ATV

Author: G.O.

  • Osmani nga Washingtoni: Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për Kosovën

    Osmani nga Washingtoni: Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së paparalajmëruar që po zhvillon në Washington, është takuar me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brian Mast.

    Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për lidhjen historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, duke e konsideruar si një aleancë e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri.

    “Me administratën e Presidentit Trump, synojmë thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, investimet strategjike dhe vazhdimin e punës së përbashkët për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

    Tutje, ajo ka potencuar se mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për Kosovën.

     

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin që e vrau të zhdukurin në malet e Ferizajt

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin që e vrau të zhdukurin në malet e Ferizajt

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur një muaj paraburgim ndaj L.F. pasi dyshohet për vrasjen e të zhdukurit B.V. që u gjet i vdekur më 5 shkurt të këtij viti viti.

    Në njoftimin e gjykatës thuhet se i ndjeri ishte vrarë me sëpatë në kokë dhe më pas ishte goditur edhe në pjesë tjera të trupit.

    I njëjti akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë.

    Më poshtë e keni rastin e plotë si ka ndodhur e gjithë ngjarja duke u bazuar në të dhënat e lëshuara nga gjykata:

    Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 23 janar 2025 në orët e pasdites, në malet e një fshati të Komunës së Ferizajt, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta viktimën B.V., në atë mënyrë që të njëjtit së bashku më datë 22 janar 2025, fillimisht shkojnë në një villë, ku aty qëndrojnë së bashku, kurse të nesërmen të dy në këmbë nisen për tu kthyer në shtëpitë e tyre, ashtu që për shkaqe të panjohura deri më tani të njëjtit devijojnë rrugën dhe vazhdojnë për malet e një fshatit të Komunës së Ferizajt dhe me të arritur afër fshatit i pandehuri për motive ende të panjohura fillimisht e godet me sëpatë në kokë nga mbrapa, pastaj e godet edhe disa herë në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dhimbje, derisa të njëjtin e privon nga jeta, pastaj viktimën e gropos në një vend në mal duke e mbuluar me dhe e drunjtë kufomën me qëllim të fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse më datë 5 shkurt 2025 nga disa persona të fshatit gjendet trupi i pajetë i viktimës si dhe në afërsi të kufomës janë gjetur edhe rrobat e tij të djegura.

  • Përurohet nënstacioni policor në Leshak të Leposaviqit

    Përurohet nënstacioni policor në Leshak të Leposaviqit

    Në Leshak të Leposaviqit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, dhe nënkolonelin Veton Elshani, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të nënstacionit policor në Leshak të Leposaviqit, raporton Ekonomia Online.

    Ky objekt, i cili është ndërtuar për më pak se pesë muaj, i ka 2300 metra katrorë dhe ka kushtuar afër 782 mijë euro.

    “Tri të katërtat është stacioni policor, një e katërta është Agjencioni për Regjistrim Civil, në mënyrë që të ofrojmë edhe më shumë siguri për qytetarët këtu, por edhe më afër shërbimet e domosdoshme për ta”, deklaroi kryeministri.

    Ai falënderoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe të gjithë punëtorët e punëkryesit për realizimin e punës në afat kohor të shpejtë, derisa shprehu mirënjohje për mikpritjen nga ana e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi dhe nënkryetarja Marina Bogojeviq.

  • BE-ja kundërshton vendimin e Trumpit: Sanksionet kundër GJNP-së minojnë sistemin e drejtësisë ndërkombëtare

    BE-ja kundërshton vendimin e Trumpit: Sanksionet kundër GJNP-së minojnë sistemin e drejtësisë ndërkombëtare

    Sanksionimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale kërcënon pavarësinë e saj dhe minon sistemin ndërkombëtar të drejtësisë penale në tërësi, deklaroi sot presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

    “Urdhri Ekzekutiv përfaqëson një sfidë serioze për punën e GJNP-së me rrezikun e ndikimit në hetimet dhe procedurat në vazhdim, përfshirë ato në lidhje me Ukrainën, duke ndikuar në përpjekjet e viteve për të siguruar llogaridhënie në mbarë botën”, tha ndërkohë një zëdhënës i Komisionit Evropian, i cili “shpreh keqardhjen e tij për vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare”.

    ”Gjykata Penale Ndërkombëtare ka një rëndësi thelbësore në mbështetjen e drejtësisë penale ndërkombëtare dhe luftës kundër pandëshkueshmërisë”, vazhdoi zëdhënësi i Komisionit Evropian duke shtuar se ”BE mbështet Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe parimet e përcaktuara në Statutin e Romës. BE do të monitorojë implikimet e urdhrit ekzekutiv dhe do të vlerësojë masat e mundshme të mëtejshme”.

