ATV

Author: G.O.

  • KQZ-ja shtyn afatin për regjistrim për votim për personat me nevoja të veçanta

    KQZ-ja shtyn afatin për regjistrim për votim për personat me nevoja të veçanta

    Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka shtyrë afatin për regjistrim për votimin e personave me nevoja të veçanta në Kosovë.

    Afati për regjistrim është shtyrë deri më 06.02.2025, në ora 24:00.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se është shtyrë afati për regjistrim për votim për personat me nevoja të veçanta, deri më 06.02.2025, në ora 24:00.”, thuhet në njoftimin e KQZ.

    Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës mbahen më 09.02.2025.

    Fushata për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht, më 11.01.2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë, më 17.02.2008.

  • Raporti i OJQ-ve: 16 kandidatë për deputetë me aktakuza aktive

    Raporti i OJQ-ve: 16 kandidatë për deputetë me aktakuza aktive

    Gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kanë aktakuza aktive, u tha në një raport të organizatave joqeveritare të prezantuar të enjten.

    Gjatë prezantimit të raportit “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”, u tha se në listat e tyre zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kandidatë që kanë probleme me ligjin, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Sipas Burbuqe Kastratit, hulumtuese në Lëvizjen FOL, këto parti së bashku kanë 23 persona që kanë probleme me ligjin. Kjo, sipas saj, nënkupton se ka kandidatë që kanë akuza aktive ose që në të kaluarën janë dënuar për të ndryshme vepra penale.

    Sipas raportit të OJQ-ve Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL dhe INPO, nga 16 kandidatë, tre prej tyre kanë më shumë se një aktakuzë aktive.

    Numri i aktakuzave ndaj tyre arrin në 20, ndërkaq numri i veprave penale në 21.

    Me aktakuzë aktive, Lëvizja Vetëvendosje ka në listë tetë kandidatë, Koalicioni AAK-Nisma shtatë dhe LDK-ja një kandidat për deputetet, u tha në raportin e OJQ-ve.

    Kastrati tha se ka aktakuza të natyrës korruptive, sikurse keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Por, ka edhe aktakuza për armëmbajtje pa leje, pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe sulm ndaj personit zyrtar.

    Raporti përfshin edhe të dhëna sa i përket dënimeve për vepra penale të kandidatëve për zgjedhjet e 9 shkurtit. Tetë kandidatë janë dënuar në të kaluarën për vepra të ndryshme penale.

    Por, atyre nuk iu pamundësohet gara në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kjo pasi, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, një person që është i dënuar në formë të prerë në tre vjetët e fundit për një vepër penale me një ose më shumë vjet burgim, nuk mund të kandidojë në zgjedhje.

    Edhe në zgjedhjet e mëparshme, në listat zgjedhore ka pasur kandidatë me probleme me ligjin. Atëbotë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kishte certifikuar 47 prej tyre për shkak se ata ishin shpallur fajtorë në tre vjetët e fundit, teksa në listën përfundimtare zgjedhore kishin kandiduar 15 persona që kishin probleme me ligjin.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Në listat zgjedhore gjithsej janë 1.280 kandidatë për përbërjen e re parlamentare.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.

  • Thellohen hetimet mbi një vdekje misterioze në fshatin Gllamnik të Podujevës

    Thellohen hetimet mbi një vdekje misterioze në fshatin Gllamnik të Podujevës

    Policia e Kosovës ka nisur hetim lidhur me një rast të dyshimtë vdekje në fshatin Gllamnik të Podujevës.

    Sipas raportit të sotëm të policisë, njësitet përkatëse kanë dalë në vendngjarje për të kryer ekzaminimet e nevojshme nën mbikëqyrjen e prokurorit të shtetit.

    “Lidhur me rastin njësitë policore kanë dal në vendngjarje për të kryer të gjitha veprimet hetimore dhe ekzaminimet e nevojshme për të zbardhur rastin. Hetimet janë duke u kryer nën mbikëqyrjen e prokurorit të Shtetit”.

    Ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës, më 2 shkurt 2025, kur një veturë e tipit Golf 7 është gjetur e djegur në këtë zonë. Gjatë ekzaminimit të mjetit, hetuesit kanë zbuluar mbetje kockore, të cilat më vonë u konfirmuan nga ekspertiza mjekoligjore se i përkisnin një njeriu.

