ATV

Author: G.O.

  • Policia gjen një kamerë ilegale në Leposaviq

    Policia gjen një kamerë ilegale në Leposaviq

    Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një kamerë të maskuar në Komunën e Leposaviqit.

    Këtë e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

    Ai po ashtu konfirmoi se nga Prokuroria edhe është hapur i veprës penale ‘incizim i paautorizuar’.

    “Nuk është arrestuar askush. Jemi në konsultim me Prokurorinë se si të veprojmë tutje”, ka thënë Elshani.

    Në veri të Kosovës janë larguar dhjetëra kamera ilegale tash e disa vjet nga Policia e Kosovës.

  • Të paktën 66 të vdekur nga një zjarr në një resort skijimi në Turqi

    Të paktën 66 të vdekur nga një zjarr në një resort skijimi në Turqi

    Një zjarr në një resort të njohur skijimi në pjesën veriperëndimore të Turqisë ka lënë të paktën 66 persona të vdekur dhe 51 të tjerë të plagosur, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.

    “Jemi në dhimbje të thellë. Fatkeqësisht kemi humbur 66 jetë në zjarrin që shpërtheu në këtë hotel”, u tha gazetarëve Yerlikaya, pas inspektimit të vendit të ngjarjes.

    Ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, tha se të paktën një nga të plagosurit ishte në gjendje të rëndë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit në restorantin e hotelit 12-katësh “Grand Kartal” në resortin “Kartalkaya”, në provincën Bolu, raportuan zyrtarët dhe mediat lokale. Shkaqet prapa zjarrit janë ende duke u hetuar.

    Dy nga viktimat humbën jetën duke kërcyer nga ndërtesa në panik, tha guvernatori Abdulaziz Aydin, për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu.

    Televizioni NTV raportoi se disa persona u përpoqën të zbrisnin nga dhomat e tyre duke përdorur çarçafë dhe batanije.

    Në hotel ndodheshin 234 mysafirë, tha guvernatori Aydin. Ende nuk dihet asgjë për nënshtetësinë e viktimave.

    Necmi Kepcetutan, një instruktor skijimi në hotel, tha se ishte në gjumë kur shpërtheu zjarri dhe doli me shpejtësi nga ndërtesa. Ai i tha televizionit NTV se më pas ndihmoi rreth 20 mysafirë të dilnin nga hoteli.

    Ai tregoi se hoteli ishte mbuluar nga tymi, duke ua bërë të vështirë mysafirëve gjetjen e daljeve emergjente.

    “Unë nuk mund të vë kontakt me disa nga studentët e mi. Shpresoj të jenë mirë”, tha instruktori i skijimit për televizionin.

    Pamjet televizive tregonin çatinë dhe katet e sipërme të hotelit të përfshira nga zjarri. Dëshmitarët thanë se sistemi i alarmit të zjarrit në hotel nuk funksionoi.

    “Gruaja ime ndjeu erën e djegies. Alarmi nuk ra”, tha Atakan Yelkovan, një mysafir në katin e tretë të hotelit, për agjencinë IHA.

    “Ne u përpoqëm të ngjiteshim lart, por nuk mundëm; kishte flakë. Zbritëm poshtë dhe dolëm këtu (jashtë)”, shtoi ai.

    Yelkovan tha se zjarrfikësit mbërritën pas rreth një ore.

    “Njerëzit në katet e sipërme po bërtisnin. Ata po zbritnin me çarçafë… disa u përpoqën të hidheshin”, tha ai.

    Qeveria caktoi gjashtë prokurorë për të udhëhequr hetimin mbi zjarrin. Televizioni NTV sugjeroi se fasada e jashtme prej druri mund të ketë përshpejtuar përhapjen e zjarrit.

    Hoteli me 161 dhoma ndodhet buzë një shkëmbi, gjë që e bëri më të vështirë luftimin e flakëve, raportoi NTV.

    Kartalkaya është një resort i njohur skijimi në malet Koroglu, rreth 300 kilometra në lindje të Stambollit. Zjarri ndodhi gjatë pushimeve mes semestrave shkollorë, kur hotelet në rajon janë të mbushura plot.

    Zyra e Aydin njoftoi se 30 automjete zjarrfikëse dhe 28 ambulanca u dërguan në vendngjarje.

    Hotelet e tjera në resort u evakuuan si masë paraprake dhe mysafirët u vendosën në hotele rreth Bolusë.

    Ndërkohë, katër persona u lënduan nga shpërthimi i gazit në një hotel në një tjetër resort skijimi në Turqinë qendrore.

