ATV

Author: G.O.

  • Diplomon gjenerata e 61-të, 462 policë të rinj i shtohen Kosovës

    Diplomon gjenerata e 61-të, 462 policë të rinj i shtohen Kosovës

    Sot kanë diplomuar 462 policë të rinj, të cilët pritet të kontribuojnë në sundimin e rendit dhe ligjit. Këta i takojnë gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Policia e Kosovës është një nga shtyllat kryesore të shtetit duke garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë.

    “Krenaria sot është jashtëzakonshme sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë që do t’i dalin Zot atdheut tonë”, u shpreh ajo në ceremoninë e diplomimit.

    Osmani tha se Policia e Kosovës është mburoja e paqes dhe lirisë, derisa theksoi se policët janë shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë së secilit qytetar pavarësisht etnisë.

    Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë.

    Ai potencoi se 462 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës, prej tyre 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra. Ai shtoi se 343 prej të diplomuarve janë shqiptarë, 79 serbë, 23 boshnjakë, 6 turq, 3 ashkali dhe 2 rom.

    Kurti tha se zotimi i kësaj qeverie për 2 mijë policë të rinj është përmbushur dhe po tejkalohet.

  • 137 milionë për rehabilitimin e modernizimin e bllokut A3, Kurti: Investimi më i madh që nga ndërtimi i termocentraleve para 4 dekadash

    137 milionë për rehabilitimin e modernizimin e bllokut A3, Kurti: Investimi më i madh që nga ndërtimi i termocentraleve para 4 dekadash

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur tenderin për fazën I të projektit kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në Termocentralin Kosova A”. Përmes këtij projekti synohet të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të ndikoj në përmirësimin mjedisor të Njësisë A3.

    I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se përmes këtij investimi do të shtojnë dukshëm furnizimin me energji e po ashtu do të dyfishohet edhe prodhimi vjetor.

    Ai ka theksuar se pas rehabilitimit e modernizimit synohet që kapaciteti i A3 do të arrijë në 215 megavat nga rreth 100 deri në 140 që sillet aktualisht.

    “Prej se ka hyrë në punë në vitin 1970 Blloku A3 nuk ka ndalur prodhimin, përveçse për remonte dhe kujdesin e domosdoshëm për kapacitetin e prodhimit. Sot shënojmë fillimin e një projekti të jashtëzakonshëm të kujdesit për termocentralin Kosova A, rehabilitimi, dhe modernizimi i Bllokut A3 si dhe ripërcaktimi i qëllimit të KEK-ut për të ardhmen që na pret. Projekti i rehabilitimit dhe modernizimit të A3 i shërben kësaj strategjie duke përthekuar çdo cep të dilemës energjetike. Ky investim synon të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të përmirësojë efektshmerinë mjedisore të njësisë A3 e cila aktualisht prodhon një pjesë të rëndësishme të energjisë elektrike në Republikën tonë. Përftimet do të jenë të shumëfishta, po ja zgjasim jetën Bllokut A3 për 20 vjet, ose 150 mijë orë pune. Po rrisim kapacitetin që sot sillet rreth 100 deri në 140 megavat, pas rehabilitimit të modernizimit synojmë që kapaciteti i A3 do të arrijë në 215 megavat”, deklaroi Kurti.

    Ai tha se me mbi 137 milionë euro ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve katër dekada më parë.

    “Po rrisim disponueshmerinë kohore duke shtuar orë të punës, A3 sot është në gatishmëri pune rreth 5 mijë e 400 orë në vit. Rehabilitimi e modernizimi do të ja mundësojë të operojë për 7 mijë e 700 orë gjatë vitit, duke shtuar dukshëm kësisoj furnizimin me energji. Po e dyfishojmë prodhimin vjetor, A3 prodhon sot rreth 700 mijë megavat orë, pas rehabilitimit e modernizimit do të arrijë në 1 milion e 500 mijë megavat orë. Po përmirësojmë efikasitetin mjedisor për të prodhuar 1 megavat orë energji A3 sot konsumon rreth 1.5 deri 1.6 ton thëngjill, pas rehabilitimit do të nevojiten 1.15 ton thëngjill. Për te njëjtën energji të prodhuar, A3 rehabilituar do të përdor gati 30 për qind më pak thëngjill… Me mbi 137 milionë euro ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve tona katër dekada më parë”, shtoi Kurti.

    Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nënvizoi se vitet e ardhshme do të jenë sfiduese, pasi siç tha ajo, një kohë termocentralet do të jenë jashtë funksionit. Megjithatë, ka shtuar se rezultatet e procesit rehabilitues të termocentralit do të jenë pozitive.

    Derisa, pozitive këtë investim e shohin edhe nga KEK. Sipas tyre, e ardhmja energjetike do të jetë më e qëndrueshme dhe i sigurt.

  • Digjet rafineria ruse e naftës pas sulmit më të madh ukrainas sivjet

    Digjet rafineria ruse e naftës pas sulmit më të madh ukrainas sivjet

    Një rafineri e naftës në qytetin Riazan në Rusi është përfshirë plotësisht nga zjarri, pasi Kievi e kreu një sulm të madh me dronë të premten.

    Ky sulm – më i madhi i Ukrainës që nga fillimi i këtij viti – u krye ndaj më shumë se dhjetëra rajoneve të Rusisë, përfshirë Moskën.

    Dëshmitarët dhe videot e verifikuara shfaqin një zjarr shumë të madh në rafinerinë e naftës së Rosneftit në Kazan.

    Një video, e postuar në Telegram, shfaq zjarrin e madh dhe njerëzit duke bërtitur dhe duke ikur nga një zonë industriale e përfshirë nga flakët.

    Për zjarre u raportua gjithashtu edhe në afërsi të termocentralit Novo-Riazan.

    Nuk është raportuar për viktima, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se i ka shkatërruar mbi 120 dronë ukrainas në të gjithë territorin rus.

    Sipas kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, gjashtë dronë u rrëzuan mbi Moskë, dhe disa të tjerë u rrëzuan në zonat përreth, Shchyolkovo, Kolomna, Ramenskoye dhe Podolsk.

    Sobyanin tha se nuk pati dëme të mëdha apo lëndime në vendet ku kishin rënë mbetjet e dronëve, por sulmi shkaktoi ndërprerje të dukshme në trafikun ajror civil, duke pezulluar përkohësisht operacionet në tri aeroportet kryesore të Moskës – Vnukovo, Domodedovo dhe Zhukovsky.

    Sipas Ministrisë ruse së Mbrojtjes, në rajonin Briansk u rrëzuan 37 dronë, ndërsa në rajone të tjera si Kursk dhe Saratov u rrëzuan nga 17 dronë. Numër më i vogël dronësh u rrëzuan në rajonet Rostov, Belgorod, Voronezh, Tula, Oryol dhe Lipetsk.

    Kufizime të përkohshme u vendosën gjithashtu për uljet dhe nisjet e fluturimeve në aeroportet në Kazan, Nizhnekamsk, Penza, Samara dhe Saratov, për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga dronët.

    Shkalla e sulmeve të Ukrainës me dronë kundër Rusisë përkoi me një seri sulmesh ajrore ruse mbi territorin ukrainas.

    Në Kiev, një sulm rus shkaktoi vdekjen e tre civilëve. U raportuan gjithashtu dëme në zona banimi, duke përfshirë shkatërrime të konsiderueshme në qytetet Fastiv dhe Brovari, pranë kryeqytetit ukrainas.

    Forcat ruse përdorin rregullisht lloje të ndryshme armësh, përfshirë dronë, raketa dhe artileri, për t’i sulmuar rajonet ukrainase, duke goditur shpesh infrastrukturën civile dhe zonat e banuara.

    Derisa autoritetet ruse e mohojnë se e sulmojnë qëllimisht infrastrukturën civile, Ukraina dhe organizatat ndërkombëtare i kanë dënuar këto veprime si krime lufte, duke theksuar frekuencën dhe natyrën e qëllimshme të sulmeve ndaj spitaleve, shkollave dhe objekteve energjetike./REL

  • Zhduket një vajzë e mitur në Skenderaj, policia nis hetimet

    Zhduket një vajzë e mitur në Skenderaj, policia nis hetimet

    Një rast zhdukjeje është raportuar në Skenderaj, ku një qytetare ka informuar policinë se vajza e saj ka dalë nga shtëpia dhe vendndodhja e saj është ende e panjohur.

