ATV

Author: G.O.

  • Intervenime në 7 zona të Prishtinës, pritet të ketë ndërprerje të ujit

    Intervenime në 7 zona të Prishtinës, pritet të ketë ndërprerje të ujit

    Kompania Rajonale e Ujesjellësit “Prishtina” ka njoftuar për intervenime në disa zona të kryeqytetit.

    Ekipet e mirëmbajtjes, janë duke punuar në teren për të realizuar intervenime në këto zona të cilat do të nisin intervenimet: ‘Rr. UÇK’, ‘Rr. Lidhja e Lezhës’, ‘Rr. Zagrebit’, ‘Rr. Hakif Sheholli’, ‘Rr. Bija e Vokshit’, ‘Rr. Ismet Krasniqi’, ‘Rr. Shaqir Igrishta’.

    Sipas njoftimit, qëllimi i këtyre intervenimeve është përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

    “Falënderojmë banorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë zhvillimit të punimeve”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

  • Rama: Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës

    Rama: Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale në dialogun me Kosovën, pasi, sipas tij, nuk është e gatshme ta pranojë realitetin e krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    Në një intervistë për Euronews, Rama tha se nuk ekziston më koncepti “Kosovë dhe Metohi”, por vetëm Republika e Kosovës.

    “Serbia është më përgjegjësja për situatën që kemi në dialog, sepse nuk është e gatshme të pranojë realitetin, dhe realiteti ka ndryshuar. Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës”, tha Rama.

    I pyetur për faktin se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, kryeministri shqiptar tha se pesë nga 27 shtete anëtare përbëjnë një numër të vogël dhe, sipas tij, tregojnë se shumica dërrmuese e ka njohur realitetin.

    “Kjo nuk ka të bëjë me dobësinë. Ka të bëjë me pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar. Ashtu si të gjithë popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën e tyre dhe u bënë të pavarur, edhe shqiptarët patën të drejtën e vetëvendosjes. Sigurisht, me bashkëpunim të mirë dhe një marrëdhënie harmonike me pakicën. Sot, shqiptarët nuk janë më pakicë në Serbi, por serbët janë pakicë në Kosovë”, tha Rama.

    Rama theksoi se Serbia, si vendi më i madh në rajon, ka rolin dhe historinë e saj me të cilat duhet të përballet.

    “Sipas mendimit tim, dhe e thashë këtë në Beograd, sa më shpejt Serbia të përballet me realitetin se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë”, tha Rama.

  • Raporti i OKB-së: Qershori muaji më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    Raporti i OKB-së: Qershori muaji më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    Numri i civilëve të vrarë në Ukrainë gjatë muajit qershor të vitit 2026 ka arritur nivelin më të lartë mujor që nga muajt e parë të pushtimit rus në vitin 2022, sipas një raporti të ri të Misionit të OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë.

    Sipas raportit, gjatë muajit qershor janë dokumentuar të paktën 293 civilë të vrarë dhe afro 2 mijë të tjerë të plagosur, si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë rusë në qytete të ndryshme të Ukrainës.

    OKB-ja ka theksuar se përdorimi në rritje i armëve me rreze të gjatë veprimi, si dhe sulmet ndaj zonave të banuara, kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të numrit të viktimave civile.

    Sipas të dhënave të verifikuara nga organizata, që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, në Ukrainë janë regjistruar mbi 16 mijë e 400 civilë të vrarë dhe më shumë se 48 mijë e 400 të plagosur.

    Megjithatë, OKB-ja vlerëson se bilanci real i viktimave mund të jetë më i lartë, për shkak të vështirësive në verifikimin e rasteve në zonat e pushtuara.

    Raporti paralajmëron se, pas një muaji maj me numër të lartë viktimash, situata humanitare është përkeqësuar edhe më tej në qershor, duke e bërë këtë muajin më vdekjeprurës për civilët në më shumë se katër vjet luftë.

  • Arrestohen dy të dyshuar në Prishtinë, sulmuan një burrë

    Arrestohen dy të dyshuar në Prishtinë, sulmuan një burrë

    Dy persona janë arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohen se kanë sulmuar fizikisht një burrë, i cili si pasojë ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 14 korrik rreth orës 11:05.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

    Policia ka iniciuar rastin si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

  • “Amerikanët janë lodhur nga kjo”: ShBA drejt heqjes së ndryshimit të orës dy herë në vit

    “Amerikanët janë lodhur nga kjo”: ShBA drejt heqjes së ndryshimit të orës dy herë në vit

    Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së votoi të martën me shumicë dërrmuese për të miratuar një projektligj që do t’i jepte fund praktikës së ndërrimit të orëve dy herë në vit dhe do ta bënte të përhershme orën e verës.

