ATV

Author: G.O.

  • Dardan Krivaqa sërish në Apel, seanca mbyllet për publikun

    Dardan Krivaqa sërish në Apel, seanca mbyllet për publikun

    Në Gjykatën e Apelit të martën po shqyrtohen ankesat ndaj vendimit të dytë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, me të cilin Dardan Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vite burgim, për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Por, kjo seancë u mbyll për publikun për shkak të natyrës së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prezent në sallën e gjykimit ishin Dardan Krivaqa me avokatin e tij Skender Musa, dhe i akuzuari Arbër Sejdiu me avokatët Arbnora Shefkiu dhe Avni Ibrahimi.

    Po ashtu, prezent ishin edhe i dëmtuari Muhabi Osmani me përfaqësuesin e tij, avokatin Gazmend Rexhepi, ndërsa mungoi e dëmtuara Valdete Osmani.

    Kryetar i Kolegjit është gjykatësi Xhevdet Abazi, anëtar Hashim Çollaku, ndërsa gjyqtare referuese Kadrije Goga-Lubishtani.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    Edhe në rigjykim, Themelorja më 29 korrik 2024 e ka dënuar Krivaqën me burgim të përjetshëm, kurse Arbër Sejdiu u dënua me 15 vite burgim.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

    Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

    Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri  Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

    Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

    Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

    Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

    Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

    Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

    Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

    Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Ndryshe, dosja e plotë e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti.

    Kujtojmë se më 29 prill 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se në një rast tjetër, Krivaqa u dënua me 4 vjet burgim për grabitje në një kazino.

  • Aksion simbolik në Bujanoc ndaj dënimeve të padrejta për shqiptarët

    Aksion simbolik në Bujanoc ndaj dënimeve të padrejta për shqiptarët

    Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu ka bërë të ditur se sot kanë realizuar një aksion simbolik para stacionit policor në Bujanoc dhe para Gjykatës Themelore.

    “Shqiptarët i shihni me lupë ndërsa për serbët i mbyllni sytë!”, ishte mesazhi që u vendos para këtyre dy institucioneve.

    “Sot realizuam aksione simbolike para stacionit policor në Bujanoc dhe para Gjykatës Themelore në Bujanoc. Për një koment në Facebook, një shqiptar nga Bujanoci u dënua me qindra mijëra dinarë dhe me një muaj paraburgim, ndërsa ky standard nuk vlejti kur një serb kërkoi zola për ta bombarduar ndërtesën e KKSH”, ka shkruar Lutfiu.

    “Prandaj, Alo Policia, Alo Prokuroria ishte thirrja jonë sot!”, ka shkruar mes tjerash Lutfiu.

  • Kanali i Ibër Lepencit: Segmenti i ndërtuar gati për funksionalizim

    Kanali i Ibër Lepencit: Segmenti i ndërtuar gati për funksionalizim

    Saktësisht 45 ditë pas sulmit terrorist, kanali i Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut është gati për kthim në normalitet.

    Punët për sanimin e gjendjes, pas detonimit që e bëri jofunksional një segment rreth 20 metra dhe njërën nga bazat e akueduktit, tashmë janë kryer, derisa sot ekipe nga kompania punë-kryese po bëjnë pastrimin e tij para se të lëshohet sërish qarkullimi i ujit në kanalin kryesor.

    Si fillim, pritet që, krahas kanalit kryesor, uji të vazhdojë të qarkullojë edhe në atë anësor, derisa të vlerësohet se gjithçka është në rregull.

    Mbrëmjen e 29 Nëntorit, si pasojë e një sulmi terrorist me lëndë shpërthyese, u dëmtua një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut – i cili konsiderohet pjesë e infrastrukturës kritike.

    Për rastin, në paraburgim janë dytë të dyshuar nga komuniteti serb.

