.

    Rastet e dhunës janë raportuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Graçanicë, Ranillug, Klinë e Gjakovë.

    Raporti i plotë i policisë:

    Prishtinë / 27.09.2026 – NN. Më 30.09.2026 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj viktimës femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Fushë Kosovë / 30.09.2026 – 19:29 Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi e njëjta dyshohet se kishte thyer dhe demoluar orenditë shtëpiake. Me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

    Fushë Kosovë / 30.09.2026 – 21:30 Janë arrestuar dy të dyshuar një mashkull dhe një femër kosovare, për shkak se pas një mosmarrëveshje verbale dyshohet se kishin sulmuar fizikisht njëri tjetrin. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas inicimit të rastit janë liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

    Graçanicë / 30.09.2026 – 20:30 Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti në gjendje të dehur dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

    Fushë Kosovë / 30.09.2026 – 23:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Ranillug / 30.09.2026 – 08:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Klinë / 30.09.2026 – 14:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

    Gjakovë / 30.09.2026 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës mashkull kosovar. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

  • Kapet 1 kg narkotik në Pejë, në pranga dy kosovarë dhe një shtetase e Shqipërisë

    Kapet 1 kg narkotik në Pejë, në pranga dy kosovarë dhe një shtetase e Shqipërisë

    Tre persona janë arrestuar në Pejë nën dyshimin për blerje, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë dy meshkuj shtetas të Kosovës dhe një femër shtetase e Shqipërisë.

    Gjatë kontrollit të veturës me të cilën po udhëtonin të dyshuarit, njësitë relevante policore kanë gjetur dhe konfiskuar rreth 1 kilogram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Si prova materiale, policia ka konfiskuar edhe para të gatshme, tre telefona celularë, dy thika dhe veturën me të cilën po udhëtonin të dyshuarit.

    Me vendim të prokurorit, të tre personat janë dërguar në mbajtje.

  • Transporti publik falas në Prishtinë gjatë marshit për UÇK-në

    Transporti publik falas në Prishtinë gjatë marshit për UÇK-në

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se transporti publik në kryeqytet do të jetë pa pagesë sot, në intervalin kohor 14:00-20:00, me rastin e organizimit të marshit për UÇK-në.

    Sipas njoftimit të komunës, masa është marrë me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe pjesëmarrjes në marsh.

    “Me rastin e organizimit të marshit për UÇK-në, që do të mbahet sot, transporti publik në Kryeqytet do të jetë pa pagesë në intervalin kohor 14:00-20:00”, thuhet në njoftim.

  • Një person përfundon në QKUK, u rrah nga disa persona në Vushtrri

    Një person përfundon në QKUK, u rrah nga disa persona në Vushtrri

    Një person është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi dyshohet se është sulmuar dhe rrahur nga disa persona të panjohur në Vushtrri.

    Rasti ka ndodhur dje më rreth orës 00:45. Sipas të dhënave të policisë, viktima dyshohet se është sulmuar me mjete të forta.

    Gjatë veprimeve në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur një veturë të aksidentuar, katër gëzhoja, një karikator me pesë fishekë, si dhe një fishek tjetër brenda veturës.

    Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, ndërsa për momentin nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me autorët e dyshuar.

  • Ambasadori austriak: Duhet të ketë stabilitet dhe siguri në Ballkan, kjo përfshinë hapa drejt statusit kandidat për Kosovën

    Ambasadori austriak: Duhet të ketë stabilitet dhe siguri në Ballkan, kjo përfshinë hapa drejt statusit kandidat për Kosovën

    Ambasadori i Austrisë në Kosovë Georg Schnetzer ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Këto komente i bëri në konferencën “Zgjerimi dhe siguria rajonale e energjisë”, e cila po mbahet në Prishtinë.

    Duke folur për rëndësinë e konferencës dhe bashkëpunimin evropian, ambasadori tha se Prishtina nuk është zgjedhur rastësisht si vendi ku po zhvillohet ky diskutim.

    “Do të doja po ashtu t’ju uroja mirëseardhjen përzemërsisht në Prishtinë, e veçanërisht në konferencën “Zgjerimi dhe siguria rajonale e energjisë”. Dua po ashtu të falënderoj të gjithë organizatorët dhe të gjithë ato që kanë bërë këtë konferencë të mundur: Fondacionin për Shoqëri Civile të Kosovës (KCSF) që po mirëpret këtë konferencë në mënyrë shumë bujare, Fondacionin për Shoqëri të Hapur (OSF), si dhe para se gjithash Qendrën Austro-Franceze për Përafrim në Evropë për këtë iniciativë për organizimin e kësaj conference ”, tha ambasadori Schnetzer.

    Ai foli për rolin e Qendrës Austro-Franceze për Përafrim në Evropë dhe aktivitetet e saj në fushën e integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal.

    “Për t’u kthyer tash te tema e këtij diskutimi në panel sa i përket zgjerimit të Evropës nga një perspektivë austriake: Integrimi evropian, nëse bëhet mirëfilli si histori suksesi, është garancia më e mirë e sigurisë sonë. Ballkani Perëndimor luan një rol jetik në sigurinë evropiane, prosperitetin dhe rritjen ekonomike. Zgjerimi i BE-së është çelësi i autonomisë strategjike të të gjithë Unioni. Një proces i besueshëm i zgjerimit që ofron benefite të mirëfillta është prioriteti ynë strategjik kyç, por progresi ka qenë tepër i ngadalshëm”, tha ai.

