ATV

Author: G.O.

  • Rasti i Liridona Ademajt, Haxhiu: Do të ndjekim me vëmendje procesin

    Rasti i Liridona Ademajt, Haxhiu: Do të ndjekim me vëmendje procesin

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në lidhje me procesin gjyqësor të vrasjes së Liridona Ademajt.

    Haxhiu thekson se këtë rast do ta ndjek me vëmendje dhe shpreson se drejtësia të triumfojë.

    “Ky proces është i rëndësishëm jo vetëm për të vendosur përgjegjësinë për krimin e rëndë, por edhe për të dërguar një mesazh të fuqishëm kundër femicidit. Do të ndjekim me vëmendje duke u siguruar që ata që janë përgjegjës të marrin dënimin maksimal për krimin rëndë”, ka shkruar Haxhiu.

  • Atdhe Nuhiu emërohet ndihmës-trajner i Kombëtares

    Atdhe Nuhiu emërohet ndihmës-trajner i Kombëtares

    Ish-sulmuesi i njohur dardan, Atdhe Nuhiu është emëruar ndihmëstrajner i Kombëtares A.

    Ky vendim i presidentit Agim Ademi vjen si pjesë e strategjisë së FFK-së për të përfshirë ish-lojtarët e Kombëtares në strukturat e ekipeve kombëtare dhe për ta përcjellë eksperiencën e tyre tek gjeneratat e reja.

    Atdheu është i njohur për karrierën e tij të suksesshme si futbollist.

    Ai ka fituar përvojë edhe si trajner tek skuadra austriake, Altach dhe pa dyshim përfshirja e tij në stafin e përzgjedhësit Franco Foda do të jetë një mundësi e mirë në zhvillimin e tij të mëtutjeshëm, por edhe ndihmesë për sukseset e reja të ekipit kombëtar.

  • Policët e lënduar në aksidentin në Skenderaj po trajtohen në Klinikën e Ortopedisë

    Policët e lënduar në aksidentin në Skenderaj po trajtohen në Klinikën e Ortopedisë

    Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë  se policët e lënduar në aksidentin në Skenderaj po trajtohen në Klinikën e Ortopedisë.

    Ai ka thënë se pesë të lënduarit në aksidentin në fshatin Çubrel të Skenderajt në mesin e tyre edhe 4 policë janë në gjendje stabile.

    “Të lënduarit e aksidentit janë trajtuar mbrëmë në Qendrën Emergjente, gjendja e tyre ka qenë stabile, pastaj janë transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të trajtimit”, ka thënë Syla.Në aksidentin e së dielës mbrëma tre person, anëtarë të familjes Gashi nga Peja humbën jetën ku një veturë civile u aksidentua me një veturë të policisë.

    Inspektorati i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se nga hetimet e para dyshohet se aksidenti u shkaktua nga polici që drejtonte veturën zyrtare i cili është suspenduar.

  • ​Adeyemi kërkon pagë të lartë për t’u transferuar te Napoli

    ​Adeyemi kërkon pagë të lartë për t’u transferuar te Napoli

    Karim Adeyemi është bërë objektivi kryesor i Napolit pasi “Partenopei” vendosi të largohej nga gara për Alejandro Garnacho, kryesisht për shkak të kërkesave larta të Manchester United, por ata tani mund të përballen me një çështje të ngjashme në negociatat me sulmuesin e Borussia Dortmund.

    Skuadra e Antonio Contes ka qenë në kërkim të një lojtari për të zëvendësuar Khvicha Kvaratskhelia pas transferimit të tij te PSG, por çmimi prej 70-80 milionë euro i vendosur nga Djajtë e Kuq për argjentinasin i komplikoi planet e tyre, duke i detyruar ata të ndryshojnë fokusin e tyre në opsionet alternative.

    Sipas raporteve të fundit, klubi ka bërë progres për Adeyemi të Dortmundit, duke u mbyllur në një marrëveshje me gjigantët e Bundesligës për një tarifë prej rreth 40 milionë euro, përcjellë KosovaPress.

    Ndërsa 23-vjeçari fillimisht ishte i gatshëm të qëndronte në klub deri në verën e ardhshme, ai thuhet se po hapet gradualisht ndaj perspektivës për t’u transferuar në “Stadio Maradona” pasi bisedoi me Conten.

    Megjithatë, “Calciomercato” shpjegon se ai kërkon paga sezonale prej 4.5 milionë euro për të bërë këtë lëvizje, e cila do ta bënte atë lojtarin e dytë më të paguar në skuadrën e Napolit.

    Adeyemi ka pesë gola dhe po aq asistime nga 14 ndeshje në të gjitha garat me Dortmundin këtë sezon.

