ATV

Author: G.O.

  • Belgjika në grevë: Anulohen fluturimet dhe udhëtimet me tren

    Belgjika në grevë: Anulohen fluturimet dhe udhëtimet me tren

    Belgjika u përfshi nga një grevë kombëtare të hënën, pasi punonjësit e trafikut ajror dhe hekurudhor u ngritën kundër planeve për reforma të pensioneve.

    Rreth 40 për qind e fluturimeve për dhe nga Aeroporti i Brukselit – më i madhi i Belgjikës – u anuluan, pasi bartësit e bagazheve, stafi i sigurisë dhe personeli tjetër ndërprenë punën.

    Kompania ajrore, Brussels Airlines, tha të shtunën se është detyruar të anulojë paraprakisht gjysmën e fluturimeve të saj brenda Evropës, për t’i mbajtur në funksion linjat e largëta.

    Operatori i aeroportit Charleroi – që është një ndër qendrat kryesore evropiane për linjën ajrore me kosto të ulët, Ryanair – tha se priten vonesa të konsiderueshme dhe anulime të mundshme.

    Transporti hekurudhor pësoi gjithashtu – dy në tre trena që lidhin qytetet e mëdha, nuk funksionojnë.

    Shërbimi i trenave u ndërpre edhe në Bruksel, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Greva mbarëkombëtare u thirr nga tri sindikatat kryesore të Belgjikës për të protestuar kundër reformave në pensione, që mund të miratohen nga qeveria e ardhshme.

    Partitë belge janë ende në bisedime për të formuar një administratë të re federale, pas zgjedhjeve që u mbajtën në qershor.

    Pesë partitë që po negociojnë për të arritur një marrëveshje koalicioni, planifikojnë ta rrisin moshën e pensionit për punonjësit e hekurudhave dhe të tjerët, që tani lejohen të dalin në pension të parakohshëm, sipas sindikatës CSC.

    Sindikatat planifikojnë të mbajnë edhe një demonstratë në Bruksel gjatë ditës./REL

  • Vrasja e Liridona Ademajt, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të mërkurën mban konferencë për media

    Vrasja e Liridona Ademajt, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të mërkurën mban konferencë për media

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, të mërkurën do të mbajë konferencë për media nga ora 10:00.

    Në njoftim thuhet se kjo konferencë lidhet me rastin e Liridona Ademajt që u vra në nëntor të vitit 2023.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, ju fton të merrni pjesë në konferencën për media për rastin e Liridona Ademajt, e cila do të mbahet me datë 15.01.2025 me fillim nga ora 10:00, në objektin e Prokurorisë Themelore Prishtinë, Salla e Konferencave, Kati 0”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Ndryshe, më 27 dhjetor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.
    Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023 i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

    Ndryshe, për të dyshuarin e katërt, T.D, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

    Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

    Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D./BetimipërDrejtësi

  • ​Moti i keq në gjithë Shqipërinë, këto janë zonat dhe akset më problematike

    ​Moti i keq në gjithë Shqipërinë, këto janë zonat dhe akset më problematike

    Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka treguar zonat dhe akset më problematike, pas reshjeve së borës, ku janë disa rrugë janë të pakalueshme.

    Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë:

    Akset rrugore

    – Në qarkun e Dibrës rruga e “Arbrit” është e pakalueshme në Qafë Murriz, pasi ka reshje bore të dendura. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.

    – Në bashkinë Dibër janë bllokuar disa qendra administrative me akset kryesore si; Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë.

    – Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara njësitë administrative Ostren, Trebisht.

    – Në bashkinë Klos janë bllokuar rrugët dytësore të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër.

    – Në bashkinë Mat janë bllokuar disa rrugë të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Macukull, Lis, Derjan dhe Komsi.

    – Aksi rrugor Peshkopi-Ulëz, në vendi e quajtur Qafë Ulëz ka qenë e bllokuar për shkak të pranisë së dëborës, akullit dhe mjeteve që lëvizin pa goma dimërore. Ditën e sotme qarkullimi kryhet normalisht.

    – Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.

    – Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit: ka patur prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë Thanë pati reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Gjatë natës dhe në orët e mëngjesit të ditës së sotme po vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugës ne aksin Qafë Thane – Pogradec.

    Qarkullimi kryhet me goma dimri.

    – Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në dalje të tunelit, pati probleme me qarkullimin pasi terreni ishte shumë i lagësht dhe me ngrica. Qarkullimi u krye vetëm në një sens lëvizje. Gjatë natës dhe ditën e sotme është bërë shpërndarja e kripës dhe qarkullimi behet me goma dimri.

    – Në bashkinë Krujë, aksi rrugor Cudhi Kamp-Qafështamë është i bllokuar nga reshjet e dëborës.

    – Në aksin rrugor Vuno – Himarë, në vendin e quajtur ura e Vishës ka rënë një masiv shkëmbor. Rruga është e kalueshme në një sens lëvizje dhe po punohet për hapjen e krahut tjetër.

    – Rruga për në Shëngjergj, bashkia Tiranë është e vështirë për tu kaluar nga sasia e reshjeve të dëborës.

    – Në Lanabregas si pasojë e bllokimit të kolektorit ka patur prezencë të ujit duke rrezikuar përmbytjen e një banese.

    – Në segmentin Fresku – Trau Dajt, në km 5 pati rrëshqitje të skarpatës duke bllokuar njërën prej korsive. Po punohet për pastrimin e rrugës.

    – Në bashkinë Vlorë, situata është e qetë. Nuk ka prezencë uji në qytet.

    Gjatë ditës së sotme po punohet me borëpastrueset për të mbajtur të hapura rrugët e qarkullueshme dhe për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora.

    Ekipet e OSSHE janë duke punuarpër rikthimin sa më parë të energjisë elektrike në disa zona të thella.

    Lumenjtë dhe rezervuarët

    Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik, përveç se në fshatin Murqinë, njësia administrative Bubq, bashkia Krujë, ku lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur një sipërfaqe prej 20 Ha tokë bujqësore.

    Në Qafën e Murrizit (Rruga e Arbrit) u bllokua nga dëbora një automjet me 3 persona. Sot në orët e para të mëngjesit është nisur një automjet tip “Buldozer” dhe një autoambulancë. Ekipet e emergjencës po përpiqen të ndihmojnë qytetarët e bllokuar.

    Parashikimi motit në vijim

    Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare dhe të dendura, megjithatë nuk do të mungojnë intervale të herëpasherëshme afatshkurtra me kthjellime kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore. Reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, dhe lokalisht shtrëngata afatshkurtra të izoluara deri në mesditë. Pas orëve të mesditës gradualisht ulje të intensitetit të reshjeve të shiut. Në relievet malore verilindje-lindje-jug në lartësitë mbi 400-600 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në mënyrë të izoluar, në periudha afatshkurtra në Alpe dhe relievet e larta malore reshjet e dëborës parashikohen në formën e stuhive të dëborës. Mjegull e dendur/mjegullinë për shkak të reshjeve të dëborës dhe shiut. Ngrica të forta përgjatë akseve rrugore, kryesisht në relievet malore.

    Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Lindje me shpejtësi mesatare 4-14 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi 16-26 m/s.

    Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:

    Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në -6°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -2°C.

    Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në -2°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.

    Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 4°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.

    Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është duke ndjekur nga afër situatën në veri dhe Vlorë si dhe është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile për çdo situatë emergjente që mund të krijohet si pasojë e kushteve atmosferike./TCh/

  • Maqedonia e Veriut në mesin e vendeve me vdekshmëri të lartë si pasojë e ndotjes së ajrit

    Maqedonia e Veriut në mesin e vendeve me vdekshmëri të lartë si pasojë e ndotjes së ajrit

    Sipas raporteve të Komisionit Evropian (KE) dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Maqedonia e Veriut së bashku me Serbinë shënon shkallë të lartë të vdekshmërisë si pasojë e ndotjes së ajrit, shkruan Euronews.

