ATV

Author: G.O.

  • Serbia refuzoi të takohet me Kosovën për të pagjeturit, Hoti: Petkoviqi orkestroi dështimin

    Serbia refuzoi të takohet me Kosovën për të pagjeturit, Hoti: Petkoviqi orkestroi dështimin

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka bërë të ditur se sot ishte planifikuar që të mbahej takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel.

    Sipas Hotit, takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse sipas tij, takimi ishte planifikuar para dy javëve.

    “Kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave te Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve”.

    “Prania e z. Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”.

    “Arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel”, shkroi Hoti.

    Më tej, Hoti tha se kjo dëshmon për të disatën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme.

    “Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur. Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat tona sipas agjendës së parashikuar, dhe për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajçak që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona tek vendet anëtare të BE-së”.

    “Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Personave të Zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”, tha Hoti.

  • Mbyllja e Komunave Paralele, bastisja u krye me urdhër të Sveçlës – pa autorizim të Prokurorisë

    Mbyllja e Komunave Paralele, bastisja u krye me urdhër të Sveçlës – pa autorizim të Prokurorisë

    Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në disa lokacione në Kosovë, ku janë mbyllur dhjetë Komuna Paralele të Serbisë.

    Sipas njoftimit të ministrit të punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Komunat paralele të Serbisë sot janë mbyllur në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

    Por, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me një njoftim zyrtar, ku thuhet se Prokurori i Shtetit nuk e ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, pasi nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga institucionet.

    “Prishtinë 15.01.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Tutje, në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit nuk ka mundur që të lëshojë ndonjë autorizim në lidhje me rastin, duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

    “Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shkruhet në njoftim.

  • OBSh-ja dyshon se në Tanzani është shfaqur sëmundja vdekjeprurëse Marburg

    OBSh-ja dyshon se në Tanzani është shfaqur sëmundja vdekjeprurëse Marburg

    Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën një shpërthim i sëmundjes së dyshuar Marburg ia ka marrë jetën tetë personave në një pjesë të largët të Tanzanisë veriore.

    “Ne jemi në dijeni për 9 raste deri më tani, duke përfshirë 8 persona që kanë vdekur”, tha në një deklaratë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    “Do të presim raste të tjera në ditët në vijim pasi mbikëqyrja e sëmundjeve përmirësohet”, shtoi i pari i OBSH-së.

    Ashtu si Ebola, virusi Marburg e ka origjinën nga lakuriqët e natës dhe përhapet midis njerëzve përmes kontaktit të ngushtë me lëngjet trupore të individëve të infektuar ose me sipërfaqe, të tilla si çarçafët e kontaminuar.

    Pa trajtim, Marburg mund të jetë fatale deri në 88 për qind të njerëzve që sëmuren nga kjo sëmundje.

    Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje muskulore, diarre, të vjella dhe në disa raste vdekje nga humbja ekstreme e gjakut.

  • Kurti në Reçak, premton gjykim dhe ndëshkim të kriminelëve serb

    Kurti në Reçak, premton gjykim dhe ndëshkim të kriminelëve serb

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti në akademinë përkujtimore për Masakrën e Reçakut ka thënë se ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi.

    Kurti tha se vrasësit e civilëve në Reçak janë të lirë në Serbi.

    “Varre të hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin. Ajo që duhet të ndodh për pasoj është drejtësi, gjykimi dhe ndëshkimi i krimineleve qoftë edhe në mungesë. Në vitit 1998-99 thuhej se përfundoj beteja, por jo edhe lufta. Në raport me Serbinë tash duhet të thuhet e kundërta, ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi”, tha Kurti.

    Osmani: Masakra e Reçakut na kujton qëndrueshmërinë e popullit tonë për t’u ngritur dhe për të triumfuar

  • Osmani: Masakra e Reçakut na kujton qëndrueshmërinë e popullit tonë për t’u ngritur dhe për të triumfuar

    Osmani: Masakra e Reçakut na kujton qëndrueshmërinë e popullit tonë për t’u ngritur dhe për të triumfuar

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në ceremoninë përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut tha se “kjo masakër na kujton jo vetëm dhimbjen por edhe qëndrueshmërinë e popullit tonë për t’u ngritur dhe për të triumfuar”.

