ATV

Author: G.O.

  • Cilat janë përfitimet e batanijeve të rënda?

    Cilat janë përfitimet e batanijeve të rënda?

    Batanijet janë thjesht batanije me pesha të shtuara zakonisht midis 2 dhe 14 kg për të fjetur gjatë natës ose në çdo kohë. Një provë e kontrolluar e rastësishme zbuloi se pacientët që përdornin batanije me peshë të madhe përjetuan më pak pagjumësi, përmirësim të gjumit dhe më pak përgjumje gjatë ditës.

    Batanijet e rënda gjithashtu reduktuan simptomat e çrregullimeve të tjera të shëndetit mendor, si depresioni dhe ankthi. Ato mund të funksionojnë duke ofruar nevojën bazë të prekjes, e cila është qetësuese dhe ngushëlluese – mendohet se ato imitojnë përvojën e të mbajturit ose të përqafimit.

    Ndërsa temperaturat jashtë janë negative, batanijet me peshë mund të jenë një zgjedhje popullore për t’u ngrohur. Disa njerëz thonë se presioni i shtuar i ndihmon ata të qetësojnë shqetësimet e ditës dhe të flenë më shpejt.

    Ka prova që sugjerojnë se stimulimi i presionit të thellë rrit zgjimin parasimpatik të sistemit nervor autonom dhe në të njëjtën kohë redukton zgjimin simpatik, i cili konsiderohet të jetë shkaku i efektit qetësues.

    Nuk ka shumë kërkime nëse batanijet e rënda funksionojnë në të vërtetë, dhe studimet që ekzistojnë janë në grupe të vogla. Shumica e studimeve nuk përqendrohen tek ata që flenë mesatarisht. Në vend të kësaj, ata studiojnë nëse batanijet e rënda mund të ndihmojnë njerëzit me probleme kronike të gjumit, gjendje të shëndetit mendor ose çrregullime zhvillimi.

    Ka disa sugjerime që batanijet e rënda mund të ndihmojnë me ankthin, dhimbjen kronike dhe gjumin. Por hulumtimi nuk është përfundimtar.

    Një studim me 120 njerëz me pagjumësi zbuloi se batanijet e rënda i ndihmonin ata të flinin më mirë në krahasim me një batanije të lehtë. Një studim tjetër me 67 fëmijë me autizëm zbuloi se batanija e rëndë nuk ndikonte aspak në gjumin e tyre – por fëmijët dhe prindërit e tyre e preferuan atë në vend të një batanije të zakonshme.

    Dhe një studim i tretë me 94 të rritur me dhimbje kronike zbuloi se një batanije me peshë më të rëndë nuk ndikonte në gjumin, por ishte më e mirë në reduktimin e dhimbjes në krahasim me një batanije më të lehtë.

    Edhe pse nuk ka ende prova të forta për të mbështetur përfitimet e batanijeve të rënda, ekspertët e gjumit thonë se nuk ka asgjë të keqe t’i provoni ato.
    Ndryshe, Njerëzit me apnea të gjumit, çrregullime të lidhura me gjumin ose probleme të frymëmarrjes duhet të konsultohen me një mjek përpara se të përdorin një batanije të rëndë.

  • Komisionarja për Zgjerim: Presim lëvizje në Kosovë pas zgjedhjeve

    Komisionarja për Zgjerim: Presim lëvizje në Kosovë pas zgjedhjeve

    Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e përmendi shkurtimisht Kosovën duke folur para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, të martën.

    Ajo tha se zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh dhe se tash “kemi një moment të ri pozitiv në BE”.

    “Për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, tha ajo.

    Për Kosovën, ajo foli krejt në fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Evropian se çfarë pret nga zgjedhjet në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Kosova… Nuk e përmenda Kosovën. Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para zgjedhjeve, por shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Kosova e çfarë është duke bërë Serbia”, tha Kos.

    Komisionarja shtoi se këtë vit pret zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit dhe se pret progres më të madh sesa që ka pasur një dhjetë vjetët e fundit.

    “Mund të kemi përparim gjatë Presidencës polake më shumë sesa që kishim në dhjetë vjetët e fundit, Mund të kemi deri në dhjetë konferenca ndërqeveritare”, theksoi ajo.

    Kos gjithashtu paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë, vende të cilat ajo i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.

    “Mali i Zi ka vizion t’i përmbyllë negociatat deri më 2026 dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t’i mbështesim ato, por duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate, por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra, kur kandidatët t’i përmbushin kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara“, deklaroi Kos.

    Pas zgjedhjeve që mbahen më 9 shkurt në Kosovë, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Në anën tjetër, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

    Komisioni i Përbashkët është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Në takimin e fundit në Bruksel, më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur./REL

  • Specialja ua vazhdon paraburgimin Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit

    Specialja ua vazhdon paraburgimin Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit edhe për dy muaj të tjerë.

    Me anë të dy vendimeve të ndara, më 13 janar 2025, trupi gjykues ka urdhëruar gjithashtu Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të paraqes në mënyrë shkresore deri më 21 shkurt 2025 parashtrimin e saj për rishqyrtimin e ardhshëm të masës së paraburgimit për dy të akuzuarit.

    Ashtu si për Krasniqin, edhe për Selimin, paneli ka arritur në përfundim se në këto momente nuk ka mjaftueshëm informacione që tregojnë se të akuzuarit mund t’i shmangen drejtësisë. Megjithatë, për të dy ekziston rreziku që të pengojnë përparimin e procedurave si dhe të kryejnë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe dëshmitarët.

    Në të dy vendimet, ZPS-ja ka parashtruar se nuk ka ndodhur asnjë ndryshim që nga vendimet e kaluara për vazhdimin e paraburgimit.

    Në rrjedhën e gjithë kësaj, ZPS-ja ka argumentuar se paraburgimi për dy të akuzuarit mbetet proporcional.

    Megjithatë, paneli ka qenë i qëndrimit se asnjë nga kushtet e propozuara më parë dhe asnjë masë alternative nuk mund të menaxhojë në mënyre efektive rreziqet ekzistuese në lidhje me të akuzuarit përveçse mbajtja e tyre në objektin e paraburgimit.

    “Në dritën e të gjithave këtyre, Paneli gjen se rreziku i pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera mund të menaxhohet vetëm në këtë fazë të procedurave, nëse z. Krasniqi mbetet në objektet e paraburgimit të DhSK-së. Në këto rrethana, Paneli gjen se nuk ka masa alternative që mund të menaxhojnë mjaftueshëm rreziqet në përputhje me Nenin 41 (6) (b) (ii) dhe (iii)”, thuhet në vendim për Krasniqin, e ngjashëm edhe për atë të Selimit.

    Si rrjedhojë, trupi gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Krasniqin dhe Selimin edhe për dy muaj të tjerë./betimperdrejtesi/

  • EULEX-i përforcon njësitin policor të specializuar në Kosovë

    EULEX-i përforcon njësitin policor të specializuar në Kosovë

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka thënë të martën se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij nëpërmjet dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

    Sipas njoftimit, këta policë do të punojnë “krah për krah me NJPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë, për ta përmbushur mandatin e misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet”.

    Ky njoftim u bë një ditë pasi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me zyrtarët në Prishtinë dhe ata në Beograd që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare që mbahen më 9 shkurt.

    Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si “çështje kyç në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

    Forcat shtesë të EULEX-it pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditëve në vijim si dhe sipas njoftimit, do të kryejnë patrullime të dukshme, raporton REL.

    Ky do të jetë dislokimi i pestë i njësitit rezervë të EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars të vitit 2022.

    EULEX-i shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO-ja është i treti.

    Kosova do të mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

    Mbajtja e votimeve bëhet në kohën kur në dy vjetët e fundit tensionet kanë qenë të larta në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

  • “Vrasje në tentativë”, plagoset një shtetas i Shqipërisë në Gjakovë

    “Vrasje në tentativë”, plagoset një shtetas i Shqipërisë në Gjakovë

    Një person është plagosur në Gjakovë, ka njoftuar Policia e Kosovës. Viktima thuhet se është qëlluar me armë zjarri teksa po kalonte me veturën e tij në fshatin Morinë.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi, ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 02:30 të natës.

    Viktima, sipas policisë ka shkuar vetë për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetë.

    “Personi që është plagosur është shtetas i Shqipërisë, ndërsa lidhur me rastin, Prokurori Kujdestar është njoftuar dhe me vendim të tij është hapur rast “Vrasje në tentativë”. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Elezi.

  • Gjendet trupi i pajetë i 26-vjeçarit që u raportua i zhdukur javë më parë në Prizren

    Gjendet trupi i pajetë i 26-vjeçarit që u raportua i zhdukur javë më parë në Prizren

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur një trup i pajetë i një personi në lumin Drini i Bardhë në afërsi të urës së fshatit Rogovë të cilin e kishte vërejtur një qytetar rreth orës 08:20 minuta të ditës së sotme.

    Dyshohet se trupi i pajetë është i Arban Hisarit meqë sipas policisë në rrobat e viktimës u gjenden dokumente me këtë emër dhe sipas tyre edhe rrobat që kishte të veshur viktima ishin të njëjta  sikur në ditën kur është raportuar i zhdukur nga familjarët. Prandaj sipas policisë ekziston dyshimi se trupi i pajetë është i viktimës, Arban Hisari.

    “Me datë 14.01.2025, rreth orës 08:20, policia është informuar se një qytetar e ka vërejtur një trup të pa jetë në lumin Drini i Bardhë në afërsi të urës se fshatit Rogovë. Me të marr këtë informacion, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe zyrtarë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë dal në vendngjarje, ku kane vërejtur një trup të pa jetë. Pas kontrollimit të viktimës nga njësitë përkatëse, në rrobat e viktimës janë gjetur dokumentacion personal në emër të Arban Hisari, DL.05.06.1998 si dhe rrobat të cilat i kishte viktima, ishin të njëjtat sikur në ditën kur është raportuar i zhdukur nga familjarët, andaj besohet se trupi i pajete është i viktimës së lartcekur. Për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit”, ka njoftuar për RTKlive Shaqir Bytyqi zëdhënës i Policisë Rajonale në Prizren.

    Arban Hisari ishte raportuar nga familjarët i zhdukur qysh nga 24 dhjetori i vitit të shkuar. Kërkimet për të kishin nisur nga Policia e FSK-ja.

  • Nesër mbahet takimi për të pagjeturit, Kosova do ta kërkojë zbatimin e shkresës për arkivat

    Nesër mbahet takimi për të pagjeturit, Kosova do ta kërkojë zbatimin e shkresës për arkivat

    Të mërkurën do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Kjo do të ndodh pasi në takimin e dhjetori, në kuadër të takimit në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë, u arrit marrëveshja për të pagjeturit.

    Ky dakordim ka për qëllim krijimin e një komisioni të përbashkët ndërmjet të dyja vendeve, të mbikëqyrur nga Bashkimi Evropian, si garantues i kësaj marrëveshjeje.

    Për mbajtjen e këtij takimi fillimisht njoftoi emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

    Ndërkaq, edhe kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, konfirmoi se takimi do të mbahet më 15 janar në nivel të zëvendësuesve. Hoti bëri të ditur Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.

    Hoti ka bërë të ditur se ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar me 2 Maj 2023.

  • Kanosi një person dhe sulmoi policët, arrestohet i dyshuari nga Gjilani

    Kanosi një person dhe sulmoi policët, arrestohet i dyshuari nga Gjilani

    Një mashkull kosovar ka raportuar se është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga një tjetër mashkull kosovar.

    I dyshuari kishte dëmtuar një veturë zyrtare policore dhe kishte sulmuar zyrtarët policorë që ndodheshin në vendngjarje.

    Rasti ka ndodhur të hënën në Gjilan. Si pasojë e sulmit, zyrtarët kanë pranuar tretman mjekësor.

    Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar të dyshuarin. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

  • Maqedonci në ShBA diskuton për gjendjen e sigurisë në rajon

    Maqedonci në ShBA diskuton për gjendjen e sigurisë në rajon

    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci vizitën në ShBA e ka filluar me takimin në Atlantic Council, ku është pritur nga Jörn Fleck, drejtor senior në këtë ‘think-tank” prestigjioz dhe bashkëpunëtorët e tij.

    Ai po qëndron në Shtetet e Bashkuara ku po zhvillon takime të nivelit të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, në Departamentin e Shtetit, në Senatin e ShBA-së dhe në institucione të tjera.

    “Në takim diskutuam rreth situatës globale të sigurisë, sulmeve terroriste në veri, situatën e sigurisë në vend dhe influencën dhe bashkëpunimin Rusi-Serbi në shërbim të destabilizimit të rajonit. Në takim konfirmova angazhimin tonë institucional për integrim në NATO dhe BE dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe ShBA-ve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë!”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

  • Dobrunës nuk i kujtohen detaje nga takimet e fundit me Prokurorinë, refuzon të përgjigjet në seancë private

    Dobrunës nuk i kujtohen detaje nga takimet e fundit me Prokurorinë, refuzon të përgjigjet në seancë private

    Dëshmitari Sokol Dobruna gjatë dëshmisë së tij në Hagë, deklaroi se i ka harruar shumë detaje nga intervistat e tij të fundit dhe takimet e tij me përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Madje, ai në një rast mohon që i kujtohet prezenca e avokatit të tij, Arianit Koci, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Megjithatë, ndonëse në një rast Koci kërkoi seancë private për dëshmitarin, ai mohoi që të përgjigjet dhe këtë e bëri të ditur gjatë seancës publike.

    “Jashtë seancës publike nuk dëshiroj me u përgjigj”, deklaroi Dobruna.

    Përpara kësaj, prokurori John Capin pyeti dëshmitarin se a e mban mend që janë takuar bashkë në nëntor të 2024-ës, para dy muajsh.

    Dëshmitari u përgjigj me “po”. Ndërsa, me “jo” u përgjigj kur u pyet se a i kujtohet që në atë takim u lexuan deklaratat që kishte dhënë më 2018-ën.

    “Po a e mban mend që u takuam para ca ditësh- të premten e javës së kaluar. A e mban mend që ne u takuam përmes video-lidhjes dhe ti ishe në zyrën tënde?”, pyeti tutje prokurori, e që dëshmitari e pohoi këtë gjë.

    Por në anën tjetër, Dobruna tha që nuk i kujtohet, kur u pyet se në atë takim a ishte i pranishëm avokati Koci.

    “Po avokati juaj, zoti Koci a ka qenë i pranishëm në atë takim?”, tha prokurori.

    “S’po më kujtohet”, u përgjigj Dobruna.

    “A e mban mend që ti me the që të kujtohej që ishim takuar në nëntor të 2024-ës?”, tha prokurori, por që Dobruna sërish tha se nuk i kujtohet.

    “Po a të kujtohet që mua me the që e mbaje mend që në nëntor të 2024-ës ne të kishim lexuar të gjithë deklaratën që kishe dhënë më 2018, më the që e mbaje mend këtë?”, pyeti sërish prokurori.

    Ndërsa, dëshmitari kërkoi që t‘i lexohet deklarata në mënyrë që t’i kujtohet.

    Prokurori sërish vazhdoi me rikujtim për dëshmitarin, duke e pyetur nëse o kujtohet që ai i kishte thënë se leximi i deklaratës së dhënë më herët ishte e lodhshme dhe po e lodhte shumë. Lidhur me këtë, Dobruna u përgjigj “me siguri po”. Ndërsa, kur prokurori e pyeti se a i kujtohet që këtë ia kishte thënë të premten, dëshmitari e mohoi.

    Më pas, Dobruna pohoi se i kujtohet që prokurori i kishte thënë se ai dhe Koci janë aty për ta përgatitur dëshmitarin për dëshminë.

    Dëshmitari mohoi se i kujtohet që prokurori i ka thënë që qëllimi i takimit ishte që mund të bëjë disa sqarime edhe korrigjime në rast që ka nevojë për deklaratat që ai i ka dhënë në të shkuarën.

    Si rrjedhojë, prokurori Capin vazhdoi me pyetjen tjetër duke i thënë dëshmitarit se ai kujtohet që iu ishin lexuar deklaratat e dhëna në të shkuarën dhe se Dobruna kishte merak në rast që korrigjimet mund të mos ishin të sakta.

    “E di që ka pas korrigjime mjaftë, por nuk më kujtohet se cilat korrigjime”, u përgjigj më pas Dobruna.

    Dëshmitari u përgjigj me ‘jo’ kur u pyet se a i kujtohet që iu lexua një shënim i cili pasqyronte të gjitha korrigjimet që ai i kishte bërë.

    Gjithashtu, ai mohoi se një përkthyes ia ka lexuar deklaratat e mëparshme që i ka dhënë dëshmitari.

    “A mund të shkojmë për një kohë të shkurtë në seancë të mbyllur”, tha Koci, gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues. Por, pas hapjes së seancës, Dobruna deklaroi që nuk dëshiron të dëshmojë në seancë të mbyllur.