ATV

Author: G.O.

  • ​KQZ-ja sot mban mbledhje, këto pika pritet të shqyrtohen

    ​KQZ-ja sot mban mbledhje, këto pika pritet të shqyrtohen

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mban mbledhjen e radhës ku në rend dite janë katër pika.

    Sipas KQZ-së ndër pikat që pritet të shqyrtohen janë miratimi i rekomandimit për pranimin dhe vlerësimin e dërgesave postare në institucionin e Avokatit të Popullit.

    Po ashtu do të shqyrtohet edhe miratimi i planit të prokurimit 2025.

  • Presidenca organizon disa aktivitete në 19-vjetorin e vdekjes së Rugovës

    Presidenca organizon disa aktivitete në 19-vjetorin e vdekjes së Rugovës

    Në 19-vjetorin e vdekjes së Presidentit historik, Ibrahim Rugova, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahen një sërë aktivitetesh:

    Në orën 09:00, Osmani dhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës, do të bëjnë homazhe tek varri i Presidentit Rugova, në Velani.

    Në orën 11:00, do të mbahet Ceremonia Përkujtimore për nder të Presidentit Rugova, ndërkaq pas përfundimit të Ceremonisë do të hapet Ekspozitë e fotografive të Presidentit Rugova, nga fotografi Hazir Reka.

    Sot mbushen 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

    Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

    Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

    Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.

    19 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

  • Rikthehet Liga e Kampionëve

    Rikthehet Liga e Kampionëve

    Pas një pauze të gjatë, sot dhe nesër rikthehen ndeshjet e garës më të fortë për klubet evropiane, ato të Ligës së Kampionëve.

    Në program janë ndeshjet e xhiros së parafundit të fazës së ligës, format ky që po aplikohet për herë të parë në këtë garë, ndërsa sot do të zhvillohen nëntë ndeshje, raporton KosovaPress.

    Një ballafaqim tejete interesant pritet të jetë ai ndërmjet Atletiko Madridit dhe Bayer Leverkusenit që zhvillohet në stadiumin “Metropolitano”, ndërsa në “Anfield” lideri i tabelës, Liverpooli e pret skuadrën franceze Lille.

    Ndeshjet tjera janë këto:

    Ora 18:45:

    Atalanta-Storm Graz

    Monako-Aston Villa

    Ora 21:00:

    Atletico Madrid-Bayer Leverkusen

    Benfika-Barcelona

    Bolonja-Borussia Dortmund

    Club Brugge-Juventus

    Crvena Zvezda-PSV

    Liverpool-Lille

    Slovan Bratislava-Stuttgart

  • Presidentja Osmani uron Marco Rubion: Kosova mezi pret të punojë me ju

    Presidentja Osmani uron Marco Rubion: Kosova mezi pret të punojë me ju

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar Marco Rubio, i cili është konfirmuar si sekretar i 72-të i shtetit amerikan.

    Në platformën “X”, Osmani ka shkruar se Kosova mezi pres të punoj me sekretarin Rubio.

    “Urime Marco Rubio për konfirmimin tuaj unanim si Sekretari i 72-të i Shtetit i SHBA-së. Kosova mezi pret të punojë me ju për të forcuar aleancën tonë të qëndrueshme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë së bashku. Në emër të popullit të Kosovës ju uroj suksese në këtë rol të rëndësishëm”, ka shkruar Osmani.

    Marco Rubio konfirmohet nga Senati si Sekretar i Shtetit

  • Marco Rubio konfirmohet nga Senati si Sekretar i Shtetit

    Marco Rubio konfirmohet nga Senati si Sekretar i Shtetit

    Senati e ka konfirmuar ish senatorin Marco Rubio si Sekretar të Shtetit të hënën me një votim unanim, duke i dhënë kështu presidentit të zgjedhur Donald Trump anëtarin e parë të kabinetit të tij të ri në ditën e inaugurimit.

    Rubio, ish senator republikan nga Florida, është ndër kandidatët më pak të debatueshëm të Presidentit Trump dhe votimi ishte vendimtar 99-0.

    I emëruari i Presidentit Trump për drejtor të CIA-s, John Ratcliffe pritet gjithashtu të miratohet me një votim të shpejtë.

    Votimet për emërimet e tjera, duke përfshirë ish veteranin e luftës dhe ish drejtuesin e një emisioni lajmesh në Fox News, Pete Hegseth për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, pritet të bëhen më vonë gjatë javës.

    “Marco Rubio është një njeri shumë inteligjent me njohuri të jashtëzakonshme të politikës së jashtme amerikane”, tha Senatori republikan Chuck Grassley në hapje të votimit në Senat.

    Shpesh është traditë që Senati të mblidhet menjëherë pas ceremonisë së inaugurimit për të filluar me miratimin e anëtarëve të kabinetit të presidentit të ri, veçanërisht të zyrtarëve të sigurisë kombëtare.

  • 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

    19 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

    Sot mbushen 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

    Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë.

    Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e profesor Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

    Në vitin 1996 doktor Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën “Fjala”.

    Mandej, për afro dy dekada, Rugova veprimtarinë shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

    Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë, shkruan KP.

    Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e tij, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

    Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë-partiake për Kuvendin e Kosovës, më 24 maj 1992.

    Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh në këtë post në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998.

