ATV

Author: G.O.

  • 26 vjet nga Masakra e Reçakut

    26 vjet nga Masakra e Reçakut

    Kosova shënon sot 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

    Me rastin e 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu, organizohen aktivitetet përkujtimore “Ditët e Reçakut”.

    Sot në nivel vendit ora e parë mësimore, i kushtohet  Masakrës së Reçakut, ndërsa në orën 8 e 30 nisin homazhet në Kompleksin Memorial, si dhe në varrezat e dëshmorëve të Shtimes.

    Krerët e shtetit homazhe do të bëjnë në orën 10:00, kurse në 11:00 do të mbahet Akademia përkujtimore. Homazhe do të bëjnë edhe nga partitë opozitare.

    Në orët e pasdites do të ketë aktivitet tjera për të kujtuar Masakrën e Reçakut.

    Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

    Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

  • IPK-ja rekomandon shtimin e personelit policor për Njësinë e trafikut në veri

    IPK-ja rekomandon shtimin e personelit policor për Njësinë e trafikut në veri

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të quajtur “Trajtimi i aksidenteve të trafikut nga Policia e Kosovës”, ku i ka dhënë shtatë rekomandime për Policinë.

    Në raport thuhet se IPK-ja ka kërkuar përmbushje të strukturës policore me personel të mjaftueshëm, përfshirje më të gjerë të personelit në trajnime profesionale dhe të avancuara, pajisjes së njësive me pajisje për regjistrim dhe skanim të të dhënave nga vendi i aksidentit dhe përdorim i programeve të licencuara për skicimin e vendit të aksidentit.

    IPK-ja ka përmendur sigurimin e personelit të mjaftueshëm për Njësinë Rajonale të Trafikut Rrugor në Mitrovicë të Veriut.

    “IPK-ja u rekomandon Shefave të Njësive Rajonale të Trafikut Rrugor dhe Njësisë për Kontrollin e Autostradave që në koordinim me Divizionin e Trajnimeve, të ndërmarrin hapa në drejtim të përfshirjes më të gjerë të personelit në trajnime specifike profesionale dhe të avancuara në fushën e trafikut”, thuhet në mesin e shtatë rekomandimeve.

    IPK-ja gjithashtu ka rekomanduar që shefat e njësive të trafikut dhe mbikëqyrësve të ekipeve të rrisin kontrollin mbi vartësit, “për t’u siguruar se ata hartojnë kallëzime penale cilësore, me informata të mjaftueshme të dala nga trajtimi i aksidenteve”.

  • Abdixhiku premton 1.5 miliard për kryeqytetin

    Abdixhiku premton 1.5 miliard për kryeqytetin

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një konferencë së bashku me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama ka folur lidhur për planet e LDK-së për kryeqytetin.

    Abdixhiku përmes një postimi në Facebook së bashku me Ramën foli për planet për infrastrukturë, sport, kulturë, shëndetësi, energjetikë e arsim!

    “Do t’i ndajmë plot 200 milionë euro, në katër vite, për mësimin gjithëditor në të gjithë Komunën e Prishtinës. Edhe 28 mijë fëmijë të tjerë, të klasave 1 deri në 5 do të përfitojnë nga kjo reformë. Shujta të ngrohta, klasë e shkolla moderne, digjitalizim e qëndrim 8 orë në Prishtinë!

    Plot 120 milionë euro do të ndahen për Qendrën Kombëtare të Sportit në Bërnicë, në 60 hektarët tashmë të projektuar nga Komuna e Prishtinës. Në këtë Qendër do të vendoset Stadiumi Kombëtar me 25-30 mijë ulëse, Pallati i Sporteve me Dorë, Pisha Olimpike, Gaming Hall, Fusha e Tenisit, Fakulteti i Edukatës Fizike si dhe kompleksi i qëndrimit!”, tha ai.

    Kryetari i LDK-së po ashtu tha se ngjitur me Qendrën Sportive, në 60 hektarë të tjerë, sipas planifikimit komunal, do të ndërtohet parku teknologjik, me Qendrën Kombëtare të Inteligjencës Artificiale të vendosur aty dhe sipas tij për këtë do të ndahen 45 milionë euro.