    Presidenti i ShBA-së, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që miraton sanksionet kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë.

    As SHBA-ja e as Izraeli nuk janë anëtarë apo nuk e njohin gjykatën, e cila ka lëshuar fletarrestime për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për krimet e pretenduara të luftës lidhur me përgjigjen ushtarake të shtetit të tij në Gazë, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023.

    Urdhri i nënshkruar nga Trumpi e akuzon GJNP-në se po përfshihet në “veprime të paligjshme dhe pa bazë që shënjestrojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë Izraelin” dhe për abuzim të pushtetit duke lëshuar “fletarrestime të pabaza” kundër Netanyahut dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

  • ​KQZ-ja miraton planin operacional për zgjedhjet

    ​KQZ-ja miraton planin operacional për zgjedhjet

    Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar planin operacional për ditën e zgjedhjeve të 9 shkurtit si dhe votimin e nesërm të mërgatës në përfaqësisë diplomatike.

    Qendra e parë diplomatike që do të hapet për votim të mërgatës më 8 shkurt do të jetë në Ankara, ndërsa ato të fundit që do të mbyllen janë në SHBA dhe Kanada.

    Në kuadër të këtij plani operacional janë paraparë edhe intervalet kohore kur do të bëhet raportimi i daljes së votuesve dhe rezultatet preliminare.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u bëri thirrje qytetarëve të diasporës që janë regjistruar suksesshëm për të marrë pjesë në zgjedhje, që të votojnë “duke respektuar rendin e shtëpisë në shtetet ku organizohet votimi”.

    “Është hera e parë për KQZ-në që e organizojmë votimin për konsullata dhe ambasada. Ftoj qytetarët që janë regjistruar suksesshëm për të votuar të dalin në votim dhe të respektojnë rendin e shtëpisë në shtetet që organizohet votimi. Uroj për një proces të qetë dhe duke falënderuar stafin e MPJD-së uroj për votim të suksesshëm dhe proces të rregullt dhe demokratik”, tha ai.

    Ndërkaq, anëtari i Këshillit për Operacione Zgjedhore në KQZ, Arianit Elshani, bëri të ditura detajet e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për votimin e mërgatës me 8 shkurt.

    “Në kuadër të këtij plani operacional janë paraparë edhe akterët që do të jenë të përfshirë në dhomën operative të KQZ-së. Bëhet fjalë për prokurorinë dhe policinë e Kosovës, linjat telefonike që do të jenë të hapura për të raportuar dhe marrë ndonjë informacion nga KQZ-ja në ditën e zgjedhjeve. Po ashtu janë ndarë edhe ekipet që do të merren me çështje protokollare, komunikimin dhe informimit. Njëherë janë përcaktuar edhe intervalet kohore se kur do të bëhet raportimi i daljes së votueseve. Raportimi për pjesëmarrjen në zgjedhje do të bëhet në tre terminë. E para do të bëhet njoftimi për hapjen e vendvotimeve, në orën 11:00 për daljen e votuesve, pastaj dalja e votuesve deri në ora 15:00 dhe në fund në ora 19:00. Pas kësaj mbetet për t’u konfirmuar, varet kjo prej k-votë të cilët do të raportojnë për rezultatet preliminare kohën do ta definojmë gjatë ditës së diele. Të njëjtën raportim do të kemi edhe për ditën e nesërme për ditën e zgjedhjeve në mërgatë që do të mbahen në përfaqësitë diplomatike. Qendra e parë e votimit do të jetë ajo në Turqi dhe ajo e fundit që do të mbyllen më e vonshmja do të jetë në Amerikë dhe Kanada. Tjerat janë në time-zone tonë”, tha ai.

    Në anën tjetër, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pas insistimit të mediave, foli edhe për raportimet se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka zarfet me fletëvotime dhe i ka dërguar në ambasadë në Kroaci.

    Ai tha se zyrtarisht ende nuk dinë asgjë dhe se ato pretendime mbetet të vërtetohen.

    “Zyrtarisht ende nuk dina asgjë. Kemi dëgjuar prej mediave dhe ka fjalë nga KQZ-ja. Zyrtarisht nuk e dina çka ka ndodh dhe kjo mbetët të vërtetohet”, tha ai.

