ATV

Author: G.O.

  • BE: Drejtësia dhe përgjegjësia për krimet në Reçak, mbeten të vonuara

    BE: Drejtësia dhe përgjegjësia për krimet në Reçak, mbeten të vonuara

    Në 26-vjetorin e masakrës së Reçakut, Bashkimi Evropian në Kosovë thotë se drejtësia dhe përgjegjësia për krimet e bëra Reçak, mbeten të vonuara.

    Përmes një postimi në “X”, zyra e Bashkrimit Evropian në Kosovë nderon dhe kujton të gjitha viktimat e kësaj masakre.

    “Sot ne solidarizohemi me familjet dhe popullin e #Kosovës për të nderuar dhe kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut, një krim i tmerrshëm që la një plagë të pashëruar 26 vite më pas. Jetët e tyre u morën brutalisht dhe drejtësia dhe përgjegjësia mbeten të vonuara”, thuhet në reagimin e BE në platformën X.

  • Haradinaj: E vërteta e Reçakut dhe Kosovës e pandryshueshme, të nxirren para gjyqit ata që kryen krimet

    Haradinaj: E vërteta e Reçakut dhe Kosovës e pandryshueshme, të nxirren para gjyqit ata që kryen krimet

    Homazhe në Kompleksion Memorial në Reçak ka bërë edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj së bashku me partnerët e koalicionit.

    Haradinaj ka kërkuar drejtësi për civilët e vrarë e masakruar në Reçak nga forcat serbe.

    “E para që na duhet ta themi është se duam drejtësi, diçka që na takon me të drejtë për të kërkuar. Ende nuk ka drejtësi për Reçakun dhe për shumë masakra në Kosovë. Është absurde kjo gjendje që të mos ketë drejtësi dhe të mos nxirren para gjyqit ata qe i kanë kryer këto krime”, tha Haradinaj.

    Ai ka thënë se e vërteta e Reçakut dhe Kosovës është e pandryshueshme përjetësisht.

    “I përjetshëm kujtimi për martirët e Reçakut, e vërteta e Reçakut dhe Kosovës është e pandryshueshme përjetësisht, liria ka ardhur falë gjakut dhe sakrificës, gjithsesi edhe falë ndihmës së aleatëve tanë, NATO-s prirë nga Amerika”, tha Haradinaj.

  • Aksioni për mbylljen e strukturave paralele: Objekti i Postës së Serbisë në Graçanicë rrethohet me shirita

    Aksioni për mbylljen e strukturave paralele: Objekti i Postës së Serbisë në Graçanicë rrethohet me shirita

    Policia e Kosovës ka nisur një aksion në dhjetëra lokacione për mbylljen e strukturave paralele serbe.

    REL raporton se Policia ka hyrë në Postën e Serbisë dhe Komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.

    Para ndërtesës së Postës së Serbisë është vendosur një shirit i verdhë dhe gazetarët e REL-it raportojnë se aktualisht zyrtarë të Policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve.

    Aktualisht, punonjësit e të dyja institucioneve janë duke u larguar nga objektet.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

    “Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa rajone të Kosovës, si DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu”, ka njoftuar Policia, që ka shtuar se pas përfundimit të operacionit do të bëhen publike informacionet shtesë.

    Degë të tjera të kësaj poste ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar – në një lëvizje të kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, që në atë kohë ishin shprehur “thellësisht të zhgënjyer” dhe e kishin quajtur aksionin të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

    Edhe shumë institucione të tjera serbe janë mbyllur gjatë aksioneve të ndërmarra nga Policia e Kosovës vitin e kaluar. Aksione të tilla vazhduan edhe këtë vit.

  • Në Bruksel sot do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të pagjeturit

    Në Bruksel sot do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të pagjeturit

    Në Bruksel sot do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të pagjeturit.

    Kryetari i komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti deklaroi të hënën se takimi i 15 janarit ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e të zhdukurve.

    Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai bëri me dije se delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçe që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën  e kanë adresuar tek presidenti serb, Alleksandar Vuçiq.

