ATV

Author: G.O.

  • Digjet një veturë në Podujevë, gjenden mbetje kockore të njeriut

    Digjet një veturë në Podujevë, gjenden mbetje kockore të njeriut

    Një veturë është djegur të martën në fshatin Gllamnik të Podujevës, e në të dyshohet se ka qenë edhe një person.

    Lajmi u bë i ditur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, ku ndër të tjera thuhet se prokurori i shtetit ka angazhuar ekspertin antropolog mjeko-ligjor, i cili ka konstatuar se këto mbetje janë të njeriut.

    “Më datë 04.02.2025 prokurori kujdestar është informuar nga Stacioni Policor në Podujevë për gjetjen e një veture të djegur dhe me rastin e ekzaminimit ka rezultuar se brenda saj ka prezencë të mbetjeve kockore, me ç’rast prokurori i shtetit ka angazhuar ekspertin antropolog mjeko-ligjor, i cili ka konstatuar se këto mbetje janë të njeriut”, thuhet në njoftim.

    Tutje në njoftim thuhet se prokurori i shtetit ka autorizuar dhe në koordinim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit.

    “Duke pasur parasysh që jemi në fazën fillestare të rastit, për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo prokurori i shtetit është i përkushtuar që në bashkëpunim dhe koordinim me organet e rendit të zbardh në tërësi rastin”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e tre policëve në Podujevë, nuk i arrestuan të përfshirët në një përleshje

    IPK-ja rekomandon suspendimin e tre policëve në Podujevë, nuk i arrestuan të përfshirët në një përleshje

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të stacionit policor të Podujevës. Ata dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” gjatë reagimit të tyre në një rast të përleshjes.

    Incidenti ka ndodhur më 16 janar të vitit 2025 në Podujevë ku disa persona ishin duke u përleshur fizikisht mes vete dhe zyrtarët policorë në ato momente kanë qenë duke kaluar me veturë private por në uniformë zyrtare dhe kanë kontaktuar me palët e përfshira në rast

    Ata dyshohet se nuk kanë arrestuar ndonjë nga të dyshuarit dhe nuk kanë marrë ndonjë veprim tjetër dhe të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

    “Sidoqoftë, bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se këta zyrtarë policorë nuk kanë arrestuar ndonjë nga të dyshuarit dhe nuk kanë marrë ndonjë shënim apo veprim tjetër kështu që palët e dyshuara janë larguar nga vendi i ngjarjes”.

    Sipas IPK-së njëri nga policët kishte lidhje familjare me një nga të dyshuarit.

    “Dyshimet e hetuesve të IPK-së janë se kjo kishte ndodhur pasi që njëri nga zyrtarët policor kishte lidhje familjare me njërin nga të dyshuarit.”

    “Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të tre zyrtarëve policorë. IPK falënderon Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e treguar dhe angazhimin e përbashkët drejt fuqizimit të integritetit policor. IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”.

  • Arrestohen tre persona për posedim të narkotikëve në Prizren, sekuestrohet një veturë dhe gjësende tjera

    Arrestohen tre persona për posedim të narkotikëve në Prizren, sekuestrohet një veturë dhe gjësende tjera

    Tre persona janë arrestuar të martën pasi gjatë kontrollit në veturë, shtëpi dhe objekte përcjellëse, janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se janë sekuestruar 227.33 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 70.98 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit ekstazi, 2087.11 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 297.32 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit të panjohur, një veturë, dy peshore elektronike, tre telefona celularë, një fishekë, një kamerë, disa dokumente identifikuese të personave të ndryshëm dhe 380€ para të gatshme.

    “Si rezultat i punës dhe angazhimeve policore me datë 04.02.2025 në Prizren janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak se gjatë kontrollit tek të njëjtit në veturë, shtëpi dhe objekte përcjellëse janë gjetur dhe sekuestruar: 227.33 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 70.98 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit ekstazi, 2087.11 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 297.32 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit të panjohur, një veturë, dy peshore elektronike, tre telefona celularë, një fishekë, një kamerë, disa dokumente identifikuese të personave të ndryshëm dhe 380€ para të gatshme”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu sipas njoftimi tre të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa një i dyshuar tjetër është në kërkim policor.