    Shpërthimi ndodhi në Qendrën e Sporteve Dimërore “Yildiz Mountain” në provincën Sivas. Dy skijatorë dhe instruktori i tyre u plagosën lehtë, ndërsa një tjetër instruktor pësoi djegie të shkallës së dytë në duar dhe fytyrë, tha zyra e guvernatorit të Sivasit./REL

  • Von der Leyen: BE-ja duhet të jetë pragmatike me SHBA-në, të thellojë lidhjet me Kinën

    Von der Leyen: BE-ja duhet të jetë pragmatike me SHBA-në, të thellojë lidhjet me Kinën

    Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje të martën bllokut evropian që të “thellojë” lidhjet me Kinën dhe të forcojë marrëdhëniet me Indinë, ndërkohë që të ndjekë një qasje “pragmatike” me administratën e re të SHBA-së të Donald Trumpit.

    Në një fjalim hyrës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Von der Leyen theksoi rëndësinë që blloku evropian të bashkëpunojë dhe jo të konfrontohet me administratën e Trumpit, i cili ka premtuar tarifa ndëshkuese importi ndaj partnerëve kryesorë si pjesë e politikës së tij tregtare.

    “Prioriteti ynë i parë do të jetë angazhimi i hershëm, diskutimi i interesave të përbashkëta dhe gatishmëria për të negociuar”, tha shefja e Komisionit Evropian në mbledhjen e liderëve botërore në Zvicër.

    “Ne do të jemi pragmatikë, por gjithmonë do të qëndrojmë përkrah parimeve tona”, tha Von der Leyen, duke theksuar se Evropa mbetet e angazhuar për marrëveshjen e klimës të Parisit, pavarësisht urdhrit të Trumpit për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja.

    Shefja e BE-së e përqendroi shumicën e fjalimit të saj në nevojën për të rritur partneritete me vendet e tjera përtej Shteteve të Bashkuara – duke bërë thirrje që blloku evropian të “angazhohet në mënyrë konstruktive” me Kinën, pavarësisht tensioneve në rritje tregtare midis Pekinit dhe Brukselit.

    “2025-ta shënon 50-vjetorin të marrëdhënieve diplomatike të Bashkimit Evropian me Kinën. Unë e shoh këtë si një mundësi për t’u angazhuar dhe thelluar marrëdhënien tonë me Kinën, dhe ku të jetë e mundur, edhe për të zgjeruar lidhjet tona tregtare dhe të investimeve”, tha ajo.

    Ajo gjithashtu njoftoi se ekipi i saj kryesor do ta vizitojë Indinë për të forcuar lidhjet në udhëtimin e parë jashtë vendit të mandatit të ri.

    “Së bashku me kryeministrin [Narendra] Modi, ne duam të përmirësojmë partneritetin strategjik me vendin më të madh dhe demokracinë më të madhe në botë”, tha Von der Leyen, raporton REL.

    BE-ja ka thënë se është “gati” të mbrojë interesat e saj nëse Trumpi i bën realitet kërcënimet e tij tregtare – megjithatë, lideri i ri SHBA-së deri tani nuk ka njoftuar për hyrjen në fuqi të tarifave të tilla.

    “Askush nuk ka interes që të prishë lidhjet në ekonominë globale”, tha Von der Leyen.

    Përballë rrezikut, BE-ja ka punuar për të diversifikuar partneritetet e saj tregtare, duke njoftuar në ditët e fundit për një marrëveshje më të madhe tregtare me Meksikën dhe rinisjen e bisedimeve për një marrëveshje për treg të lirë me Malajzinë.

  • Sherri në familjen mbretërore/ Princ Leka dënohet, Elia Zaharia shpallet e pafajshme

    Sherri në familjen mbretërore/ Princ Leka dënohet, Elia Zaharia shpallet e pafajshme

    Gjykata e Tiranës e ka dënuar Princ Leka Zogun me një vit burg, megjithatë, për shkak të gjykimit dënimi ka zbritur në tetë muaj dhe është vendosur pezullim në 16 muaj shërbim prove.

    Sipas “Top Channel”, ai është dënuar për veprën “Dhunë në familje”.

    Po ashtu, gjyqatarja Migena Laska raportohet se ka dënuar me 10 muaj Gjergj Zaharinë, babanë e Elia Zaharia, ku për shkak të gykimit të shkurtuar dënimi zbret në 6 muaj.

    Elia Zaharia ndërkaq, është shpallur e pafajshme.

    Të tre personat akuzoheshin për veprën “Dhunë në familje”, kjo pas videove që u publikuan nga rrahja në pallatin mbretëror në fillim të vitit 2024.

  • Strohmeyer: Nuk e kam ditë se kush ishte Kadri Veseli, s’më kujtohet që e kam takuar

    Strohmeyer: Nuk e kam ditë se kush ishte Kadri Veseli, s’më kujtohet që e kam takuar

    Dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer tha se nuk i kujtohet që është takuar ose ka biseduar ndonjëherë me Kadri Veselin.

