ATV

Author: G.O.

  • Qeveria e Kosovës ndan 500 mijë euro për Gazën

    Qeveria e Kosovës ndan 500 mijë euro për Gazën

    Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është miratuar ndarja e 500 mijë eurove për Gazën.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se populli palestinez ka nevojë për mbështetje humanitare si pasojë e luftës që është zhvilluar nga tetori i vitit 2023.

    Tutje, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ai ka bërë thirrje që armëpushimi aktual atje të shfrytëzohet për arritje të paqes së qëndrueshme.

    “Konflikti në Gaza ka shkaktuar humbje të mëdha për popullin palestinez. Që të rindërtojmë vendin e tyre ata kanë nevojë për ndihmën e shteteve të tjera. Për këtë arsye MPJ ka kërkuar nga MF ndarjen e gjysmë milioni euro mbështetje për popullin palestinez. Qeveria bën thirrje që armëpushimi të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme”.

  • Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasje, dënohet më 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje

    Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasje, dënohet më 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje

    Andi Pajaziti i akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit në “Bon Vivant”,  është liruar nga akuza për “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”.

    Gjyqtari Eroll Gashi, ka konstatuar se ai ka bërë mbrojtje të nevojshme.

    Pajaziti është dënuar me 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

    Gjykata gjithashtu ka vendosur që atij t’i ndërpritet masa e paraburgimit

    Lajmi në përditësim…

  • Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt, sot mbahet seanca fillestare ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

    Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt, sot mbahet seanca fillestare ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

    Seanca fillestare në çështjen penale ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, do të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Kjo seancë mbahet pasi e kaluara ishte shtyrë me kërkesën e mbrojtëseve, me arsyetimin se ata nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës.
    Në seancën që është paralajmëruar të fillojë në ora 11:00, katër të akuzuarve do t’u lexohet aktakuza dhe do të japin deklarata e tyre.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ngriti aktakuzë me 15 janar lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndaj ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dedajt.

    Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore.

  • Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

    Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

    Studentët serbë të nisur nga Beogradi, që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen kolegëve të tyre nga ky qytet për të bllokuar urat më 1 shkurt.

    Kështu, ata do të shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad.

    Pritet që studentët, të cilët u nisën nga Beogradi më 30 janar, të arrijnë në stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00.

    Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30 nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.

    Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.

    Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët e tyre në Novi Sad të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në stacionin e trenave të këtij qyteti.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të martën se pjesëtarë të kësaj ministrie do të ofrojë siguri për marshin e studentëve, duke i përcjell edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.

    Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë, duke nxjerr në rrugë dhjetëra mijëra njerëz.

    Në dy muajt e fundit, protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.

    Qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre, duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat.REL

  • OKB bën thirrje për evakuimin e 2500 fëmijëve nga Gaza: Janë në rrezik vdekjeje

    OKB bën thirrje për evakuimin e 2500 fëmijëve nga Gaza: Janë në rrezik vdekjeje

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka bërë thirrje që 2500 fëmijë të evakuohen menjëherë nga Gaza për trajtim mjekësor pas takimit me mjekët amerikanë, të cilët thanë se ishin në rrezik të menjëhershëm për vdekje në javët e ardhshme.

    Të katër mjekët kishin dalë vullnetarë në Gaza gjatë luftës 15-mujore midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit, që ka shkatërruar territorin e më shumë se 2 milionë njerëzve dhe sistemin e tij të kujdesit shëndetësor.

    “2,500 fëmijë duhet të evakuohen menjëherë me garancinë se do të jenë në gjendje të kthehen në familjet dhe komunitetet e tyre”, postoi Guterres në mediat sociale pas takimit me mjekët.

    Vetëm disa ditë përpara fillimit të armëpushimit më 19 janar, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se më shumë se 12,000 pacientë po prisnin për evakuime mjekësore dhe kishte shpresuar se ato mund të rriteshin gjatë armëpushimit.

    Midis atyre pacientëve që kanë nevojë urgjente për trajtim janë 2,500 fëmijë, tha Feroze Sidhwa, një kirurg traumatik nga Kalifornia që punoi në Gaza nga 25 marsi deri më 8 prill të vitit të kaluar.

    “Ka rreth 2,500 fëmijë që janë në rrezik të menjëhershëm të vdekjes në javët e ardhshme. Disa po vdesin tani. Disa do të vdesin nesër. Disa do të vdesin ditën tjetër”, u tha Sidhwa gazetarëve pas takimit me Guterres.

    “Nga ata 2,500 fëmijë, shumica dërrmuese kanë nevojë të bëhen gjëra shumë të thjeshta,” tha ai, duke përmendur rastin e një djali 3-vjeçar që pësoi djegie në krah. Djegiet ishin shëruar, por indi mbresë ngadalë po e ndërpret rrjedhjen e gjakut, duke e lënë atë në rrezik të amputimit.

  • Gjenden kutitë e zeza të avionit që u përplas me helikopterin në Uashington

    Gjenden kutitë e zeza të avionit që u përplas me helikopterin në Uashington

    Kutitë e zeza të gjetura një ditë më parë pritet të zbulojnë shkakun e aksidentit fatal mes një avioni dhe një helikopteri ushtarak në Uashington.

    Përplasja që vrau 67 persona në bordet e të dyja mjeteve konsiderohet për SHBA-në më katastrofikja  në gati një çerek shekulli për bilancin që shkaktoi.

    “Regjistruesi ndodhen në laboratorët e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB),” njoftuan autoritetet, ndërsa shefi i NTSB-së tha se nuk do të “lërë gurë pa lëvizur” në hetimet e veta.

    BBC raporton se zyrtarët kanë rikuperuar regjistruesin e të dhënave të fluturimit dhe regjistruesin e zërit në kabinë, të njohur si “kutitë e zeza”, nga avioni i American Airlines pas përplasjes së mërkurën në mbrëmje.

    Kutitë e zeza mund të ndihmojnë në ofrimin e të dhënave për atë që ndodhi gjatë fluturimit.

    Regjistruesi i zërit bën pikërisht atë që sugjeron emri i tij – kap bisedat e pilotëve, zhurmat e sfondit dhe ndërveprimet me kontrollin e trafikut ajror.

    Regjistruesi i të dhënave regjistron informacionet operacionale nga sistemet e avionit, duke përfshirë pozicionin e disa çelsave dhe levave, si dhe komandat e dhëna nga pilotët.

    Të paktën 28 trupa u gjetën të enjten në ujërat e ngrirë të lumit Potomak.

    Avioni i linjës “American Airlines”, me 60 pasagjerë dhe 4 pjesëtarë të ekuipazhit, po ulej në pistën e aeroportit kur helikopteri me tre ushtarakë hyri në vijën e tij të fluturimit. Aksidenti ndodhi më pak se 5 kilometra nga Shtëpia e Bardhë.

  • Reduktohet lista e dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, konfirmon ZPS-ja

    Reduktohet lista e dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, konfirmon ZPS-ja

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka reduktuar edhe me teje listën e saj të dëshmitarëve në gjykimin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Përmes një njoftimi të redaktuar për publikun ZPS me 30 janar ka treguar se nuk do të mbështetët në disa dëshmitë e dëshmitarëve si dhe disa të tjera do t’i dorëzojë në formë të shkruar.

    Sipas ZPS-së, pas këtyre ndryshimeve, kanë mbetur edhe gjashtë dëshmitarë për statusin e tyre do të vendoset sa më shpejt që të jetë e mundur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Qeveria mban mbledhje, 15 pika për shqyrtim

    Qeveria mban mbledhje, 15 pika për shqyrtim

    Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, raporton Ekonomia Online.

    Në rend dite janë paraparë të shqyrtohen 15 pika.

    Mbledhja, sipas agjendës së paraparë do të fillojë prej orës 09:30.

     

  • Osmani: Zhvillimi i FSK-së sipas standardeve më të NATO-s mbetet prioritet i yni strategjik e kombëtar

    Osmani: Zhvillimi i FSK-së sipas standardeve më të NATO-s mbetet prioritet i yni strategjik e kombëtar

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur sot për zhvillimin e FSK-së dhe zhvillimin e saj sipas standardeve më të larta të NATO-s.

    “Zhvillimi i FSK-së sipas standardeve më të larta të NATO-s mbetet prioritet i yni strategjik e kombëtar. Ne synojmë një ushtri moderne, të ndërveprueshme dhe të gatshme për tu përballur me çdo sfidë krah për krah me ushtritë tjera aleate brenda NATO-s. Ky synim është në kuadër të vizionit shtetëror për anëtarësim sa më të shpejtë në këtë aleancë”, tha ajo në konferencën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”.

    “Prandaj investimi i vazhdueshëm në armatim, si dhe personelin tonë ushtarak e mirëqenien e tyre është jetik, ashtu siç është edhe investimi i vazhdueshëm në institucionet e tjera të sigurisë. Në një botë ku kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, qëndrueshmëria ekonomike është po aq e rëndësishme”.

    “Mbrojtja nga sulmet hibride është e domosdoshme. Shteti ynë duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të qëndrueshme. Një ekonomi e fuqishme e mbështet edhe mbrojtjen”.

    “Institucionet tona duhet të jenë të gatshme dhe të koordinuara në çdo moment. Për të qenë të gatshëm të përballemi me këto sfida të sigurisë na nevojitet përfshirja e gjithanshme e e të gjitha hallkave të shoqërisë sonë. Shembulli i reagimit tonë në sulmin në Ibër Lepenc ka treguar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, por mbi të gjitha profesionalizmin e institucioneve të sigurisë”, tha Osmani.