    KQZ-ja shqyrtoi edhe një kërkesë për realizimin e një exit-polli, ku nuk kishte vendimmarrje pasi u konsiderua se për realizimin e tyre jashtë qendrave të votimit nuk ka nevojë për leje.

    Krahas këtyre u bë e ditur se në ditën e zgjedhjeve, më 9 shkurt do të jenë edhe 108 ekipe mobile për të mundësuar votimin për personat me nevoja të veçanta.

    ​Anëtari i LV-së në KQZ: E pavërtetë se ambasadori Berishaj ka transportuar zarfet me vota

  • Pas raportimit të ATV-së, largohet copa e fasadës që i rrezikonte fëmijët në Fushë-Kosovë

    Pas raportimit të ATV-së, largohet copa e fasadës që i rrezikonte fëmijët në Fushë-Kosovë

    Pas raportimit të ATV-së se një pjesë e fasadës në një objekt kolektiv banesor në afërsi të shkollës fillore të mesme të ulët ‘’Mihal Grameno’’, në Fushë Kosovë, rrezikonte nxënësit, e njëjta është larguar, duke shmangur kështu rrezikun dhe frikën që prindërit kishin.

    ‘’Po normal që është shqetësuese edhe unë këtu pak me parë duke e prit vajzën tem prej shkollës me shkun sytë dhe e pash në këtë objekt është pjesë e kësaj ndërtese që mund ta rrezikoj çdo fëmijë edhe tash masi ndodhin këto ne tash e shohum atë vuajtjet tona, mërzitë tona’’.

    ‘’Po katastrofë zojë, gjithçka është, inspeksioni është përgjegjës, normale duhet mu rregullu ku nuk është në rregull po e djalit është, jemi të frikësum por kujt me ju drejtu sepse pushtetarët s’po kanë kohë me u marrë me këtë gjana’’

    ‘’Këtu frikësohemi sepse kalojnë fëmijët këndej e kalojnë edhe të mëdhenjtë, kisha thënë me marrë masa me rregullu këtë çështje ose me mbyll këtë rrugë mos me kalu askush kësajde’’, patën deklaruar për ATV-në, prindërit e nxënësve të SHFMU “Mihal Grameno”.

    Kujtojmë se si pasojë e shembjes se një objekti të vjetër dhe të braktisur gjashtë ditë më parë në Jabllanicë të Gjakovës, kanë vdekur tre të rijnë.

  • ​Anëtari i LV-së në KQZ: E pavërtetë se ambasadori Berishaj ka transportuar zarfet me vota

    ​Anëtari i LV-së në KQZ: E pavërtetë se ambasadori Berishaj ka transportuar zarfet me vota

    Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i ka quajtur të pavërteta raportimet e djeshme se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, zarfet me fletëvotime i ka dërguar në ambasadë.

    Sipas tij, përmes “dezinformatave po tentohet të cenohet integriteti zgjedhor”.

    Ai në mbledhjen e sotme të KQZ-së, tha se 20 zarfe janë tërhequr për shkak të presionit të postës dhe se të njëjtat janë tërhequr nga ekipet e autorizuara, dhe siç tha ai, janë të mbyllura.

    “Është tërësisht e pavërtetë prej kontekstit qysh e kemi trajtuar. Tërësisht e pavërtetë dhe është si mënyrë të informimit e ulët dhe përpjekje për me denigruar integritetin qoftë të institucionit të KQZ-së dhe MPJD-së dhe ambasadorit në fjalë. Ne falë të cilëve kemi arritur sot t’i realizojmë me sukses të gjithë procedurat të cilat kanë mundësuar regjistrimin, votimin në postë, sjelljen e zarfeve në adresat postare dhe bartjen e tyre. Me këta ambasadorë, zyrtarë të përfaqësive diplomatike kemi arritur me sukses që t’i bëjmë të gjithë zarfet. Natyrisht në këtë proces dhe jo vetëm këtë ne mund të kemi mungesë të koordinimit të duhur…Le të del sa më parë edhe Prokuroria se ka treguar një interesim të jashtëzakonshëm në këtë çështje. Le ta shikon dhe secilin proces prokuroria është e lirë të verifikojë dhe të sheh se s’ka asgjë për çka është tentuar të paraqitet. Dëmi është publik dhe institucional që dikush me qëllim apo agjenda po tentohet të paraqitet. S’ka asgjë të vërtet me pretendimet që është bërë me këtë qëllim apo tjetër. Le t’i tregohet publikut se sa ato 10-20 zarfe sa kanë mundur me qenë janë tërhequr për shkak të presionit të postës. Ato janë tërhequr prej ekipeve të autorizuara, janë në sef”, theksoi ai.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të ambasadorit Martin Berishaj rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Kosovës në diasporë

  • Policia shpall në kërkim një person, akuzohet për dy vepra penale

    Policia shpall në kërkim një person, akuzohet për dy vepra penale

    Policia e Kosovës më saktësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka shpallur në kërkim një person.