    Madje, në një rast ai tha se gjatë kohës kur ishte me mision në Kosovë, nuk e dinte as kush ishte Kadri Veseli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Po absolutisht e saktë dhe sot e kësaj dite nuk më kujtohet një gjë e tillë”, tha dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon.

    Më pas, Dixon i tha dëshmitarit se ish-gjenerali i UNMIK-ut, Mike Jackson ka dhënë një deklaratë, në të cilën ka thënë që nuk i kujtohet se ka pasur ndonjë ndërveprim me Veselin ose SHIK-un. Pas kësaj, dëshmitari u pyet se a e mban mend që Jackson t’i këtë thënë atij për ndonjë takim me Veselin.

    “Jo, nuk më kujtohet”, tha dëshmitari.

    Kurse, i pyetur se a është e vërtetë se në aspektin civil ose ushtarak, Jackson nuk ka pasur ndonjë kontakt me Veselin, dëshmitari sërish tha se nuk i kujtohet që ai (dëshmitari) ka pasur ndonjë takim me Veselin.

    “Unë flas vetëm për vete, por mua personalisht nuk më kujtohet asnjë rast që jam takuar me zotin Veseli”, tha Strohmeyer.

    Dëshmitari gjithashtu u pyet se a e dinte që Veseli nuk ka qenë në Kosovë për pjesën më të madhe të kësaj kohe. Tha se në atë kohë s’e dinte se kush ishte Veseli ose nëse ai ishte brenda ose jashtë Kosovës.

    LEXONI EDHE:

    Strohmeyer: Nuk më kujtohet ta kem parë Thaçin duke i dhënë urdhra dikujt, mendonim që ai ishte përgjegjës i UÇK-së

  • Arrestohet një 22-vjeçar i dyshuar për vjedhje në një lokal në Vushtrri

    Arrestohet një 22-vjeçar i dyshuar për vjedhje në një lokal në Vushtrri

    Një 22-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se ka kryer vjedhje të rëndë në një lokal në Vushtrri.

    Në njoftimin e Policisë, thuhet se i dyshuari u identifikua dhe arrestua si rezultat i veprimeve të shpejta operative e hetimore,

    “Arrestimi i të dyshuarit F. A., 22 vjeçar shtetas i Republikës së Kosovës, është realizuar mbi dyshime te arsyeshme dhe provave të sigurua se gjatë natës së datës 20 janar 2025, në sheshin ‘’Hasan Prishtina” në Vushtrri, ka kryer veprën penale vjedhje e rendë ku cak i kësaj vjedhje ishte një lokal”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa bëhet e ditur se pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

  • Aksident i rëndë në Itali – Vdesin dy të rinj, mes tyre një 18-vjeçar shqiptar

    Aksident i rëndë në Itali – Vdesin dy të rinj, mes tyre një 18-vjeçar shqiptar

    Një aksident tragjik ka ndodhur dje në Vignola të Italisë, ku kanë mbetur të vdekur dy të rinj, 18 dhe 24-vjeçar.

    Sipas mediave të huaja, 18-vjeçari që vdiq është shtetas shqiptar, i identifikuar si Idris Kreshpaj, ndërsa viktima tjetër është shtetas maroken i identifikuar si Rida Sidrine.

    Të lënduar kanë mbetur edhe dy të rinjtë e tjerë (17 dhe 23 vjeç) që ndodheshin në veturë, të cilët kanë pësuar fraktura dhe të nxira.

    Aksidenti ndodhi rreth orës 21:00 në rrugën për në Sassuolo. Vetura në të cilin udhëtonin pesë djem, një Citroen C3, u përmbys disa herë përpara se të përplasej me një mur të ulët të një shtëpie.

    Sipas mediave italiane, rrethanat janë ende nën hetim, por nga të dhënat fillestare rezulton se nuk janë përfshirë automjete të tjera.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një të dyshuari, dyshohet se mashtroi një shitëse

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një të dyshuari, dyshohet se mashtroi një shitëse

    Policia në Ferizaj ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët që të identifikojnë dhe lokalizojnë një të dyshuar për “Mashtrim”.

    Ai dyshohet se e ka mashtruar një shitëse në një lokal me një shumë të caktuar parash.

    Kushdo që ka informacione rreth të dyshuarit le të lajmërohet në stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdetarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.