    Policia ka nisur menjëherë hetimet për rastin dhe është duke punuar për gjetjen e vajzës.

    Policia u bënë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në këtë rast.

  • Vdekje e dyshimtë në Kamenicë, një burrë gjendet i vdekur në shtëpinë e tij

    Vdekje e dyshimtë në Kamenicë, një burrë gjendet i vdekur në shtëpinë e tij

    Një burrë është gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë së tij në Kamenicë të enjten.

    Viktima banonte në një shtëpi në rrugën “Taulantët” në Kamenicë, thuhet në raportin 24-të orësh të policisë.

    Rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë.

    “Raportohet se në shtëpinë e tij është gjetur pa shenja jete- viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, tha policia.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • Mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku të shqiptuara nga Policia në 24 orët e fundit

    Mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku të shqiptuara nga Policia në 24 orët e fundit

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik. 

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Policia ka bërë të ditur se 2 mijë e 136 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Gjatë këtyre 24-orëve, janë raportuar gjithsej 65 aksidente, 20 prej tyre me persona të lënduar, ndërsa 45 vetëm me dëme materiale.

  • ​Vrasje e rëndë në tentativë në Skenderaj, arrestohet një i mitur

    ​Vrasje e rëndë në tentativë në Skenderaj, arrestohet një i mitur

    Të enjten në sheshin “Adem Jashari”, në Skenderaj, është arrestuar një person i dyshuar i mitur pasi që i njëjti është përleshur fizikisht me dy viktimat e mitur.

    Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës duke thënë se gjatë përleshjes është përdorë edhe një mjet i mprehtë-thikë.

    “Lëndime trupore kanë pësuar i dyshuari dhe dy viktimat dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • ​Ambasadorët e BE-së konfirmojnë Sorensenin emisar për dialogun Kosovë-Serbi

    ​Ambasadorët e BE-së konfirmojnë Sorensenin emisar për dialogun Kosovë-Serbi

    Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë pozitë, shkruan REL.

    Ministrat e Jashtëm të BE-së do ta japin pëlqimin përfundimtar të hënën, në mënyrë që Sorensen të nisë mandatin e tij nga fillimi i shkurtit.

    Të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.

    Radio Evropa e Lirë kishte mësuar ditë më parë nga burime diplomatike në BE se emri i Sorensenit ishte dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.

    Kush është Sorensen?

    Sorensen nga Danimarka ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

    Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

    Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Për postin e lehtësuesit të dialgout garoi edhe emri i ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

    Për këto rol, ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik sesa politik.

    Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

    Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

    Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.

  • Lajçak takon liderët e Ballkanit, diskutojnë për integrimin e tyre në BE

    Lajçak takon liderët e Ballkanit, diskutojnë për integrimin e tyre në BE

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, është deklaruar për një diskutim që pati me liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

    Përmes një postimi në platformën X, ai ka thënë se ia vlen të diskutohet për të ardhmen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    “E vlerësoj një bisedë konstruktive mbi zgjerimin e BE-së në dialogun tradicional të diplomacisë në Forumin Ekonomik Botëror për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajçak.

  • Sulmohet fizikisht doktori i Klinikës Infektive në QKUK, arrestohet një person

    Sulmohet fizikisht doktori i Klinikës Infektive në QKUK, arrestohet një person

    Punëtorët shëndetësorë jo rrallëherë kanë qenë cak i sulmeve e kërcënimeve qoftë nga pacientët apo familjarët e tyre. Raste të tilla janë raportuar jo vetëm në spitale private, por edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Veprimet të tilla përbëjnë vepër penale dhe sanksionohen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

    Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se një rast i tillë ka ndodhur të enjten te Klinika Infektive në QKUK, ku një mjek ka qenë cak i një sulmi fizik.

    Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije se doktori që u sulmua nga një person është Nderim Hasani, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor.

    Sipas informacioneve që ka Sinjali, posa Policia është vënë në dijeni lidhur me rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe është identifikuar personi i dyshuar.

    I dyshuari që sulmoi mjekun është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për veprën me të cilën ngarkohet.

    Me t’u përfunduar të gjitha procedurat, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.