    Nga vendet fqinje, Shqipëria, Bullgaria dhe Mali i Zi matin gjithashtu nivele të larta ndotjeje.

    Ekspozimi ndaj grimcave PM2.5 shkaktoi rreth 239,000 vdekje të parakohshme në Evropë në vitin 2021, ndërsa 48,000 njerëz vdiqën si rezultat i ekspozimit ndaj dioksidit të azotit, sipas raporteve nga Agjencia Evropiane e Mjedisit.

  • Eksperti i mjekësisë ligjore William Goodwin nis dëshminë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Eksperti i mjekësisë ligjore William Goodwin nis dëshminë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 111-të i Zyrës ë Prokurorit të Specializuar (ZPS), eksperti i mjekësisë ligjore, William Goodwin (i cili mbanë kodin W04875), në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dëshmitari pohoi se ka përgatitur një raport më 22 shtator 2021 dhe sipas tij, ky raport përfshinë opinionin e tij të pavarur në pyetjet që ia parashtroi ZPS-ja në letrën udhëzuese së bashku me dokumentet përkatëse që e kishte marrë më 30 korrik 2021.

    Sipas prokurorit James Pace, ky është një raport i ADN-së për një person të cilit nuk iu tha emri në seancë të hapur. Si rrjedhojë, prokurori lexoi një pjesë të raportit të këtij dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Në raportin tuaj thuhet se profili i ADN-së është i kriptuar që kufizon mundësinë për rishikim ë plotë. Megjithatë, bazuar në pjesëtarët e familjes që janë të disponueshem dhe leukocitet që përputhen, gjasat e përputhjes dhe probaliteti i identitetit duken të arsyeshme”, tha prokurori.

    Për këtë gjë, dëshmitari tha se nuk ka asgjë për të ndryshuar në këtë pjesë.

    Dëshmitari pohoi se pas udhëzimeve të ZPS-së, ka përgatitur një raport tjetër më 6 mars 2023.

    Më pas dëshmitarit iu prezantua një pjesë e raporti ku sipas prokurorit mund të shihen tipat e personave të testuar.

    “Shohim nënë, baba, bashkëshorte, vajzë, djalë. A mund të na thoni që informacionet shtesë që po shihni tani; nëna, babai, bashkëshortja, vajza, djali kanë ndonjë ndikim në vlerësimin tuaj në raportin tuaj?”, tha prokurori.

    “Në këtë rast kanë. Kemi të dhëna të plota. Kemi nënën, babain, të cilët me personin e zhdukur mund të rrisin jashtëzakonisht gjasat. Kem vajzën, djalin dhe bashkëshorten. Pra, bashkërisht mund të nxjerrim shkallë të gjasave të larta për secilin prej tyre”, u përgjigj dëshmitari.

    Me kaq mbaroi pyetjet prokuroria për të vazhduar ekipet e mbrojtjes pas pushimit dhjetë minutash.

    Vlen të theksohet se mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokatja, Colleen Rohan tha se sa i takon konfidencialitetit, të gjithë personat që kanë të bëjnë dhe janë të lidhur me mostrat e ADN-së janë publik në aktakuzë.

    “Në rrethana të tilla ne kemi vazhduar me supozimin se këto raporte të ADN-së do të emërohen dhe referencat e kampioneve do të përmenden. Pra, këto janë viktima publike në këtë rast dhe nuk është e qartë nëse ndonjëri prej tyre raporteve që kanë të bëjnë me viktimat publike në këto rrethana do të jenë konfidenciale apo jo”, tha Rowan, duke kërkuar që këto raporte të mos jenë konfidenciale.

    Sipas kryetari të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij eksperti pritet të zgjasë një ditë. Nga kjo kohë, prokuroria ka parashtruar se i duhen një orë ndërsa mbrojtja rreth katër orë e gjysmë.

