ATV

Author: G.O.

  • KQZ-ja ndryshon lokacionet e tri qendrave të votimit në Leposaviq

    KQZ-ja ndryshon lokacionet e tri qendrave të votimit në Leposaviq

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të enjten ka miratuar ndryshimin e lokacioneve të qendrave të votimeve në Komunën e Leposaviqit.

    Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja, ka thënë se tri qendra nuk i plotësojnë kushtet.

    “Qendra në fshatin Borqan nuk i plotëson kushtet objekti, bartet qendra e votimit në Soqanicë e Epërme. Qendra në fshatin Kushtovë nuk i plotëson kushtet objekti, bartet qendra e votimit në objekt privat brenda fshatit. Qendra 1210 nuk i plotëson kushtet dhe zhvendosët në Jarinje të Poshtme”, ka thënë Elshani.

  • PZAP-ja dënon LDK-në me 9 mijë e 500 euro pasi vendosën postera në hapësira publike

    PZAP-ja dënon LDK-në me 9 mijë e 500 euro pasi vendosën postera në hapësira publike

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në vazhdimësi është duke i dënuar partitë politike për shkelje të ndryshme gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Në dy vendimet e PZAP-së bëhet e ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u dënua me gjithsej 9,500 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.

    Në vendimin e parë thuhet LDK-ja u dënua me 5.500 euro për shkak të vendosjes së posterave në hapësira publike dhe në stacion të trafikut publik në Prishtinë.

    Ndërsa në një vendim tjetër bëhet e ditur se Lëvizja Vetëvendosje pretendon se kanë vërejtur posterë të vendosur në hapësirat publike të kandidatit për deputet nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, konkretisht në hapësirat e palestrës sportive “Karragaçi”, në rrugën e UÇK-së, në Pejë.

    Në lidhje me këtë LDK u dënua me gjobë prej 4,000 euro.

  • Amir Rrahmani pritet të largohet nga Napoli

    Amir Rrahmani pritet të largohet nga Napoli

    Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani thuhet se është duke luajtur sezonin e fundit me Napolin, pasi në afatin kalimtar të verës mund të largohet nga klubi italian.

    Giovanni Scotto, gazetar nga mediumi Il Roma, ndau reflektimet e tij për momentin aktual të Napolit, për afatet e transferimeve dhe për perspektivat e ardhshme për disa lojtarë kyç

    Tregu i transferimeve në largim ishte një tjetër temë e diskutuar, me Scotton që hipotezon largimin e Amir Rrahmani që në verën e ardhshme.

    “Rrahmani mund t’i thotë lamtumirë Napolit që në afatin kalimtar të ardhshëm. Ai është 31 vjeç dhe ka marrë oferta nga disa klube. Është koha e duhur për ta shitur atë”, ka thënë fillimisht Scotto.

    Në këtë kontekst, ai përmendi emrin e 19-vjeçarit të Fiorentinës, Pietro Comuzzo, i cili mund të vijë si zëvendësues i kapitenit të Kosovës.

    “Comuzzo është praktikisht një lojtar i Napolit. Klubi pothuajse ka përfunduar marrëveshjen për një huazim dy vjeçar me vlerë 5 milionë me detyrim blerje të përcaktuar në 25 milionë. E enjtja mund të jetë vendimtare për transferimin e tij”, përfundoi gazetari italian. /Telegrafi/

  • ZPS për dëshmitarin e 119-të: U rrëmbye nga persona me uniforma të UÇK-së, u lirua pas negociatave me KFOR-in

    ZPS për dëshmitarin e 119-të: U rrëmbye nga persona me uniforma të UÇK-së, u lirua pas negociatave me KFOR-in

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 119-të, i cili mban kodin W02714 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është më masa mbrojtëse dhe pyetjet për të i ka filluar prokurori Cezary Mihailzcuk. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ai, dëshmitari pretendohet se është rrëmbyer nga persona me uniforma të UÇK-së dhe u lirua pas negociatave me KFOR-in, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Në qershor të 1999-ës dëshmitari 02714 u rrëmbye nga persona të armatosur që kishin veshur uniforma të UÇK-së, me shenja dalluese të UÇK-së dhe u dërgua në vende të ndryshme ku u mor në pyetje dhe u keqtrajtua. Ndërkohë që ka qenë i ndaluar, ai ka ndervepruar me komandantin e UÇK-së që në fund e liroi dëshmitarin pas negociatave me KFOR-in”, tha prokurori.