    “Unaza e Jashtme e Kryeqytetit, në 29 kilometra gjatësi, do të mbështetet nga Qeveria Qendrore. Fillimisht duke ndarë garancionin për marrëveshjen tashmë të arritur mes Komunës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim – kredi e butë prej 206 milionë eurove – e më pas dhe duke siguruar në plotni të 154 milionë eurot e vlerësuara për shpronësimin e trasesë!

    Mbi 100 milionë euro do të ndahen për Kulturë. Në bashkëpunim me Kryeqytetin, do të identifikohen lokacionet e duhura për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Teatrit të Operas dhe Baletit, Muzeut të Artit Bashkëkohorë, e Muzeut të Paqes e Rezistencës. 100 milionë euro vetëm për kulturë!

    Plot 120 milionë euro, tashmë të siguruara për projektin e kogjenerimit dhe dyfishimin e kapaciteteve aktuale të ngrohjes në Prishtinë, nëpërmjet Termokos. Ngrohje e lirë, më pak konsum energjetik, më shumë pastërti!”, tha ai.

    Kryetari i LDK-së tutje ka folur edhe për Spitalin e Prishtinës.

    “Spitali i ri i Kosovës, në një lokacion të ri, në Prishtinë. Plot 500 milionë euro për Spitalin e Ri, me 150 mijë metra katrorë të reja, 38 klinika të integruara në të – e pajisje të reja. Lokacioni i ri do të përcaktohet sipas nevojave të shtetit. Do të mbështesim po ashtu dhe ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit, një projekt i ndarë ky!”, tha ai.

  • Enver Hoxhaj me vizion të qartë për ta çuar Kosovën drejt anëtarësimit në NATO

    Enver Hoxhaj me vizion të qartë për ta çuar Kosovën drejt anëtarësimit në NATO

    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO në një kohë kur rajoni dhe bota përballen me sfida serioze të sigurisë.

    “Në një botë të pasigurt, kur lufta është rikthyer në Evropë dhe politika hegjemoniste serbe po kërcënon sërish Ballkanin, anëtarësimi i Kosovës në NATO është më i rëndësishëm se kurrë,” u shpreh Hoxhaj.

    Ai përmendi dy incidente serioze që kanë ndodhur vitin e kaluar: agresioni serb mbi territorin e Kosovës, në Banjskë dhe sulmi terrorist mbi kanalin e Ibër Lepencit, duke i cilësuar si kërcënime direkte ndaj stabilitetit të vendit.

    Sipas Hoxhajt, Kosova duhet të zhvillojë një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të nënshkruajë një Plan të Veprimit për t’u anëtarësuar në NATO. “Është jetike të bisedohet edhe me shtetet mos-njohëse brenda NATO-s,” shtoi ai.

    Hoxhaj theksoi se Partia Demokratike e Kosovës është partneri më i besueshëm për të siguruar mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve evropiane në këtë proces.

    “Në një situatë të tillë, nuk ka asgjë më të rëndësishme për Kosovën sesa anëtarësimi i Kosovës në NATO. Në këtë drejtim, Kosovës i duhet që ta ndjekë një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që ta nënshkruajë një Plan të Veprimit për ta anëtarësuar Kosovën në NATO. Që të bisedon me shtetet mos-njohëse brenda për brenda NATO-s. Unë jam i bindur që një parti politike e cila është një garancë e sigurtë për një partneritet të ri me amerikanët dhe me evropianët. Për të arritur një gjë të tillë është Partia Demokratike e Kosovës.”, ka thënë Hoxhaj.

    Në fund të videos, Hoxhaj paralajmëroi se në komunikimin e tij të ardhshëm do të flasë për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë këtë hap.

  • Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për vrasje në tentativë, e theri me thikë një person në Gjilan

    Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për vrasje në tentativë, e theri me thikë një person në Gjilan

    Prokuroria në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të dyshuari për “tentim vrasje”.

    E.H. dyshohet se më 13 nëntor të vitit të kaluar ka tentuar ta privojë nga jeta L.H. duke e goditur me thikë.

    Viktima fillimisht ishte dërguar në emergjencën e spitalit rajonal në Gjilan e më pas është transferuar në QKUK.

    I dyshuari ka qenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale.

