ATV

Author: G.O.

  • Ndotja e lartë e ajrit, IKShPK-ja del me rekomandime se si të veprojmë për ta reduktuar rrezikun

    Ndotja e lartë e ajrit, IKShPK-ja del me rekomandime se si të veprojmë për ta reduktuar rrezikun

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se këto ditë, Kosova dhe veçmas qyteti i Prishtinës po përballet me nivele të larta të ndotjes së ajrit.

    IKShPK-ja thekson se ndotja e ajrit konsiderohet një rrezik për shëndetin e njeriut, e sidomos për grupet e ndjeshme dhe me sëmundje të rrugëve dhe organeve të frymëmarrjes.

    Institut bën të ditur se efektet shëndetësore afatshkurtra të ndotjes së ajrit në shëndet: sëmundjet, shtrimet në spital, komplikimet shëndetësore dhe vdekjet, ndërkaq, efektet shëndetësore afatgjata: sëmundshmëria, kanceri i mushkërive, sëmundjet kardiovaskulare dhe pulmonare.

    “Shkaqet kryesore të vdekjeve dhe sëmundjeve që lidhen me ndotjen e ajrit janë: sëmundjet ishemike të zemrës, goditja në tru, sëmundjet e frymëmarrjes, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, bronhiti, emfizema, irritimi i syve dhe sistemit të frymëmarrjes, veçanërisht sulmet e astmës dhe kanceri i mushkërive.

    Të dhënat e OBSh-së tregojnë se ndotja e ajrit shkakton pothuajse 500.000 vdekje të parakohshme çdo vit në botë. Përafërsisht 290.000 nga këto vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të larta, ndërsa 190.000 vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta”, thuhet tutje.

    Në njoftim jepen po ashtu të dhëna, ku thuhet se 9 nga 19 njerëz thithin ajër që tejkalon kufijtë e udhëzuesit të OBSh-së lidhur me nivelet e larta të ndotësve.

    “Ditët e ftohta dhe rëniet e temperaturave mund ta vështirësojnë më shumë situatën si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jo-kualitative që po përdorin qytetarët, trafiku dhe industria”.

    IKShPK-ja më poshtë ka dhënë rekomandime për reduktimin e rrezikut, kur ajri ka vlera të larta të ndotjes:

    Të reduktohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat;

    Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për ajrosjen e dhomave, derisa zgjasin vlerat e larta;

    Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall.

    Të reduktohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërish të ndalohet hapësirave të mbyllura sikur e përcakton edhe vet ligji dhe në hapësira të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.

    Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, zemrës, pacientët astmatik dhe të prira për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme.

  • Prokuroria Speciale po heton 1 mijë e 600 kontrata njëburimore

    Prokuroria Speciale po heton 1 mijë e 600 kontrata njëburimore

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po heton 1 mijë e 600 kontrata njëburimore. Këtë e ka bërë të ditur, zv/kryeprokurori i kësaj prokurorie, Valdet Gashi, derisa po prezantonte raportin vjetor të punës se kësaj prokurorie, në mbledhjen e 261-të e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

    Anëtari i KPK-së, Arian Gashi, pyeti se pse ka një disbalancë mes lëndëve të kryera të disa prokurorë, duke thënë se disa prej tyre kanë kryer vetëm gjysmën e lëndëve që kanë në punë, e disa prej tyre dyfishin e tyre, duke qenë se PSRK-së iu kanë shtuar 9 prokurorë të rinjë.

    Për këtë, zv/kryeprokurori Gashi u përgjigje duke thënë se prokurorët e rijnë kanë filluar punën në qershor të vitit të kaluar dhe janë angazhuar me hetimin e kontratave njëburimore.

    Sipas tij, po hetohen 1 mijë e 600 kontrata njëburimore për të cilat tha se nuk ka informacione dhe duhet të analizohen, për çka tha se janë aktivizuar dhe janë duke pritur informata nga Policia.

    Ai ka thënë se këto raste kanë krijuar këtë disbalancë mes prokurorëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gashi bëri të ditur se Prokuroria Speciale, në 2024 ka bartur 1 mijë e 757 lëndë nga viti 2023, dhe janë pranuar 489 lëndë të reja. Ai tha se në 2024 janë zgjedhur 288 lëndë, apo 58.9 % e lëndëve të pranuara.