    I kërkuari nga policia është Egzon Berisha i lindur me 13.09.1993 nga Peja. Ai po kërkohet për dy vepra penale: “Lëndim i rëndë trupor’’ dhe “Dhunë në familje’’.

    Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkëngjitur, ta lajmërojë Policinë e Kosovës apo të paraqitet në stacionin më të afërt policor.

  • Santorini dridhet sërish, dy lëkundje ndihen pak minuta para vizitës së kryeministrit Mitsotakis

    Santorini dridhet sërish, dy lëkundje ndihen pak minuta para vizitës së kryeministrit Mitsotakis

    Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka mbërritur në Santorini, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Civile, në shenjë solidariteti për ishullin e goditur nga tërmeti.

    Ai e nisi vizitën – të parën që nga shprehja e shqetësimit nga sizmologët për rritjen e aktivitetit sizmik intensiv – duke inspektuar njësinë e lëvizshme të operacioneve të dërguar nga brigada e zjarrfikësve.

    Më pas ai ndaloi në spitalin e ishullit dhe vizitoi forcat speciale.

    “Dua t’i siguroj banorët e Santorinit dhe ishujve të tjerë se shteti është në krahun e tyre. Është më mirë të jemi të përgatitur,” tha Mitsotakis.

    Mijëra lëkundje nënujorë kanë tronditur ishullin që nga fundjava, me dy tërmete – me magnitudë 3.8 dhe 3.9 në shkallën Rihter – që goditën brenda dhjetë minutash, pak para se Mitsotakis dhe ekipi i tij të uleshin në ishull.

    Një tërmet edhe më i fuqishëm, me magnitudë 4.8, tronditi Santorinin më herët në mëngjes, duke shkaktuar rrëshqitje të tjera gurësh.

    Rreth 12,000 persona – banorë, turistë dhe punëtorë – janë larguar nga ishulli duke përdorur çdo mjet të mundshëm për të shpëtuar.

  • Kallas: Shkëputja e Baltikut nga rrjeti energjetik rus, fitore për lirinë

    Kallas: Shkëputja e Baltikut nga rrjeti energjetik rus, fitore për lirinë

    Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se shkëputja e shteteve baltike, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë nga rrjeti i energjisë energjetike i Rusisë është një “fitore për lirinë”.

    Të tri shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s pritet që të shtunën, më 8 shkurt, të shkëpusin lidhjet e energjisë elektrike me Moskën, në një lëvizje politike tri dekada pasi këto vende u çliruan nga sundimi i Kremlinit.

    “Rusia më nuk mund ta përdorë energjinë si mjet për shantazh”, tha Kallas, ish-kryeministre e Estonisë.

    “Kjo është fitore për lirinë dhe unitetin evropian”.

    Shtetet e Baltikut për vite me radhë janë përgatitur që të shkëputen nga rrjeti elektrik i epokës sovjetike dhe të integrohen në rrjetin evropian, por janë përballur me probleme teknologjike dhe financiare.

    Shkëputja nga rrjeti energjetik rus u bë më urgjente pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, gjë që nxiti frikë në mesin e shteteve të Baltikut se ata mund të ishin shënjestra e radhës, raporton REL.

    Pas nisjes së pushtimit, ata ndaluan së bleri gaz dhe energji ruse, por rrjetet energjetike të tri shteteve vazhduan të ishin të lidhura me Rusinë dhe Bjellorusinë, e të kontrolluara nga Moska.

    BE-ja në përgjithësi ka ulur në mënyrë drastike konsumimin e energjisë ruse, që kur nisi lufta në Ukrainë.

    Të shtunën, kur zyrtarisht tri shtetet baltike të shkëputen nga rrjeti rus, pritet të ketë festime zyrtare për këtë ngjarje edhe pse disa konsumatorë janë të shqetësuar se mund të ketë ndërprerje të furnizimit.

    Letonia do të ndërpresë fizikisht linjën elektrike me Rusinë të shtunën dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të marrë pjesë në një ceremoni me udhëheqësit e Baltikut që do të mbahet në Lituani po atë ditë.