ATV

Author: G.O.

  • Shtohen rastet me kancer në Shqipëri, rreth 15 pacientë konsultohen për kimioterapi çdo ditë

    Shtohen rastet me kancer në Shqipëri, rreth 15 pacientë konsultohen për kimioterapi çdo ditë

    Sëmundjet tumorale vazhdojnë të shtojnë numrin e pacientëve në radhët e tyre në Shqipëri.

    Në vitin 2024, në Shqipëri u regjistruan rreth 4 mijë raste me të gjitha llojet e tumoreve.

    Shifrat më të larta ishin për kancerin e gjirit tek gratë dhe të mushkërive tek meshkujt.

    “Kanceri i gjirit prek gratë nga mosha 20 e ca vjeç deri në 90 vjeç . Nëse risku për një grua është 1 në 400 gra, me rritjen e moshën në 70 vjeç shkon 1 në 12, kanceri pulmonary, duhanpirja dhe koha e duhanpirjes kanë impakt në shfaqjen e sëmundjes”, tha Anila Pema, mjeke onkologe.

    Aktualisht 15 pacient çdo ditë konsultohen në shërbimin e kimioterapisë për mënyrën e trajtimit të sëmundjes, që konvertohen në afro 3000 konsulta kimioterapie në vit.

    Onkologja Pema ka theksuar se një pjesë janë paciente që e kanë kapur zbuluar herët sëmundjen dhe vazhdojnë me mjekim normal, pa pasur nevojë për kimio terapi.

    Sipas mjekëve, sëmundjet tumorale, jo vetëm te të rriturit, ato po hasën gjithmonë e më shumë edhe te moshat e reja.

  • Aksident në Suharekë, vetura godet këmbësorin pranë stacionit të autobusëve

    Aksident në Suharekë, vetura godet këmbësorin pranë stacionit të autobusëve

    Një aksident trafiku ka ndodhur pranë stacionit të autobusëve në Suharekë, sot në mëngjes rreth orë 7:30. Për pasojë një këmbësor ka pësuar lëndime trupore pasi u godit nga një automjet.

    Menjëherë pas aksidentit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë dhe ambulanca, të cilat kanë ofruar ndihmën e parë mjekësore.

    Sipas informacioneve të para, këmbësori nuk është në rrezik për jetën, ndërsa pas trajtimit fillestar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, i lënduari është transferuar në Spitalin e Prizrenit për ekzaminime të mëtejshme mjekësore.

    Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësinë e palëve të përfshira.

  • KQZ-ja sot pranon serverët dhe pajisjet përcjellëse për Qendrën e Numërimit të Rezultateve

    KQZ-ja sot pranon serverët dhe pajisjet përcjellëse për Qendrën e Numërimit të Rezultateve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar sot ceremoninë e pranimit të serverëve dhe pajisjeve përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si donacion i Qeverisë së Gjermanisë përmes OSBE-së.

    Ky aktivitet ka për qëllim modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturës së KQZ-së dhe është vazhdimësi e procesit të digjitalizimit të operacioneve zgjedhore.

    Në këtë aktivitet kanë marr pjesë, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde dhe shefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Tejlor.

  • Pesë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit, arrestohen katër të dyshuar

    Pesë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit, arrestohen katër të dyshuar

    Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Fushë-Kosovë, Prishtinë dhe Malishevë. Lidhur me këto raste janë arrestuar tre burra dhe një grua.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në Fushë-Kosovë është arrestuar një person pasi dyshohet se ka shqetësuar ish-të dashurën, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Fushë Kosovë / 04.02.2025 – 04:06. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka shqetësuar ish të dashurën e tij shqiptare shtetase e Shqipërisë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

    Kurse, në Prishtinë raportohet se pas një mosmarrëveshje burri ka sulmuar fizikisht bashkëshorten.

    “Prishtinë / 04.02.2025 – 08:00. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht viktima femër kosovare nga bashkëshorti i saj mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Nuk raportohet për të arrestuar”, njofton Policia.

    Në anën tjetër, në Malishevë janë raportuar tri raste, ku në të parin u arrestua një burrë nën dyshimin se sulmoi fizikisht një grua.

    “Malishevë / 04.02.2025 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

    Në rastin e dytë në Malishevë, bëhet e ditur se është arrestuar një grua që dyshohet se ka probleme pikike, pasi dyshohet se sulmoi anëtarët e familjes.

    “Malishevë / 04.02.2025 – 16:00. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, dyshohet me probleme psikike, pasi që e njëjta dyshohet se ka sulmuar anëtarët e familjes. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në Spitalin Psikiatrik”, njofton Policia.

    Ndërsa, në rastin e tretë në Malishevë raportohet se është arrestuar një i dyshuar për rastin që kishte ndodhur më 11 qershor të vitit që lamë pas.

    “Malishevë / 11.06.2024 – 14:00. Lidhur me rastin, më 04.02.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Nga 5 maji, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë për në Izrael pa viza

    Nga 5 maji, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë për në Izrael pa viza

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, tha se marrëveshja për heqjen e vizave ndërmjet dy vendeve u ratifikua në përvjetorin e katërt të marrëdhënieve diplomatike.

    “Gëzohem t’ju njoftoj se Marrëveshja për heqjen e vizave u ratifikua në përvjetorin e katërt të Marrëdhënieve Diplomatike Izrael-Kosovë”, shkroi ajo në një postim në X.

    “Në javën kur shënojmë 4 vjet marrëdhënie diplomatike midis dy shteteve, Izraeli dhe Kosova ratifikuan marrëveshjen për heqjen e vizave”, shtoi ajo.