    Gashi tha se në 2023 puna e kryerjes është me e lartë, por në 2024 janë ballafaquar më sfida siç është ndryshimi i ligjit për PSRK-në, siç ka vendosur edhe disa pozita për zyrtarë që më herët kanë qenë në Themelore.

    Ushtruesi i detyrës se Kryeprokurori të Shtetit Besim Kelemendi, tha se në këtë raport mungojnë të dhëna për përqindjen e normës se kryer nga prokurorët. Ai shtoi se e përgëzon PSRK-në për punën, por foli për efikasitetin e prokurorëve të ri, për çka tha se mund të jetë më i mirë duke sugjeruar të mbahen diskutime me këta prokurorë.

    Gashi tha se beson që prokurorët do të tregojnë efikasitet në 2025-ën.

    Zv/kryeprokurori u pyet edhe nëse ka aktakuza për shpëlarja e parave, për të çka tha se ka aktakuza dhe aktgjykime dënuese, por aktualisht nuk janë në raport por mund të plotësohet.

    Ai foli edhe për ligjin për kompetencat e zgjeruara, ku tha se aplikohet në gjithë ato raste ku vlerësohet.

    Në lidhje me pushimet e hetimeve në rastet kur të përfshirë janë ministra të qeverisë aktuale, Gashi tha se për ta janë të parëndësishëm emrat, dhe se rastet trajtohen në mënyrë të paanshëm, duke shtuar se kjo përgjigje është dhënë nga Kryeprokurori Blerim Isufaj pasi i është parashtruar pyetja në konferencën vjetore.

    Me rekomandim që të plotësohet raporti brenda një jave me raportet plotësuese dhe punën e gjithë prokurorëve, më 10 vota për u aprovua Raporti i Punës se Prokurorisë Speciale.

  • Drenas, arrestohen dy të dyshuar për dhunimin e një gruaje

    Drenas, arrestohen dy të dyshuar për dhunimin e një gruaje

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për dhunimin e një gruaje në Drenas.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Me 22.01.2025 është raportuar se viktima femër kosovare me dy të dyshuarit meshkuj kosovarë pa dëshirën e saj ka kryer marrëdhënie seksuale në kohë të ndryshme. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Po ashtu në Fushë Kosovë, është identifikuar një i dyshuar i cili dyshohet se ka kryer po ashtu veprën penale të dhunimit ndaj një gruaje.

    “Fushë Kosovë / Korrik 2024. Lidhur me rastin është identifikuar i dyshuari i cili dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet policore për sigurimin e prezencës së të dyshuarit dhe për trajtim të procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.

  • Presidenca: Asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë negativisht Kosovën

    Presidenca: Asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë negativisht Kosovën

    Presidenca e Kosovës tha se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga vendimet e deritanishme të presidentit amerikan, Donald Trump, “tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”.

    Këshilltari për media i presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, tha se këtë konfirmim Kasanof e ka bërë gjatë takimit që ka pasur në Uashington me shefen stafit të Osmanit, Learta Hollaj.

    Kjo deklaratë nga Presidenca e Kosovës vjen pasi Trump në ditën kur mori mandatin e presidentit nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politik.

    Radio Evropa e Lirë më 21 janar ka pyetur Ambasadën amerikane në Prishtinë dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por nuk ka marrë përgjigje.

    Në uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.

    Aktualisht, USAD-i financon një sërë aktivitetesh në Kosovë, që përfshijnë mbështetje të reformave legjislative, përmirësimin e gjithpërfshirjes dhe llogaridhënies, ndihma për adresimin e sfidave të korrupsionit, ndihma për përmirësimin e konkurrencës tregtare e të tjera.

    Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë kohës kur SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.

    Ndërkaq, në njoftimin për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës lidhur me këtë takim është thënë se Kasanof ka deklaruar se është e rëndësishme që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, synon normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Zyrtarë të lartë amerikanë më herët kanë thënë se shpresojnë që ky proces të përfundojë me njohje të ndërsjellë, gjë që Kosova e kërkon. Por, Serbia ka kërkuar një lloj kompromisi, ku asnjëra palë nuk do të ishte fituese absolute apo humbëse absolute.

    Hollaj, sipas njoftimit, me Kasanofin ka diskutuar edhe për dialogun strategjik Kosovë-SHBA, pritjet nga ky proces dhe fushat që do të mbuloheshin nga ky dialog.

    Më 10 janar, Osmani kishte deklaruar se Kosova dhe SHBA-ja shumë shpejt do të finalizojnë një marrëveshje për dialog strategjik mes dy vendeve, i cili, sipas saj, do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.

    Dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera është nivel i lartë diskutimi për thellimin e partneritetit.

    SHBA-ja udhëheq dialog strategjik me një numër vendesh, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

    Ndër vendet me të cilat SHBA-ja ka dialog strategjik janë: Maqedonia e Veriut, Lituania, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Austria, Polonia, Sllovenia, Moldavia, Greqia, Lihtenshtajni, Katari, Omani, Bahreini, Egjipti, etj.

  • OKB: Mbi 800 kamionë me ndihma humanitare hynë në Gaza

    OKB: Mbi 800 kamionë me ndihma humanitare hynë në Gaza

    Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) thotë se 808 kamionë transportuan ushqim, karburant dhe furnizime mjekësore në Gaza.

    “Partnerët humanitarë po kryejnë vlerësime të shpejta në zonat e reja të aksesueshme për të identifikuar nevojat më urgjente të njerëzve, duke përfshirë ujin, higjienën, kanalizimet dhe kujdesin shëndetësor. Ata gjithashtu po rrisin përpjekjet e mbikëqyrjes së sëmundjeve“, tha OCHA.

    Vitin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime të dyshuara lufte në Gaza, duke përfshirë përdorimin e urisë si metodë lufte.

  • Shpërthejnë sërish zjarret në Los Angeles, urdhërohet evakuimi i menjëhershëm

    Shpërthejnë sërish zjarret në Los Angeles, urdhërohet evakuimi i menjëhershëm

    Autoritetet e qarkut të Los Angeles kanë lëshuar urdhra evakuimi në një zonë rreth 60 kilometra në veri të qytetit, për shkak të një zjarri të ri që shpërtheu pranë liqenit Castaic.

    Flakët po djegin kodrat rreth pellgut dhe janë përhapur me shpejtësi, duke mbuluar një sipërfaqe mbi 20 kilometra katrorë në dy orë e gjysmë.

    Pothuajse 20 mijë persona kanë marrë urdhër të largohen nga shtëpitë e tyre.

    Zona e prekur nuk është e populluar shumë, por erërat e Santa Ana i shtyjnë flakët drejt jugut, në një zonë që tani është subjekt evakuimi dhe që duket e mbuluar me një re të trashë tymi.

    Castaic ndodhet rreth 25 kilometra në veriperëndim të qytetit të Santa Clarita dhe kufizohet me Pyllin Kombëtar të Angeles. Nga një popullsi prej 31,000 banorë, mijëra u urdhëruan të evakuoheshin, sipas sherifit të kontesë së Los Anxhelosit, Robert Luna.

    Rajoni është sërish nën një paralajmërim të kuq, që tregon për rrezik të lartë zjarri për shkak të erërave të forta dhe kushteve të thata me nivele të ulëta lagështie.

  • 109 vjet nga vrasja e Isa Boletinit

    109 vjet nga vrasja e Isa Boletinit

    Isa Boletini, udhëhoqi forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, e cila u copëtua në Konferencën e Londrës më 1913.

    Isa Boletini u lind në Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

    Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtime-Carralevë më 1910, mbështeti kryengritjen antiosmane të vitit 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Prishtinë më 1912.

    Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

    1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë, Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.

    Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

    Isa Boletini ishte bërë i njohur edhe për atë që i kishte ndodhur në Londër, kur edhe pas kontrollit që i kishin bërë rojat kur hyri për të takuar ministrin e jashtëm, Eduard Grej, ai ia kishte dalë që njërin revolver ta fuste brenda. Greji kishte bërë shaka me Boletinin duke i thënë se “atë që se bëri ushtria osmane, e bëra unë”.

    Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë.

    Në korrik të vitit 2011, mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, iu dorëzuan Komunës së Mitrovicës. Ato ia dorëzoi imami i kësaj komune, Mulla Asllan Murati, i cili 13 vjet pas rivarrimit nga Podgorica i ruajti në një vend të fshehur./KP

  • Shqipëri-Ukrainë – marrëveshje për prodhim armësh, siguri e mbrojtje, Tirana mbyll portet për anijet ruse

    Shqipëri-Ukrainë – marrëveshje për prodhim armësh, siguri e mbrojtje, Tirana mbyll portet për anijet ruse

    Përqafimi miqësor në Davos të Zvicrës, mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka prodhuar dhe një marrëveshje 10-vjeçare bashkëpunimi mes dy vendeve.

    Në marrëveshjen mes dy vendeve, me fokus sigurinë dhe mbrojtjen, është konkretizuar iniciativa për prodhimin e përbashkët të municioneve luftarake.

    “Shqipëria do të kërkojë të gjitha mënyrat e mundshme dhe do t’i ofrojë Ukrainës mbështetje të mëtejshme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjitha drejtimet, duke u fokusuar në nevojat më urgjente të Ukrainës. Pjesëmarrësit do të identifikojnë mundësi për thellimin e bashkëpunimit industrial në mbrojtje, përfshirë prodhimin e përbashkët të mbrojtjes”, shkruhet në marrëveshje, raporton TCH.

    Marrëveshja e plotë është publikuar në faqen zyrtare të presidencës ukrainase dhe përfshin gjithashtu bashkëpunimin për shkëmbimin e informacionit në fushën e inteligjencës, sigurinë detare dhe kibernetike, luftën kundër krimit e trafikut. Në marrëveshje parashikohet që Shqipëria do ofrojë trajnim në formate shumëpalëshe për Ukrainën.

    Më pas aty shtohet: “Pjesëmarrësit do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës dhe sigurisë, në përputhje me dispozitat e marrëveshjeve dypalëshe dhe mekanizmave shumëpalëshe. Shqipëria do të punojë për të mbështetur trajnimin e Ukrainës në formate shumëpalëshe, si dhe do të ofrojë mbështetje dypalëshe për çdo formë tjetër trajnimi që mund të dakordësohet. Shqipëria do të ofrojë trajnim në gjuhën angleze për pilotët dhe personelin teknik të Ukrainës”.

    Më tej, përmes marrëveshjes Shqipëria rikonfirmon mbështetjen për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991. Po ashtu, parashikohet që Shqipëria do të vijojë të konsiderojë mbylljen e porteve detare për anijet ruse, derisa të kthehet integriteti territorial i Ukrainës.

    “Shqipëria do të mbetet e angazhuar, brenda kuadrit të Bashkimit Evropian, për zbatimin e masave të forta kufizuese (sanksione). Shqipëria gjithashtu do të marrë masa vendimtare me partnerët për të luftuar çdo formë të shmangies së sanksioneve. Shqipëria do të konsiderojë mbylljen e porteve detare për anijet ruse deri sa të restaurohet integriteti territorial i Ukrainës dhe të krijohet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”, thuhet në marrëveshje.

    Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të dyja vendet konfirmojnë bashkëpunimin edhe në shumë fusha të tjera me rëndësi, përfshi dhe integrimin në familjen evropiane. Kjo marrëveshje mund të pezullohet nga ndonjëra palë, me njoftim të shkruar drejtuar palës tjetër, dhe pezullimi nuk do të ndikojë në realizimin e aktiviteteve dhe projekteve që janë dakordësuar para datës së pezullimit.

  • Presidenti Trump emëron ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në BE

    Presidenti Trump emëron ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në BE

    Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ka emëruar Andrew Puzder, i cili ka shërbyer si drejtor ekzekutiv i rrjetit të restoranteve fastfood ‘CKE Restaurants’, për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian.

    Vendimi vjen një ditë pasi udhëheqësi i ri amerikan u zotua të godasë BE-në me tarifa.

    Puzder u propozua për të qenë sekretar i Departamentit të Punës gjatë administratës së parë të Trump, por u tërhoq mes shqetësimeve se nuk do të mund të siguronte mjaftueshëm vota në Senat për t’u konfirmuar.

    Presidenti Trump thotë se defiçiti tregtar mes SHBA-së dhe BE-së është në nivele shqetësuese.

    “Bashkimi Evropian është shumë, shumë i keq për ne“, tha ai të martën, duke përsëritur komentet e bëra ditën kur mori detyrën.

    “Ndaj tarifat janë e vetmja mënyrë për të patur drejtësi“.

    Presidenti Trump i dha zë shqetësimit të tij mbi tarifat gjatë komenteve për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë pasi mori detyrën, por nuk vendosi menjëherë tarifa siç kishte premtuar gjatë fushatës së tij. Trump ka kërcënuar gjithashtu me tarifa Meksikës, Kanadanë dhe Kinën.

    “Andy do të bëjë një punë të shkëlqyer duke përfaqësuar interesat e kombit tonë në këtë rajon të rëndësishëm“, tha presidenti ndërsa njoftoi emërimin e tij për ambasador të SHBA-së në BE.