    Osmani para të pranishmëve citoi fjalët e ambasadorit William Walker, i cili kishte thënë se “ajo që pash këtu është krim kundër njerëzimit”.

    “Në çdo përvjetor jemi në Reçak në fshatin e vogël por me zemër të madhe. 45 banorët e Reçakut u masakruan nga gjenocidi serb. Pamjet e asaj masakre tronditën botën. Walker dëshmoi para botës atë se çfarë e pa me sytë e tij. Ajo që pash këtu është një krim kundër njerizimit, ishin fjalët e ambasadorit Walker”.

    “Ajo na kujton jo vetëm dhimbjen e asaj kohe por na kujton edhe qëndrueshmërinë e popullit tonë për t’u ngritur dhe për të triumfuar. Nuk duhet të ndalemi asnjëherë për ta treguar këtë të vërtetë. Sot jemi të gjithë bashkë që sërish të përulemi para dëshmorëve. Ata janë dhe do të jenë heronjtë tanë, kujtimi i tyre do të jetë referencë për çka do që bëjmë. Lavdi dëshmorëve. Zoti e bekoftë Kosovën, Reçakun dhe popullin e saj”, tha Osmani.

  • Shqipëria nënshkruan marrëveshje një miliardëshe me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

    Shqipëria nënshkruan marrëveshje një miliardëshe me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

    Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan të mërkurën një marrëveshje me vlerë prej të paktën 1 miliard eurove për të ndërtuar një lidhje nëndetare për importim të energjisë së ripërtëritshme përmes Detit Adriatik.

    Plani do të forcojë lidhjet ekzistuese të energjisë elektrike, “të shtrira përgjatë 430 kilometrave në fund të Detit Adriatik, duke lidhur Italinë me Malin e Zi dhe rajone të tjera të Ballkanit… për t’i bërë ato më efikase dhe konkurruese”, tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në Samitin Botëror të së Ardhmes së Energjisë në Abu Dhabi.

    “Ky partneritet shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sigurisë energjetike, promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përshpejtimit të tranzicionit drejt energjisë së pastër në rajonin e Mesdheut”, thuhet në deklaratën e të tria vendeve, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Marrëveshja me Shqipërinë – aleate e ngushtë politike e qeverisë së krahut të djathtë të Melonit – vjen si shtesë ndaj një projekti për ndërtimin e një lidhjeje elektrike midis Italisë dhe Tunizisë për të rritur kapacitetin e transferimit të energjisë në rajonin e Mesdheut.

    Partneriteti trepalësh do të përfshijë operatorin italian Terna dhe Kompaninë Kombëtare të Energjisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Ai shtoi se infrastruktura do ta lidhte portin shqiptar të Vlorës me rajonin jugor italian të Pulias, pika më e afërt midis dy vendeve dhe shtoi se kjo pritet të jetë funksionale brenda një maksimumi prej tre vitesh.

    Projekti do t’i mundësojë Shqipërisë të shesë energji të ripërtëritshme të prodhuar në vend, në një kohë kur vendi po punon drejt diversifikimit të energjisë së saj të ripërtëritshme, duke rritur kapacitetin e saj me rreth 500 megavat gjatë dy viteve të fundit, tha për Reuters zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

    “Duke shfrytëzuar ekspertizën botërore të Emirateve të Bashkuara Arabe në energjinë e ripërtëritshme, burimet e pasura natyrore të Shqipërisë dhe tregun e sofistikuar të energjisë në Itali, ne po lidhim kombet në një bashkëpunim largpamës”, tha Sultan Al Jaber, ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe./REL

  • Rohde: Mohimi i krimeve në Reçak pengon përparimin drejt integrimit evropian

    Rohde: Mohimi i krimeve në Reçak pengon përparimin drejt integrimit evropian

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ka shkruar me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut. Rohde ka thënë se ajo që ka ndodhur në Reçak është fakt, dhe se krimet e ndodhura janë dokumentuar mirë nga organizatat e huaja si trupat e OKB-së dhe OSBE-së.