    Nën udhëheqjen e tij, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

    Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.

    Ai ndërroi jetë më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në “Bregun e Diellit”, me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

    Në përvjetorin e vdekjes më 21 janar 2007, presidenti Fatmir Sejdiu, dekoroi presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vend që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

  • “Mirë se erdhe në shtëpi”, Biden e mirëpret në Shtëpinë e Bardhë presidentin e sapozgjedhur, Donald Trump

    “Mirë se erdhe në shtëpi”, Biden e mirëpret në Shtëpinë e Bardhë presidentin e sapozgjedhur, Donald Trump

    “Mirë se erdhe në shtëpi”, i tha presidenti amerikan, Joe Biden, pasardhësit të tij, presidentit të sapozgjedhur Donald Trump, teksa e përshëndeti atë në Portikun Verior të Shtëpisë së Bardhë.

    Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë përbën një ‘zhgënjim’ për Bidenin, i cili dikur e shihte veten si personin që parandalonte rikthimin e rivalit të tij në pushtet.

    Ai përgënjeshtroi çdo ndjenjë ndërsa shtrëngoi dorën me Trumpin të hënën, duke e mirëpritur atë për çajin dhe kafen tradicionale përpara betimit.

    Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të njohur me planifikimin thonë se nuk ka pasur kurrë ndonjë debat nëse presidenti në largim do të merrte pjesë në hapat ceremonialë, pavarësisht nga fakti se katër vjet më parë, Trumpi nuk i dha të njëjtat mirësjellje ndaj Bidenit.

    Donald Trump shfaqet për herë të parë në ditën e inaugurimit të tij

  • Donald Trump shfaqet për herë të parë në ditën e inaugurimit të tij

    Donald Trump shfaqet për herë të parë në ditën e inaugurimit të tij

    Donald Trump sapo është shfaqur për herë të parë sot, në ditën e inagurimit të tij.

    Në përputhje me traditën amerikane, presidenti i zgjedhur po merr pjesë në një shërbesë private në kishën e Shën Gjonit në Uashington, përpara se të betohet më vonë.

    Sipas fotove, Trumpit i është bashkuar edhe gruaja e tij dhe së shpejti Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump, shkruan skynews.

    Midis atyre që morën pjesë në shërbesë janë edhe zëvendëspresidenti i ardhshëm JD Vance me gruan e tij Usha Vance dhe anëtarët e familjes së ngushtë të Trump.

  • Ngritet aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës

    Ngritet aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës

    Prokuroria Themelore në Prishtinë pas një pune hetimore ka ngritur aktakuzë ndaj Ylber Jasharit dhe Bekim Baftjarajt, të dyshuar për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës, më 18 janar të vitit të kaluar, raporton Gazeta Sinjali.

    Jashari akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, “si Menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar ne atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitoj dobi pasurore kompania, ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas kontratës në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14, duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë, në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro, me çka ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.”

    Ndërkaq Baftjaraj akuzohet se “në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të kontratës ka kryer punë tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14, të kontratës së lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth, duke lënduar rëndë të dëmtuarën E.U, në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara për rreth ndërtesës, me çka ka kryer veprën penale Punimet Ndërtimore të Kundërligjshme.”

    Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë si dhe me rastin e ngritjes së aktakuzës i është propozuar Gjykatës që të obligohen të kompensojnë dëmin material në shumën prej 36,450.29 euro që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Nga ky incident u lëndua rëndë një qytetare e Kosovës, e cila pasi qëndroi për një kohë në spital, fatmirësisht shpëtoi.

  • ​Vdes 25-vjeçari që u lëndua nga shpërthimi i fishekzjarrëve në Prizren

    ​Vdes 25-vjeçari që u lëndua nga shpërthimi i fishekzjarrëve në Prizren

    Ka vdekur të hënën 25-vjeçari i cili mbeti i lënduar nga shpërthimet e fishekzjarrëve në Prizren më 31 dhjetor të vitit 2024.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se për vdekjen e viktimës, policia është njoftuar nga familjarët.

    “Sot me datë 20.01.2025, rreth orës 11:00 Sektori Rajonal I Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, nga një i afërm i familjes është informuar se viktima e rastit “Shkaktim I rrezikut të përgjithshëm” të ndodhur në Prizren me datë 31.12.2024 ( shpërthimi I fishekzjarrëve), si pasoj e lëndimeve të marra sot ka vdekur. Viktima Abdurrahman Memaj (d.l.13.08.1999), për shkak të plagëve të rënda ishte transferuar në Turqi për shërim”, ka theksuar Bytyqi për KosovaPress.

    Ai po ashtu ka shkruar se lidhur me informatën nga hetuesit rajonal është informuar edhe prokurori I shtetit.

    25-vjeçari që mbeti i lënduar më 31 dhjetor nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi në Prizren, ishte duke u trajtuar në Stamboll të Turqisë, ku edhe vdiq.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Ahmet Prishtina” dhe Policia e Kosovës e ka pranuar informatën rreth orës 21:33.

    Personi që ishte lënduar natën e 31 dhjetorit pas shpërthimit të një pike shitjeje të mjeteve piroteknike në Prizren, është dërguar për trajtim në Turqi.

    Pas lëndimit nga zjarri i madh, ai ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku ka qëndruar deri më 6 janar.