  • Ministrja e Jashtme gjermane thotë se dëbimi i palestinezëve nga Gaza do të ishte i papranueshëm

    Ministrja e Jashtme gjermane thotë se dëbimi i palestinezëve nga Gaza do të ishte i papranueshëm

    Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha të mërkurën se Rripi i Gazës i përket palestinezëve dhe dëbimi i tyre do të ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, raporton Reuters.

    “Popullsia civile e Gazës nuk duhet të dëbohet dhe Gaza nuk duhet të pushtohet ose ripopullohet përgjithmonë”, tha Baerbock në një deklaratë.

    “Është e qartë se Gaza – ashtu si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor – i përket palestinezëve. Ato përbëjnë bazën për një shtet të ardhshëm palestinez”.

    “Kjo do të çonte gjithashtu në vuajtje të reja dhe urrejtje të re”, tha Baerbock në një deklaratë, duke shtuar: “Nuk duhet të ketë zgjidhje mbi kokat e palestinezëve”.

    LEXONI EDHE:

    Franca del kundër propozimit të Trumpit për kontrollin e Gazës e zhvendosjen e palestinezëve

  • Zelensky: I gatshëm për negociata të drejtpërdrejta me Putinin

    Zelensky: I gatshëm për negociata të drejtpërdrejta me Putinin

    Tri vjet pas pushtimit rus, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se është gati për negociatat e drejtpërdrejta me presidentin rus, Vladimir Putin, nëse kjo mbetej alternativa e vetme.

    “Nëse kjo është e vetmja mundësi për të sjellë paqe për qytetarët e Ukrainës dhe për të mos humbur jetë, ne patjetër do të zgjedhim këtë opsion”, tha presidenti ukrainas në përgjigje të një pyetjeje të gazetarit britanik, Piers Morgan, në një intervistë të postuar në YouTube.

    Udhëheqësi ukrainas shtoi më pas se do të pranonte një “takim me katër pjesëmarrës”, pa specifikuar se cilët do të ishin ata, megjithëse ditët e fundit kishte ngritur mundësinë e negociatave me Rusinë, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

    Zelensky deri më tani e ka hedhur poshtë gjithmonë idenë e negociatave, veçanërisht me Moskën, e cila synon të vendosë kushtet e veta.

    Jo vetëm kaq, pasi në vitin 2022 ai ndaloi me një dekret çdo negociatë me Rusinë për sa kohë që Putini qëndronte në pushtet.

    Por, ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe avancimi i ushtrisë ruse në Donbas ka përshpejtuar mundësinë e bisedimeve, ndërkohë që Trump ka folur për një dialog të vazhdueshëm me Moskën.

    Kievi është gjithashtu i gatshëm të marrë investime nga kompanitë amerikane për të nxjerrë minerale të rralla nga territori i tij, i cili është i pasur me to, pasi Trump kishte vendosur qartë si kusht marrjen e këtyre mineraleve strategjike për teknologjinë moderne industriale në këmbim të furnizimeve me armë amerikane.

  • Franca del kundër propozimit të Trumpit për kontrollin e Gazës e zhvendosjen e palestinezëve

    Franca del kundër propozimit të Trumpit për kontrollin e Gazës e zhvendosjen e palestinezëve

    Franca të mërkurën i kundërshtoi komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili sugjeroi që Shtetet e Bashkuara do të mund ta marrin kontrollin e Gazës dhe palestinezët mund të zhvendosen diku tjetër.

    “Franca e përsërit kundërshtimin e saj ndaj çfarëdo zhvendosjeje të popullsisë palestineze të Gazës, që do të mund të përbënte shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare, sulm ndaj aspiratave legjitime të palestinezëve, por gjithashtu pengesë të madhe ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe një faktor destabilizues për partnerët tanë të ngushtë, Egjiptin e Jordaninë, si dhe për mbarë rajonin” – tha në një deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Francës, Christophe Lemoine, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Ai shtoi se e ardhmja e Gazës duhet të jetë në kontekstin e një shteti palestinez të ardhshëm dhe se ajo nuk duhet të kontrollohet nga një vend i tretë.

