ATV

Author: G.O.

  • Izraeli i liron 90 të burgosur palestinezë pasi Hamasi i ktheu 3 pengje

    Izraeli i liron 90 të burgosur palestinezë pasi Hamasi i ktheu 3 pengje

    Izraeli i ka liruar 90 të burgosur palestinezë të hënën në mëngjes, pasi tri pengje izraelite u liruan nga Hamasi në Gazë dhe u rikthyen në Izrael një ditë më parë.

    Një autobus i madh i mbushur me të burgosur palestinezë u largua nga burgu Ofer i Izraelit, i cili ndodhet në afërsi të qytetit Ramallah në Bregun e okupuar Perëndimor.

    Ushtria izraelite, e cila e ka uzurpuar Bregun Perëndimor, i paralajmëroi palestinezët të mos festonin në publik, por turmat përcollën autobusët të cilët u larguan nga burgu, me disa prej tyre që u ngjitën mbi ta apo valëvuan flamuj, përfshirë atë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Sipas një liste të lëshuar nga Komisioni për Çështjet e të Burgosurve i Autoritetit Palestinez, të gjithë të liruarit janë gra ose adoleshentë, më i riu 15 vjeç.

    Izraeli tha se i kishte arrestuar ata për vepra që lidhen me sigurinë e Izraelit, nga hedhja e gurëve deri te akuza më serioze si tentativa për vrasje.

  • Bastisje në Podujevë – Sekuestrohen substanca narkotike dhe armë, arrestohet një i dyshuar

    Bastisje në Podujevë – Sekuestrohen substanca narkotike dhe armë, arrestohet një i dyshuar

    Një person është arrestuar në Podujevë, pas një bastisjeje të realizuar në koordinim me prokurorin, në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij.

    Gjatë bastisjes, janë gjetur dhe sekuestruar afër 2 mijë kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 75 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 7 peshore të ndryshme, mbështjellës për substanca narkotike dhe një radio-lidhje.

    Dy persona tjerë janë intervistuar si dëshmitarë lidhur me rastin.

    Ndërkaq, Policia ka njoftuar se po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

  • “Miqtë e Amerikës” organizojnë aktivitete me rastin e inaugurimin e Trumpit si president

    “Miqtë e Amerikës” organizojnë aktivitete me rastin e inaugurimin e Trumpit si president

    Sot, Donald Trump betohet si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Me këtë rast, shoqata “Miqtë e Amerikës”, organizon disa aktivitete.

    Te shtatorja e presidentit Bill Clinton, shoqata do të zëvendësojë flamurin dhe do të vendosin një flamur të ri të shoqëruar me një fjongo.

    Po ashtu, në zyrën e shoqatës janë ftuar një numër i kufizuar personalitetesh për të ngritur dolli urimi për këtë rast të rëndësishëm.

  • LDK-ja mban konferencë për media

    LDK-ja mban konferencë për media

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot mban konferencë për medie.

    Sipas njoftimit, konferenca mbahet në Selinë Qendrore të LDK-së në orën 11:45.

    Nuk dihet arsyeja e thirrjes së kësaj konference.

  • Me katër vota “pro”, zgjidhet kryetari i ri i KPM-së

    Me katër vota “pro”, zgjidhet kryetari i ri i KPM-së

    Në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPM-së të thirrur nga Luljeta Aliu, është zgjedhur Besnik Berisha, kryetar i ri i këtij institucioni, me katër vota “pro” dhe një votë e pavlefshme.

    Emri i Besnik Berishës është propozuar nga një prej anëtarëve të KMP-së.

    Gjithashtu është propozuar për nënkryetare Luljeta Aliu, e cila e ka thirrur mbledhjen.

    Juristja e medias, Flutura Kusari, e ka cilësuar këtë zhvillim si përpjekje të pushtetit për kapjen e KMP-së.

     

  • ​Arrestohen dy persona për keqpërdorim të kartelave bankare në Pejë

    ​Arrestohen dy persona për keqpërdorim të kartelave bankare në Pejë

    Policia e Kosovës sot ka zbatuar urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në Pejë, ku janë kontrolluar tri lokacione dhe janë arrestuar dy persona, me dyshime për veprat penale keqpërdorim të detyrës zyrtare, lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit.

    Hetimet lidhur me rastin kishin filluar në muajin korrik 2024 me autorizim të Prokurorisë Themelore Pejë, me ç’rast janë aplikuar masat e veçanta të hetimit si dhe ka bërë grumbullimin e informatave të nevojshme, duke bashkëpunuar edhe me institucione tjera përmes të cilave është arritur të sigurohen dëshmi të arsyeshme për veprat panele.

