ATV

Author: G.O.

  • Prokuroria e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që nëse dikush ua cenon fshehtësinë e votës ta lajmërojnë në Polici apo Prokurori

    Prokuroria e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që nëse dikush ua cenon fshehtësinë e votës ta lajmërojnë në Polici apo Prokurori

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me koordinatoren nacionale për zgjedhje, prokuroren nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, kanë mbajtur takim të martën me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive në Kosovë.

    Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane në Kosovë si dhe menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, në kuadër të sistemit prokurorial, Besim Kusari.

    Në këtë takim u diskutua për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Në këtë takim iu bë thirrje qytetarëve se nëse ndodh ndonjë rast i cenimi të votës ta raportojnë në polici apo prokurori.

    Në lidhje me dy raste të dyshuara në drejtim të veprës penale, cenimi i fshehtësisë së votimit, në takim thuhet se Prokuroria e Prishtinës është duke i zhvilluar hetimet.

  • Kurti po qëndron në Davos, pritet të nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s

    Kurti po qëndron në Davos, pritet të nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s

    Kryeministri Albin Kurti është duke qëndruar në Davos të Zvicrës, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror.

    Kurti ka zhvilluar disa takime atje ndërsa ka theksuar se pati bisedime e shkëmbime të frytshme me Kryeministrin e Lituanisë Gintautas Paluckas për të thelluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimin dypalësh.

    Kurti ka njoftuar se është takuar edhe me investitorë potencialë e strategjikë për mundësitë e rritjes së investimeve në sektorin e energjisë.

    “Dita e parë e qëndrimit në Zvicër u përmbyll me darkën e hapjes së Forumit Ekonomik Botëror, e sot vijojmë mes tjerash edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s.

  • Më 27 janar nis gjykimi ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Më 27 janar nis gjykimi ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 27 janarin 2025 për mbajtjen e shqyrtimit fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

    Kështu bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M., G.P., K.K., dhe T.D. është caktuar të mbahet me datë 27 janar 2025, në ora 11.00”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

    “Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

    Plani i Naim Murselit për vrasjen e Liridonës, inskenimi i grabitjes e marrëveshja për ta paguar 30 mijë euro dorasin

    Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

    Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.

    Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro.

    Ndërsa, Naimi më 29 nëntor 2023, thuhet se ka siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00 po të njëjtën ditë nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro, e të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë- Granit Plavës.

    Granit Plava, thuhet se armën në fjalë e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona. Vrasje kjo e kryer në të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin është dakorduar me Naimin, duke e inskenuar që të duket si grabitje, ndërsa Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Me këtë, Naim Murseli akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarit Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1., pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    I maskuar e me pistoletë, Granit Plava qëlloi me një plumb në kokë Liridonën

    Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në 20:18 në fshatin Bërnicë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, i pandehuri i parë Naim Murseli me veturë në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita të veturës të pandehurit Plava, për çka ai befas ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Plava për kompensim në shumën prej 30 mijë euro, nga afërsia e drejtpërdrejtë përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës dhe e qëllon në kokë, në pjesën prapa veshit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku për pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj, sipas raportit të autopsisë erdhi si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme.

    Me këtë, Granit Plava akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Në pikën e tretë të aktakuzës, Granit Plava ngarkohet se nga 29 nëntori 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, ku është kryer bastisja në shtëpinë e tij në Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ku është gjetur arma, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për armë, ka poseduar pistoletën së bashku me 19 fishekë, me të cilën ka kryer veprën, e të cilën armë Naimi e ka blerë më 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro.

    Me këtë, Plava akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Kushtrim Kokalla njoftoi Granit Plavën me Naim Murselin dhe u dakorduan që Graniti ta kryejë vrasjen për 30 mijë euro

    Në aktakuzë thuhet se pasi që i pandehuri i parë Naim Murseli ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e bashkëshortes së tij- Liridona Murselit dhe i njëjti ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Palava me të cilin e ka njoftuar Naimin dhe të tretë janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim shumën prej 30 mijë euro.

    Sipas aktakuzës, Naimi më 29 nëntor 2023 ka siguruar armën dhe 20 fishekë të cilat i ka blerë të njëjtën ditë rreth orës 14:00 nga Tom Dodaj për 280 euro, ia ka dhënë Plavës i cili armën e përmendur e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona.

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Granit Plavën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.13 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Kokalla s’e lajmëroi vrasjen, edhe pse Naimi e kishte pranuar në dhomën e hotelit

    Kokalla po ashtu akuzohet se edhe pse menjëherë pas kryerjes së vrasjes së tani të ndjerës Liridona ka pasur njohuri që veprën penale e kanë kryer i pandehuri Naim Murseli (i cili këtë e ka pranuar derisa kanë qenë në dhomën e hotelit të njëjtën natë pas vrasjes së kryer) dhe i pandehuri i dytë Granit Plava, i pandehuri Kokalla nuk i ka lajmëruar kryerësit e as veprën penale vrasje për planifikimin e kryerjes së të cilës ka marrë pjesë në mënyrë aktive së bashku me Murselin e Plavën, e të cilin rast organet kompetente fillimisht e kanë hetuar si grabitje deri dy ditë më vonë kur është arrestuar (më 1 dhjetor 2023).