    Vlen të theksohet se gjatë fillimit të seancës kishte probleme teknike në qasjen e transmetimit. Pas kësaj, një pjese të seancës i mungoi përkthimi në gjuhën shqipe sidomos kur u lexua një pjesë e raportit

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Reshjet e borës në Shqipëri, pezullohet përkohësisht mësimi në 77 shkolla

    Reshjet e borës në Shqipëri, pezullohet përkohësisht mësimi në 77 shkolla

    Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri njofton se, për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga moti i keq, rekomandimeve të autoriteteve për emergjencat civile, si dhe raporteve nga zyrat vendore arsimore, sot ka pezulluar përkohësisht procesin mësimor në 77 shkolla dhe degët e tyre vartëse.

    Sipas Ministrisë së Arsimit, situata paraqet probleme të veçanta në disa shkolla në zonat e Bulqizës, Matit, Dibrës, Krujës, Hasit, Kukësit, Mirditës, Kurbinit, Pukës dhe të tjera.

    Procesi mësimor në këto shkolla do të pezullohet deri në një njoftim të dytë dhe do të zëvendësohet në javët në vijim.

  • Pati mosmarrëveshje me burrin, një grua në Rahovec dyshohet se piu ilaçe dhe detergjente

    Pati mosmarrëveshje me burrin, një grua në Rahovec dyshohet se piu ilaçe dhe detergjente

    Një grua në Rahovec ka përfunduar në emergjencë pasi e njëjta dyshohet se pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin, ka përdorur medikamente dhe detergjente të ndryshme.

    Sipas raportit policor, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

    Po ashtu, në raportin policor bëhet e ditur se gruaja në fjalë është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

  • Milanoviq rizgjidhet president i Kroacisë, Osmani: Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë

    Milanoviq rizgjidhet president i Kroacisë, Osmani: Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Zoran Milanoviqin për rizgjedhjen si president i Kroacisë.

    Përmes një postimi në X, presidentja Osmani tha se së bashkë do të forcojnë edhe më tej partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

    “Urime, i nderuari President Milanoviq, për rizgjedhjen tuaj si President i Republikës së Kroacisë. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë. Së bashku, ne do të forcojmë edhe më tej partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë”, ka shkruar ndër të tjera Osmani.

  • Shtatë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve në Kosovë

    Shtatë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve në Kosovë

    Dhunë fizike dhe psikike ndaj grave është raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve, në pesë komuna.

    Në Prishtinë policia ka arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar pasi që, i njëjti kishte sulmuar fizikisht ish të dashurën e tij viktimën femër kosovare.

    “Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raporton e policisë.

    Ndërsa, po në Prishtinë dyshohet se pas një mos marrëveshje viktima tjetër femër-kosovare është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar.

    “I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

    Kurse në Fushë Kosovë, raportohet se i dyshuari mashkull kosovar i kishte shkaktuar dhunë psikike ndaj viktimës femër/kosovare.

    “I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

    Po ashtu nga raporti i policisë për 24 orëshin e fundit, bëhet e ditur se në Fushë Kosovë  i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën femër. Ndërsa, viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari është në arrati.

    Po ashtu dhe një i dyshuari është arrestuar për dhunë në familje në Klinë.

    “Klinë 09.01.2025-11:00. I dyshuari m/k, pas një mosmarrëveshje, dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, njoftohet nga policia .

    Dhunë në familje është raportuar dhe në Rahovec.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare është sjellë në emergjencë pasi që, dyshohej se e njëjta pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj të dyshuarin mashkull kosovar dyshohet se ka përdorur medikamente dhe detergjente të ndryshme. Viktima është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjeksor. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

    Kurse në Gjakovë po ashtu është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër. Me vendim të prokurorit  pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

  • Lajçak njofton se këtë javë në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur

    Lajçak njofton se këtë javë në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se këtë javë do të mbahet takimi i Komisionit të Përbashkët për çështjen e personave të zhdukur në Bruksel.

    Lajçak ka bërë të ditur se është takuar me Jim O’Brien dhe Sasha Kasanof me të cilët ka diskutuar për dialogun.

    “Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, ka shkruar ai.

    Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ka takuar edhe Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Richard Verma, përpara vizitës së tij në rajon.

    Ai ka shtuar se me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së, Rosemary DiCarlo, kanë folur për rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor.