ATV

Author: G.O.

  • Eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 117-të, Marek Gasior,  në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është duke dëshmuar si ekspert mjeko-ligjor dhe se i njëjti ka dëshmuar edhe në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

    Ai pohoi se raporti që ka përgatitur ai në këtë çështje pasqyron atë që do të thoshte sot në sallën e gjyqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Autopsia është kryer për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së pacientit. Ky raport flet për lëndimet që janë evidentuar në kufomë dhe në këtë raport është dhënë shkaku i vdekjes”, tha ai.

    Ai shtroi se këtë raport e ka përgatitur në bazë të autopsive.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë vetëm sot. Ai tha se prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth dy orë për pyetjet ndërsa mbrojtja e të akuzuarve rreth një orë e 20 minuta për kundërpytje.

    Të gjithë të akuzuarit ishin të pranishëm në sallën e gjyqit sot dhe vlen të theksohet se në fillim, një pjesë e konsiderueshme e seancës ishte private.

    Veç kësaj, në prova materiale u pranuan akt-ekspertiza së bashku me raportin e përgatitur nga dëshmitari e po ashtu edhe letra me udhëzimet e ZPS-së të cilat u klasifikuan si konfidenciale.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Nis gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt – Gjyqtarja e pyet Naim Murselin a je i martuar, përgjigja e tij: Kam gruan e vrarë

    Nis gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt – Gjyqtarja e pyet Naim Murselin a je i martuar, përgjigja e tij: Kam gruan e vrarë

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur shqyrtimi fillestar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla u paraqitën në seancë nën masa të rrepta sigurie.

    Naim Murseli pasi u pyet nëse është i martuar, u përgjigj shkurt: Kam gruan e vrarë.

    Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

    I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, sipas dosjes, se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.

  • Lajçaku në javën e fundit si emisar: Dialogu është më vendimtar se kurrë në botën e sotme

    Lajçaku në javën e fundit si emisar: Dialogu është më vendimtar se kurrë në botën e sotme

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se kjo është java e fundit e tij në këtë post.

    Në një postim në Facebook, ku ai ka treguar për takimet në Davos, Lajçaku më tej thotë se dialogu është më vendimtar se kurrë në botën e sotme.

    Ndër të tjera, emisari theksoi se BE-ja është serioze për zgjerimin e Bashkimit.

    “Këtë javë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, pata mundësinë të angazhohem me liderë, kolegë dhe miq për disa nga çështjet më urgjente të kohës sonë, duke përfshirë stabilitetin gjeopolitik dhe zhvillimin ekonomik. Pas një jave diskutimesh stimuluese, është e qartë se dialogu është më vendimtar se kurrë në botën e sotme. U takova gjithashtu me liderë nga Ballkani dhe mora pjesë në Dialogun tradicional të Diplomacisë për rajonin. Në ndërhyrjen time, theksova se BE-ja është serioze për zgjerimin e Bashkimit, por kjo nuk do të ndodhë si parazgjedhje dhe i kërkova rajonit të qëndrojë në kurs. Ndërsa filloj javën e fundit të gati pesë viteve të mia në rolin tim aktual, ditët në vijim do të fokusohen në informimet përfundimtare dhe procedurat e dorëzimit”, ka shkruar Lajçaku.

  • Bie çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare

    Bie çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare

    Çmimet e naftës në tregjet botërore javën e kaluar dukshëm ranë, pas katër javësh rritje, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërkoi nga OPEC të ulë çmimet dhe njëkohësisht paralajmëroi rritje të prodhimit të naftës në SHBA.

    Çmimi i një fuçie në tregun londinez javën e kaluar ra për 2,8 për qind, në 78,50 dollarë, ndërsa në tregun amerikan fuçia ra për 4,1 për qind, në 74,66 dollarë.

    Rënia e çmimeve në masë të madhe është rezultat i komenteve të Trump, i cili në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, tha se ka kërkuar nga OPEC ta ulë çmimin e naftës për t’i dëmtuar financat ruse dhe me këtë ta detyrojë Rusinë të fillojë negociata paqësore me Ukrainën.

    Trump edhe më parë tha se qëllimi i tij është ta rrisë prodhimin vendor të naftës, ndërsa njëkohësisht ta përshpejtojë dhënien e lejeve për projekte të reja. OPEC me vite ul prodhimtarinë për shkak të kërkesës së dobët pas krizës së koronavirusit, por organizata së fundi njoftoi rritje të prodhimit.

    Në rrethana të tilla, Agjencia Ndërkombëtare për Energji (IEA) vlerëson se oferta e naftës në vitin 2025 do të rritet për 1,9 milionë fuçi në ditë, madje edhe nëse OPEC dhe aleatët e tij shtyjnë rritjen e prodhimtarisë deri në vitin 2026, sepse prodhuesit e pavarur të udhëhequr nga SHBA do ta rrisin prodhimtarinë.

    Për shkak të gjithë kësaj, javën e kaluar çmimet e naftës shënuan rënien e parë këtë vit. Megjithatë, ato ende janë në rritje në krahasim me fillimin e vitit – përafërsisht gjashtë për qind.

  • Trump merr vendim, ShBA-ja pezullon tarifat pasi Kolumbia pranoi fluturimet e dëbimit

    Trump merr vendim, ShBA-ja pezullon tarifat pasi Kolumbia pranoi fluturimet e dëbimit

    ShBA-ja nuk do të vazhdojë me tarifat ndaj Kolumbisë, pasi Bogota ra dakord të pranojë – pa kufizime – emigrantët e dëbuar, ka deklaruar Shtëpia e Bardhë.