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.1 lidhur me nenin 34 të Kodit Penal.

    Tom Dodaj ia shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro

    Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.

    Me këtë, Dodaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364, par.1 të Kodit Penal.

  • Rama takohet me Zelenskyn, nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme për sigurinë

    Rama takohet me Zelenskyn, nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme për sigurinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelenskyn gjatë Forumit Ekonomik në Davos.

    Rama bëri të ditur se me Zelenskyn kanë nënshkruar edhe një marrëveshje.

    “Davos – Me Presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelensky, nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurisë”, shkroi Rama.

    Ai nuk dha detaje se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë konkretisht që u nënshkrua sot.

  • Stuhia e rrallë e dëborës godet jugun e ShBA-së, raportohen katër vdekje

    Stuhia e rrallë e dëborës godet jugun e ShBA-së, raportohen katër vdekje

    Një stuhi e rrallë dimri po sjell borë dhe shi në pjesë të jugut të thellë të SHBA-së, duke mbyllur autostradat dhe aeroportet në Teksas dhe duke shkaktuar një paralajmërim për stuhi në Luizianën jugperëndimore.

    Katër persona raportohet se kanë vdekur nga ekspozimi ndaj të ftohtit deri më tani – dy raste po hetohen si të lidhura me të ftohtin nga autoritetet e Austin në Teksas, ndërsa dy vdekje nga hipotermia u raportuan në Georgia dhe Milwaukee, raporton BBC.

    Në veri të vendit, pjesë të shtetit të Nju Jorkut po goditen nga një stuhi tjetër bore.

    Më shumë se 2,200 fluturime brenda SHBA-së u anuluan të martën dhe 3,000 të tjera u vonuan, sipas gjurmuesit në internet Flight Aware.

  • Trump paralajmëron Putinin për luftën në Ukrainë

    Trump paralajmëron Putinin për luftën në Ukrainë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka sugjeruar se do ta godasë Rusinë me sanksione shtesë, nëse presidenti Vladimir Putin nuk i pranon bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përderisa i ka bërë thirrje udhëheqësit kinez, Xi Jinping, gjatë një bisede telefonike, për të ndihmuar në ndaljen e konfliktit.

    “Duket se po”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, më 21 janar, kur është pyetur nëse Uashingtoni do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, nëse Putin nuk i bashkohet tavolinës së negociatave.

    Trump nuk ka ofruar hollësi për masat e reja të mundshme, të cilat do t’i shtoheshin një varg sanksionesh që tashmë shënjojnë Rusinë për pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 2022.

    Presidenti amerikan ka ritheksuar synimin e tij për të biseduar me Putinin në planin afatshkurtër, por pa përmendur një periudhë.

    “Ne po bisedojmë me [udhëheqësin ukrainas, Volodymyr] Zelensky. Do të flasim me presidentin Putin shumë shpejt. Do ta shikojmë”.

    Trump ka thënë më 20 janar se Zelensky i kishte thënë atij se dëshironte një marrëveshje për paqe për t’i dhënë fund luftës.

    Duke iu referuar aleatit të ngushtë të Putinit, udhëheqësit kinez Xi, Trump ka thënë se e ka nxitur atë që të kontribuojë që t’i jepet fund luftës brutale

    “Ai nuk ka bërë shumë në këtë drejtim. Ai ka shumë… fuqi, sikurse ne që kemi shumë fuqi. I thashë: ‘Duhet ta zgjidhësh’. Ne diskutuam për të”, ka deklaruar Trump.

    Presidenti amerikan ka thënë, po ashtu, se ekipi i tij po shikon mundësitë për dërgimin e armëve shtesë për Ukrainën.

    Gjatë fushatës së tij për president, Trump ka folur ashpër kundër nivelit të ndihmave të mundësuara nga administrata e presidentit Joe Biden.

    Megjithatë, Trump ka thënë, herë pas here, se është i hapur ndaj idesë së një programi kreditor, sipas të cilit Ukraina do të paguante SHBA-në për dërgesat e armëve.

    Në deklaratat e tij të fundit, ai ka përsëritur edhe qëndrimin e tij se aleatët e tjerë duhet të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen e Ukrainës, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të “barazojë” ndihmat me ato të ofruara nga SHBA-ja.

    Komentet e Trumpit u bënë në ditën e dytë të mandatit të tij të ri në Shtëpinë e Bardhë, dhe përfaqësojnë ditën e dytë rresht në të cilën ai është dukur t’i bëjë trysni Putinit – të cilin ai shpesh e ka lavdëruarr – për të ecur përpara drejt negociatave për paqe.

    Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ishte zotuar se do t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve pas marrjes së pushtetit. Ai është tërhequr nga këto deklarata javëve të fundit, por është zotuar se do t’i japë shpejt fund luftës.

    Shumë analistë kanë thënë se do të jetë e vështirë që lufta në Ukrainë të përfundojë në të ardhmen e afërt, sepse Putin beson se është duke fituar dhe nuk është i interesuar t’i ndërpresë luftimet, pavarësisht humbjeve të mëdha që po pëson Rusia.