    Rohde ka thënë se mohimi i krimeve të ndodhura është mosrespektim për kujtimin e viktimave, mban plagët e hapura dhe pengon përparimin drejt pajtimit rajonal.

    “Mohimi i këtyre krimeve nuk respekton kujtimin e të vdekurve, mban plagë të hapura dhe pengon përparimin drejt pajtimit rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar Rohde.

  • Barduani takon komandantin e brigadës armene – flasin për sigurinë në Kosovës, përmendet edhe dialogu

    Barduani takon komandantin e brigadës armene – flasin për sigurinë në Kosovës, përmendet edhe dialogu

    Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka takuar komandantin e Brigadës Paqeruajtëse armene, kolonel Hamlet Levonyan në Shtabin e KFOR-it, në Camp Film City në Prishtinë.

    KFOR në një njoftim tha se ata diskutuan pikëpamjet për tema të ndryshme, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, situatën e stabilitetit rajonal dhe “përpjekjet e KFOR-it në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

    Barduani uroi edhe kolonelin Levonyan për kontributin shumëvjeçar në KFOR dhe në stabilitetin rajonal.

    KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

    KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Ksovo (EULEX), në rolet e tyre përkatëse të reaguesve të sigurisë.

  • Araujo bindet për të qëndruar te Barcelona

    Araujo bindet për të qëndruar te Barcelona

    Ronald Araujo duket se ka vendosur për të qëndruar te Barcelona, së paku deri në qershor dhe mos të largohet gjatë janarit.

    Drejtori sportiv i Barcelonës , Deco, ka bindur Ronald Araujo që të mos largohet nga klubi në janar, raporton Mundo Deportivo.

    Araujo ka ndryshuar mendje dhe do të qëndrojë. Klubi madje pret që mbrojtësi të nënshkruajë një kontratë të re me marrëveshjen e tij aktuale që skadon në vitin 2026.

    Mbrojtësi uruguaian mendonte trnaferimin te Juventusi, skuadër e cila iu afrua me një ofertë joshëse duke i premtuar më shumë kohë për të luajtur.

    Fillimisht, u besua se Araujo ishte vendosur të largohej dhe madje u kishte thënë shokëve të skuadrës për dëshirën e tij për t’u larguar.

    Megjithatë, largimi i tij do të kishte dëmtuar mbrojtjen e skuadrës së Barçës për sezonin duke marrë parasysh dëmtimin e Inigo Martinez dhe përvojën e Araujo si kapiten. /Telegrafi/

  • Zyrtare: Simon Simoni huazohet në Bundesliga 2 te Frankfurti

    Zyrtare: Simon Simoni huazohet në Bundesliga 2 te Frankfurti

    Aventurë e re për portierin shqiptar Simon Simoni dhe përsëri në futbollin gjerman.

    Portieri i Kombëtares së Shqipërisë ishte i huazuar në gjashtë muajt e fundit te Ingolstadt në Bundesliga 3, derisa tani do të luaj në një nivel më lartë.

    Simoni është huauzar në Kaiserslautern në Bundesliga 2 për 18 muajt e ardhshëm nga Eintracht Frankfurti.

    “Gjithmonë e kemi theksuar se do të dëshironim të kishim një tjetër portier në skuadër për situatën konkurruese”.

    “Me Simonin kemi gjetur komplementin ideal sepse ai është një portier i ri, i talentuar dhe i aftë, i cili, pavarësisht moshës së tij të re, tashmë ka fituar shumë përvojë në një nivel të lartë”, tha drejtori menaxhues i FCK, Thomas Hengen.

    “FCK është një klub i madh me tifozë të mëdhenj dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Unë shoh mundësi optimale këtu për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në zhvillimin tim në një nivel të lartë. Unë do të bëj çmos për të ndihmuar ekipin”, ka thënë Simon Simoni. /Telegrafi/