  • Strohmeyer: Nuk më kujtohet ta kem parë Thaçin duke i dhënë urdhra dikujt, mendonim që ai ishte përgjegjës i UÇK-së

    Strohmeyer: Nuk më kujtohet ta kem parë Thaçin duke i dhënë urdhra dikujt, mendonim që ai ishte përgjegjës i UÇK-së

    Hansjeorg Strohmeyer gjatë dëshmisë së tij në Hagë, mohoi se e ka parë Hashim Thaçin duke dhënë urdhra gjatë kohës sa dëshmitari ishte me misionin e UNMIK-ut si këshilltar juridik në Kosovë më 1999.

    Ai gjithashtu pohoi se është e vërtetë të thuhet që ai nuk e kishte parë ndonjëherë Thaçin duke i dhënë urdhra Agim Çekut ose ndonjë prej anëtarëve të UÇK-së apo dikujt tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Nuk më kujtohet. Nuk mund të them as po as jo. Nuk më kujtohet ndonjë rast konkret. Unë të paktën nuk e kam parë që t’i japë urdhra dikujt në praninë time, ndonjë komandanti apo ndonjë personi. Më janë bërë disa herë pyetje për këtë”, tha Strohmeyer.

    Në një shënim përgatitor të lexuar nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, pretendohet se dëshmitari ka thënë se personat që kontaktonte UNMIK-u në atë kohë ishin Thaçi për aspekte politike, ndërsa Agim Çeku për ato ushtarake.

    “Ky ishte perceptimi im. Mbaj mend që për aspekte politike duhej t’i drejtoheshim zotit Thaçi. Ndërsa, për marrëveshjen dhe për çështje që lidheshin me KPI-në mendonim që duhej t’i drejtoheshim zotit Çeku ose mendonim që ai ishte personi i kontaktit”, tha dëshmitari.

    Strohmeyer gjithashtu theksoi se ata e kishin përshtypjen se ka ekzistuar hierarki në UÇK dhe se anëtarÇekut e UNMIK-ut do të thonin se përgjegjës ishte Thaçi.

    “Sipas nesh, ose mënyra se si e kishim kuptuar ne, ndonëse nuk e kishim shprehur- mendojmë se ka pasur një hierarki. Ka ekzistuar një hierarki. Për shembull nëse do të pyesni personat në UNMIK se kush janë personat përgjegjës në UÇK të gjithë do të thonin zoti Thaçi”, tha Strohmeyer.

    Fjala e tij u ndërpre nga avokati Mishetiq, duke i thënë se nuk iu interesojnë anketat. Ndërsa, për pyetjet e fundit Mishetiq kërkoi seancë private, gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues.

  • Latifi jep detaje për zjarrin që bëri shkrumb e hi fabrikën në Rahovec

    Latifi jep detaje për zjarrin që bëri shkrumb e hi fabrikën në Rahovec

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka dhënë detaje të reja për djegien e fabrikës së plastikës në fshatin Sapniq.

    Kryetari ka thënë se dëmi vlera e dëmit të shkaktuar është shumë e madhe.

    “Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, rreth orës 06:00, një zjarr ka kapluar fabrikën e plastikës “Ritupack” në Sapniq. Sapo jam njoftuar, menjëherë kam dalë në vendin e ngjarjes për të parë nga afër situatën dhe për të koordinuar veprimet.
    Shpreh keqardhjen time të thellë për këtë ngjarje të rëndë që ka prekur këtë biznes të rëndësishëm për komunën tonë! Fatmirësisht, nuk ka pasur dëme në njerëz, gjë që është një lehtësim i madh për të gjithë ne. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha dhe ende nuk janë vlerësuar plotësisht. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar dhe është shmangur përhapja e tij në zonat përreth.
    Dua të shpreh mirënjohjen time për Njësinë e zjarrfikësve të Rahovecit, si dhe për ndihmën e vyer të njësive të zjarrfikësve nga Gjakova, Prizreni dhe Malisheva, të cilët dëshmuan solidaritet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm! Po ashtu, falënderoj Policinë e Kosovës për angazhimin e tyre në sigurimin e rendit dhe mbështetjen në menaxhimin e situatës!
    Do të ofrojmë mbështetje për këtë biznes dhe do të bëjmë gjithçka që është në mundësinë tonë për të ndihmuar në përballimin e pasojave të kësaj fatkeqësie”, shkruan Latifi në njoftim.

    Për këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

    Sipas Policisë nga ky zjarr nuk raportohet për të lënduar, ndërsa që ekipet e policisë dhe zjarrfikëseve janë në vendin e ngjarjes.

    “Rreth orës 05:50, një zjarr ka përfshirë një fabrikë plastike, ndërsa njësitë e nevojshme policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Ahmeti ka thënë se zjarrfikësit janë të angazhuar në shuarjen e zjarrit, ndërsa, në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “zjarrvënie’”.