    Dy persona të dyshuar në këtë rast, një femër dhe një mashkull kosovarë, dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr mjetet e përfituara nga skema pensionale. Tërheqja e parave dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj.

    Gjatë kontrollit të lokacioneve janë gjetur dhe janë sekuestruar gjashtë kartela bankare në emër të personave të tjerë, një telefon, dokumentacion me rëndësi për procedurat hetimore, dy armë zjarri, një AK-47 dhe një armë e shkurtër për të cilat pas konsultimit me prokurorin e rastit është iniciuar rast i veçantë.

    Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.

  • Presideti Biden lehtëson masën e dënimit për afro 2500 persona

    Presideti Biden lehtëson masën e dënimit për afro 2500 persona

    Presidenti Joe Biden njoftoi të premten vendimin për uljen e masës së dënimit për thuajse 2500 persona, të cilët ishin dënuar për vepra jo të dhunshme që kishin të bënin me drogën.

    Me këtë vendim, Joe Biden bëhet Presidenti që ka nënshkruar më shumë falje dhe lehtësim dënimi se sa çdo president tjetër i Shteteve të Bashkuara.

    Presidenti është shprehur se me keto akte synon të korrigjojë pabarazinë e masës së dënimit, pasi individët përfitues “do të kishin marrë dënime më të shkurtra nëse akuzoheshin sipas ligjeve, politikave dhe praktikave të sotme”.

    “Ky veprim është një hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të gabimeve historike, korrigjimit të pabarazive në dënime dhe ofrimin e mundësisë që individët të kthehen në familjet dhe komunitetet e tyre pasi kanë kaluar shumë kohë pas hekurave”, tha Biden përmes një deklarate

    Shtëpia e Bardhë nuk i publikoi emrat e atyre që do të marrin zbritje të masës së dënimit.

    Presidenti Biden njoftoi se mund të ketë edhe vendime për akte të tjera lehtësimi të masës së dënimit, duke premtuar se do të përdorë kohën përpara ianugurimit të Trump të hënën “që të shqyrtojë mundësinë për të tjera falje dhe zbritje të dënimit”.

    Kjo mund të përfshijë falje për zyrtarë dhe aleatë për të cilët Shtëpia e Bardhë druhet se mund bëhen padrejtësisht objektiv i adminsitratës së re.

    Muajin e kaluar, Presidenti në largim fali 39 persona të dënuar për krime jo të dhunshme dhe u uli dënimet rreth 1500 të tjerëve. Për nga numri, këto vendime ishin më të mëdhatë të ndërmarra në një ditë të vetme.

    Po në dhjetor, Presidenti Joe Biden lehtësoi dënimet për 37 nga 40 personat e dënuar me vdekje nga gjykatat federale, duke ua ulur dënimin në burgim të përjetshëm.

    Së fundmi, Biden fali gjithashtu djalin e tij, Hunter Biden, i dënuar mbi akuza federale për armë dhe mos pagim taksash.

    Presidentët zakonisht nënshkruajnë një seri faljesh në fund të mandatit të tyre.

    Pak para mesnatës, në natën e fundit të mandatit të tij të parë, republikani Trump, nënshkroi një sërë faljesh dhe uljesh dënimi për më shumë se 140 persona, duke përfshirë ish-aleatin e tij kryesor, Steve Bannon, reperët Lil Wayne dhe Kodak Black dhe ish-anëtarë të Kongresi, raporton VOA.

    Akti i fundit i Trump si President në mandatin e tij të parë ishte falja për Al Pirro-n, ish-bashkëshorti i gazetares së kanalit Fox News, Jeanine Pirro, një nga mbrojtësit e tij më të vendosur. Al Pirro ishte shpallur fajtor për akuza për komplot dhe evazion fiskal dhe ishte dënuar me më shumë se dy vjet burg në vitin 2000.

  • Flutura Kusari denoncon përpjekjen e pushtetit për kapjen e KPM-së tinëz, publikon dokumentin

    Flutura Kusari denoncon përpjekjen e pushtetit për kapjen e KPM-së tinëz, publikon dokumentin

    Juristja e medias dhe aktivistja e shoqërisë civile, Flutura Kusari ka dhënë informata tjera me rëndësi për tentim kapjen e KPM-së nga pushteti.