  • Tentim vrasja në Prishtinë, Shkumbin Sekiraqa dënohet me 4 vjet e 6 muaj burgim

    Tentim vrasja në Prishtinë, Shkumbin Sekiraqa dënohet me 4 vjet e 6 muaj burgim

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shkumbin Sekiraqës, duke e dënuar me dënim unik me 4 vjet e gjysmë burgim pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndim të lehtë trupor”. Kurse, Muhedin Haliti u lirua nga akuza.

    I akuzuari Shkumbin Sekiraqa- djali Salih Sekiraqës (njërit prej të dyshuarve për vrasjen e Premtim Gashit më 1 shtator në Aktash në Prishtinë), akuzohej për tentim vrasjen e Pajtim Gashit, (vëllait të tani të ndjerit Premtim Gashi).

    Aktgjykimim ndaj Sekiraqës dhe Halitit u shpall të mërkurën nga gjykatësi Naser Foniqi.

    Sipas aktgjykimit, Sekiraqa u dënua me 4 vjet burgim për “Lëndim të lehtë trupor” vepër kjo që iu rikualifikua nga “Vrasja në tentativë”. Kurse, me 1 vjet burgim u dënua për armëmbajtje pa leje.

    Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 4 vjet e 6 muaj burgim.

    “Rikualifikimi është bërë sepse ne kemi ardhë në përfundimin se Sekiraqa i ka pasë të gjitha mundësitë me privu nga jeta, por nuk e ka bërë. Atë nuk e ka penguar asgjë që të shtie në pjesë të tjera të trupit dhe me kondak e ka goditur në kokë, për këtë e kemi bë rikualifikimin”, tha gjyqtari Foniqi.

    Por, Sekiraqa u lirua nga akuza për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, pasi nuk u provua se ka kryer këtë vepër penale.

    Kurse, Muhedin Haliti u lirua nga akuza për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprave penale”.

    I akuzuari Sekiraqa obligohet të paguajë paushallin gjyqësor prej 200 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave.

    Të akuzuarit Sekiraqa i vazhdohet paraburgimi deri më plotfuqishmëri të aktgjykimit.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 gusht 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj Shkumbin Sekiraqës (djali i të dyshuarit për vrasjen në Aktash, Salih Sekiraqa), i cili akuzohet për tentim vrasjen e Pajtim Gashit (vëllait të tani të ndjerit Premtim Gashi).

    Sipas aktakuzës, më 4 mars 2024, në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, derisa ishte duke lëvizur me veturë, pronë e të pandehurit Muhedin Haliti, Shkumbin Sekiraqa ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një automjet tjetër në atë rrugë. I pandehuri Sekiraqa për arsye të panjohura, me dashje dhe me qëllim që të privojë nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi, pas bisedës me NN personin, i vihen pas të dëmtuarit Gashi, dalin nga vetura dhe i drejtohet me fjalët “Paja shoq a po me njeh mu”.

    Aktakuza thotë se më pas e sulmojnë fizikisht, në atë mënyrë që fillimisht Shkumbin Sekiraqa nxjerrë armën e zjarrit duke shtënë në drejtim të Gashit, e më pas e godet në kokë me kondak të armës, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe një plagë në këmbë të djathtë.

    Aty thuhet se i dëmtuari Gashi, edhe pse ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri ka shtënë me armë në drejtim të tij.

    Me këtë, Sekiraqa akuzohej se në bashkëkryerje me NN personin, ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

    Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, Sekiraqa me anë të përdorimit të armës në vend publik, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve. Kjo pasi derisa ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit Pajtim Gashi, ka rrezikuar personat e tjerë që ishin në rrugë.

    Me këtë, Sekiraqa akuzohej se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, par.1 të Kodit Penal.

    Kurse, në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë, i pandehuri Sekiraqa prej kohës së panjohur, ka mbajtur në posedim armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin për armët.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Kurse, Muhedin Haliti, thuhet se me dashje ndihmoi të pandehurin Shkumbin Sekiraqa, duke fshehur provën- veturën e cila ishte pronë e tij (Halitit), të cilën Sekiraqa e ka pasur në shfrytëzim në ditën kritike. Më tej, thuhet se as kryerjes së veprës penale nga Sekiraqa, i akuzuari Haliti, e ka fshehur veturën në garazhin e tij dhe kur ishte pyetur nga pjesëtarët e policisë, kishte deklaruar se e ka shitur.

    Me këtë, Muhedin Haliti akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par. 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

  • Cristiano Ronaldo sot feston ditëlindjen, kaq vite ka mbushur

    Cristiano Ronaldo sot feston ditëlindjen, kaq vite ka mbushur

    Sot është një ditë e veçantë për një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. Cristiano Ronaldo dos Santos Aveiro, feston ditëlindjen e 40-të.

    Ai ka lindur më 5 shkurt 1985, në Funchal të ishullit portugez Madeira.

    Duke qenë një nga emrat më të spikatur të botës së sportit, në karrierën e tij ka fituar shumë trofe dhe ka luajtur për disa skuadra të njohura si: Sporting Lisbona, Manchester United, Real Madrid, Juventus dhe së fundmi luan për skuadrën nga Arabia Saudite, Al Nassr.

    Tre trofe të Premier League, dy të La Liga-s, dy të Serie A, pesë Champions League, katër trofe të Kupës së Botës për klube, tre Superkupa të Evropës.

    Po ashtu edhe me kombëtaren e Portugalisë, si kapiten i saj e ka fituar edhe një titull të Kampionatit Evropian.

    Në aspektin individual, CR7, i ka hiç më pak se pesë “Topa të artë”.

    Ai i ka thyer thuajse të gjitha rekordet në botën e futbollit, lojtarin e vetëm që e ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve, golashënuesin më të mirë të Portugalisë, golashënuesin më të mirë të Real Madridit, dhe golashënuesin më të mirë në histori të futbollit.

    Deri më tash, tanimë 40-vjeçari i ka realizuar 923 gola në karrierën e tij profesionale.

    Në një moshë kur shumë futbollistë vendosin t’i ‘varin’ këpucët, ai duket se është në top formë duke dominuar me paraqitjet e tij aktive, si me skuadrën Al Nassr si me kombëtaren portugeze.

    Cristiano Ronaldo aktualisht është i martuar me modelen Georgina Rodriguez, dhe i ka pesë fëmijë.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të dyshuarit për falsifikim të dokumenteve

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të dyshuarit për falsifikim të dokumenteve

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”.

    Në një postim në Facebook, Policia e ka publikuar fotografinë e të dyshuarit, ku edhe ka kërkuar nga qytetarët që nëse kanë informacione për vendndodhjen e tij, të kontaktojnë autoritetet policore.

    “Njësi për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, me autorizime nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin, vendndodhjen dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi.

    Personi i dyshuar kërkohet për vepër penale “Falsifikim i dokumenteve”. Për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendodhjen e tij, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 dhe 045321646”, shkruhet në postim.

  • Një i vrarë dhe pesë të plagosur si pasojë e një sulmi në Ohio të SHBA-së

    Një i vrarë dhe pesë të plagosur si pasojë e një sulmi në Ohio të SHBA-së

    Policia në Ohio të SHBA-së ishte duke kërkuar një sulmues që vrau një person dhe plagosi pesë të tjerë në një depo në qytetin New Albany, thanë autoritetet.

    Sulmuesi është identifikuar dhe policia ishte “duke punuar për ta sjellë të dyshuarin në ndalim”, thuhet në një deklaratë të zyrtarëve lokalë, ku shtohet se të gjithë punëtorët janë larguar nga depoja ku ndodhi rasti, raporton “Reuters”.

    Incidenti duket si “sulm i llojit të shënjestruar”, tha komandanti lokal i policisë, Greg Jones, pa ofruar hollësi.

    Ai po ashtu tha se para sulmit nuk kishte ndonjë zënkë dhe motivi nuk është zbuluar.

    Një armë zjarri u gjet në vendin e ngjarjes, thuhet në raport, pa u ofruar hollësi për llojin e saj.

    Policia iu përgjigj raportimeve për një sulmues aktiv duke e izoluar depon e kompanisë për produkte të kujdesit personal, “KDC/One”, thanë autoritetet lokale.

    Pesë të plagosurit janë dërguar në spital për trajtim, tha një zyrtar i qytetit.