    Ambasadori vlerësoi se qasja aktuale ndaj zgjerimit nuk i përgjigjet, sipas tij, urgjencës gjeopolitike dhe bëri thirrje për hapa konkretë që do të tejkalonin bllokimet politike.

    “A është qasja e tashme e përshtatur me urgjencën gjeopolitike? Jo. Strategjia jonë aktuale për shembull, inicimi i bisedimeve për integrim vetëm pas përmbushjes së kushteve a e përmbush kjo kushtin e urgjencës gjeopolitike? Jo, nuk besoj kështu. Është interesi ynë strategjik që të kemi stabilitet, siguri e prosperitet në Ballkanin Perëndimor. Duhet të veprojmë në këtë drejtim menjëherë. Kjo nuk do të thotë kompromis kundrejt vlerave tona fundamentale të përligjura në kriteret e Kopenhagës. Por do të thotë ndërmarrje e hapave konkretë për të tejkaluar bllokimet aktuale politike. Kjo duhet të përfshijë edhe hapat drejt statusit të kandidatit për Kosovën, me vlerësimin e aplikimit zyrtar për anëtarësim në BE nga Komisioni i Bashkimit Evropian” , tha ambasadori./rtk/

  • Sot mbahet protesta gjithëpopullore

    Sot mbahet protesta gjithëpopullore

    Qytetarë të shumtë pritet të marrin pjesë sot në Prishtinë në marshin për drejtësi me moton “Jo në emrin tim”, të organizuar nga platforma “Liria ka emër”.

    Marshi vjen pas protestave të zhvilluara gjatë 15 ditëve të fundit, lidhur me dënimin prej gjithsej 81 vitesh burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

    Protesta do të nisë në orën 16:00, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, përfshirë edhe figura të njohura politike dhe publike.

    Marshi synon të përcjellë mesazhin “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj proteste.

    Sipas organizatorëve, zgjedhja e 1 tetorit nuk është e rastësishme. Kjo datë lidhet me protestën studentore të 1 tetorit 1997, e cila konsiderohet një nga momentet simbolike të rezistencës paqësore në Kosovë.

    Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, përfaqësues të platformës “Liria ka emër” u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit, duke kërkuar mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe kundërshtuar dënimet e shqiptuara ndaj tyre nga Dhomat e Specializuara.

    Ndër kërkesat e organizatorëve janë unifikimi i spektrit politik, hartimi i një strategjie institucionale, si dhe miratimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Ahmeti fton shqiptarët në marshin e sotëm: Historia s’mund të gjykohet, ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën

    Ahmeti fton shqiptarët në marshin e sotëm: Historia s’mund të gjykohet, ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën

    Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin protestues që mbahet sot në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër dënimeve të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Marshi do të mbahet në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nën organizimin e platformës “Liria ka emër”.

    Ahmeti u ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës, duke kërkuar drejtësi të mbështetur, sipas tij, në fakte dhe prova dhe jo në dëshmi që ai i cilëson si të fabrikuara.

    Në një postim në Facebook, Ahmeti ka shkruar se historia nuk mund të gjykohet.

    “Të dashur shqiptarë, të dashura familje të dëshmorëve, të dashur veteranë të luftës, invalidë të luftës dhe të gjitha kategoritë e dala nga lufta, patriotë e bashkatdhetarë, Nesër, në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, ora 16:00, të bashkohemi të gjithë në një protestë paqësore dhe dinjitoze, për të kërkuar drejtësi të mbështetur në fakte dhe prova, e jo në dëshmi të fabrikuara në Beograd e në Moskë. Historia nuk mund të gjykohet. Ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën”, ka shkruar ai, duke shtuar se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë.

    Në vijim, Ahmeti e ka cilësuar UÇK-në si një vlerë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marsh.

    “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga vlerat më sublime të shqiptarëve në historinë tonë më të re. Ajo është pjesë e sakrificës, lirisë dhe dinjitetit të një populli. Obligim kombëtar i secilit prej nesh është ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta kultivojmë këtë vlerë, si sytë e ballit. Prandaj, nesër të jemi të gjithë bashkë në Prishtinë. Për drejtësi. Për të vërtetën. Për dinjitetin. Për lirinë”, ka shkruar ai.

  • Von der Leyen viziton Kosovën, takon krerët institucionalë

    Von der Leyen viziton Kosovën, takon krerët institucionalë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë sot Kosovën, ku do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Takimi me Haxhiun do të mbahet në Presidencë, duke nisur nga ora 12:30.

    Ndërkaq, në orën 13:00, von der Leyen do të pritet nga kryeministri Kurti në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    Pas takimit me Kurtin është paraparë edhe një konferencë për media.

    Vizita e von der Leyen në Kosovë është pjesë e një turi në rajon.

    Pas Prishtinës, ajo do të udhëtojë sot drejt Podgoricës, ndërsa turneu i saj do të përfundojë më 2 tetor në Shkup.