  • ​Juventusi largon kapitenin e skuadrës

    ​Juventusi largon kapitenin e skuadrës

    Juventusi ka konfirmuar zyrtarisht se kapiteni Danilo është larguar nga klubi pasi të dyja palët arritën një marrëveshje për të ndërprerë kontratën e tij me pëlqim reciprok.

    33-vjeçari është larguar nga klubi pas një qëndrimi pesëvjeçar e gjysmë, kohë gjatë së cilës ai fitoi titullin e Serie A dhe dy herë Kupën e Italisë. Juventusi ka konfirmuar se largimi i tij nuk do të ketë ndikim në financat e klubit duke qenë se ai ka pranuar të largohet falas.

    Ai tashmë u ka thënë lamtumirën tifozëve të Juventusit në një mesazh emocionues lamtumire të postuar në rrjetet sociale mëngjesin e së hënës, përcjellë KosovaPress.

    Danilo do të kthehet në Brazilin për të nënshkruar me Flamengon. Ai ishte lidhur me një lëvizje për t’iu bashkuar Napolit të Antonio Contes, i cili qëndron në krye të tabelës së Serie A, por në vend të kësaj ka vendosur të kthehet në shtëpi për arsye personale.

    Largimi i tij i hap rrugën Juventusit për të shpallur nënshkrimin e tyre të ardhshëm në janar: Renato Veiga, i cili i bëri testet mjekësore në Torino të hënën në mëngjes përpara huazimit të tij nga Chelsea.

    Veiga do t’i bashkohet Juventusit në një marrëveshje të drejtpërdrejtë huazimi për pjesën e mbetur të sezonit 2024-25 dhe pason Randal Kolo Muani dhe Alberto Costa, të cilët gjithashtu i janë bashkuar Zonjës së Vjetër në janar.

  • PZAP-ja dënon koalicionin e AAK-së me partnerët me 3 mijë e 700 euro

    PZAP-ja dënon koalicionin e AAK-së me partnerët me 3 mijë e 700 euro

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar koalicionin AAK-NISMA-E30-Konservatorët-IDEAL me me 3 mijë e 700 euro.

    Kjo pas ankesës së degës së Vetëvendosjes në Prishtinë, se posterët e kandidatit për deputet Nuredin Lushtaku ishin vendosur në hapësirë publike, në një ndërtesë të banimit kolektiv në sheshin e qytetit në Skenderaj.

    AAK-ja më pas është ankuar mirëpo PZAP-ja nuk e ka marrë parasysh ankesën, duke e dënuar koalicionin me 3 mijë e 700 euro, pasi sipas këtij organi, me këtë veprim koalicioni e ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.

  • Vetëvendosje gjobitet nga PZAP-ja me 11 mijë euro në dy raste të ndara

    Vetëvendosje gjobitet nga PZAP-ja me 11 mijë euro në dy raste të ndara

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka dënuar sërish Lëvizjen Vetëvendosjen, e këtë herë me 11 mijë euro, por në dy raste të ndara.

    PZAP-ja ka njoftuar se këto vendime janë marrë në seancën e panelit të mbajtur dje.

    Në rastin e parë, Vetëvendosja është dënuar me 5 mijë euro, pas aprovimit të ankesës së parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës për shkak të siç thuhet në njoftimin e PZAP-së, të ndeshjes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatës, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt.

    Në njoftimin e PZAP-së thuhet se në ankesën nga PDK-ja, thuhet se kandidatja për deputete nga radhës e VV-së, Albena Reshitaj ka publikuar një fotografi në Facebook, në një nga tubimet e mbajtura të Vetëvendosjes, në të cilën shihet një parrullë e vendosur nga simpatizantët dhe mbështetësit e VV-së, e që siç thuhet në ankesë, ka gjuhë e cila nxit urrejtje, ofendim, denigrim dhe shpreh ngjyrime përçmuese për partitë kundërshtare të VV-së.

    Edhe në rastin e dytë të dënimit të Vetëvendosjes, ankesa është dërguar nga Partia Demokratike e Kosovës, ankesë kjo që u pranua dhe VV-së iu shqiptua gjoba prej 6 mijë eurosh.

    Në ankesë thuhet se kandidati i VV-së për deputet, Haxhi Avdyli ka postuar një video një Facebook, me tekst shoqërues, që është realizuar brenda Klinikës së Neurologjisë, ku provokohet numri i listës, me të cilin ai kandidon, si person që mban pozitë publike, siç thuhet në ankesë, ka shfrytëzuar këto ambiente me qëllim të përfitimit të votave.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, shtyhet gjykimi ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Vrasja e Liridona Ademajt, shtyhet gjykimi ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Në Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë hënë është shtyrë shqyrtimi fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

    Seanca u shty për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Kokallës, avokati, Ndrec Dodaj si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Tomë Dodaj, avokati Tomë Kuçi deklaruan se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Avokati Dodaj tha se shkresat e lëndë i ka pranuar dhjetë minuta para se të nis kjo seanca, dhe se nuk ka arritur që të flas me klientit të tij apo t’ia shpjegoi të njëjtit çështjen e provave, duke shtuar se nuk ka kushte për vazhdimin e kësaj seance.

    Lidhur me këtë, prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq tha se më 22 janar 2025, avokati Skender Bojani e ka marrë shkresat e lëndës në emër të avokatit Ndrec Dodaj.

    “Kam bisedu me avokatin dhe me tha qe shkon me i marrë për veti dhe i thash me e marrë edhe lëndën time. Kur kam shku në prokurori, me kërkesë të avokatit, kam thënë që a muj me i marrë edhe shkresat e avokatit Dodaj. Unë e kam njoftuar ditën e premte apo të shtunën, dhe aj me tha vi të hënë i marr”, tha avokati Bojani.

    Po ashtu, sipas prokurores edhe mbrojtësi i të pandehurit Dodaj, avokati Kuçi kishte pasur problema me email dhe i njëjti nuk i kishte pranuar shkresat e lëndës.

    “Unë kam pas probleme dhe vazhdoj me pas, sot e kam marr aktakuzën… i mbrojturi im gjatë gjithë procedurat penale ka pranu fajësinë por sot si mbrojtje nuk mundemi të deklarohemi për pranimin e fajësisë”, shtoi avokati Kuçi.

    Lidhur me mos pranimin e shkresave të lëndës, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmaku tha se prokuroria i ka njoftuar me kohë mbrojtësit e të pandehurve që për shkak të volumit të provave të njëjtit të vijnë më ‘external disk’ për të marrë provat.

    Ajo tha se për shkak të papërgjegjshmërisë së avokatëve Dodaj dhe Kuçi, nuk ka kushte për vazhdim të seancës dhe e njëjta u shty.

    “Nuk mundemi me vazhu me këtë shqyrtim, meqenëse avokatët Ndrec Dodaj dhe Agron Kuçi nuk janë të pajisur me shkresat të lëndës… Është hera e fundit që unë shtyj shqyrtimin për papërgjegjësitë e juaja”, tha gjyqtarja Dërmaku.

    Lidhur më këtë, avokati Dodaj, kërkoi që të bënte një replikë, e cila nuk u lejua nga gjyqtarja Dërmaku.

    Përkundër kësaj, paraprakisht avokatit Dodaj iu tërhoq vërejta nga gjykata për mbajtje të qetësisë dhe mosprishjes së rendit.

    I njëjti, megjithatë tentoi që të merrte fjalën gjatë seancës, ku në këtë rast atij iu shqiptua një gjobë në shumë prej 500 euro për mosbindje ndaj gjyqtares.

  • Sorensen konfirmohet përfundimisht emisar për dialogun Kosovë-Serbi

    Sorensen konfirmohet përfundimisht emisar për dialogun Kosovë-Serbi

    Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Paraprakisht, më 24 janar ambasadorët e BE-së kishin konfirmuar Sorensenin në këtë post.

    Politikani nga Danimarka u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë post.

    Pasi ka marrë pëlqimin nga ambasadorët dhe kryediplomatët, Sorensen do të nisë mandatin në fillim të shkurtit.

    Emisarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.

    Kush është Sorensen?

    Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

    Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

    Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Për postin e lehtësuesit të dialogut garoi edhe emri i ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

    Për këto rol, ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik sesa politik.

    Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

    Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

    Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren. /REL/

  • Aksidenti me 3 të vdekur në Çubrel dyshohet se u shkaktua nga Policia, suspendohet polici që ishte shofer

    Aksidenti me 3 të vdekur në Çubrel dyshohet se u shkaktua nga Policia, suspendohet polici që ishte shofer

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit të mbrëmshëm, në fshatin Çubrel të Skenderajt, ku mbetën tre të vdekur, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas IPK-së, bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat  i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë, i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.

    Njoftimi i IPK-së:

    Hetuesit e IPK-së mbrëmë rreth orës 19:00 janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku ku ishte përfshirë një automjet zyrtar i policisë dhe një veturë civile.

    Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes duke ju bashkëngjitur edhe ekipeve tjera policore dhe prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes.

    Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë në fshatin Çubrel në ora 18:40.

    Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet  se aksidenti ka ndodhur si rezultat  i  mos përshtatjes së shpejtësisë së  lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili  ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.

    Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra fatkeqësisht kanë ndërruar jetë.

    Trupat e pajetë të tre viktimave janë dërguar janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

    Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit,  IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.