    Opjektivi për t’i dhënë fund ndërrimit të orës ka mbështetje dypartiake, përfshirë mbështetjen e Donald Trump dhe disa bashkë-sponsorizuesve demokratë.

    Pas një votimi prej 308-117 në Dhomën e Përfaqësuesve, projektligji do të shkojë më pas në Senat, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    The U.S. House voted 308–117 to approve the Sunshine Protection Act, which would make daylight saving time permanent and end the twice-yearly clock changes.

    The bill now moves to the Senate.pic.twitter.com/7Zc5xwKz9g
    — Clash Report (@clashreport) July 15, 2026

    Shumica e shteteve të SHBA-së i ndryshojnë orët dy herë në vit.

    Projektligji, i sponsorizuar nga Vern Buchanan, një përfaqësues republikan i Floridas, do ta bënte orën e kursimit të ditës orën e re standarde të përhershme.

    Sipas propozimit, shtetet do të kishin mundësinë të mos e zbatonin dhe të qëndronin në orën standarde të përhershme.

    “Amerikanët në të gjithë vendin janë të lodhur nga ndryshimi i orës dy herë në vit, dhe provat janë të qarta se koha e kursimit të përhershëm të ditës mund të përmirësojë shëndetin publik, të zvogëlojë aksidentet rrugore, të ulë krimin dhe të inkurajojë më shumë aktivitete në natyrë”, tha Buchanan përpara votimit. /Telegrafi/

  • Nis zbatimi i amnistisë penale, qindra të dënuar në Shqipëri lënë qelitë

    Nis zbatimi i amnistisë penale, qindra të dënuar në Shqipëri lënë qelitë

    Ka nisur këtë të mërkurë në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vend, zbatimi i ligjit për amnistinë penale.

    Dyert e burgjeve janë hapur që në orët e para të mëngjesit për qindra të dënuar që përfitojnë lirim të menjëhershëm.

    Sipas të dhënave, lirimet kanë nisur paralelisht në disa burgje. Mësohet se burgun e Peqinit, 156 të dënuar përfitojnë lirim të menjëhershëm. Ata janë të dënuar për vepra të ndryshme penale, raporton euronews.al.

    Në burgun e Lushnjës do të lirohen 127 të burgosur. Në Fier lirohen 104 të burgosur. Gjithashtu në Reç lirohen 101 të dënuar.

    Në Rrogozhinë përfitojnë lirim të menjëhershëm 94 persona. Në Korçë 60 të liruar përfshirë edhe 12 të liruara nga burgu i Pojkës.

  • 17 anije tregtare kaluan të martën në Ngushticën e Hormuzit

    17 anije tregtare kaluan të martën në Ngushticën e Hormuzit

    Një total prej 17 anijesh tregtare kaluan tranzit në Ngushticën e Hormuzit të martën, me vetëm 10 prej tyre që niseshin nga Gjiri Persik, sipas të dhënave nga firma analitike Kpler.

    Të gjitha anijet përveç njërës, ndoqën ose “rrugën e errët”, duke fikur gjurmimin GPS ndërsa kalonin nëpër ngushticë, e cila kërkon miratim paraprak nga Teherani, sipas të dhënave të Kpler.

    Disa nga këto anije mund të kenë qenë duke u përpjekur të largoheshin nga Gjiri përpara se SHBA-të të rivendosnin bllokadën e posteve iraniane në orën 23:30 sipas orës lokale.

    Tranzitet përmes ngushticës ishin rritur pas heqjes së bllokadës së mëparshme amerikane dhe nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit midis SHBA-së dhe Iranit. Por kalimet ishin bllokuar përsëri ditët e fundit që kur rifilluan sulmet.

  • Von der Leyen mbërrin në Kiev për të diskutuar dronët dhe anëtarësimin në BE me Zelensky

    Von der Leyen mbërrin në Kiev për të diskutuar dronët dhe anëtarësimin në BE me Zelensky

    Ursula von der Leyen ka mbërritur në Kiev për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky dhe për të thelluar bashkëpunimin mbrojtës midis Bashkimit Evropian dhe Ukrainës, me një fokus të veçantë në prodhimin e dronëve.

    Vizita e së mërkurës shënon herën e dytë këtë vit që presidenti i Komisionit Evropian ka udhëtuar në kryeqytetin ukrainas, transmeton Telegrafi.