    “Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar me 2 Maj 2023”.

    Delegacioni kosovar do të përfaqësohet në këtë takim nga Halil Cenaj.

    Lidhur me takimin e sotëm ka folur edhe emisari evropian për dialogun e Brukselit, Miroslav Laçak.

    Ai mes tjerash potencoi ditë më parë se gjatë misionit të tij në Amerikë, me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe me zëvendëssekryetarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanofin, diskutuan rreth dialogut.

    “Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë tek Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka shkruar Lajçaku.

    “Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, u shpreh më tutje emisari.

    Marrëveshja për çështjen e të pagjeturve është arritur gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.

  • Sot seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Me fillim nga ora 09:00, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin sërish përpara trupit gjykues të Gjykatës Speciale, në Hagë.

    Gjykimi i Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit po rikthehet me seancat e zakonshme nga e hëna në të enjten, pasi gjykata pati tri javë pushim dimëror.

    Gjatë ditës së djeshme, nën masa mbrojtëse, filloi dëshmia e dëshmitarit të 113-të të ZPS-së.

    Ky dëshmitar (W04500) dëshmoi përmes video-lidhjes.

    Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, dëshmitari ishte arrestuar në vitin 1999 nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së dhe më pas ishte dërguar në një qendër ndalimi ku ishte keqtrajtuar.

  • Kallas: Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Moskës

    Kallas: Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Moskës

    Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha se Kievi dhe partnerët e tij duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Rusinë për ta përmirësuar pozitën e Ukrainës në çfarëdo negociate eventuale për t’i dhënë fund luftës.

    Duke folur më 14 janar Kallas tha se rritja e presionit ekonomik ndaj Moskës dhe izolimi i saj ndërkombëtar janë mënyrat e vetme për të parandaluar mundësinë që Rusia të marrë epërsinë.

    “Nuk duhet t’i nënvlerësojmë aftësitë tona dhe t’i mbivlerësojmë ato të rusëve”, tha Kallas. “Rusia nganjëherë duket si një fuqi misterioze që nuk mund të mposhtet. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi më të fortë si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë ekonomik. Duhet t’u qasemi gjërave nga një pozicion force”, tha ajo në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhe disa gazeta evropiane.

    Ekonomia ruse ka pësuar disa goditje, si rritjen e normave të interesit mbi 20 për qind, Gazprom-i është detyruar të largojë nga puna 40 për qind të stafit menaxhues të saj, tregu i punës është “në gjendje shumë të keqe” dhe ushtria ruse është detyruar të rekrutojë ushtarëve koreano-veriorë për të luftuar në anën e Moskës, tha ajo.

    “E gjithë kjo tregon se ata nuk janë në një pozicion të mirë”, shtoi ajo.

    Rusia është e bindur se koha është në anën e saj, por Kallas tha se beson se ky pretendim është i gabuar dhe se aleatët perëndimorë të Kievit duhet të rrisin më tej presionin ekonomik.

    “Shohim që rezervat e tyre monetare janë shteruar plotësisht. Ata kanë shumë më pak të ardhura sesa më parë nga shitja e naftës dhe gazit”, tha ajo.

    Bashkimi Evropian do të diskutojë për sanksionet ndërsa përpiqet të vendosë për një pako të 16-të që do të përkojë me përvjetorin e luftës më 24 shkurt, tha një zyrtar i BE-së për Radion Evropa e Lirë. Pakoja do të jetë përmbajtësore, pavarësisht vështirësisë për të gjetur fusha të reja për sanksione, tha zyrtari.

    Fokusi i pakos pritet të jenë masat teknike dhe ato kundër shmangies së sanksioneve. Gjithashtu, diskutimet do të shqyrtojnë kufizimet e importit të aluminit si lëndë e parë, tarifat për produktet bujqësore, përfshirë kimikatet e përdorura në plehra, dhe masa të tjera për të kufizuar atë që quhet flota e errët e cisternave të naftës të Rusisë, sipas zyrtarit.