    “Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se më datën 13 nëntor 2024, në Gjilan, i pandehuri E.H., ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin L.H., në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake verbale, me thikë e godet të dëmtuarin një herë në pjesën e shpatullës së majtë, ku pasi ndërhyjnë dëshmitarët dhe e largojnë i njëjti ikën nga vendi i ngjarjes, ndërsa, i dëmtuari si pasojë e plagës së marrë fillimisht dërgohet në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, pastaj për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore transferohet në QKUK.”

    Policia sot njoftoi se i dyshuari është arrestuar dje.

    “VRASJE NË TENTATIVË- Rr. Isa Boletini, Gjilan / 13.11.2024-20:21. Lidhur me rastin me 13.01.2025 është arrestuar i dyshuari kosovar, dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

  • Ministri britanik: Kosova e Serbia të jenë konstruktive në dialog

    Ministri britanik: Kosova e Serbia të jenë konstruktive në dialog

    Ministri britanik për Evropë, Stephen Doughty, nga parlamenti i Britanisë së Madhe i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

    Ky reagim i tij vjen pas pyetjes që deputeti britanik, Paul Foster, i cili është anëtar në grupin “Miqtë Laburistë të Kosovës”, lidhur me marrëveshjen e sigurisë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    “Derisa isha në Kosovë u takova me presidenten dhe kryeministrin që ishin seriozisht të shqetësuar për hyrjet në kufirin e tyre verior, ku janë të stacionuar trupat e KFOR-it midis tyre dhe Serbisë.A mund të ofrojnë ministrat tanë ndonjë përditësim në lidhje me marrëveshjen dypalëshe të sigurisë midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar? Ajo paqe u fitua me shumë mund dhe duhet të mbahet”, tha Foster.

    Ndërsa, Doughy tha se Britania e Madhe ka një rol historik në lidhje me Kosovën dhe sipas tij dhe sipas tij, KFOR-i ka një kontribut thelbësor në mbajtjen e një mjedisi të sigurt në vend, ku sipas tij, trupat britanikë luajnë rol kyç në këtë.

    “Ne angazhohemi për së afërmi me partnerët tanë në Kosovë dhe në të vërtetë anë e mbanë rajonit dhe vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

  • Ecuria e fushatës zgjedhore, një delegacion i KiE-së do të vizitojë Kosovën

    Ecuria e fushatës zgjedhore, një delegacion i KiE-së do të vizitojë Kosovën

    Më 16 dhe 17 janar, në Kosovë do të qëndrojë një delegacion prej tre anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

    Delegacioni në fjalë pritet të vlerësojë fushatën zgjedhore dhe klimën politike para Zgjedhjeve Parlamentare të 9 shkurtit.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni pritet të takohet me presidenten, Vjosa Osmanin, kryeministrin, Albin Kurtin e kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.

    Delegacioni i Këshillit të Evropës pritet të takojë edhe liderët e partive politike në Kosovë dhe takime të tjera.

  • Kritikon opozitën për pengim të reformës në drejtësi, Haxhiu dërgon komente në Kushtetuese mbi ligjin për Byronë

    Kritikon opozitën për pengim të reformës në drejtësi, Haxhiu dërgon komente në Kushtetuese mbi ligjin për Byronë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet mbi pretendimet e partive opozitare kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Ajo ka shkruar në Facebook se opozita po vazhdon të ndalojë “konceptin e konfiskimit civil në Kosovë”, derisa ka thënë se ata që e kanë keqpërdorur detyrën dhe janë bërë milionerë nga politika s’do të amnistohen.

    “Duke qenë që për herë të dytë radhazi ky Ligj po kontestohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe kur tashmë kemi adresuar secilën kërkesë të Gjykatës në raport me të njëjtin, urojmë që Gjykatës nuk do t’i duhen sërish 16 muaj për të nxjerrë Aktgjykim. Siç e kemi thënë, ata që e kanë keqpërdorur detyrën e janë bërë milioner nga politika nuk do të amnistohen”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

    Në 2024-n, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Në vendim, Kushtetuesja i kishte vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji.

    Vendimin, Haxhiu e kishte cilësuar “sabotim në reformën për drejtësi”.