    Dëshmitari mohoi se kur u ndalua nga UÇK-ja u informua për ndonjë akuzë penale të ngritur kundër tij.

    “Ata më thanë se isha ndaluar se isha oficer trafiku rrugor. Kjo ishte arsyeja për këtë arsye më thanë që isha ndaluar. Asgjë tjetër s’më thanë”, tha dëshmitari.

    Por, mohoi se iu dha mundësia që ta kundërshtojë ndalimin e tij përpara ndonjë gjyqtari ose zyrtari.

    Me kaq përfunduan pyetje për këtë dëshmiarë nga ana e ZPS-së dhe me kunderpyetje vazhdoi mbrojtja e Thacit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq në seancë private për publikun.

    Në prova materiale, u pranuan deklaratat e mëhershme të dëshmitarit së bashku me materialet percjellëse dhe u klasifikuan si konfidenciale.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Engjëllusha me fjalë prekëse për gjyshen e ndjerë

    Engjëllusha me fjalë prekëse për gjyshen e ndjerë

    Këngëtarja e njohur, Engjëllusha Salihu ka shkruar disa fjalë prekëse për gjyshen e saj, tashmë të ndjerë.

    Ajo përmes një InstaStory është shprehur se gjyshja do jetojë gjithmonë në kujtimet e tyre dhe se falë saj, është kjo që është sot.

    “Nanë zemra jem. Do të jetosh gjithmonë në kujtime tona, e mua do të më mungosh përjetë! Falë teje jam kjo që jam sot. Pusho e qetë”, ka shkruar Engji.

    Shyhrete Behlulit i vdes nëna, i bën dedikimin emocionues

  • Shyhrete Behlulit i vdes nëna, i bën dedikimin emocionues

    Shyhrete Behlulit i vdes nëna, i bën dedikimin emocionues

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Shyhrete Behluli, ka ndarë një lajm të hidhur me ndjekësit në rrjete sociale.

    Ajo njofton në Instagram se i ka ndërruar jetë nëna, me të cilën ka patur një lidhje shumë të ngushtë.

    “Njoftim mortor. Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot ndërroi jetë Nana jone. Varrimi do të bëhet më 30.01.2025 në ora 15:00 në varrezat e Fshatit Mushtisht”, ka shkruar ajo.

    Artistja shumë e dashur për publikun i ka shkruar edhe disa fjalë prekëse për të.

    “Nënë, mungesa jote është dhembja më e madhe, por dashuria dhe kujtimet e tua do të mbeten përgjithmonë në zemrën time”, tha tutje.

    Në pjesën për komente shumë nga personazhet publike e fansat e ngushëlluan.

    Behluli nga ana tjetër ka qenë tejet e angazhuar në muzikë e ahengje muzikore.

  • PZAP e gjobit Blerta Deliun tre herë, shuma totale arrin mbi 13 mijë euro

    PZAP e gjobit Blerta Deliun tre herë, shuma totale arrin mbi 13 mijë euro

    Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu tre herë është dënuar me gjobë nga  Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Shuma totale që Deliu-Kodrës i duhet të paguaj është 13 mijë e 500 euro.

    Fillimisht ajo ishte dënuar për shkak të vendosjes së dy posterëve në dy lokacione të ndryshme në Skenderaj.

    PZAP ka konstatuar se kontrata për të shfrytëzuar hapësirën reklamuese nuk ka qenë e nënshkruar nga Deliu-Kodra, por vetëm nga qiradhënësi dhe ato nuk kanë vulë të protokolimit.

    Sipas PZAP në kontratat ku mungon vula e protokolimit nuk jep mundësi të vërtetimit, që ka të bëjë me subjektin që ushtron veprimtari të caktuar dhe rrjedhimisht edhe të drejtën për të dhënë në shfrytëzim hapësirat reklamuese.

    Njëri rast, deputetes i kushtoi 4 mijë euro, tjetri 5 mijë e 500 euro.