    Kallas shprehu besimin se Bashkimi Evropian do të mund të ruajë unitetin në politikën për dërgimin e armëve dhe ndihmave të tjera në Ukrainë, pavarësisht rezistencës nga disa qeveri evropiane që janë simpatizuese ndaj Rusisë.

    Ish-kryeministrja e Estonisë tha se Bashkimi Evropian ka ruajtur unitetin pavarësisht “negociatave të vështira” me ato qeveri.

    “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, pranoi ajo. “Megjithatë, ende besoj se mund të përfaqësojmë një pozicion të bashkuar, sepse vetëm kështu mund të mbetemi të fortë”.

    Sa më e fortë të jetë Ukraina në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë edhe në tryezën e negociatave, tha ajo.

    Kallas gjithashtu komentoi mbi deklaratën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, se ai do ta përfundojë luftën shpejt, duke thënë se bota pret planin e Trumpit.

    Nëse Trump, i cili pritet të inaugurohet më 20 janar, përdor vërtet fuqinë e SHBA-së për të ushtruar presion mbi presidentin rus, Vladimir Putin, që të tërheqë trupat nga Ukraina dhe të ndalojë bombardimin e civilëve dhe infrastrukturës civile, lufta mund të përfundojë në kohë, tha ajo.

    Por, ajo përsëriti qëndrimin e BE-së se nuk duhet të ketë asnjë vendim për Ukrainën pa pëlqimin e Ukrainës, dhe kjo vlen edhe për Evropën.

    “Është e qartë që cilado marrëveshje të arrihet, Evropa duhet të jetë pjesë e saj. Është detyrë e ukrainasve të vendosin se çfarë lloj marrëveshjeje është e pranueshme për ta”, tha ajo.

    Se a dëshiron me të vërtetë Putini paqe është temë tjetër, tha ajo, duke paralajmëruar se një armëpushim do të përdorej nga rusët vetëm për të rigrupuar dhe rimbushur forcat e tyre.

    “Rusët nuk i kanë respektuar kurrë armëpushimet. Prandaj është e rëndësishme për Evropën që paqja të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme”, tha ajo.

    Kallas gjithashtu foli për sulmet e fundit ndaj kabllove nënujore në Detin Baltik, duke theksuar se do të ishte një gabim t’i trajtojmë ato ndaras nga sulmet ndaj infrastrukturës kritike evropiane. Incidentet duhet të konsiderohen kolektivisht dhe gjithashtu në kontekstin e sulmeve të ngjashme që ajo tha se Kina ka kryer kundër Tajvanit dhe Koresë së Jugut.

    Kjo tregon nevojën për të zhvilluar më tej ligjin ndërkombëtar detar dhe për të forcuar më tej sanksionet kundër flotës së errët të Rusisë, që ajo përdor për të shmangur sanksionet ndaj eksporteve të saj të naftës, tha Kallas.

  • Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja sot mban mbledhjen e radhës, këto janë pikat e rendit të ditës

    Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja sot mban mbledhjen e radhës, këto janë pikat e rendit të ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhjen e radhës.

    KQZ ka bërë të ditur se mbledhja do të nisë në orën 14:30.

    Mes tjerash, në këtë mbledhje pritet shqyrtimi e miratimi i procedurave të votimit dhe numërimit në vendvotim dhe shqyrtimi dhe miratimi i planit operacional të sigurisë për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 09 shkurt 2025.

    Më poshtë gjeni rendin e plotë të ditës:

  • 1 mijë policë pjesë e operacionit për arrestimin e Yoon Suk Yeol – si ndodhi krejt ngjarja?

    1 mijë policë pjesë e operacionit për arrestimin e Yoon Suk Yeol – si ndodhi krejt ngjarja?

    Yoon Suk Yeol është bërë presidenti i parë në detyrë i Koresë së Jugut që është arrestuar, duke i dhënë fund një përplasjeje disa javore mes hetuesve dhe sigurimit të tij personal.

    Yoon, përpjekja e dështuar e të cilit për të vendosur ligjin ushtarak e zhyti vendin në trazira, u fajësua nga parlamenti dhe po hetohet për kryengritje.