  • Kryeministri Starmer planifikon ta bëjë Britaninë një ‘superfuqi të Inteligjencës Artificiale’

    Kryeministri Starmer planifikon ta bëjë Britaninë një ‘superfuqi të Inteligjencës Artificiale’

    Kryeministri britanik Keir Starmer tha se donte ta bënte Mbretërinë e Bashkuar një “superfuqi të Inteligjencës Artificiale”.

    Starmer tha se donte të vendoste AI në zemër të ambicies së tij për të rritur ekonominë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Qeveria thotë se teknologjia mund të rrisë produktivitetin me 1.5% në vit, me vlerë 47 miliardë funte shtesë (57 miliardë dollarë), çdo vit gjatë një dekade.

    “Britania do të jetë një nga superfuqitë e mëdha të inteligjencës artificiale”, citohet të ketë thënë ai të hënën në University College London, duke vënë në dukje se vendi ishte tashmë lider evropian për investimet në AI.

    Kujtojmë se disa nga vendet anembanë botës po konkurrojnë për t’u bërë qendra të AI.

    Dhe ekonomia e gjashtë më e madhe në botë, Britania është vetëm pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, kur maten me tregues të tillë si investimet në AI dhe patentat, sipas Universitetit Stanford.

    E Starmer tha se Britania do të hartojë një kurs “pro-rritjes dhe pro-novacionit”.

    “Ne do të testojmë dhe kuptojmë AI përpara se ta rregullojmë atë për t’u siguruar që kur ta bëjmë atë, është proporcionale dhe e bazuar”.

    Britania do të vendosë të dhëna publike, të tilla si informacionet nga shërbimi i saj shëndetësor shtetëror, në një “Bibliotekë Kombëtare të të Dhënave”, ku do të jenë të qasshme për studiuesit që i nënshtrohen rregullave të besuara të së drejtës së autorit, tha ai.

    Qeveria gjithashtu do të miratojë të gjitha 50 rekomandimet e përcaktuara në raportin “Plani i Veprimit për Mundësitë e AI” nga kapitalisti Matt Clifford, tha Starmer.

    Kjo përfshin lehtësimin e ndërtimit të qendrave të të dhënave duke përshpejtuar lejen e planifikimit dhe duke u dhënë atyre lidhje energjetike.

    Starmer tha se AI kishte fuqinë për të transformuar jetën e njerëzve, duke përfshirë ndihmën e bizneseve të vogla dhe reduktimin e barrës burokratike për mjekët dhe mësuesit. /Telegrafi/

  • ZPS-ja për dëshmitarin e radhës: Ka qenë i ndaluar dhe është rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së

    ZPS-ja për dëshmitarin e radhës: Ka qenë i ndaluar dhe është rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 113 i ZPS-së i cili mban kodin W04500 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është nën masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes.

    Pyetje për të është duke i parashtruar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori, Cezary Mihailzcuk.

    “Më 1999-ën, dëshmitari W04500 u arresua nga anëtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua në një vend ndalimi ku është marrë në pyetje dhe është rrahur. Atje është mbajtur i ndaluar me disa persona të tjerë dhe më pas është zhvendosur me disa prej tyre në një vend të dytë ndalimi.

    Dëshmitari W04500 u lirua pas rreth një muaji nga ambientet e ndalimit”, tha prokurori duke shtuar se për këtë përmbledhje kishte kundërshtime nga ana e palëve.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Prokuroria ka parashtruar se i duhen 40 minuta për pyetjet e tyre, mbrojtësi i viktimave 15 minuta dhe ekipet e mbrojtjes me pak se dy orë për kundërpytjet e tyre ndaj dëshmitarit.

    Megjithatë, pasi lexoi përmbledhjen, prokurori tha se nuk ka pyetje për këtë dëshmitar.

    Me pyetje vazhdoi mbrojtësja e viktimave e përfaqësuar nga avokatja Maria Radziejowska e cila kërkoi seancë private për ta pyetur dëshmitarin lidhur me pasojat që kishte pasur sa i takon ndalimit. Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues.

    Avokati i Thaçit, Luka Misheiq njoftoi se pyetjet e tyre do të parashtrohen nga avokatja, Fëllënëza Limani.

    Në prova materiale u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët duke përfshirë edhe materialet përcjellëse të cilat u klasifikuan si konfidenciale./Betimi për Drejtësi