    Prokuroria e shtetit ka angazhuar menjëherë një ekspert antropolog mjekoligjor për të verifikuar identitetin e mbetjeve, ndërsa hetimet po vazhdojnë me intensitet të lartë. Prokurori i rastit ka autorizuar hetime të thelluara në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për të zbardhur rrethanat e plota të këtij rasti.

    Në këtë fazë të hetimeve, autoritetet nuk kanë dhënë më shumë detaje, por kanë siguruar se janë të angazhuara maksimalisht për të zbuluar të vërtetën dhe për të siguruar drejtësi. Hetimet po zhvillohen në disa pista dhe informacione të tjera priten në ditët në vijim.

  • Vdekja e 13-vjeçares shqiptare që tronditi Italinë, rezultatet e autopsisë përjashtojnë hipotezën e vetëvrasjes: “Me siguri është shtyrë”

    Vdekja e 13-vjeçares shqiptare që tronditi Italinë, rezultatet e autopsisë përjashtojnë hipotezën e vetëvrasjes: “Me siguri është shtyrë”

    Vdekja e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila tronditi opinionin publik në Itali, ka marrë fund me zbardhjen e të vërtetës pas autopsisë që ka zbuluar rrethana tronditëse.

    Në fillim, u raportua se vajza kishte rënë nga tarraca e një pallati, por pas hetimeve të mjekëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Pavia, është vërtetuar se Aurora nuk ishte vetëhedhur, por ishte shtyrë nga dikush.

    Dëmtimet fatale të kokës, që shkaktuan vdekjen e menjëhershme, u konfirmuan nga autopsia, e cila zbuloi se ajo kishte pësuar fraktura të shumta edhe në vende të tjera.

    Hetimet e kryera nga karabinierët e Piacenzës kanë zbuluar dëshmi të tjera të rëndësishme. Tre persona kanë dhënë informacione të ndryshme, ku dy prej tyre pretendojnë se kanë parë skenën e ngjarjes, ndërsa një i treti ka dëgjuar britmat e vajzës gjatë incidentit.

    Dëshmitarët kanë pohuar se kanë parë Aurorën duke u mbajtur pas parmakut, ndërsa ish-dashuri i saj, 15-vjeçar, e godiste atë me grushte për ta shtyrë të binte.

    Përveç dëshmive të mbledhura, hetuesit kanë identifikuar dëmtime të dukshme në duar, veçanërisht në kyçet e gishtave, që mund të tregojnë përpjekje për të mbajtur ekuilibrin dhe për të mbrojtur veten.

    Ish-i dashuri i Aurorës është arrestuar dhe akuzohet për vrasje me dashje, duke shkaktuar tragjedinë që mori jetën e vajzës në 25 tetor 2024, teksa ai vetë i mohon këto akuza.

  • Aksidentohet autobusi i kompanisë kosovare në Kroaci

    Aksidentohet autobusi i kompanisë kosovare në Kroaci

    Një autobus i një kompanie kosovare ka dalë jashtë rrugës në autostradën afër Donja Zdençinës në Kroaci të mërkurën në mbrëmje, por për fat të mirë, pa lëndime të rënda në njerëz, raporton “24sata.hr”.

    Autobusi doli jashtë rrugës pasi shoferi humbi kontrollin e timonit.

    Në autobus ishin 26 pasagjerë dhe dy shoferë. Dy prej tyre pësuan lëndime të lehta.

    Siç ka thënë policia e Zagrebit, të gjithë pasagjerët shpëtuan pasi dolën nga dera e shoferit.

     

  • Tragjike në Gjermani, nëna vret dy djemtë e saj dhe më pas veten

    Tragjike në Gjermani, nëna vret dy djemtë e saj dhe më pas veten

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 4 shkurtit në Gjermani, kur një burrë gjeti bashkëshorten dhe dy djemtë e tij pa shenja jete kur u kthye në shtëpi.

    Siç raportojnë mediat gjermane, gruaja 45-vjeçare ka vrarë dy djemtë e saj adoleshentë (14 dhe 16 vjeç) e më pas i ka dhënë fund dhe jetës së saj.

    Tragjedia familjare raportohet se ka ndodhur në banesën e tyre në Villingen-Schwenningen.

    Punonjësit e shpëtimit mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e tyre. Oficerët gjetën një thikë, e cila dyshohet të jetë arma e vrasjes.

    Departamenti i Hetimeve Penale ka nisur hetimet e mëtejshme, duke marrë në pyetje fqinjët në lagje të martën në mbrëmje ndërkohë që ekipi i mjekësisë ligjore siguruan prova.