    Kur u emërua si sekretar i Punës gjatë administratës së parë Trump, Puzder ishte në qendër të një vorbulle polemikash, ankimesh e konfliktesh të mundshme.

    Në vitin 2017 ai pranoi se ai dhe bashkëshortja e tij kishin punësuar një person padokumente.

    Ai u përball gjithashtu me një mori ankesash dhe çështjesh ligjore të ngritura nga punonjës kundër bizneseve të tij.

    Puzder ka shërbyer si drejtor ekzekutiv i ‘CKE Restaurants’, nga viti 2000 deri në 2017.

  • A do të merret Trump me dialogun Kosovë-Serbi? Flet Bolton, ish-këshilltari i presidentit për Siguri Kombëtare

    A do të merret Trump me dialogun Kosovë-Serbi? Flet Bolton, ish-këshilltari i presidentit për Siguri Kombëtare

    Për ish-këshilltarin për Siguri Kombëtare të Donald Trump, John Bolton, rikthimi i manjatit amerikan si president, mund t’i hapë rrugë një njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

    Bolton tha se Trump mund t’i japë një zgjidhje finale situatës, nëse ai nis të shohë mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit, si çështje prej të cilave mund të rrëmbejë merita dhe vlerësime.

    “Mendoj se kjo është e mundur. Nëse ai do ta shihte këtë si diçka nga e cila mund të marrë merita, mendoj se do t’i kushtonte vëmendje menjëherë. Ky është një problem shumë kompleks, dhe kjo zakonisht nuk e tërheq atë, por mendoj se do të tërhiqet nga çështjet e sigurisë në Evropën Lindore në përgjithësi për shkak të luftës në Ukrainë”.

    “Duke marrë parasysh një sërë faktorësh destabiliteti, përfshirë Moldavinë me Transnistrian, mosmarrëveshjet për tubacionet që vijnë nga Rusia dhe gazin natyror drejt disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, mendoj se do të ketë përqendrim në rajonin si tërësi. Kjo më sugjeron se ky është një moment i mirë për të zgjidhur sa më shumë mosmarrëveshje të vjetra. Prandaj, një interes nga ana e Trump nuk është i pamundur, ndoshta që në fillim të administratës së tij”, u shpreh Bolton për A2 CNN

    Sipas ish-këshilltarit të Trump, interesi i presidentit për situatat e mbartura nga e shkuara në Ballkan do vijojë edhe me administratën e re, ashtu siç ndodhi në mandatin e parë.

    “Mendoj se interesi që u shfaq gjatë mandatit të parë të Trump për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mbetura në Ballkan ishte një prioritet i lartë. Dhe është edhe më e rëndësishme tani, në kontekstin e luftës që vazhdon në Ukrainë”, tha Bolton.

    Sa i përket shqetësimit në rritje në Kosovë për kthimin e Trump dhe një ripërfshirje të mundshme të Richard Grenell në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, Bolton tha se roli i ish-emisarit të tij mbetet ende i paqartë.

    “Këto janë pyetje shumë të rëndësishme, dhe thjesht nuk e dimë ende. Pozicioni i Grenell nuk ka ekzistuar më parë. Ai dëshironte të bëhej sekretar i shtetit gjatë administratës së dytë të Trump. Natyrisht, kjo nuk ndodhi. Marrëdhënia e Grenell me Marco Rubio, i cili do të jetë sekretar i shtetit, është shumë e paqartë. Në fakt, ka shumë pasiguri për rolet dhe përgjegjësitë në Departamentin e Shtetit në këtë moment. Marco Rubio u konfirmua nga Senati dhe u betua si sekretar i shtetit. Mund të kemi disa qartësi së shpejti. Nëse mosmarrëveshja Kosovë-Serbi do të jetë një nga prioritetet e Grenell, është e vështirë të thuhet. Por, siç përmendët, ai kishte përgjegjësi në fund të mandatit të parë të Trump. Unë do të thosha se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë ose kudo tjetër, nëse palët e përfshira nuk bien seriozisht dakord. Edhe nëse Grenell do te jete përgjegjës për këtë çështje dhe favorizon Serbinë, është e rëndësishme të kuptohet se përpjekja për të imponuar një zgjidhje mbi Kosovën ose e kundërta, thjesht nuk do të funksionojë”, nënvizoi Bolton.