    Ambasadorja Ziv theksoi se “që nga 5 maji 2025, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Izrael si turistë pa pasur nevojë për vizë”.

     

  • Grenell publikon ndalimin e fondeve të USAID-it, e pëson më së shumti Kosova

    Grenell publikon ndalimin e fondeve të USAID-it, e pëson më së shumti Kosova

    I dërguari i SHBA-së për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka publikuar fondet e USAID-it që organizatat jo qeveritare në Ballkan kanë përfituar për 4 vjet.

    Kësisoj, gjatë periudhës 2020- 2024, sipas shifrave të publikuara nga Grenell, OJF- të në Shqipëri kanë marrë 189 milionë dollarë për 4 vjet. Në total për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor USAID-i ka dhënë 1.7 miliardë dollarë, ndërsa në vendin e parë renditet Kosova.

    Në një postim në platformën X, i dërguari i Trumpit shkruan se “amerikanët e palodhur paguajnë taksa, ndërsa politikanët në Uashington i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur”. Sipas tij, miliarda dollarë u janë dhënë organizatave joqeveritare të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në ato vende.

    Shifrat e USAID

    Kosova: 537 millionë $

    Bosnje e Hercegovina: 402 millionë $

    Maqedonia e Veriut: 290 millionë $

    Serbia: 209 milionë $

    Shqipëria: 189 milionë $

    Mali i Zi: 77 milionë $

    Totali: 1.7 miliardë dollarë

    Fill pas marrjes së detyrës presidenti Trump vendosi një ngrirje 90-ditore të ndihmave që SHBA-ja i jep për vendet e tjera. Kjo është në kuadrin e masave që administrata e presidentit Trump po merr në Qeverinë federale dhe për programet e saj. USAID-i dhe ndihma për vendet e tjera janë ndër ato që janë goditur më shumë.

     

  • Arrestohen pesë të dyshuar për vrasje në tentativë në Pejë

    Arrestohen pesë të dyshuar për vrasje në tentativë në Pejë

    Pesë persona janë arrestuar nën dyshimin për tentim vrasje në Pejë.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti kishte ndodhur më 29 janar 2025 dhe është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

    Tutje në raport thuhet se katër prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje.

    “Lidhur me rastin, pas hetimeve intensive më 04.02.2025 janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit katër prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Osmani sot në Departamentin amerikan të Shtetit

    Osmani sot në Departamentin amerikan të Shtetit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takohet sot me një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) në Shtetet e Bashkuara.

    DASH-i njoftoi në uebsajtin e vet se Osmani do të takohet me Louis L. Bonon, zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

    Presidenca e Kosovës nuk ka njoftuar për ndonjë takim të tillë.

    Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe Osmani do të jetë udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të administratës Trump.

    Bono është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.

    Ai ka punuar edhe në Ambasadën amerikane në Berlin, si dhe ka qenë zëvendëspërfaqësues i përhershëm në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

    Osmani, e cila e kishte uruar Trumpin për fitimin e zgjedhjeve në nëntor, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës në fund të vitit të kaluar bëri thirrje para deputetëve për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.

    Ajo tha asokohe se aleanca e Kosovës me vendet e tjera është “më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

    Osmani i bëri ato thirrje në një kohë kur Qeveria e Kosovës po kritikohej nga bashkësia ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe, të cilat lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

    Vizita e Osmanit në DASH vjen dy ditë pasi i dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

    Grenell – ish-ambasador amerikan në Berlin – i bëri këto kritika në rrjetin social X, më pak se një javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt.

    Radio Evropa e Lirë kontaktoi kabinetin e kryeministrit Kurti, në lidhje me këto komente, por nuk mori përgjigje.

    Kurti i ka justifikuar ato veprimet si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    James O’Brien, i cili në administratën e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit, ka thënë se Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

    Edhe pas kësaj deklarate, Kurti ka këmbëngulur se SHBA-ja mbetet partnerja më e rëndësishme e Kosovës.

  • Ideja e Trumpit për Gazën, reagon Arabia Saudite

    Ideja e Trumpit për Gazën, reagon Arabia Saudite

    Arabia Saudite riafirmoi mbështetjen e saj “të palëkundur” për një shtet palestinez të mërkurën pasi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump përsëriti synimin e tij që SHBA të “marrë përsipër” pronësinë e Rripit të Gazës gjatë një konference për shtyp me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

    Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite përsëriti gjithashtu qëndrimin e saj se nuk do të angazhohej për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin pa garancinë e një shteti palestinez.

    “Arabia Saudite do të vazhdojë përpjekjet e saj të pandërprera për të krijuar një shtet të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet dhe nuk do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa këtë”, thuhet në deklaratën në Twitter.

    Ministria bëri thirrje gjithashtu për “përfundimin e pushtimit izraelit të tokave palestineze”.

  • E konfirmon KQZ-ja: 36 mijë e 500 pako me fletëvotime nga diaspora kanë arritur tek ne

    E konfirmon KQZ-ja: 36 mijë e 500 pako me fletëvotime nga diaspora kanë arritur tek ne

    36 mijë e 500 pako me fletëvotime nga diaspora kanë ardhur mbrëmë në Kosovë.

    Lajmin e ka ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    “Mund t’iu konfirmoj se gjatë mbrëmjes së sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellur 36,500 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Gjermania dhe Zvicra”.

    “Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve”.

    “Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë”, tha Elezi.

    Tutje Elezi ka thënë se kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025.