    Një natë më parë, presidenti amerikan ka thënë se Putin “po e shkatërron” Rusinë duke refuzuar arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Këshilltari për politikë të jashtme i Rusisë, Yury Ushakov, u ka thënë gazetarëve se Moska “po i merr parasysh” komentet e Trumpit, por nuk ka pranuar të japë hollësi, teksa ka shtuar se Kremlini po pret “propozime konkrete që do të përbënin bazë për kontakte”.

    Sanksionet e vëna tashmë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga BE-ja e kanë sakatuar ekonominë ruse. Rusia, po ashtu, ka djegur qindra miliarda dollarë për luftën, ka humbur rreth 700.000 ushtarë dhe i ka frikësuar fqinjët e saj, përderisa ka sakrifikuar tregun fitimprurës evropian të gazit dhe qasjen në tregjet financiare perëndimore, teksa rublës i ka rënë vlera.

  • ​27 vjet nga sulmi i dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz

    ​27 vjet nga sulmi i dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz

    Sot shënohet 27-vjetori i sulmit të dytë të Serbisë mbi familjen e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

    Më 22 janar 1998 në Prekaz kishte pasur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër.

    Ky njihet si sulmi i dytë ndaj Kullës së Jasharajve, pas atij të parit në dhjetor të 1997-ës.

    Atë ditë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

    Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.

    Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998.Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

  • ​Vazhdon edhe sot spektakli në Ligën e Kampionëve

    ​Vazhdon edhe sot spektakli në Ligën e Kampionëve

    Pas ndeshjeve të së martës ku nuk mungoi spektakli, Liga e Kampionëve vazhdon sot me ballafaqime të tjera të jashtëzakonshme.

    Padyshim se vëmendja kryesore do të jetë në stadiumin “Parku i Princave”, aty ku Paris Saint Germain e pret Manchester Cityn, një duel ky ndërmjet dy skuadrave që kanë befasuar për të keq në këtë fazë të kësaj gare pasi gjenden të pozicionuara në pjesën e poshtme të tabelës, përkatësisht në pozitat 24 dhe 26, raporton KosovaPress.

    Këto janë të gjitha ndeshjet e ditës së sotme:

    Leipzig-Sporting

    Shakhtar-Brest

    Milan-Girona

    Arsenal-Dinamo Zagreb

    Celtic-Young Boys

    Feynoord-Bayer

    PSG-Manchester City

    Real Madrid-Salsburg

    SpartaPraga-Inter

  • Shpallet ditë zie në Turqi, shkon në 76 numri i viktimave nga zjarri në lokacionin turistik

    Shpallet ditë zie në Turqi, shkon në 76 numri i viktimave nga zjarri në lokacionin turistik

    Zjarri në lokacionin turistik dimëror në provincën Bolu të Turqisë ka lënë të paktën 76 persona të vdekur dhe 51 të tjerë të lënduar, tha ministri i Brendshëm i Turqisë Ali Yerlikaya, duke njoftuar rritje të numrit të viktimave.

    Nga të lënduarit, 17 janë liruar nga spitali, ndërsa një mbetet në kujdes intensiv, tha po ashtu ministri i Shëndetësisë Kemal Memişoğlu raporton Anadolu.

    Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit me kohën lokale në zonën e restorantit të hotelit në lokacionin turistik Kartalkaya, duke përfshirë shpejt ndërtesën, sipas guvernatorit të provincës Bolu, Abdulaziz Aydın.

    Ai u vu nën kontroll pas dhjetë orësh punë nga zjarrfikësit, thanë autoritetet për Anadolu, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të freskuar zonat e prekura.

    Presidenti turk Tayyip Erdogan tha se vendi do të mbajë ditë zie të mërkurën për shkak të zjarrit që shpërtheu duke marrë jetën dhjetëra njerëzve.

  • ​Lajçak e Vuçiq në Davos, diskutojnë për dialogu Kosovë-Serbi

    ​Lajçak e Vuçiq në Davos, diskutojnë për dialogu Kosovë-Serbi

    Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Lajçak tha se me Vuçiqin kanë folur rreth marrëveshjes së Ohrit, për të cilën vlerëson se ka hap rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

    “Në takimin tonë të fundit në rolin tim aktual me presidentin Aleksandar Vuçiq fola për gjendjen në dialog. Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit. Progresi i mëtutjeshëm është në interes të Serbisë, Kosovës, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së tyre”, është shprehur ai në rrjetin social X.

    Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se në kuadër të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës me Lajçakun ka diskutuar për të ardhmen e dialogut.

    “Falënderova Përfaqësuesin Special të BE-së për bashkëpunimin e mëparshëm dhe i urova fat në karrierën e tij të ardhshme. Në të njëjtën kohë, përsërita thirrjen time për BE-në dhe shtetet anëtare për të forcuar angazhimin dhe ndikimin e tyre në Kosovë, dhe për t’i siguruar popullit serb në Kosovë të drejtën për jetë të lirë, drejtësi dhe zë”, ka shkruar Vuçiq në rrjetin social Facebook.