    Për sulmin, Kosova akuzoi Serbinë dhe strukturat e mbështetura nga ajo, me në krye Milan Radoicicin – ndaj të cilit ka aktakuzë për sulmin në terrorist paramilitar në Banjksë.

    Por, SHBA-ja, e cila e ka dënuar sulmin dhe ka ofruar mbështetje në hetim edhe nëpërmjet FBI-së, në këtë fazë, heziton të drejtojë gishtin kah Serbia./atvlive.tv

  • Arrin në një metër trashësia e dëborës në qarkun e Dibrës, ndërprerje e mësimit në 60 për qind të shkollave

    Arrin në një metër trashësia e dëborës në qarkun e Dibrës, ndërprerje e mësimit në 60 për qind të shkollave

    Vijojnë të jenë prezentë problematikat si pasojë e motit të keq në qarkun e Dibrës.

    Reshjet e dëborës janë ndërprerë që natën e mbrëmshme, por ja kanë lënë vendin ngricave. Temperatura në Bulqizë ka shënuar -15 gradë.

    60% e fshatrave të Qarkut Dibër vijon të jetë e bllokuar, pasi lartësia e dëborës arrin rreth 1 metër në Lurë, Selisht, Kalaja-Dodës, Sllovë, Trebisht dhe Ostren.

    Edhe sot, mësimi nuk vazhdon në 60% të shkollave të Qarkut Dibër.

    Pushteti vendor po punon për hapjen e rrugëve. Rruga nacionale Peshkopi-Bulqizë në disa segmente duhet të përdoren zinxhirët.

    Firma nënkontraktore po punon për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës. Sot, në orët e para të mëngjesit, është hapur rruga e Arbrit.

    Njoftim nga prefekti i qarkut Lezhë:

    Në territorin e qarkut Lezhë, situata aktualisht duket më e qetë, intensiteti i erës ka rënë në mesatare.
    Nga strukturat e MC të bashkisë Kurbin dhe OSHEE do punohet për riparimin e defekteve elektrike dhe pastrimin e qytetit nga mbeturinat e sjalla nga era.
    Nga strukturat e MC të bashkisë Lezhë dhe OSHEE do punohet për riparimin e defekteve të shumta elektrike dhe pastrimin e qytetit nga mbeturinat e sjalla nga era.
    Nga strukturat e MC të bashkisë Mirditë dhe OSHEE do punohet për riparimin e defekteve elektrike dhe pastrimin e qytetit nga mbeturinat e sjalla nga era, pastrimin e segmenteve rrugore nga dëbora, kriposjen e tyre.
    Probleme të furnizimit me ujë të pishëm dhe energji elektrike nuk ka.
    Kuota e lumit Drin e Mat vazhdojnë të jenë në nivele minimale.
    Hidrovorët janë në gadishmëri.

  • ASK: Rriten çmimet e konsumit në Kosovë

    ASK: Rriten çmimet e konsumit në Kosovë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se çmimet e konsumit u rritën në 1,1% vjetore dhe 0,7% mujore.

    “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,1% në muajin dhjetor 2024, krahasuar me muajin dhjetor 2023. Inflacioni mujor ishte 0,7% në muajin dhjetor 2024. Ndërsa norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2024 është 1,6%”, njofton ASK.

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2024 ishte më i lartë në një mesatare prej (1,6 %) krahasuar me vitin 2023.Ngritja e indeksit të çmimeve të konsumit është vërejtur te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: biletat e fluturimeve (10,8%), kafja, çaji dhe kakao (8,0%), pijet alkoolike (6,9%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (6,5%), shërbimet financiare (5,8%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (5,3%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (5,2%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (5,1%), pemët (4,8%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (4,6%), veshje (4,0%), kujdesi personal (3,7%), energjia elektrike (3,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (3,3%), duhani (2,7%), buka dhe drithërat (2,5%), shërbimet hoteliere (2,0%) dhe mishi (1,9%) me një ndikim te përbashkët prej 2,0 për qind në IHÇK-it.