    Ajo thotë se “KPM ka planifiku sot me ndryshu rregulloren e punës që me mujtë me e kapë politikisht pozitën e kryetarit dhe të nënkryetarit”.

    Kusari tha se kjo është alarmuese dhe e pabesueshme, teksa shtoi se ky ndryshim tinëzar i rregullores, pa e përfshi as në agjendë, është dëshmi që është proces i kundërligjshëm dhe politik.

    “Ky ndryshim tinzar i rregullores, pa e përfshi as në agjendë, është dëshmi që është proces i kundërligjshëm dhe politik. Ndryshimi i rregullores në këtë formë është i jashtëligjshëm po ashtu”.

    Ajo e krahason këtë metodë që pushteti aktual e ka përdorë në RTK për me zgjedhë drejtorin.

    “Ju rikujtoj që të njëjtën metodë pushteti aktual e ka përdorë në RTK për me zgjedhë drejtorin. Copy paste e njëjta metodë. Wow”, ka shkruar Kusari.

  • Kurti për Jusuf Gërvallën: Ka qenë një veprimtar politik me vetëdije të lartë

    Kurti për Jusuf Gërvallën: Ka qenë një veprimtar politik me vetëdije të lartë

    Në përvjetorin e 43-të të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës, kryeministri Albin Kurti ka kujtuar tre heronjtë si dhe ka bërë homazhe në Dubovik, në vendlindjen Jusufit e Bardhoshit, raporton Ekonomia Online.

    Kurti në një postim në Facebook, shkruan se Jusuf Gërvalla ka qenë një veprimtar i kulluar politik, me vetëdije të lartë, me vullnet të pathyeshëm, me talent të rrallë dhe me energji të pashtershme.

    “Jusuf Gërvallën e kanë eliminuar shërbimet sekrete serbe, ashtu siç kishin bërë edhe me të tjerë, bashkë me vëllain e tij Bardhoshin dhe shokun e tyre bashkëveprimtar, gazetarin Kadri Zeka, sepse vetëm duke i vrarë mund t’ua pushonin aktivizmin dhe angazhimin. Por aktivizmi dhe angazhimi për çlirimin e Kosovës vazhdoi edhe pas tyre deri më 1999, kurse përpjekja dhe puna për t’ia shtuar e forcuar substancën lirisë së Kosovës ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot”, shkruan Kurti.

    “Ishim për ta kujtuar Jusufin që nga origjina e tij, sepse në rrugën tonë për Republikën e Kosovës, për shtetësi dhe sovranitet, ne jemi bashkë me të dhe ajo është bashkë me neve, Donika Gërvalla, vajza e Jusuf Gërvallës:, shkruan tutje Kurti.

    Kryeministri Kurti tha se si zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, vetë shërbyesja në këto detyra, Donika Gërvalla është dëshmi e gjallë e triumfit të historisë tonë dhe lirisë së popullit për një Kosovë të pavarur e sovrane, demokratike e prosperuese.

    “Dhe në këtë triumf, njëri nga trofetë e mbanë edhe emrin e Jusuf Gërvallës. Lavdi heronjve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, lavdi heroit Kadri Zeka!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • PZAP-ja refuzoi kërkesën e LV-së kundër Aleksandar Arsenijeviqit për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore

    PZAP-ja refuzoi kërkesën e LV-së kundër Aleksandar Arsenijeviqit për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër Aleksandar Arsenijeviqit, kryetar i “Demokracia Serbe”, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

    Sipas vendimit të PZAP-së, LVV-ja ishte ankuar se Arsenijeviqi kishte penguar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veriun e Mitrovicës, ku ka theksuar se partia kishte planifikuar aktivitet në kuadër të fushatës zgjedhore atje.

    Tutje në arsyetimin e VV-së është thënë se Arsenijeviqi ka tentuar ta pengojë aktivitetin, ka ofenduar dhe fishkëllyer drejt Kurtit, ministrave e deputetëve.

    Ndërsa, Arsenijeviq në përgjigjen e tij ka thënë se VV-ja nuk ka shpallur aktivitet të fushatës zgjedhore për atë ditë në Mitrovicë të Veriut dhe askush “publikisht nuk ishte në dijeni se kryeministri Kurti po planifikonte një vizitë edhe në Mitrovicën e Veriut”.

    PZAP-ja ka thënë se pretendimet e LV-së janë “të paqëndrueshme” dhe i refuzon “për faktin se veprimet e përshkruara në ankesë nuk paraqesin ndonjë nga shkeljet e pretenduara”. /Telegrafi/