  • ​Zgjedhjet e 9 shkurtit, në vendvotime do të ketë kamera vëzhgimi

    ​Zgjedhjet e 9 shkurtit, në vendvotime do të ketë kamera vëzhgimi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka emëruar sot rreth 15 mijë komisionarë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Mbi 12 mijë prej tyre do të jenë në vendvotime të rregullta, rreth 300 në qendrat e votimit me kusht dhe 2 mijë e 343 do të jenë të angazhuar për qendrat komunale të numërimit.

    Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani paralajmëroi komisionarët dhe anëtarët e tjerë që do të marrin pjesë në procesin e zgjedhjeve, se në çdo klasë do të ketë kamera të vëzhgimit dhe se çdo veprim që mund të rrezikojë apo cenojë procesin zgjedhor do të ndiqet penalisht.

    “Këshilli për Operacione Zgjedhore po ashtu ka shqyrtuar tabelën me nominimet e Këshillave të Vendvotimit në Kosovë dhe qendrave komunale të numërimit. Po ashtu, të vendvotimeve më kusht. Bëhet fjalë për numër të përgjithshëm prej 14 mijë e 991 persona që janë nominuar nga subjektet politike…12 mijë e 422 anëtarë të këshillave të vendvotimit, në këtë rast komisionarë do të jenë në vendvotime të rregullta. 226 komisionarë do t’i kemi në qendrat e votimit me kusht dhe 2 mijë e 343 persona do të jenë të angazhuar për qendrën komunale të numërimit. Ky është numri total i qytetarëve që do të angazhohen në procesin zgjedhor. Në çdo klasë do të ketë kamerë të vëzhgimit. Çdo lëvizje, çdo veprim i cili mund të rrezikojë apo cenojë procesin zgjedhor në secilin vendvotim do të ndiqet penalisht nga KQZ-ja dhe do të procedohet tutje”, tha Elshani.

    Anëtari tjetër i KQZ-së, Alban Krasniqi tha se po shkelen parimet nëpër disa komuna, ku po bëhet vendosja e personave të subjekteve politike të një komuniteti, në emër të një komitetit tjetër.

    “Ka të bëjë me fenomenin e vendosjes së personave të subjekteve politike dhe të komunitetit tjetër në emër të një të një komunitetit tjetër. Më konkretisht komuna e Dragashit që kemi marrë informacione të sakta. Ne e dimë që këtu i kemi adresuar maksimalisht kërkesat e komunitetit jo shumicë kur kanë kërkuar vende për këshillat e vendvotimit. Kemi apeluar që këto vende janë të përcaktuara vetëm për anëtarët e tyre që vijnë prej komunitetit tyre. Mirëpo, fatkeqësisht në disa pjesë kjo është keqpërdorur dhe një prej tyre është Komuna e Dragashit. Sheh emra të shqiptarëve që janë të vendosur në emër të partive boshnjake apo turke dhe e kundërta në vendvotime të caktuara…Kjo mund të shihet në dy aspekte, e para si shkelje e parimit një anëtar i një partie politike në vendvotim dhe gjithashtu edhe si përpjekje për t’i korruptuar këto pozita, për përfitime materiale qoftë të anëtarëve brenda këtyre KKZ-ve apo njerëzve të tjerë që janë të përfshirë”, tha Krasniqi.

    Krasniqi potencon se ky fenomen po ndodh në Dragash, Deçan e që sipas tij mund të ketë ndodhur edhe në Mitrovicë dhe Pejë.

    “Parimi që një parti politike nuk mund të ketë më shumë se një anëtar në KVV është duke u thyer në Dragash, në Deçan, ndoshta edhe në Mitrovicë dhe Pejë nëse dikush ka vendosur të tjera emra përtej emrave që i ka dërguar vetë subjekti”, tha ai.

    Sipas vendimit të KQZ-së do të shqyrtohen dhe verifikohen rastet kur subjektet politike kanë nominuar persona nga komuniteti tjetër dhe të bëjnë zëvendësimin e tyre. Ndër pikat e diskutuara në mbledhjen e KQZ-së është plotësim-ndryshimi i projektit për transparencë.

    Arianit Elshani tha se KQZ-ja ka siguruar laptopë që do të përdoren në qendra komunale të numërimit në kuadër të këtij projekti

    “Plotësim ndryshimi i projektit për transparencë. Si KQZ ne kemi siguruar laptopët që do të përdoren në qendra komunale të numërimit në kuadër të projektit të transparencës, në këtë rast pa kontratë. Projekti i transparencës paraqet vetëm tre procese të tenderimit të televizorëve dhe pajisje përcjellëse të televizorëve. Pastaj, mbajtësve të televizorëve dhe një tjetër proces për kabllot për lidhjen e kamerave me televizorë ose laptopët me kamera etj., dhe shumëçka tjetër. Këto janë tri kontratat që do të negociohen me operatorët”, tha Elshani.

    Përveç kësaj, KQZ-ja miratoi ndërrimin e tri vendvotimeve në Leposaviq.