    Megjithatë, teknikisht ai është ende presidenti i vendit, pasi Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse shkarkimi i tij është i vlefshëm.

    Hetuesit arritën të kalojnë barrikadat e ngritura nga personeli i Shërbimit të Sigurisë Presidenciale për të penguar arrestimin e Yoon. Mbi 1000 oficerë ishin pjesë e operacionit, që shënoi përpjekjen e dytë për të ndaluar presidentin pas asaj në 3 janar.

    Më pas, udhëheqësi 64-vjeçar tha se pranoi të paraqitej para Zyrës së Hetimit të Korrupsionit për zyrtarë të lartë për të shmangur gjakderdhjen. Në një video-mesazh tre minutësh, Yoon tha se do të respektojë hetimin kundër tij, edhe pse mohon akuzat.

    Ai vazhdimisht është shprehur se urdhri për arrestimin e tij nuk është ligjërisht i vlefshëm.

    Partia e Fuqisë Popullore të Yoon e cilësoi arrestimin e tij si “të paligjshëm”, duke i përshkruar ngjarjet e së mërkurës si “për keqardhje”.

    Nga ana tjetër, drejtuesja e Partisë Demokratike të opozitës, Park Chan-dae, tha se arrestimi i Yoon tregoi se “drejtësia në Korenë e Jugut është e gjallë”.

    Ky arrestim “është hapi i parë drejt rivendosjes së rendit kushtetues, demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, tha ai gjatë një takimi të partisë.

    Vendi aktualisht drejtohet nga Ministri i Financave Choi Sang-mok si president në detyrë.

  • 26 vjet nga Masakra e Reçakut

    26 vjet nga Masakra e Reçakut

    Kosova shënon sot 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

    Me rastin e 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu, organizohen aktivitetet përkujtimore “Ditët e Reçakut”.

    Sot në nivel vendit ora e parë mësimore, i kushtohet  Masakrës së Reçakut, ndërsa në orën 8 e 30 nisin homazhet në Kompleksin Memorial, si dhe në varrezat e dëshmorëve të Shtimes.

    Krerët e shtetit homazhe do të bëjnë në orën 10:00, kurse në 11:00 do të mbahet Akademia përkujtimore. Homazhe do të bëjnë edhe nga partitë opozitare.

    Në orët e pasdites do të ketë aktivitet tjera për të kujtuar Masakrën e Reçakut.

    Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

    Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

  • IPK-ja rekomandon shtimin e personelit policor për Njësinë e trafikut në veri

    IPK-ja rekomandon shtimin e personelit policor për Njësinë e trafikut në veri

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të quajtur “Trajtimi i aksidenteve të trafikut nga Policia e Kosovës”, ku i ka dhënë shtatë rekomandime për Policinë.

    Në raport thuhet se IPK-ja ka kërkuar përmbushje të strukturës policore me personel të mjaftueshëm, përfshirje më të gjerë të personelit në trajnime profesionale dhe të avancuara, pajisjes së njësive me pajisje për regjistrim dhe skanim të të dhënave nga vendi i aksidentit dhe përdorim i programeve të licencuara për skicimin e vendit të aksidentit.

    IPK-ja ka përmendur sigurimin e personelit të mjaftueshëm për Njësinë Rajonale të Trafikut Rrugor në Mitrovicë të Veriut.

    “IPK-ja u rekomandon Shefave të Njësive Rajonale të Trafikut Rrugor dhe Njësisë për Kontrollin e Autostradave që në koordinim me Divizionin e Trajnimeve, të ndërmarrin hapa në drejtim të përfshirjes më të gjerë të personelit në trajnime specifike profesionale dhe të avancuara në fushën e trafikut”, thuhet në mesin e shtatë rekomandimeve.

    IPK-ja gjithashtu ka rekomanduar që shefat e njësive të trafikut dhe mbikëqyrësve të ekipeve të rrisin kontrollin mbi vartësit, “për t’u siguruar se ata hartojnë kallëzime penale cilësore, me informata të mjaftueshme të dala nga trajtimi i aksidenteve”.