    Po ashtu me 4 mijë euro të tjera u gjobit edhe për shkak se kishte postuar një video me tekst shoqërues, te realizuar në hapësirat e brendshme të  Kuvendit të Kosovës në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet.

     

  • Përplasja e avionit me helikopterin ushtarak në Uashignton, nxjerrën 30 trupa nga uji

    Përplasja e avionit me helikopterin ushtarak në Uashignton, nxjerrën 30 trupa nga uji

    Ekipet emergjente kanë nxjerrë më shumë se 30 trupa nga uji pas përplasjes së një avioni dhe një helikopteri ushtarak pranë Aeroportit Kombëtar në Uashington DC.

    Kështu raportojnë mediat atje në përditësimin e fundit rreth këtij rasti.

    Një avion i American Airlines me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit u përplas me një helikopter të ushtrisë amerikane Black Hawk me tre ushtarë në bord ndërsa po përpiqej të ulej në aeroportin kombëtar.

    Të dy avionët u rrëzuan në lumin Potomac.

    Administrata Federale e Aviacionit tha se përplasja në ajër ndodhi rreth orës 21:00 kur fluturimi 5342 i American Airlines – një avion rajonal që ishte nisur nga Wichita, Kansas u përplas me një helikopter të ushtrisë ndërsa po afrohej në një pistë aeroporti.

  • “Gjeneral i vetëshpallur” – PZAP e gjobit Vetëvendosjen me 10 mijë euro, shkak deklaratat e Gërvallës për Haradinajn

    “Gjeneral i vetëshpallur” – PZAP e gjobit Vetëvendosjen me 10 mijë euro, shkak deklaratat e Gërvallës për Haradinajn

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 10 mijë euro për deklaratat e Donika Gërvallës për kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn, gjatë një tubimi në Deçan.

    Sipas ankesës së paraqitur nga AAK, Gërvalla gjatë këtij tubimi, në fjalën e saj, e ka quajtur Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, dhe më pas ka vazhduar me fjalët “prandaj unë mendoj që aq më pak meriton respekt kush sakrificën personale apo familjare e përdor për arsyetim për krim për korrupsion, për vrasje apo mashtrim”.

    “Ankuesi thekson se deklaratat e bëra nuk janë asgjë tjetër veçse një tentativë për të manipuluar opinionin publik, ku shihet qartë se Gërvalla, e akuzon liderin e një partie opozitare për vrasës e kriminel”, thuhet në ankesë.

    Në përgjigje ndaj kësaj ankese, VV ka thënë se Gërvalla nuk e ka thënë asnjëherë këtë deklaratë, shkruan Reporteri.

    Paneli thotë se pas shikimit të materialit, shihet se Gërvalla ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese duke nxitur urrejtje ndaj subjekteve tjera politike.

    “Sipas Panelit nga përmbajtja e deklaratës së kandidates për deputete nga radhët e listës Guxo Donika Gërvalla Schwartz, konsiderohet gjuhë nxitëse dhe urrejtëse kundrejt të tjerëve në kuadër të fushatës zgjedhore dhe se kjo konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore, konteksti dhe masa që i është drejtuar ka për qëllim të krijojë atmosferë tensioni ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe te përçarjes. Paneli vlerëson se partitë dhe kandidatët janë të detyruar të respektojnë etikën zgjedhore dhe të shmangin veprime që mund të sjellin pasiguri apo të përkeqësojnë atmosferën politike dhe ne përgjithësi atmosfere destabiliteti. Përdorimi i gjuhës së tillë mund të dëmtojë procesin demokratik dhe të rrisë tensionet në vend. Kjo është një shkelje e rregullave që kërkojnë një fushatë paqësore, të ndershme dhe të drejtpërdrejtë”, thuhet në vendim.

    Lëvizja Vetëvendosje ka afat 15 ditë që ta paguaj këtë gjobë, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

  • Shala kërkon nga Apeli pezullimin e shqyrtimit të masës së zhdëmtimit derisa të vendoset për ankesën

    Shala kërkon nga Apeli pezullimin e shqyrtimit të masës së zhdëmtimit derisa të vendoset për ankesën

    Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.

    Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, në kërkesën e dorëzuar më 28 janar 2025, thuhet se Paneli i gjyqtarëve ka gabuar duke e mbajtur përgjegjës Shalën për dëmin që nuk është shkaktuar nga veprimet ose mosveprime e tij.

    “Ai (trupi gjykues) ka përdorur një definicion të papranueshëm të “shkakut”, duke ia atribuar përgjegjësinë zotit Shala për rrethana dhe veprime të palëve të treta që janë shumë të largëta nga veprimet e tij. Paneli ka gabuar duke konsideruar se dëmet në kuadër të DhSK-së mund të kenë një “vlerë simbolike, parandaluese ose transformuese”, që ka çuar në një interpretim të gabuar dhe të gjerë të ligjit, duke sjellë përfundime të paarsyeshme dhe të padrejta që shkelin të drejtat e zotit Shala për një proces të drejtë”, thuhet në ankesë.

    Ndërsa, në pikën dy, Shala nëpërmjet mbrojtjes së tij, të kryesuar nga Jean-Louis Gilissen pretendon se paneli ka gabuar në përcaktimin e dëmshpërblimit, duke u bazuar në supozime për dëmet që viktimat mund të kenë pësuar, pa vlerësuar nëse këto mund të lidhen me veprimet e të pandehurit.

    “Paneli ka gabuar duke dhënë shpërblime për dëme materiale mbi bazën e supozimit, për viktimat V01/04 dhe W4733, se, nëse ato nuk do të ishin ndaluar në FMK, “do të kishin pasur më shumë mundësi për të ndjekur një ‘karrierë të zakonshme’ dhe për të gjetur punë me të ardhura të rregullta”. Paneli gjithashtu ka gabuar duke mos marrë në konsideratë dhe lidhur këtë dëmtim të perceptuar me ndonjë veprim të fajshëm të z.Shala”, thuhet në ankesë.

    Në pikën tre, Shala pretendon se Paneli ka gabuar duke dhënë shpërblime kompensimi pa kërkuar prova të mjaftueshme për dëmet e pësuara. Si rrjedhojë, Shala pretendon se Paneli i gjyqtarëve ka supozuar kostot e trajtimeve mjekësore dhe humbjet financiare pa kërkuar të dhëna konkrete që të vërtetojnë këto humbje.

    Ksisoj, Shala thotë se Paneli ka vepruar arbitrarisht, duke mos kërkuar vërtetimin e dëmeve dhe ka kundërshtuar jurisprudencën e njohur të GJEDNJ-së, që kërkon dëshmi të qarta për dëmet për të marrë kompensim.

    Në pikën katër, Shala pretendon se Paneli ka gabuar duke caktuar një shpërblim joproporcional me gjetjet lidhur me rolin e tij në krimet për të cilat u dënua, duke shtuar faktin se ai është dënuar për pjesëmarrjen në ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

    “Për më tepër, Paneli ka gabuar në ligj duke marrë parasysh një faktor të parëndësishëm, konkretisht rëndësinë e krimeve, kur ka vlerësuar shumën që do të shpërblehej për viktimat V02/04, V03/04, V04/04, V05/04, V06/04, V07/04 dhe V08/04 si kompensim për dëmin mendor”, thuhet në ankësë.

    Si rrjedhojë, mbrojtja pretendon se nuk është marrë në konsideratë aspekti financiar i Shalës si dhe ai është urdhëruar të paguajë dëmshpërblim të lartë.

    Në pikën e pestë, mbrojtja e Shalës thotë se paneli ka gabuar duke vendosur përgjegjësi civile ndaj të pandehurit para se të përfundojë apelimi ndaj dënimit me burgim.

    Mbrojtja pretendon që nëse dënimi ndaj Shalës ndryshohet në Apel, atëherë urdhri për dëmshpërblim duhet të rishikohet dhe shumat financiare të përcaktuara duhet të rregullohen.

    Si rrjedhojë, ata pretendojnë se duke pasur parasysh se dënimi nuk është ende përfundimtar dhe po shqyrtohet në Apel, është e drejtë që procesi për zhdëmtimin të ndërpritet derisa të përfundojë shqyrtimi i apelimit për dënimin.

    Sipas tyre, kjo do të sigurojë që të drejtat e Shalës për një proces të drejtë të respektohen.

    Ndryshe, më 29 nëntor 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguaj 208 mijë euro për viktimat si zhdëmtim.

    Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

    Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.