  • 26 vjet nga konferenca e Rambujesë

    26 vjet nga konferenca e Rambujesë

    Më 6 shkurt 1999 filloi punimet Konferenca e Rambujesë në afërsi të Parisit, e cila synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

    Iniciues të konferencës, e cila zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA, Boris Maiorsky – Rusi dhe Wolfgang Petritsch – BE.

    Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit.

    Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

    Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

    As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i emisarit special të SHBA-së Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bindë presidentin e atëhershëm të RSFJ-së, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

    Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

    Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

    Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

  • Mandl: Serbisë nuk i besohet, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

    Mandl: Serbisë nuk i besohet, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka folur për sfidat e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ndikimin e mundshëm të administratës Trump dhe situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

    Sipas Mandl, marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksi i saj i zbatimit më 18 mars në Ohër po përballen me pengesa për shkak të qasjes së Serbisë.

    Ai në një intervistë për Telegrafin, thekson se Serbia nuk ka qenë e besueshme as në çështje të vogla.

    “Nëse Serbia nuk sillet e besueshme në gjëra të vogla, si mund të pritet që pala tjetër të ndërmarrë hapa të mëdhenj?” pyet ai.

    I pyetur për mundësinë e një marrëveshjeje përfundimtare gjatë mandatit të administratës Trump, ai thotë se “një marrëveshje përfundimtare mund të nënkuptojë vetëm njohjen – përndryshe, nuk do të ishte përfundimtare”.

    Mandl konsideron se Bashkimi Evropian nuk duhet të pres vetëm nga SHBA-ja, por të angazhohet më shumë për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Duke komentuar tensionet e fundit, përfshirë rastin “Banjska” dhe shpërthimin në lumin Ibër-Lepenc, Mandl thekson se status quo-ja nuk i shërben stabilitetit rajonal.

    “Çdo person i arsyeshëm dhe i ndërgjegjshëm duhet të punojë për të ndryshuar status quo-në për më mirë”, deklaron ai.

    Eurodeputeti austriak thotë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të presin që BE-ja ose pala tjetër të ofrojë zgjidhje, por të kenë vetë-iniciativë dhe të paraqesin propozime të arsyeshme për dialogun.

    Sipas Mandl, e ardhmja e rajonit varet nga njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, besueshmëria në arenën ndërkombëtare dhe puna e vazhdueshme për forcimin e shtetit të së drejtës dhe arsimit.

    Në lidhje me faktin që Milan Radoiçiq vazhdon të lëvizë lirshëm në Serbi, pavarësisht përfshirjes së tij në incidentin e Banjskës, Mandl thekson se ky hezitim i Serbisë nuk është surprizues, duke shtuar se problemi qëndron tek presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Por është e rëndësishme të theksohet se po flasim për autoritetet serbe dhe jo për popullin e Serbisë në tërësi”, u shpreh Mandl.

    Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

    Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Brukseli ka akuzuar të dyja palët për moszbatim të marrëveshjes.

    Zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë kanë shprehur vazhdimisht qëndrime që lënë të kuptohet se nuk janë të gatshëm t’i përmbahen marrëveshjes.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjes, pasi, siç konsideron ai, kjo do të ishte garanci që edhe Serbia do t’i përmbushte obligimet e saj.

    Në mes të janarit të 2024-ës ai tha po ashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioritet” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se nuk duhet veçuar.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte qenë i prerë se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për sot parashikohet mot i vranët dhe me intervale kohore me diell.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin nga -6°C deri -3°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 4°C deri në 7°C.

    Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 m/s.

  • 100 prokurorë do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve

    100 prokurorë do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës ka bërë të ditur se 100 prokurorë do të jenë të angazhuar për ditën e zgjedhjeve nacionale në Kosovë.

    Gjithashtu, ai tha se të angazhuar janë edhe 30 persona nga stafi administrativ.

    Në mbledhjen e Këshillit, u diskutua kërkesa e Koordinatores Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, e cila ka kërkuar pagesë për prokurorët e angazhuar në ditën e zgjedhjeve. Ndërsa, shuma ka kërkuar që të caktohen nga Këshilli.

    Kelmendi tha se janë angazhuar që në secilën komunë të ketë prokurorë kujdestarë që mbarëvajtja e zgjedhjeve të shkojë sa më mirë, ku do të ketë kujdestari edhe pas orës së votimit.