    Donald Trump kishte urdhëruar tarifa 25% për të gjitha mallrat kolumbiane pasi presidenti i tij ndaloi dy fluturime ushtarake amerikane të dëbimit të zbarkojnë në vend të dielën, njofton BBC, transmeton Sinjali.

    Presidenti kolumbian Gustavo Petro ishte përgjigjur fillimisht duke thënë se vendi i tij do të pranonte qytetarët e riatdhesuar në “avionët civilë, pa i trajtuar ata si kriminelë”.

    Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë thotë se Kolumbia tani ka rënë dakord të pranojë emigrantët që mbërrijnë me avionët ushtarakë amerikanë “pa kufizim ose vonesë”.

    Kolumbia tha se një dialog do të mbahet për të “garantuar dinjitetin e qytetarëve tanë”.

  • Arrestohet një 52-vjeçar në veri, Policia i gjen armë e municion në veturë

    Arrestohet një 52-vjeçar në veri, Policia i gjen armë e municion në veturë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicë të Veriut për armë ilegale. I dyshuari u kap me kallashnikov dhe municion në veturë, pas kontrollit të kryer nga zyrtarët policorë, raporton Gazeta Sinjali.

    Nga Policia kanë bërë të ditur se në veturën e të dyshuarit 52-vjeçar, janë gjetur edhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave.

    I dyshuari me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

    “Njësitet policore nga Stacioni policor në Mitrovicë Veri, me datë 27.01.2025 gjatë një kontrolle rutinore kanë ndaluar një automjet, ku pas kontrollit të detajuar në bagazhin e automjetit kanë gjetur dhe më pas kanë konfiskuar:

    një (1) armë e llojit AK-47

    një (1) karikator

    pesë (5) fishek të kalibrit 7.62 mm si dhe

    pajisje për prodhimin e kriptovalutave”

    Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ’Mbajtje në pronësi, kontrolle apo posedim i paautorizuar i armëve’’.

  • Mijëra palestinezë kthehen në veri të Gazës pas marrëveshjes së arritur për pengjet

    Mijëra palestinezë kthehen në veri të Gazës pas marrëveshjes së arritur për pengjet

    Mijëra palestinezë të zhvendosur po kthehen në veri të Gazës këtë mëngjes, pas një mosmarrëveshje midis Hamasit dhe Izraelit.

    Palestinezët ishin planifikuar të udhëtonin në veri të Korridorit Netzarim të shtunën, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Turma të mëdha u mblodhën gjatë fundjavës, duke pritur për të kaluar nëpër brezin shtatë kilometra (4.3 milje) të tokës të kontrolluar nga Izraeli që shkëput Gazën veriore nga pjesa tjetër e territorit.

    Por Izraeli i ndaloi palestinezët të kalonin korridorin pasi Hamasi dështoi të lironte pengun civil Arbel Yehud të shtunën.

    Izraeli dhe Hamasi tani kanë arritur një marrëveshje që Yehud dhe dy pengje të tjerë të lirohen të enjten, me Hamasin që u dorëzoi ndërmjetësuesve egjiptianë prova se ai është gjallë.

  • Sot fillon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt

    Sot fillon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 27 janarin 2025 për mbajtjen e shqyrtimit fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

    Lidhur me fillimin e gjykimit në këtë rast ka shkruar edhe vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj përmes një postimi në Facebook, duke thënë se si familje, besojnë në drejtësi.

    “Ju njoftoj që gjykimi i rastit të vrasjes dinake të motrës tonë Liridona Ademaj fillon në ora 11.00 në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Ne si familje besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që gjykimi do të jetë efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

    Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

    I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, sipas dosjes, se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.

  • Dialogu Kosovë – Serbi, sot zyrtarizohet përfaqësuesi i posaçëm i BE-së

    Dialogu Kosovë – Serbi, sot zyrtarizohet përfaqësuesi i posaçëm i BE-së

    Këshilli për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian, sot ka në rend dite zyrtarizmin e vendimit për emërimin e Peter Sorensen në pozitën e Përfaqësuesit të Posaçëm të për Dialogun Kosovë-Serbi.

    Caktimin e diplomatit danez, i cili në të kaluarën kishte shërbyer në Kosovë si pjesë e UNMIK-ut, nga analistët vlerësohet si ndryshim pozitiv.

    Peter Sorensen do të pasojë në detyrë emisarin aktual Miroslav Lajcak, të cilit i skadon mandati më 31 Janar.

  • Katër të arrestuar në Maqedoninë e Veriut, dyshohen për lidhje me ISIS

    Katër të arrestuar në Maqedoninë e Veriut, dyshohen për lidhje me ISIS

    Katër persona të dyshuar për krijimin e organizatës terroriste janë privuar nga liria, ndërsa Ministria e Brendshme në Maqedoni të Veriut ka ngritur kallëzime penale ndaj tyre.

    Policia ka kryer kontrolle në pesë lokacione në Shkup dhe Gostivar dhe dyshimet janë se celula terroriste ishte e lidhur ideologjikisht me grupin e njohur terrorist- ISIS.

    “Synimi i anëtarëve të celulës terroriste ishte kryerja e aktit terrorist kundër objektivave civile ose të ashtuquajtura objektiva të buta, gjegjësisht objekteve publike në vend, me qëllim të krijimit të ndjenjës së pasigurisë ose frikës tek qytetarët. Për të arritur qëllimin e tij, i akuzuari i parë ka krijuar disa grupe në rrjetin social Telegram, në të cilat shpërndante materiale propagandistike të marrë dhe të përkthyer më parë të ISIS-it duke rekrutuar anëtarë të ri”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

    Pas kallëzimit penal nga MPB-ja, prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit tashmë ka marrë masa për këtë rast ndërsa të dyshuarit tashmë janë në paraburgim.