    Ndërsa rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2024 është vërejtur te nëngrupe e COICOP-it: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-4,4%) dhe blerja e automjeteve (-1,8%) me një ndikim te përbashkët prej -0,4 për qind në IHÇK-it.

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,1 % në muajin Dhjetor 2024 krahasuar me muajin Dhjetor 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: kafja, çaji dhe kakao (14,4%), vajrat dhe yndyrnat (9,3%), shërbimet financiare (9,1%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (5,9%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (5,0%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (4,8%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (4,5%), qumështi, djathi dhe vezët (3,8%), pijet alkoolike (3,5%), veshje (3,0%), mishi (2,9%), kujdesi personal (2,7%), buka dhe drithërat (2,6%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,5%), prodhimet ushqimore (1,8%), shërbimet hoteliere (1,8%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (1,6%), duhani (1,4%), pajisje shtëpiake (1,2%) dhe perimet (1,0%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,0 për qind në IHÇK-it.

    Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj.(-8,3%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-5,7%), pemët (-4,1%), blerja e automjeteve (-2,5%) dhe energjia elektrike (-2,2%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,9 për qind në IHÇK-it.

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,7 % në muajin Dhjetor 2024 krahasuar me muajin Nëntor 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: biletat e fluturimeve (25,4%), energjia elektrike (6,2%), perimet (2,5%), kafja, çaji dhe kakao (2,2%) dhe qumështi, djathi dhe vezët (1,3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,8 për qind në IHÇK-it.

    Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: pemët (-2,5%) dhe pijet alkoolike (-1,2%) me një ndikim prej -0,1 për qind në IHÇK-it.

  • Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Edhe dje u mbajt seancë, ku ka dëshmuar dëshmitari i ri i ZPS-së, William Goodwin, i 111-ti deri më tani në gjykatë.

    Dëshmitari Goodwin gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka theksuar se nuk ka qenë i përfshirë në analizimin e ADN-së dhe si rrjedhojë, ai ka deklaruar se deduksionet e tij janë në fakt përfundime të të tjerave.

    Ndërkaq, gjatë këtij muaji, në këtë rast gjyqësor pritet të mbahen edhe 11 seanca, sipas kalendarit të punës së Speciales.

  • Sanksionet e ShBA-së kundër Moskës rrisin çmimet e naftës

    Sanksionet e ShBA-së kundër Moskës rrisin çmimet e naftës

    Për shkak të sanksioneve të reja të SHBA-së kundër Rusisë çmimet e naftës janë rritur me rreth pesë për qind brenda dy ditësh. Kjo rritje çmimi do të çojë edhe në rritjen e kostove të mallrave.

    Sanksionet e reja amerikane kundër prodhuesve rusë të naftës dhe anijeve cisternë që transportojnë naftë pritet të kenë një ndikim të rëndësishëm në tregun botëror të naftës. “Prej sanksioneve pritet që brenda një kohe të shkurtër flota e anijeve cisternë që përdor Rusia për eksportimin e naftës të zvogëlohet ndjeshëm, gjë që do të sjellë edhe rritjen e kostot e mallrave,” tha Matt Wright, analist i pranë firmës Kpler.

    Shumica e 183 anijeve cisternë mbi të cilat janë vënë sanksione të drejtpërdrejta i përkasin të ashtuqujturës “flotë fantazëm” që shfrytëzon Rusia për eksportimin e naftës. Fjala është për anije cisternë shpesh të vjetëruara që qarkullojnë nën flamuj vendesh ekzotike. Duke përdorur anije të tilla Kremlini përpiqet të fshehë marrëdhëniet mes pronësisë dhe kontraktorëve.

    Gjatë vitit 2024 me këto anije cisternë janë transportuar më shumë se 530 milionë fuçi naftë bruto, që përbën rreth 42 për qind të eksporteve të përgjithshme të naftës së papërpunuar të Rusisë me rrugë detare. Nga këto rreth 300 milionë fuçi janë dërguar në Kinë dhe pjesa tjetër në Indi.