    Atëherë, në fund të shkurtit, von der Leyen u përball me një peizazh të zymtë.

    Ukraina po kalonte një dimër të rraskapitës me ndërprerje të përhapura të shkaktuara nga sulmet e pamëshirshme të Rusisë.

    Hungaria papritmas kishte bllokuar kredinë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh dhe procesi i anëtarësimit të Kievit ishte paralizuar plotësisht, pa asnjë zgjidhje në horizont.

    Kjo vizitë e dytë zhvillohet në një sfond shumë të ndryshëm.

    Ukraina ka fituar një avantazh në fushën e betejës duke nisur sulme të guximshme me rreze të gjatë veprimi kundër rafinerive të largëta të naftës të Rusisë, duke shkaktuar një krizë të dhimbshme karburanti që po shtrëngon më tej vidhat në ekonominë e luftës të Moskës.

    Kredia prej 90 miliardë eurosh është në funksion dhe procesi i anëtarësimit po ecën përpara. Të martën, Ukraina hapi një tjetër grup negociatash.

    “Ukraina ka ndërtuar një vrull të fortë ushtarak. Batica po ndryshon”, tha von der Leyen me të mbërritur në Kiev.

    “BE-ja po luan plotësisht rolin e saj, me kredinë tonë prej 90 miliardë eurosh. Në Ukrainë, unë do të njoftoj iniciativa të reja për të thelluar integrimin e industrive tona të mbrojtjes”, shtoi ajo.

    Diskutimet synojnë të përqendrohen te dronët, mjetet ajrore pa pilot që dominojnë betejën në qiell ndërsa lufta e rraskapitjes ngec.

    Zelensky ka paralajmëruar për javë të tëra një “marrëveshje të afërt për dronë” midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, detajet e së cilës pritet të zbulohen të mërkurën. Një nga risitë kryesore do të jetë ruajtja e këtyre dronëve në territorin e BE-së.

    Të dy udhëheqësit do ta shesin atë si një zgjidhje të favorshme për të dyja palët: Ukraina do të përfitojë nga shkalla industriale e Evropës dhe Evropa do të shfrytëzojë zgjuarsinë teknologjike të Ukrainës.

    Ndërsa ndodhet në Kiev, Zelensky do ta dekorojë von der Leyen me Urdhrin e sapokrijuar të Evropës, një çmim që nderon ata që ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtës së Ukrainës si komb i pavarur dhe në avancimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE.

    Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në edicionin e 5-të të samitit Ukrainë-Evropë Juglindore, së bashku me udhëheqësit e Kroacisë, Moldavisë dhe Rumanisë, ndër të tjera. /Telegrafi/

  • Hajnat hynë me forcë në një shtëpi derisa pronari ishte në pushime, i vodhën 7 mijë euro dhe 500 franga në Leposaviq

    Hajnat hynë me forcë në një shtëpi derisa pronari ishte në pushime, i vodhën 7 mijë euro dhe 500 franga në Leposaviq

    Një familje në Leposaviq është kthyer nga pushimet për t’u përballur me një vjedhje të rëndë në shtëpinë ku jetonte me qira.

    Siç mësohet ngjarja ka ndodhur në rrugën “8 Maji” në Leposaviq.

    Ankuesi ka deklaruar se, derisa ndodhej në pushime me familjen, persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në shtëpi dhe kanë vjedhur 7 mijë euro dhe 500 franga zvicerane.

    Pas raportimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet e para hetimore, ndërsa viktima është intervistuar lidhur me rastin.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, gjatë ditës në vendin e ngjarjes do të dalë edhe njësia e Krim-Teknikës për ekzaminim të detajuar. Po ashtu, do të intervistohen si dëshmitarë bashkëshortja e ankuesit dhe dy fqinjë.

    Me vendim të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve janë në vazhdim.

  • Tentoi t’i vriste katër persona me armë zjarri në Deçan, ngritet aktakuzë ndaj të pandehurit

    Tentoi t’i vriste katër persona me armë zjarri në Deçan, ngritet aktakuzë ndaj të pandehurit

    Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet I.Z , për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    Sipas aktakuzës, më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit, i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se me përdorimin e një arme zjarri ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona. Si pasojë e të shtënave, tre të dëmtuar kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, prej të cilëve dy kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri lëndime të lehta trupore. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa u lënduar.

    Aktakuza gjithashtu ngarkon të pandehurin se armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale e kishte mbajtur pa autorizim ligjor, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Armët. Pas arrestimit të tij, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municion.

    Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri I.Z të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.