    Përveç embargos ndaj anijeve cisternë Uashingtoni ka vendosur embargo të reja edhe për dy nga kompanitë më të mëdha ruse të naftës, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas.

    “Çmimet e naftës nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Brazilijanë rritur në muajt e fundit për shkak të rritjes së kërkesës nga Kina dhe India”, tha një përfaqësues i industrisë indiane të përpunimit të naftës. “Ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbështetemi në naftën e Lindjes së Mesme. Dhe mund të shqyrtojmë gjithashtu edhe mundësinë për të importuar naftë nga SHBA-ja”.

    Eksportet e naftës janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Rusinë për të financuar luftën në Ukrainë. Disa anije cisterna kanë transportuar edhe naftë nga Irani, ndaj të cilit gjithashtu janë në fuqi sanksione.

    Mungesa e ofertës ruse i ka ngritur çmimet e naftës në nivelin më të lartë prej disa muajsh. Pas shpalljes së sanksioneve të reja çmimet e naftës u rritën në mbarë botën në nivelin më të lartë prej disa muajsh, duke shkuar në mbi 81 dollarë për fuçi.DW

  • Bislimi takon të ngarkuarën me Punë në Ambasadën e ShBA-së

    Bislimi takon të ngarkuarën me Punë në Ambasadën e ShBA-së

    Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka takuar të ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

    Në njoftim thuhet se Bislimi dhe Prattipati bashkëbiseduan rreth partneritetit Kosovë-ShBA dhe për fuqizimin e thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona.

    Temë e diskutimit ishin edhe zgjedhjet e ardhshme e fushata e cila sapo ka filluar dhe pritshmëritë e 9 shkurtit.

    “Në takim u trajtua dhe bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet fqinjësore dhe procesi i dialogut e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në komunikatë.

    Zëvendëskryeministri e falënderoi Prattipati për bisedën e sotme e bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.

  • BE-ja ofron 140 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën

    BE-ja ofron 140 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën

    Komisioni Evropian njoftoi sot një paketë të re të ndihmës humanitare me vlerë 140 milionë euro – për të adresuar nevojat më urgjente në Ukrainën lindore dhe jugore.

    “Financimi ka për qëllim të ndihmojë në ofrimin e ushqimit, strehimit, ujit të pastër, kujdesit shëndetësor dhe mbrojtjes dimërore për popullatat e cenueshme në rajonet e shkatërruara nga lufta”, tha komisioni në një njoftim për shtyp.

    Komisioni vlerëson se rreth 12,7 milionë ukrainas kanë nevojë për ndihmë urgjente.

    Moldavia fqinje do të marrë 8 milionë euro shtesë për të mbështetur refugjatët ukrainas në kujdesin shëndetësor dhe arsim.

    “Paketa e re e çon totalin e ndihmave humanitare të akorduara nga Komisioni Evropian në mbi 1,1 miliardë euro”, thuhet në njoftimin për shtyp.

    Njoftimi vjen pasi komisionerja e BE-së për Krizat, Hadja Lahbib po viziton Ukrainën ku pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

  • Komisioni i Përbashkët për të Pagjeturit mblidhet për herë të parë të mërkurën në Bruksel, Hoti jep detaje

    Komisioni i Përbashkët për të Pagjeturit mblidhet për herë të parë të mërkurën në Bruksel, Hoti jep detaje

    Më 15 janar në Bruskel do të mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët me emisarin special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në lidhje me të pagjeturit e luftës.

    E kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti tha se ky takim ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur

    ”Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për qështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë”, ka shkruar Hoti.

    Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar me 2 Maj 2023, ka shtuar më tutje Hoti.

    Lajçak njofton se këtë javë në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur